Nuk ishte as dy vjeç, kur i ati u arratis dhe Engjëlli u internua nga Kolonja në kampin e Kamzës. Po aq të vegjël do i linte fëmijët, kur e dënuan atë vetë. E akuzuan për agjitacion dhe propagandë, kur ai nuk e dinte çfarë do të thoshte dhe spiunët nuk i ndaheshin as kur doli nga burgu, pas 7 vitesh e gjysmë. Ishin të gjitha pasoja të angazhimit të të afërmëve të tij me forcat e Ballit Kombëtar dhe arratisjes së tyre, të cilat do të ndalonin vetëm kur u rrëzua regjimi komunist
Dëshmia e plotë:
Kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?
Kam lindur në 18 janar 1948. Familja ime ka qenë një familje ballistësh. Babai dhe xhaxhai im kanë marrë armët, kanë luftuar me Ballin, por xhaxhai im është vrarë në përpjekje e sipër, 18 vjeç dhe tani është Dëshmor i Demokracisë, i dekoruar. Kur e vranë, kalojnë mbi trupin. I vdekuri nuk shkelet, këtë e kishte dhe gjermani. Por partizani i bie me shqelm. Në xhep xhaxhai kishte një stilolapës, ishte student dhe ikën stilolapsi. Ai e merr, e fut në xhep se do bëhej i pasur me atë stilolapës.
Po pas luftës çfarë ndodhi?
Pas '44-ës, fillojnë raprezaljet. Ne kemi pasur në lagjen Isakasi, një të njohur, Shahin Panariti dhe ai ka qenë mik i shtëpisë sonë para luftës, por si filloi lufta ai kaloi andej, ne ishim me Ballin. Dhe në Isakas, brenda, është bërë luftë në '49-ën, thoshin "Isakasi është Berlini i vogël", që ra i fundit këtu. E u arratisën këta njerëzit e lagjes sonë, Gani Malushi, Safet Malushi, Xhafer Malushi...Këta ishin me detyrë, Gani Malushi ka qenë partizan, pastaj kaloi këtej se e pa dhe ai. Iku me Hamit Matjanin, shok i ngushtë, e kanë pushkatuar me Hamit Matjanin. Si përfundim, babai im nuk iku, nuk u arratis, por ishte me dhen edhe vinte një operativ Sigurimi në Varisht dhe i thoshte: "Ti do na tregosh o Shefki se kunatën e ke motrën e atyre, të na tregosh kur hynë e kur dalin këta". A mund t'i bënim këto punë? Si përfundim, i thotë të atit të këtyre, Meços: "Ç'do bëjmë se mua nuk më lë rehat ai?". "Do arratisemi", i thotë ai. Edhe u bënë një grup i madh këta, ikën u arratisën. Ikën në Greqi. Në këtë kohë, kur ikin këta, na internojnë. Nëna ishte shtatzënë me motrën, unë një vjeç, një vjeç e gjysmë kaq mund të kem qenë. Na shpien në kazermat italiane në kodrat e Kamzës. Atje, kemi ndenjur rreth dy vjet. Në kohën që ishim në internim, babai erdhi prapë, me gjithë Safetin, me gjithë këta, që të na merrnin ne. Mirëpo ne na kishin internuar. Në këtë kohë, xhaxhai im i vogël, ishte ushtar, edhe kishte ardhur. Edhe vijnë këta t'i mbushin mendjen: Të ikësh! "Ore, jam i vogël. Kemi shtëpinë", andej-këndej. Në këtë kohë, u lajmërua Sigurimi. Ndërsa një vëlla i këtyre, i Gani Malushit, edhe ky ishte i dekoruar në provokacionin e 2 gushtit dhe kishin një fejesë në Gjonç, ishin mbledhur për qejf. Këta ishin brenda. Në këtë kohë, arriti Sigurimi, i rrethoi, filloi lufta. Mirëpo babai im ka qenë shumë i madh, shumë i fuqishëm dhe u hodhën, e çanë rrethimin. Mbushën armët. Si përfundim babai im kaloi, Safeti dhe ata të tjerët mbetën dhe xhaxhai im i vogël dhe Fahriu, që kishte pirë, që ishte për qejf atje. E morën Fahriun dhe xhaxhanë tim, të voglin, i lidhën me litar dhe i kanë sjellë këtu në Ersekë, zvarrë. Si përfundim, i shpunë në Korçë, xhaxhanë tim e dënuan 10 vjet.
