13 qershor 1977. 45 vjet më parë, në shtëpinë e Kulturës në Librazhd, e cila ishte kthyer në sallë gjyqi, u dha vendimi për të pushkatuar dy poetët, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Kishte qenë një gjyq i montuar fund e krye, e ku regjimi komunist me gjithë levat e tij në Librazhd, kishin treguar anën e tyre më të errët e brutale. Për ditët e këtij gjyqi fals, që kulmoi me dënimet kapitale dhënë me 13 qershor 1977, Bedri Blloshmi sjell në këtë përvjetor dhimbjeje, kujtimet e tij shkëputur nga libri "Dosja formulare 5094", në proces botimi nga ISKK.
Shënim nga Salla e Gjyqit
6 qershor 1977
Na lidhën dy e nga dy dhe na hipën në një gaz të zbuluar. Kishte kaq shumë policë sipër saqë, ne, s`mund të shihnim njëri-tjetrin. Nga vapa përvëluese e atij qershori përpëlitnim sytë, ngaqë ishim mësuar në errësirë. Të dy anët e bulevardit ishin mbushur me fshatarë të leckosur, të parrojtur me flokë të shpupurisura si gjëmba murrizi. Disa prej tyre mbanin në dorë parrullat e zakonshme: “Rroftë komunizmi! Rroftë shoku ENVER! Ndërtojmë Socializmin me forcat tona! Kulakët në litar! Poshtë Armiqtë e Klasës! Përpara makinës tonë ecte prokurori dhe gjyqtari me fashikuj në duar.
Zumë vend në sallën e shtëpisë së kulturës, që e kishin shndërruar në sallë gjyqi. Hyrja thuhej se është e lirë, por aty kishte vetëm të ftuar. Numurova 18 policë në sallë. Ngjitur, mbrapa nesh, ishin ulur gjithë dega e brendshme. I njihnim si fytyra. Nga familjet tona asnjë, kurse avokatët e çdo lloj mbrojtje ligjore, i zhdukën me kushtetutën e miratuar një vit më parë. Përpara nesh zuri vend trupi gjykues, në krah të tij, në një tavolinë të vogël, ishte sekretarja e cila do shkruante ndonjë gjë kur ta urdhëronte gjyqtari. Përballë u ul prokurori. Mbi kokat e tyre vareshin të tjera parrulla, të shkruara me bojë të kuqe, me të njëjtat thënie... Në krah të trupit gjykues, erdhi dhe u ul veç një person, fytyrën e të cilit s`e kisha parë kurrë. Rrinte i heshtur, si duket kontroll mbi kontroll. Mbasi zunë vend të gjithë, gjyqtari Subi Sulçe theu heshtjen: “I pandehuri Genc Leka çohu në këmbë”. Kur mbaroi me gjeneralitetet e pyeti: “I pandehur, a e keni marrë akt-akuzën dhe, a e pranoni atë? Genci filloi të përgjigjet: “Po e kam marrë dhe pranoj vetëm nenin 73/1, i cili bën fjalë për agjitacion e propagandë. Do të shpjegoj gjithë krijimtarinë time poetike dhe kuptimin e çdo vargu, ndërsa nenin 72-12 nuk e pranoj sepse nuk kam kryer sabotim.” Trupi gjykues, prokurori dhe ca civilë të tjerë krah tyre u ra një çehre e errët. Sigurimsave po ashtu; dukej që të gjithë prisnin tjeter gjë. Gjyqtari pasi liroi nga qafa e dhjamosur kollaren e kuqe, nisi të flasë, por me vështirësi: “Seanca mbyllet, vazhdon pasdite.” Dolën të gjithë pa folur asnjë fjalë. Subiu mori vandakun me letra, iu bashkua prokurorit dhe u zhdukën. Policët na morën dy nga dy të lidhur, për të na çuar në izolim. Për të qenë i sinqertë, u gëzova aq shumë sa s`mund ta përshkruaj. M’u kujtuan fjalët e Vilsonit, kur kishim biseduar me të trokitura në birucë, për të mos e pranuar akt-akuzën asnjëri, se mbase ashtu prishej gjyqi. Ç`iluzion naiv, them tani. Na mbyllën nëpër biruca, ndërsa në korridor dëgjoheshin zhurmat e tyre që lëviznin si marrauzhgat kur u prish folenë. Nuk kaloi shumë dhe u hap biruca e Gencit, u dëgjuan dhe prangat, dhe hapa. Si duket e morën lart në zyrë! Me nxitim trokita në mur dhe pyes personin që ishte me Gencin në birucë (Iljaz Balliu i dënuar për mashtrim me pseudonimin “Lundronjësi”). Nuk mora përgjigje, ndoshta nga frika, por kuptova