Këshilli i Ankesave pranë AMA-s konstaton, ashtu siç pretendoi Kujto në notën e protestës, se rrëfimi i ish-kryehetuesit nuk u ballafaqua me dokumente historike, burime të pavarura dhe perspektivat e viktimave të diktaturës.
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i ka dhënë të drejtë shqetësimit të ngritur nga Fondacioni Kujto lidhur me intervistën e ish-kryehetuesit të Shqipërisë, Qemal Lame, transmetuar në emisionin “Exclusive” të Top Channel më 12 korrik 2026.
Pas shqyrtimit të ankesës së Kujto, përgjigjes së Top Channel dhe përmbajtjes së emisionit, Këshilli i Ankesave pranë AMA-s konstatoi se intervista ishte ndërtuar kryesisht si një platformë për rrëfimin e Qemal Lames, me “ballafaqim relativisht të kufizuar” të pretendimeve të tij, me dokumente historike, burime të pavarura apo perspektivat e viktimave të diktaturës komuniste.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar Kujto, pasditen e 26 gushtit, AMA njoftoi se ka vërejtur “shmangie të dispozitave të ligjit nr. 97/2013 dhe Kodit të Transmetimit” në këtë intervistë dhe i tërheq vëmendjen Top Channel për respektimin e detyrimit për informim objektiv dhe të paanshëm të publikut.
AMA vëren se, gjatë emisionit, Lame paraqitet si ish-hetues i diktaturës, ndërsa në vijim titullohet “studiues” dhe e paraqet veten si një zyrtar që është përpjekur të zbatojë ligjin dhe të frenojë abuzimet e sistemit. Sipas Këshillit të Ankesave, këto deklarime nuk u shoqëruan me kundërshti apo burime të tjera historike.
Këto shqetësime i kishte ngritur më herët Kujto, në një notë proteste drejtuar AMA-s dhe Top Channel, menjëherë pas transmetimit të intervistës.
Në atë notë proteste, Kujto i kërkoi gjithashtu Top Channel që të “organizojë një emision pasues ose debat publik, ku të ftohen historianë, studiues të periudhës së diktaturës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe persona që kanë dokumentuar ose përjetuar represionin komunist, në mënyrë që publiku të informohet në mënyrë të balancuar”. Megjithatë Top Channel nuk iu përgjigj kësaj kërkese.
Ndërkohë, në sqarimet e kërkuara nga AMA, në lidhje me ankesën e Kujto, Top Channel ka pretenduar, mes të tjerash, se qëndrimet e Qemal Lames, “përbëjnë një formë mea culpa”, dhe se Lame “pranoi përgjegjësinë morale për përkatësinë e tij politike dhe institucionale”.
Bazuar në intervistën e transmetuar në TCh, një gjë e tillë nuk ndodhi, siç nuk ka ndodhur as në ekranet e tjera televizive ku Lame ka qenë i ftuar. Përkundrazi, Qemal Lame tha në “Exclusive” se dënimet politike u ulën ndjeshëm në periudhën 1982-1992 kur ai ishte kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme si rezultat i angazhimit të tij personal për të shqyrtuar me kujdes dosjet dhe për të mos çuar në gjyq ata që akuzoheshin padrejtësisht për motive poltike.
Gjatë karrierës së tij në diktaturë, si prokuror, kryehetues, apo anëtari i Komisionit të Internimeve, Lame lidhet me disa vendime me pasoja të rënda siç është dënimi me pushkatim i dy të rinjve, në vitin 1978, që akuzoheshin se gjoja do hidhnin në erë Kombinatin e Tekstileve të Beratit. Shfaqjet e tij në ekrane televizive, vitet e fundit, janë shoqëruar me dëshmi viktimash të drejtpërdrejta kundër tij dhe reagime publike.
Më e fundit ishte nota e protestës së Kujto. Vendimi i AMA-s për t’i tërhequr vëmendjen Top Channel, pas kësaj note proteste, është një fitore, sado e vogël, jo vetëm për të drejtën e publikut për një informim objektiv dhe të paanshëm, por edhe për viktimat e komunizmit, të cilat, kundër çdo parimi moral, vijojnë të përballen me përpjekje për t’i paraqitur ish-persekutorët e tyre si figura të rehabilituara. Por një fitore e pamjaftueshme.
Imazhi kryesor: Qemal Lame, foto e marrë nga top-channel.tv
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