Me ju në internim çfarë ndodhte?
Mbas dy vjetëve, më lirojnë mua, bashkë me gjyshen, nënën e babait. Kur ishim në internim, gjyshja ime dilte mblidhte shkarpa aty. Për të fjetur na jepnin ca kapota të vjetra ushtarake, të shikoje diellin. Me fier poshtë, shtronim fier dhe flinim. Edhe si përfundim, na heqin ne, vijmë këtu ne. Na prenë bukën. S'kishte atje. Nëna mbante veç çupën që e kishte në gji. Një pjatë makarona atje tërë ditën e ditës, më fal për shprehjen, me krimba. Edhe mua më sollën këtu.
Çfarë gjendje gjetët kur u kthyet në shtëpi?
Këtu na i kishin sekuestruar të tëra. Unë isha dy vjeç. Të binte miu bëhej copë, nuk kishte gjë në shtëpi. Aty më merr gjyshja në kurriz, jemi ngjitur në Labanik, më ka shpënë gjyshja te nëna e nënës. Atje ka ndenjur rreth 4 ditë gjyshja. Mua më la atje, vetë erdhi këtu. Këtu u sëmur, nga këmbët, nga e ftohta që më shpuri mua atje. Si përfundim, vdiq nga këmbët dhe e kanë varrosur me mistrishta, nga ato që hanë lopët, hapën një gropë, se s'kishte asnjë njeri, hodhën ca mistrishte atje dhe e vunë. Kjo është historia ime deri në '51-shin.
U rritët me gjyshen?
U rrita jetim, si të thuash. Babai ikur, nëna në internim. Nuk e njihja fare. Njihja vetëm gjyshen, nënën e nënës. Më ka rritur deri në '57-ën.
Çfarë ndodhi në '57-ën?
Në '57-ën gjyshja më shpuri dy muaj në Lushnjë se ishte në Savër të Lushnjës nëna, se e hoqën që andej, i transferuan. Ka vajtur në Bënçë të Tepelenës dhe vinin për dru për kuzhinën. Ishte një mal, thoshte nëna, i hidhnin drurët në Vjosë dhe dilnin prapë aty afër kampit në Bënçë dhe i merrnin. Në ujë të ftohtë, dimër-behar. Këtë punë kishin. Dhe si përfundim nëna ime nga Bënça vajti në Cërrik, nga Cërriku, vajti në Savër të Lushnjës. Në Savër të Lushnjës, më dërgoi gjyshja mua. Motrën e mori një tezja ime në Dishnicë dhe më dërguan mua dy-tri muaj. Unë nuk rrija se nuk e njihja nënën. Si përfundim, erdhi më mori gjyshja në Gjonç, solli motrën. Nga '57-a pastaj erdhi nëna këtu, morëm një tokë 2-3 dynymë. Punonte nëna. Nëna punonte vetëm, nuk na linte pa bukë, se ishte shumë e fuqishme. Pastaj, erdhi një xhaxhai im nga burgu, Xhemili, që e hoqën me litar zvarrë atëherë. I pamartuar. Punoi 6 muaj këtu te themelet e kinemasë. Kur kthehem nga shkolla, më thotë një grua mua: Iku Xhemili! Pse?-i them unë. "Erdhën dy polica e morën". Në internim, xhaxhanë. Vajtëm ne në shtëpi. Kujë aty. Të nesërmen na i sjellin prapë xhaxhanë dy policë. Vjen merr plaçkat. Merr një dyshek, vetëm, asgjë tjetër dhe ikin andej nga bregu. Si përfundim, e prunë në Shtyllas. Ne mbetëm vetëm prapë. Unë shkoja në shkollë në Ersekë, klasë e pestë. Biles kishte një rrogë pa marrë ai. I tha plakës sime: "Të marrësh lekët, dhe t'i marrësh një palë këpucë". Për mua. Edhe ashtu bëri. Pas gjashtë muajsh, kërkojmë një shpërngulje ne të na merrte xhaxhai pas. Gjoja sikur do venim të punonim gjashtë muaj. Na e jep kryetari. Të themi atë që është. Vajtëm, gjoja do punonim, nuk ikëm që atje më. Mbetëm atje. Ndenjëm dy vjet në Shtyllas. Një të na marrë prej andej. Në pëlcasin në Zharëz. Po në Shtyllas, ishte me apel xhaxhai. Binte çanga në mëngjes dhe në darkë. Po të mos vije në apel: "ke ikur"! Ndenjëm pesë vjet në Zharëz. U lirua xhaxhai. Malli për vendin ishte shumë i madh. "Do shkojmë prapë në fshat"! Erdhëm. Kishim bërë ca lekë atje, se punonim në fakt, bëmë dy palë shtëpi, të vogla, me nga dy dhoma të vogla.
