Arshi Pipa, njeriu, i burgosuri dhe përsëri njeriu

0
1106
blank

Në poemën e tij "Kanali", Arshi Pipa, pyet për të dënuarit e kampit të Vloçishtit a ishin njerëz, siç pyet Primo Levi në librin e tij të kujtimeve nga kampet naziste "A është, vallë, njeri?" dhe më tej, Arshiu, përgjigjet: "Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi". Sot, është 100-vjetori i Arshi Pipës, njeriut që kaloi 10 vjet në burgjet komuniste, nga mundi të shpëtojë gjallë e të kthehet sërish në njeri...Dhe jo në njeri të zakonshëm, por në një nga intelektualët më të rëndësishëm të shekullit për vendin tonë... Këtij vendi, të cilit, koha e gjatë nuk i ka mjaftuar për të rivlerësuar personalitetet e tij dhe për t'u kujdesur për plagët e së kaluarës

Arshi Pipa është një nga ato figura me të cilat do krenohej çdo shtet, aq më shumë vendlindja e tij e vogël. Veç një karriere të spikatur akademike në Shtetet e Bashkuara, ai ka qenë një nga personalitetet më të rëndësishëm të komunitetit shqiptar atje, duke drejtuar për ca kohë edhe organizatën "Vatra" dhe gazetën "Dielli", ndërsa ka përgatitur në vite disa botime të vyera për gjuhën, letërsinë, folklorin dhe historinë e Shqipërisë. E megjithatë ende figura e tij nuk ka zënë hapësirën që meriton në Shqipëri, edhe pse kanë kaluar thuajse 30 vjet nga rrëzimi i regjimit komunist gjatë të cilit Arshiut, si një ish-i dënuar politik, por mbi të gjitha si një i arratisur, nuk mund t'i përmendej emri.

Dhe në këtë atmosferë, vjen 100-vjetori i filozofit, profesorit, poetit, studiuesit të disa fushave, kritikut e publicistit, Arshi Pipa. Ai u lind në Shkodër, studioi filozofi në Firence dhe përjashto 10 vitet e burgut, e kaloi gjithë jetën i rrethuar nga mjediset akademike, fillimisht në Shqipëri e mandej në Shtetet e Bashkuara. Në Universitetin e Minnesota-s, ku drejtoi degën e Gjuhës Italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane, Arshi Pipa futi në kurrikul edhe gjuhën shqipe, duke e justifikuar me studimin e shkrimtarëve arbëreshë, vendim që, kuptohet qartë, se vetëm një shqiptar mund ta merrte, një shqiptar që e donte tokën dhe gjuhën e tij. Gjatë kësaj kohe, iu kushtua studimeve për letërsinë dhe gjuhën shqipe, të cilat botoheshin në anglisht, por në titull kishin fjalën "Albania" ose "Albanian", si “Trilogia Albanica”, “Contemporary Albanian Literature”, “Politics of Language in Socialist Albania”, etj.. Këto studime, bashkë me ato mbi letërsinë evropiane, iu shtoheshin botimeve të tij poetike, të nisura që kur ishte në Shqipëri e që vazhduan edhe në mërgim. Mes tyre, edhe "Libri i burgut", i shkruar fillimisht mbi fletë cigaresh, ndërsa vuante dënimin në kampet dhe burgjet komuniste.

blank

Korrikët e Arshiut

Arshi Pipa, siç ka thënë vetë ai, është lindur më 27 ose 28 korrik 1920. Ka ndërruar jetë po në korrik. Dhe ka qenë po korrik kur jeta e tij u vu në provë ndoshta më shumë se kurdo herë tjetër dhe mori një shenjë të perhershme: korriku i 1948-ës, kur e dërguan në kampin e Vloçishtit. Arshi Pipa ishte arrestuar në vitin 1946. Prej teksteve që mund të lexonte në gjuhë të huaj kishte kuptuar, që në krye të herës, llojin e komunizmit që ishte përqafuar në Shqipëri, ndaj as ai, as i vëllai, Myzafer Pipa nuk u reshtuan në radhët e kësaj lëvizjeje politike. Edhe gjatë luftës, Arshiu i kthyer nga studimet e larta në Firence, nuk pati asnjë angazhim politik. Iu kushtua mësimdhënies në gjimnazet e Shkodrës dhe Tiranës, botimit të revistës letrare "Kritika" dhe Institutit të Studimeve të themeluar gjatë pushtimit italian, që në kohën e pushtimit nazist u quajt Instituti për Studime e Arte. Ndoshta, edhe kjo, siç shprehen në studimin e tyre "Arshi Pipa, profili i një studiuesi të padëshiruar" Dr. Andi Pinari dhe Indrit Qehajaj, ndikoi që mos të shihej me sy të mirë nga regjimi komunist. Atij do t'i viheshin pas spiunët që do të mblidhnin deklaratat antikomuniste të Pipës e do t'i shndërronin në akuza. Ndonjë poezi me nënkuptim, ndonjë vërejtje për Stalinin si për shembull që "ai nuk është kritik letrar", apo ndonjë koment ironizues në mbrëmje poetike, do të sillnin fillimisht largimin e tij nga Tirana në Durrës dhe më pas atje, do t'i përgatitej arrestimi. Avokat Myzafer Pipa ndërkaq ishte shkruar në listën e zezë të regjimit, si avokati mbrojtës i së ashtuquajturës organizatës antikomuniste "Bashkimi Kombëtar", gjyqi ndaj së cilës çoi në pushkatim disa intelektualë, klerikë e të rinj shkodranë. Shteti shqiptar i kishte shenjestruar vëllezërit Pipa. Arshiu u arrestua i pari. Gjykata e Garnizonit të Tiranës e dënoi me 2 vjet burg për veprimtari kundër pushtetit, siç dëshmon dosja e tij pranë AIDSSH-së dhe e dërgoi në burgun e Durrësit. Pak muaj më vonë arrestojnë Myzaferin, të cilin e ekzekutojnë vetëm disa ditë më vonë, në oborrin e shtëpisë së Pjetër Çurçisë, ku hetuesia e Shkodrës torturonte të arrestuarit, me pretekstin se gjoja donte të ikte. Familja ia fshehu lajmin Arshiut, për të mos i hapur një plagë të re, dërrmuese në kushtet në të cilat ishte, por një nga drejtuesit e procesit të dytë ia tha në një mënyrë çnjerëzore duke i hedhur dhe kripë sipër, plagës që i hapi. Arshiun e gjykuan për herë të dytë, sepse dënimi me dy vjet nuk mjaftonte. Veprimtaria e të vëllait, antifashistit të internuar në Itali, por që gjithsesi u cilësua armik nga komunistët dhe dënimi i grupit të deputetëve, me të cilin e shoqërizuan dhe Arshiun, do përdoreshin për t'i zgjatur dënimin. Arshiu u akuzua si anëtar i organizatës social-demokrate të kryesuar nga Gjergj Kokoshi dhe Suat Asllani, për të cilën ai tha që nuk kishte asnjë dijeni; sepse kishte drejtuar "revista me ideologji fashiste"; sepse shprehej në favor të demokracive perëndimore dhe u bënte propagandë studentëve kundër pushtetit popullor dhe më 20 dhjetor 1947, u dënua me 20 vite burg.