që Gencin e kishin marrë lart. Kthehem nga krahu tjetër, i trokas Vilsonit dhe i them: “Kanë marrë Gencin lart”. Vilsoni m’u përgjigj: “Do ta kërcënojnë, të pranojë sabotimin”. Pas një orë, a më shumë, e sollën. Trokita përsëri por nuk mora asnjë përgjigje prej tij. Kuptova që Genci do ishte tronditur, mbase dorëzuar. U shqetësova pa masë. Po na përmbysej plani për të qenë me një mendje, kundra sabotimit. Dhe vërtet, ata nuk pritën. Pas pak na morën përsëri dhe na çuan në sallë. Gjyqtari, tani i gjallëruar, foli me ton të sigurt: “Kush e do fjalën nga salla?” U ngrit një pensionist bashkëfshatar, Mit’hat Leka quhej, ish-mësues. Nisi të murmuriste: “Shoku kryetar i seancës, më lejoni të them dy fjalë. Të gjithë këta unë i njoh, i kam bashkëfshatarë, dhe Gencin e njoh shumë mirë. Është djali i tradhëtarit Bardho Leka. Po ashtu armiqtë e tjerë, Vilsonin dhe Bedri Blloshmin që vijnë nga familje kulakësh. Xhaxhanë dhe babanë e tyre i kanë pasur nëpër burgje. Këtyre u dhembin sytë kur shikojnë arritjet tona dhe mirëqënien e popullit nën udhëheqjen e partisë... Prandaj, unë kërkoj, të mos merremi me këta bij armiqsh e tradhëtarësh, t’i nxjerrim në shesh e t’i varim një e nga një, e mos harxhoni kot frymën e as letra për këta armiq.” I dyti, ishte një oficer, Isa Kopaçi nga fshati Qukës që kurrë nuk e kishim parë si fytyrë. Ai nisi të flasë për mbrojten e socializmit dhe u bashkua me mendimin e parafolësit. Mbas tij, u ngrit një barkalec i quajtur Todi Bardhi, “Jam komunist, jam sekretar partie në kooprativën e Lunikut. Unë edhe pse nuk i njoh këta armiq kam besimin te partia se do t’ua gjejë vendin dhe do të shpartallojë këtë grup të rrezikshëm.” U ul dhe u ngritën dy nxënës të gjimnazit, siç thanë, lexuan disa fletë, por nga mënyra se si e shqiptonin tekstin mëk mëk, dallohej lehtë se ua kishin dhënë të gatshëm; nuk ishin fjalët e tyre. Nuk zgjati shumë ky lexim qesharak i letrës së gjimnazistëve, gjykatësi ua ndërpreu dhe thirri: “të hapet seanca gjyqësore”. S`duronte dot gjersa të mbaronte punë, me ç`kishin shkëputur nga Genci. “Kush e do fjalën nga të pandehurit?” “Unë”, u dëgjua një zë që dukej sikur vinte nga një humnerë. Ishte Genci. Zëri i tij mezi dilte, dridhej si jehona e një cope metali kur e godet. Genci kishte ndryshuar krejt. Në seancën e paradites nuk e pranoi sabotimin. Tani ngrihej dhe ulej si i komanduar, shikonte përreth, bënte lëvizje të pakontrolluara, nxitimthi fuste duart në xhepat e pantallonave, shikonte herë majtas, herë djathtas... Kuptohej lehtë se diçka kishte ndodhur me të. Sytë i mbyllte e, i hapte si i droguar, dhe e përshkonin drithma në trup. Kurrë nuk e mora vesh, as sot, se si e katandisën atë djalë. Gati një kufomë, pa fuqi të përqëndrohej. Duhet t’i kenë injektuar ndonjë drogë, mendoj, por edhe mund t’i kenë premtuar njëkohësisht. Ata përdorin kombinacione teknikash për të të bindur, vetëm të thoje “po”. Ky sipas tyre, ishte shpëtimi. Atje lart, në zyrë, Gencin e kishin asgjësuar. Bir i një të arratisuri, që kishte hyrë disa herë fshehurazi, para se të binte e të vdiste atje në afërsi të kufirit; pa e kapur dot organet tona të Sigurimit. A mund të linin gjallë të birin, pa i dhënë dhe popullit një shembull. Kurrë nuk e mora vesh se çfarë i ndodhi Gencit, çfarë u bisedua lart, çfarë i premtuan... Atë e akuzonte kunati i tij, Demiri, i cili ishte bërë bashkëpunëtor i sigurimit qysh në 1964, me pseudonimin “Xhami” dhe tani, ai, po thoshte gjëra të tmerrshme në adresë të Gencit. Dhe, ai, i shpërfytyruar po i pëgjigjej kunatit, pas çdo akuze: “Po! Po! Po!”