Ju personalisht, kur filluan t'ju ndiqnin?
Më morën ushtar mua, vajta ushtar në brigadë pune, në Seman të Fierit, në Topojë. Na jepnin armë, por pa fishek, pa gjë. Punonim në misër, patate, këtë punë bënim. U lirova që andej, erdha në shtëpi. Në '79-ën punoja me një karrocë me qerre. Para një muaji ma morën atë karrocën, por para një viti, më vjen një sinjal nga Korça. Motra ishte e martuar në Pojan. Kur vjen në Korçë, gjen një kushërirë. Asaj i kishte thënë një nga Rajani, kemi ca kushërinj ne në Rajan, që Engjëllin po e ndjekin. Më vjen mua kjo, duke ngrënë bukë, në drekë, kishim një lakror, më thotë: "Ty po të ndjekin". Mua m'u pre goja. Në këtë kohë punonte një operativ Sigurimi, një Neho Plaka, bënte punë fizike në Taç Poshtë. Unë u ngrita dhe desha t'i thosha në fakt, por s'kisha si t'i thosha. Kaloi një vit. E po thashë unë: "Ka qenë ndonjë llaf kot".
Si ndodhi arrestimi?
Në vitin e dytë, në shtator, punoja në Lemëz, nxirrnim patate. Punoja me gruan dhe me një kushëririn e gruas. Atë ditë, më kishte marrë uria shumë. Kishim ca vija nga 20 metra, thashë: "T'i nxjerrim edhe këto edhe të hamë bukë, gjer nga ora 9.00 kështu". Në këtë kohë, ishte një xhade aty, bëhet një tym i fuqishëm. Kaloi GAZ-i i Degës. Më vonë e mora vesh çfarë ishte. "Po ç'është ajo? Ç'është ajo"? "Një makinë". Edhe ndonjëherë, nuk ia qasnim vetes të ligat. Kur vijnë në fund, është një shkëmb atje, dalin nga makina: operativi, hetuesi, një gardian, nënkryetari i Degës dhe një shef operativ tjetër, por ata ndenjën te GAZ-i. Kursë këtu erdhi hetuesi, operativi i zonës dhe i plotfuqishmi. E i pashë unë. "Puna e mbarë! Puna e mbarë"! Kur më vjen mua, Kadri Mulellari dhe më thotë mua: "Si e ke emrin ti?". Unë si e kisha thesin me patate, thashë: "Engjëll Çarçani". "Engjëll Çarçani, për minimin dhe rrëzimin e pushtetit popullor, për agjitacion dhe propagandë, në emër të prokurorit të përgjithshëm, je i arrestuar", më tha mua. Në këtë kohë që më tha ky mua "je i arrestuar", ai i plotfuqishmi, më lidhi duart mbrapa. Gruaja ishte 5 metër larg. Ai kushëriri tjetër ishte pak më larg. Ishte tërë brigada pastaj. Gruan një çikë e pashë unë. Më shpien në fund, në lumë. Ky gardiani kishte një automatik, po ishte dhe i madh kështu, sikur kishin kapur, të thoshe ti...! Unë kam qenë dhe pak si muzikant. Nënkryetari i Degës tha: "Kush i bie gërnetës"? "Unë i kam rënë". "Hajde se do t'i biesh tani".