 

Kanali... lumi... oqeani

Në korrik të 1948-ës, bashkë me disa të burgosur të tjerë atë e çojnë në kampin e Vloçishtit, ku të dënuarit hapnin një kanal të gjatë e të thellë për tharjen e kënetës së Maliqit. Qëndron aty deri në nëntor të atij viti, duke provuar punën e rëndë në kushte shtazarake, mungesën e ujit të pijshëm dhe ushqimit, kushtet mizerabël të jetesës, të rënduara nga dhuna poshtëruese e rojave të kampit, të cilave disa të dënuar nuk iu mbijetuan. Po sjellim dy sonete të poemës së tij "Kanali":

IX

Ditën âsht vallja, natën sarabanda.
Se rraskapitesh ditën, natën flên?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjên
(u-msuem me tê) si miza dheu ndër banda.

E zgjohesh trembshëm... Ndien a veshi t’rrên?
Këlthitje t’çjerruna, rënkime t’randa...
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.

E ç‘nuk na bâjshin! Na rrihshin me tel,
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.

E na lidhshin me fill prej telefoni
për shtyllat aty pranë krahnuer e bel,
qi t’na pështynte nesrejt divizjoni

XI

Zbathun ishim shumica e natja e brymtë

na futej deri n'eshtnat e krahnorit

anjtun kambsh prej ndragut dhe prej zorit,

me mishin plagë qi dukej mish i krymtë

Asht punuem nën diellin e Qershorit

qi ndezte ngjeshun koje dheun e lymtë;

asht punuem edhe kur qielli i zymtë

mbi ne përplasi shinat e Nandorit.

Me vegla e barr gjithnduersh mbi sup e krye,

sulmue prej rojesh tue na përzanë

prej mbrapa si kope mbas pune s'lanë

shpesh herë pa bukë pse normën s'kishim krye

duhej me nga. O mjerë kush ra e ngeli!

Mbeti aty lmuç se turma e shtypi, e shkeli.

Arshiu e shkruajti këtë poemë ndërsa ishte në burgun dhe në spitalin e burgut të Korçës dhe e botoi për herë të parë në Romë, në vitin 1959, bashkë me krijime të tjera të përfshira në "Librin e burgut". I nxori fshehtas nga rrethimi i burgut dhe më pas edhe nga rrethimi i Shqipërisë, kur u arratis bashkë me të motrën Feimen. Arshi Pipa u lirua në prill të 1956-ës, pasi kishte provuar edhe burgun e Gjirokastrës, të Artizanatit në Tiranë dhe të Burrelit. Në 1957-ën, u arratis duke kaluar Bunën, duke u vendosur për një vit në Sarajevë e më pas nga Italia, shkoi në Amerikë. Kaloi thuajse 40 vjet matanë oqeanit për të mos u kthyer më deri pas shembjes së regjimit komunist, kur gjithsesi erdhi vetëm për vizitë. Gjeti atje hapësirën për përmasat e tij intelektuale larg burgjeve dhe kufizimeve të diktaturës së vendit të tij. Oqeanin që hapej pas ngritjes mbi moçalin.

blank
Me dy nga motrat, gjate vizites ne Shqiperi. Foto e marre nga nje dokumentar i viteve 90, RTSH
blank
Ne ShBA me te motren Feimen

 

E megjithatë nuk u shkëput kurrë intelektualisht nga Shqipëria dhe as shpirtërisht nga fati i saj që kish qenë dhe i tiji. Në parathënien e botimit të "Librit të burgut" në Detroit, Arshi Pipa shkruan: "Dëshmoreve të kombit që ranë kundër komunizmit me nderim auktori kushton". Një nga këta dëshmorë ishte i vëllai. Të tjerë ishin ata që i pa me sytë e tij të humbnin jetën në kanalin e Vloçishtit, në spitale, kampe e burgje ku vuanin padrejtësisht.

Fati qiellor deshi që Arshiu të ishte një dëshmor më pak. Një intelektual i çmuar më shumë. E megjithatë, 100 vjet nga lindja e tij, Shqipëria ende duket se nuk po i gëzohet sa duhet ndryshimit mes tyre.

a.çano/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here