Në fund, Genci pranoi: “Të gjitha i kam bërë!” Të gjitha proceset e ballafaqimit të kunatit, me lloj-lloj dëshmish, e kryqëzuan Gencin, i cili po i pranonte akuzat si një automë...Madje, aty, doli se në njërin nga proceset e ballafaqimit kishte marrë pjesë edhe prokurori Qani Lavdari, që do të thotë se prokurori kishte ushtruar presion mbi Gencin, në kundërshtim me të gjitha rregullat e procedurat. Nën kushtet e këtij presioni, ata e kishin detyruar Gencin të pranonte çdo gjë që thoshte kunati i tij. Po në këtë sallë gjyqi, pak orë më parë, Genci kishte mohuar sabotimin ekonomik, duke thënë haptazi se, “kunati im gënjen e shpif”. Ky mohim i akuzës pat çuar në ndërprerjen e seancës. Në këtë çast, u përpoqa të shikoja nga Vilsoni, por ishte e pamundur prej policëve të shumtë. Sapo u pranua akt-akuza, prokurori Qani Lavdari u ngrit në këmbë dhe i tha gjyqtarit: “Më fal shoku gjyqtar, shikoni dy gjarpërinjtë, dy vëllezër që deri tani e mbanin kokën lart ngaqë mendonin se, duke mos pranuar akuzën do shpëtonin. Menduan se, do u dilte e tyrja duke mohuar çdo gjë. Tani? Tani e varën kokën, jo që e varën por nuk dihet, a do u qëndrojë mbi supe apo jo!” Seanca vazhdonte midis Gencit dhe kunatit të tij, ku dëgjoheshin gjëra nga më absurdet. Në këtë kohë, të gjithë oficerët e sigurimit u ngritën dhe duke i bërë shenjë prokurorit se, “jemi në rregull”, lanë sallën.
Më pas, pyetjet vazhduan me Vilsonin, i cili insistoi deri në fund se, “nuk jam fajtor, nuk kam kryer asnjë krim dhe nuk e pranoj akt-akuzën e stisur”. Dëshmia e tij, e fortë, bëri që seanca të ndërpritej. Do të vazhdonte të nesërmen, por plani i tyre ishte drejt realizmit, sepse ata e kishin thyer njërin, dhe siç doli më pas, kjo u mjaftonte.
Në vazhdim, në tri ditët e gjyqit, u diskutua për krijimtarinë letrare të Gencit e Vilsonit si dhe rreth përkthimeve të tyre, prej autorëve francezë. U lexuan tri akt-ekspertizat e bëra nga Diana Çuli, kryeredaktore e gazetës “Drita”, Myzafer Xhaxhiu që i nxirrte poetët francezë dekadentë, se i këndonin vuajtjes, mjerimit dhe trishtimit, si dhe ekspertiza e Koçi Petriti për poezinë “Saharaja”, të Vilsonit. Ky ishte kulminacion i gjyqit. Plani i tyre po merrte revan. Kishin investuar për të shtatë të akuzuarit; një dëshmitar i vetëm nga rradhët e të pandehurve, bashkëpuntorin e deklaruar “Xhami”, në dëm të të kunatit, Gencit, dhe të gjithë neve. Bërtiste, shante, ofendonte. Tërë këto presione nuk kishin arritur atë që prisnin, se nuk sillnin asnjë fakt konkret se, ku konsistonte sabotimi ynë. E kishim hedhur poshtë, sëbashku me Gencin. Manovra e tyre po funksiononte, duke e pezulluar seancën ende pa filluar, përmes përpunimit “lart në zyrë” të Gencit. Kushedi se ç`premtime djallëzore i bënë apo duke e droguar, e degraduar totalisht për t’i marrë “pranimin”. Genci kuptohej ngase qëndrimi i tij ishte tipike e një të trondituri psikik. Por, kjo kthesë e procesit na kishte rënduar pozitën dhe situatën, të gjithëve. Edhe ekspertiza letrare mbi poezitë ishte nxirë kundër dy poetëve, kryesorëve, duke u plotësuar sipas tyre imazhin e prezencës së një grupi armiqësor. Ne s`mund të thërrisnim askënd në mbrojtje. Kështu, nga një farë entuzuasimi që kishim, kur të katër hodhëm poshtë akuzën e sabotimit, tani na u hap një greminë. Refuzimi i Rustem Dashit nuk do të ngrinte peshë. Ishim të dënuar sipas një plani të ardhur nga lart, siç e mora vesh mbasi u lirova. Por nuk ma merrte mendja kurrë, që kontrata e bërë me Demirin, do të dilte aq sheshit, aq turpshëm, siç doli në mbarim të gjyqit, dhe që do ta rrëfej më poshtë.