Kush ishte operativi i zonës?
Operativi i zonës ishte Kadri Mulellari.
Ku ju çuan?
Më marrin mua më plasin në hetuesi. Hetues ka qenë një Aleko Bendua se ky Bujar Iljazi ka qenë në plazh, nuk ishte. Gjatë arrestimit, mua më morën tre veta, më sollën këtu, tre veta shkuan në shtëpi. Për të trembur. Nëna nuk dinte gjë. Nëna e sakatuar se ashtu i ndodhi, ra, u vra, e operova në Tiranë. Ata hynë si shqiponja atje, do kontrollonin ç'kishte në shtëpi. Në shtëpi, ç'kishim ne? Ndonjë qilim të vjetër, ndonjë minder me kashtë. I përmbysën të tëra. Kishin ikur. Mua më sollën në hetuesi. Më fusin nga ora 9.00-10.00 deri në 4.00 të pasdites. Më vjen ky shefi operativ, më thotë: "Hë mo armik, ti ke folur për Enver Hoxhën keq". Ç'të bëja? "Po,- thashë,- unë s'kam folur gjë". "Ke folur, ke folur se unë për Enver Hoxhën hidhem nga kati i tretë", tha. Po nuk e pashë të hidhej, kur vdiq. Vjen ai që më arrestoi, nënkryetari i Degës. "Hë mo armik i m..., tha, ne kishim hall të të marrim këtu të të gjykonim, pa po të ishte ashtu, të vrisnim me pistoletë, bam në kokë, të tërhiqnim si qen zvarrë, të hidhnim në lumë. Po duam të të gjykojmë të na thuash, ç'ke thënë". "E po bela", thashë unë. Kur u arrestova, unë e dija sinjalin, edhe e mora me mend: "Hë moj burazere, paske pasur të drejtë!". Po ç'të bëja, ku të vija unë? Më vjen prokurori, Xhevit Ruci, nga Vlora. Më merr mua ai: Ke thënë? S'ke thënë? "Jo". Ai më tha mua për agjitacion dhe propagandë, por unë nuk e dija ç'do të thoshte se nuk kisha ndonjë ngritje. Më thoshin pastaj "ke thënë këtë, ke thënë këtë". Jo. Ke thënë, jo ç'ke thënë. Duhet të thoshe një gjë, që nuk ishte. Më marrin mua, më shpien në birucë. Ai gardiani hap derën, më shtyn, më thotë: "Këtu e ke vendin ti". Gjej një ordiner atje. Ai ordineri, as më foli. Dy muaj ndenja me të, as gëk, as mëk. Kishte rënë në dificit. I thashë: Nga je? Më tha: "Unë jam dënuar për 170 mijë lekë. Po ti?". "Unë jam dënuar për agjitacion dhe propagandë, por s'e di çfarë është". Dhe s'më foli më ai, se kishte frikë nga unë. Iku ai. Më mbajtën atje, tre muaj. "Ke thënë? S'ke thënë?" Më në fund: "Kam thënë", i thashë. Po një ditë, i them një polici: "Ore andej nga shtëpia, mos di gjë?". Nëna plakë, kisha dy fëmijë, një dy, një tre vjeç, gruaja 23 vjeç. Se kështu ndodhnin atje, i nxisnin gratë që t'i linin burrat, si Shpëtim Stërmasi, që e morën në gjyq. Kemi shumë histori nga këto. -"Yt, ulu aty, armik i m...Do të dish ti si janë nga shtëpia". Dhashë, dhashë, pas tre muajsh: "Kam thënë", thashë unë. "Po shyqyr", tha. Nxori paketën, kishte dy cigare: "Një për ty, një për mua", tha. Kishte një regjistër të hapur. "Do më tregosh kush flet lart e poshtë". "Dëgjo shef hetues, i thashë, unë po të isha i mirë për ty, kisha ardhur më përpara, epo ma zër kokën me derë, nuk di të flas kot". Siç e kishte regjistrin, e mbylli dhe nuk ia pashë më turinjtë.
