Armeni që u dënua tri herë nga regjimi komunist

0
246
blank

Isahak Toros Sahnaian (1934-2017), lindur në Durrës, por me origjinë armene, u dënua tri herë nga regjimi komunist, duke vuajtur gati 19 vjet heqje lirie, në vitet 1952-1953, 1958-1967 dhe 1978-1987, të cilën e vuajti në kampet e punës së detyruar. Familja e tij erdhi në Shqipëri rreth vitit 1922, fillimisht në Vlorë e më pas u vendos në Durrës. Për komunistët, mbetej “agjent i mundshëm i zbulimit francez”. Sahnaian provoi burgimin në moshë fare të re, 18 vjeç dhe doli kur ishte 53 vjeç.

Dënimi i parë

U arrestua më 31.3.1952. U akuzua në bazë të nenit 33 të Kodit Penal. Pas mbarimit të arsimit 7-vjeçar, u orvat të arratisej, por u kap. Gjykata Ushtarake Durrës, me vendimin nr.258, datë 21.8.1952, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 1 vit privim lirie dhe punë të detyruar.

Dënimi i dytë

U arrestua më 1.9.1958. U akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenin 10, 72/1 dhe 94/1 të Kodit Penal. U përfshi në një proces me shtetasin Pandi Dimo. Më 31.8.1958 të dy vendosën të arratisen me një vapor grek. Duke u nisur nga Ura e Dajlanit, notuan 4-5 milje dhe arritën të futen në vapor. Por kapiteni grek i dorëzoi te forcat e kufirit. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.258, datë 21.8.1952, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 2 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.209, datë 29.12.1958 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Dënimi i tretë

U arrestua më 18.5.1978. U akuzua në bazë të neneve 55/1 e 25 të Kodit Penal. Sipas materialeve operative thuhej se fliste se në vendet perëndimore si në Amerikë, Itali, RFGJ, etj., kishte demokraci të plotë, njerëzit ishin të lirë, flisnin si të donin e shkonin ku të donin, ndërsa në Shqipëri po të flisje të gozhdonin te muri. Në raportin e majit 1978 të DPB Durrës të nënshkruar nga kryetari Lirim Pëllumbi, thuhej ndër të tjera: “Nga kontrolli që i është bërë objektit, kanë dalë të dhëna qysh në vitin 1970 se ky mendon për t’u arratisur jashtë shtetit kur t’i krijohet mundësia”. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr.153, datë 1.11.1978, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Më 16.11.1986 teksa vuante dënimin në Repartin nr.303 Spaç, i dërgoi një letër kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, për kushtet e këqija ku ndodhej. Në letër thoshte se nuk kishte pranuar asgjë në hetuesi. Kur vuante dënimin në Qafë-Bari, në vitin 1983 ishte takuar me një ekip të Prokurorisë së Përgjithshme të kryesuar nga Abaz Brati. Aty dilte se 2 vjet i ishin dhënë dënim “për mospranim të akuzave në hetuesi”. I rekomanduan ta bënte me shkrim ankimin. Pas disa letrash, prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino i ktheu përgjigje të mos bënte më letra se ato arkivoheshin e nuk do merrte përgjigje. Midis të tjerash, në këtë letër shkruante: “Jam i sëmurë me azëm bronkiale, me ulcera në stomak dhe bronkopneumoni, me moshë mbi 52 vjet, i përjashtuar nga puna. Meqenëse klima e dimrit në këto anë është e ashpër, se ky është dimri i fundit, se më kanë mbetur 8 muaj e 26 ditë, ju lutem më transferoni në Zejmen të Lezhës, ku dimri është më i butë se sa i Qafë-Barit, ku kam kaluar tre dimra dhe në marrëdhënie pune dhe i Spaçit ku ndodhem tani”.

Në foto kur vuante dënimin në Repartin nr.307 Rubik në vitin 1965

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here