Dita e katërt e gjyqit ishte caktuar për dëshmitarët. Shumica e tyre flisnin me vështirësi, pasi nuk mbanin mend se ç’porosi kishin marrë nga hetuesi për të thënë. Ishte tamam qesharake, por publiku natyrisht, rrinte i ngrirë, i zgjedhur për të qëndruar serioz. Kështu që, farsa gjyqësore mbetej pa publik, madje ishte diçka makabre kur prokurori shpërthente kundra nesh si fajtorë për vdekje dhe publiku i bënte jehonë më britma e ovacione histerike. Prokurori Qani Lavdari lexonte nëpër ca letra dhe përpiqej t’u rikujtonte atyre se çfarë duhej thënë. Dhe ata, të frikësuar dhe të hutuar ngatërronin fjalët nëpër gojë. Kurse Demiri (“Xhami”), duke qenë prej vitesh në shërbim të tyre, e kishte gojën brisk. Tërësisht cipëplasur, ai na bërtiste, çirrej dhe na fyente secilin prej nesh kur na vinte rradha. Demiri thoshte se “ mua më ka inkurajuar Genci e Vilsoni që të veproja, të vidhja në kooperativë”, për ta dënuar, që të zvogëlohej vlera e ditës së punës, kështu fshatarët do bëheshin të pakënaqur. Këto fjalë Genci i pranonte duke thënë: “Po, po, unë e kam nxitur që të vepronte në këtë mënyrë.”
Dëshmitarët e Genc Lekës: Demir Blloshmi (kunati), Dule Osmërija, Emine Diko (mësuese), Ekspertja Letrare: Diana Çuli
Dëshmitarët e Vilson Blloshmit: Demir Blloshmi, Sami Hyka (mësues nga Çermënika), Afërdita Lepenica (infermiere në Stravaj), Haki Bardhoshi (shofer), Fetah Blloshmi (mesues) Xhevit Liçi (magazinier). Ekspertët letrar:Myzafer Xhaxhiu, përkthyes i materialeve nga frengjishtja. Koçi Petriti, ekspert letrar i poezisë “Saharaja”. Theofan Nishku, përkthyes i ditarit
Dëshmitarët e Bedri Blloshmit: Demir Blloshmi, Dilo Duçja, Rexhep Sula, Sabri Blloshmi, Qamil Dashi, Ramadan Gurra
Dëshmitarët e Rustem Dashit: Demir Blloshmi, Rexhë Sula
Dëshmitarët e Ali Goçit: Demir Blloshmi, Rexhë Sula
Dëshmitarët e Rystem Çerrit: Demir Blloshmi, Rexhep Sula
Dita e pretencës, prokurori kërkon tre dënime kapitale
Erdhi dita e pretencës, prokurori kërkoi tre dënime kapitale. Me rëndesën që kishim në zemër, qyshse u përça vendosmëria e të treve, të mos pranonim fajin e sabotimit, e prisnim me ankth fjalën e prokurorit. Klithmat e tij, duke na bërë ne, dy vëllezërve gjarpërinj, shfaqte gëzimin e egër se si triumfoi presioni i tyre mbi Gencin, që u reflektua brenda pak orëve. E ardhmja jonë tani ishte e nxirë, pa përjashtuar edhe vetë Gencin. Madje, e atij të parit. Prokurori me ndjesinë e fitores, i ardhur posaçërisht nga Tirana, për ta mbaruar atë gjyq me dënime kapitale, ia shpalli sallës: “Genc Leka i akuzuar nga neni 73/1 për agjitacion e propagandë dënohet me 10 vjet heqje lirie, dhe për nenin 72/12 për sabotim ekonomik, në bashkim nenesh kërkoj dënimin me vdekje, me pushkatim.