Si u zhvillua gjyqi?
Si përfundim më nxjerrin në gjyq. Gjyqin ma bëjnë në Taç, po...s'kishte ku të hidhje kokrrën e grurit, të tëra fshatrat. Pa hyrë njerëzit, më futën përpara mua në sallë. Më erdhi ai prokurori, më tha: "Ti ke pranuar, po mos na e kthesh këtu". "Jo, o shoku prokuror, ç'është ajo"? Filloi gjyqi. Më thotë mua, Petrik Nasaj, gjyqtar: "Çohu! Ke pranuar?". "Ohu, thashë, kam pranuar, s'kam pranuar". "Ou, tha prokurori, filloi gjarpri të lëvizë". "Nuk kam thënë gjë", thashë. "Po si"? "Ju e dini". Në gjyq kanë qenë shumë, kanë qenë shokut e mi. Unë vetëm gruan pashë, e kisha atje afër dhe nënën pak. Hetuesi nuk ishte. Filluan dëshmitarët. Kisha nga vendi, nga fshati. Ca ishin të degjeneruar. Në seancën e dytë thërresin hetuesin. Një shoku im, ishte te telefoni, te centrali. Vete prokurori, thotë: "Na e ktheu qeni". Kur seancën e dytë, më vjen mua më rri...polici dhe ai atje. "O viç, o viç,- më tha mua,- po ç'pate"? "Po ç'të them?- i thashë. Ju thoni thuaj atë që them unë". Po të thosha unë kam thënë, "Po me ke kë thënë?" "Kush ishte atje?". Kishte avaze të tjera pastaj, vazhdonte litari shumë gjatë. Edhe unë i thashë: "Nuk kam thënë asgjë". Doja t'i thosha një herë u kam thënë të vdekurve, po do haja një dru të mirë. Se ta themi siç është. Unë kisha babanë të arratisur, dajallarët e gruas të arratisur, Ganiu, shok i Hamit Matjanit, daja im, i arratisur nga Gjonçi, xhaxhai i vrarë me Ballin.
Hetuesi më kishte thënë, se këta ta përgatisnin dënimin: Ti der në 7 vjet do vesh. Kur filloi seanca, dha pretencën prokurori: "10 vjet burg, 5 vjet internim dhe do paguash dhe shpenzimet e gjyqit". Dolën jashtë ata gjoja për të marrë vendimin. Vendimi ishte marrë, kot. Erdhi gjykatësi: ato që tha prokurori, ato do dënohesh.
Sa vjet ju dënuan dhe ku ju çuan?
10 vjet burg, 5 vjet internim dhe të paguaja shpenzimet e gjyqit. Më sjellin këtu në birucë, 7 muaj. Po ka qenë një birucë, nga të vjetrat, ishte me tarracë, pikonte mu në mes të dhomës dhe atë vit ka qenë shumë ftohtë, ngricë, sa ngrinte ai uji. I thashë gardianit: po pikon kjo dhoma. "Ja do i them prokurorit". As erdhi as njeri. Aty ndenja, deri në mars.
Ku ju çuan pastaj?