Vilson Blloshmi, i akuzuar nga neni 73/1 për agjitacion e propagandë me 10 vjet heqje lirie, iu shtua edhe neni 72/12 për sabotim ekonomik, të dënohet me vdekje pushkatim. Bedri Blloshmi i akuzuar nga neni 72/12 për sabotim ekonomik të dënohet me vdekje pushkatim.
Demir Blloshmi (bashkëpuntori i tyre) që akuzohet nga neni 73/1 dhe 72/12, meqë ka ndihmuar në zbërthimin e këtij grupi të dënohet më 20 vjet burg.” Për të akuzuarit e tjerë ai kërkoi dënime të rënda me burg, por nën 20 vjetët. Prokurori e përfundoi pretencën duke mbledhur dosjet, dhe thënë: “Seanca mbyllet. Vendimi jepet nesër, data 13 qershor 1977 në orën 11:00”.
Nuk doja ta besoja, megjithëse të gjitha ç`kishin ndodhur të çonin në vendimin fatal. Ja, ku përfundoi, mendova, thirrja e Degës Ushtarake, komplet e stisur, që nxorri takimin me nënkryetarin e Degës së Brendshme, dhe inkurajimet e tij për favoret që do kisha, nëse do të bashkëpunoja.
Të gjitha u bënë akuza, dhe akuzat u përkthyen në dënime me vdekje. Të gjitha pa asnjë bazë. Gjendja jonë: Ishte sikur ecje dhe papritur bie në një pus. Vështrova nga Vilsoni e Genci, por kisha policët në mes, që i shtuan lëvizjet për të penguar çdo shikim ndërmjet nesh, me qëllim që të na përcillnin shpejt jashtë, për të mbuluar rrengun që na kishin punuar. Kur më shtynë në birucë, u ula përtokë, me një boshllëk total në kokë. Shoku i qelisë, një burrë i moshuar nga Çermenika, u ngut të më pyeste, i merakosur se sa u dënuam, por unë e kisha humbur. Nuk i ktheva asnjë fjalë. Donte të më jepte zemër, ndaj këmbënguli: “Mbaje veten Bedri, mos u mërzit”, duke kaluar lehtas, dorën e tij mbi kokën time. E kisha të pamundur të përgjigjesha; nga dëshpërimi më kishte ikur zëri. Djersët më kullonin sa nga vapa e qershorit, po edhe nga tronditja e thellë. Në një farë momenti, dera e birucës u hap me tërsëllimë dhe futet brenda Axhem Dajlani (përgjegjësi i birucave). Në duar mbante një grumbull zinxhirësh dhe litarësh. I hodhi në çimento. Të parën gjë që pashë ishte një helmetë, mbi sfondin e zi të së cilës ishte vizatuar me bojë të bardhë harta e Shqipërisë. Prapa Axhemit, tek dera, qëndronin kryetari i degës, Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri e Nevruz Hamiti dhe shefi policisë, Nazmi Kodra. Nga grumbulli i zinxhirëve, m’u para meje, u drodha i tëri. Po i shikoja i tmerruar, ndërsa Axhemi, pa humbur asnjë sekondë, më lidhi duart përpara, më shtriu këmbët, më vendosi një hekur në formë U-je dhe e kyçi. Pastaj mori një zinxhir të hollë, e kaloi tek prangat e duarve dhe tek këmbët; mori helmetën ma ngjeshi në kokë dhe e fiksoi me një rrip meshini nën mjekër. Më uli kokën, për të provuar nëse më arrinte koka tek prangat e duarve (si provë që të mos bëja vetvrasje duke goditur kokën me hekurat e duarve). Ndërkohë i tha shokut të qelisë të më ndihmonte kur të mpihesha... “Për çdo gjë bjeri derës”, i tha. U ngrit, doli, dhe si mbylli derën me përplasje, e tërë skota e tyre u zhduk në korridorin e errët. Në atë çast, mendova se këtë lidhje, duar-këmbë, do t’jua kishin bërë edhe Vilsonit e Gencit. Qaja pa zë dhe shoku i qelisë më fshinte lotët në heshtje. Vetëm atëhere u kujtova për të. ‘O Zot, thashë, në këtë fat të zi nuk më ke harruar, më ke dërguar pranë këtë njeri të mirë. Në fakt, duke i kthyer shpinën derës për të mos u rënë në sy atyre, ai lutej me zë të ulët...