Atje pastaj në 20 mars: "Bëj plaçkat gati". Ç'të bëja unë? Dy batanijet e tyre ishin. Me hekura më nxorën. Më vunë hekurat. Në autoburg. Ka qenë një Vasil Gjata, edhe ai për politikë. Na marrin të dyve, na çojnë në kaush, te 313-a. Na mbajtën tri ditë. Ca vinin në Ballsh, ca vinin në Spaç. Mua më degdisën në Spaç. Takoj miqtë e mi, Nashon, Qaniun. Më merr Qaniu, më thotë: hajde të pish një kafe. Isha bërë dyll i verdhë. Se i lejonin të pinin kafe. Erdhi vëllai i Muharremit, Petriti, më dha bukën e darkës së tij. Ndenjëm nja dhjetë ditë dhe pastaj më dërguan në minierë. Kur kam vajtur, kemi qenë në një avancim i thoshin, kur kam hyrë në minierë edhe hyra në furrnelë se ikje me kilometra, pastaj do ngjiteshe në furrnelë, atje pikonte, binte erë myk. "O nëne, thashë, tani a do dal gjallë? Atje kam parë..., o Zot i madh!" Mirëpo desh kam prerë dorën. Shyqyr ai minatori, kur e ktheva vagonin, do e kisha prerë. Si përfundim nuk shpëtova prapë. Një herë kisha mbushur vagonin, janë me rula ato, atë piatinën. E kishte vënë ai tubin si shtrembër, unë si isha, m'u kthye vagoni, më ka thyer dorën. Nuk më zuri në gjoks, fati im. Se ai ishte një ton vetë, një ton ka material, dy ton, më ra këtu, ma shtrembëroi dorën. Dal jashtë, një miku im ma zë me kartona, një Fadil nga Shijaku. Më mbajnë një muaj. Më thonë: "E theve vetë dorën". Unë me 125 për qind normën, jo se punoja nga dëshira, por të bëja një kile sheqer, se nuk kisha, gruan e kisha vetëm, nënën plakë, pa pension, pa gjë... Merrja nga 1500 L nganjëherë kështu. Edhe më thonë: "E ke thyer vetë! Je stimulant!" Edhe i bëj një letër komandantit të kampit, por ishte një plak sikur arsyetonte pak. I them: "Zoti komandant, kështu-kështu është puna". "E ik, ik", më thotë mua. Pas ca kohësh më sollën në Tiranë, më mbajtën nja tri ditë atje, ma hodhën në allçi. Më sollën prapë në Spaç.
Ka ngjarje të rënda që ju kanë mbetur në mendje nga Spaçi?
Kur kemi vajtur në spital në Rrëshen, për t'u vizituar, unë jam lidhur me një shok, nga një dorë, me pranga se unë një dorë e kisha të thyer, ai kishte vrarë gishtin. Ishte një nga Shkodra, më vjen keq nuk e mbaj mend emrin. Edhe bëri dhe grafi edhe ai. Erdhëm aty. Të nesërmen vajti në punë ai, ai u vra të nesërmen në punë. E shumë e shumë të tjera. Një nga Leskoviku, Beni, e zuri lopata këtu në grykë dhe u bë me vija-vija. Ishte një djalë nja 20 vjeç. Kemi shumë raste.
Sa vite burg bëtë në Spaç?
Në Spaç pothuajse i bëra të gjitha. Shumë pak, ca muaj, më hoqën, më vunë në ndërtim. Më ka marrë një Shkëlqim Bumçi, se unë punoja shumë, siç thashë. Ai na ka hequr mua një, Petritin dy, na ka shpënë në Tiranë punuam ca kohë në ndërtim, nja dy-tre muaj kështu. Këtë e njihnin, ishte kryeinxhinier dhe ky që na njihte ne, dha emrin, na morën ne. Punuam në Tiranë. Në Tiranë u lirova pastaj.
Sa vite burg bëtë gjithsej?
Unë bëra 7 vjet e gjysmë burg. Kam fituar me punë 9 dhe të tjerat nga amnistia, nja 22 muaj.
Në cilin vit u liruat?
Unë kam dalë në fund të '86-ës. Në 6 dhjetor kam ardhur në shtëpi.
Ju kanë ardhur të afërmit t'ju takonin në burg?
Po. Unë kisha veç gruan, edhe një motër se motër e vëlla jemi, siç thashë. Motra erdhi një herë, gruaja më vinte, një herë në gjashtë muaj, një herë në vit, një herë më erdhi një herë në dy vjet.
Fëmijët jua solli ndonjëherë?
M'i solli. Shikonin si të habitur. Mirëpo atje rrinte polici. S'kishe si thoshe.
Sa vjeç ishin fëmijët kur hytë në burg?
Po njëri dy, njëri tre. Tre vjeç ishte djali, dy vjeç ishte çupa. Unë kisha dhe gruan fëmijë, pa lëre...
Cilat ishin vuajtjet e gruas?
Vuante shpirtërisht, vetëm në shtëpi. Vinte në punë. Punonin të gjithë shok me shok, ajo punonte vetëm. Nuk e merrte asnjë njeri, se kishin frikë se e kishte burrin në burg. Punonte vetëm fare, fillikat. Çfarë do bënte?
A e kujtoni momentin kur ke ardhur në shtëpi pas 7 vitesh e gjysmë?
Kam qenë në Tiranë dhe më erdhi gruaja të më merrte. Gruaja në pritje, këta në 10.00 më kanë nxjerrë. Prit e prit të më thërresin. Kur vjen ai polici, dal. Kur kishte ardhur gruaja! I them gruas: O burra! Një taksi, të më gjesh. Tani!". Kisha 12 mijë lekë vetë, se punoja. Një taksi e kam marrë. I thashë atij shoferit: "Dëgjo, do të na shpiesh sa të të hajë makina". E arritëm në Elbasan, doja të kapja trenin, s'e kapëm dot. Kemi ikur në këmbë deri te agjencia që ishte këtu. Aty kam hipur në një makinë të rastit, mirëpo kisha fletën e lirimit, kokën të qethur. Vijmë në Librazhd, del policia atje, në kazermat ushtarake. Ndal! Më shikon mua, thotë: Ti në burg ke qenë? "Po në burg". Merr atë fletën e lirimit, ma lëshon. Djali me çupën kishin ardhur këtu te autobusi, këtu më prisnin, te autobusi. Më dolën ca të tjerë aje më pritën. Ca më erdhën, ca nuk më erdhën.
Çfarë ndodhi pasi u kthyet në shtëpi?
Erdhëm këtu. Duhej dorëzuar fleta e lirimit brenda tri ditësh. Vij që në mëngjes unë në degë. U hodh një shef operativi, një djalë sa kishte ardhur. "Ti, tha, ke babanë të arratisur, ke dhe dajën të arratisur, po do ta tregoj unë qejfin ty". Me vete thashë unë: S'qenkan mbaruar hallet akoma. Katër orë më kanë mbajtur aty. Dola, ika në fshat.
Ku punuat?
Në bujqësi. Ku të vija? Kërkova për në minierë, nuk më dhanë. Doja sepse isha si i shkëputur. "Nuk ka vend", më thanë.
Si i keni përjetuar vitet '90-'91?
Ne, kur erdhi demokracia, nuk na zinte gjumi. Erdhi Azem Hajdari, kemi qenë në mitingje.
Tani fëmijët janë rritur. Djali i madh fitoi me vota të plota për kryetar komune. Djali i vogël, ka mbaruar juridikun, por është pa punë. Megjithatë, sot është fjala e lirë! Vete buka në bark, nuk ke frikë që do vijë polici te dera, çuk-çuk. Se kur erdha nga burgu, më erdhën më përgjonin. Unë mbaja sëpatën te dera. Unë kisha ato mbathjet e gjata të burgut, që na jepnin për dimër. Edhe dola në mbathje, i thashë: "Unë do të pres kokën, kush je?". Si përfundim gjej të plotfuqishmin, në rrugë, i them: "Ore mua më vijnë më përgjojnë. Unë në burg nuk vete më. Unë do i pres kokën, pastaj më vrisni, bëni ç'të doni". "Jo, nuk vjen njeri te ty". Nuk të linin të flije. E kishe te dera. Ndiheshin hapat. Nuk e ktheje kokën nga Gramozi, se thoshin shikon andej, se unë kisha babanë, dainë.
Nga arkiva e familjes Doko/kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.