“Mos u mërzit Bedri, - më tha, mbas pak, në vesh, - s`i dihet se çfarë bën Zoti.” E kuptonte që helmeta në kokë dhe zinxhirët kishin kuptim të rëndë – prandaj gjithë shqetësim më pyeti për pretencën e Vilsonit dhe Gencit.
Dajë Harif, – i thashë, – unë jam i treti i dënuar me vdekje.
Ç’më thua mor djalë...!
Nuk di, si e durova atë natë. E gdhiva duke u dridhur prej prangave që më ciknin në kockë. Megjithatë kotesha, mundohesha të gjeja pak lehtësim nga mendimet. Në të zbardhur u hap dera e birucës dhe u dëgjua zëri i policit: “Ke nevojë të shkosh në banjë?” I thashë: “jo, nuk dua”. Më pyeti: “Do bukë? Sërish refuzoj: “jo, s`më hahet”. Mbylli derën dhe u zhduk.
Ishte ora 10.30, polici erdhi përsëri. Këtë herë më zgjidhi këmbët. Më ngriti dhe mbasi na lidhën dy e nga dy, të gjithëve na shoqëruan në sallën e gjyqit. Gjyqin e hapi Subi Sulçe me dy ndihmësat anash. Më tutje, u ul prokurori Qani Lavdari. Mbrapa nesh salla ishte dëng me të ftuarit e tyre. Asnjë nga të afërmit tanë s`kishte të drejtë të asistonte. Dridheshim, kurse ata vonoheshin duke i dhënë rëndësi vetes. Më në fund, Sulçja u ngrit në këmbë dhe, me zë të lartë, dha vendimin:
Vendimi
“Sot më datën 13 qershor të vitit 1977 gjykata e rrethit Librazhd shpall vendimin për grupin sabotator të Bërzeshtës”. Mbasi trupi gjykues bëri përmbledhjen e të gjitha atyre që u thanë në gjyq, po japim vendimin:
Genc Feim Leka, për të dyja akuzat dënohet përfundimisht me vdekje pushkatim.
Vilson Sami Blloshmi, për të dyja akuzat dënohet përfundimisht me vdekje pushkatim. Bedri Sami Blloshmi dënohet përfundimisht me 25 vjet heqje lirie.
Demir Blloshmi, dënohet përfundimisht për të dyja akuzat me 20 vjet heqje lirie.
Gjyqin e deklaroj të mbyllur.
Në sekond, Demiri, u ngrit në drejtim të prokurorit dhe gjyqtarit. “Si e patëm fjalën? Më thatë që, me ata të tre, nuk do takohesh më kurrë, tani Bedriun e falët. Ju më premtuat që do më lironit nga salla e gjyqit po të flisja ato që më porositët. Unë kam thënë ato që më kërkuat juve, kurse tani po më dënoni me 20 vjet.”
Prokurori i egërsuar për zbulimin e marrëveshjes, në sy të gjithë sallës, i përgjigjet “Ti je më armik se këta, ti ke mohuar vëllanë tënd të pushkatuar. Mbylle gojën dhe puno siç punove në hetuesi. Burgun nuk do ta bësh të gjithë.”
***
U habita. Megjithë të zezën e madhe që na kish zënë, ky sherr mes tyre më gjallëroi. Spiuni budalla e kërkonte në çast hakun për rrenat që e kishin porositur, dhe prokurori po ia nxirte në shesh poshtërsinë (si ndaj vëllait të tij dhe ndaj nesh). Sikur gjykatësi të kishte një miligram drejtësi, procesi duhej të shpallej i pavlefshëm. Se falsiteti u zbulua brenda seancës! Mirëpo nga salla s`pati asnjë reagim. S`di, se nga kush u erdhi sinjali, dhe salla nisi të shpërthejë në brohoritje për ‘drejtësinë popullore’.
Gjyqi mori fund. Ishte gjyqi më i pabesë, më i ndyrë që mund të bëhet. Humba vëllain më të dashur, më të vyerin. Do të kisha dashur një mijë herë të kishte shpëtuar ai, dhe të kisha ikur unë... Shëmtia e asaj dite më ka bërë tjetër njeri. Jam betuar, dhe e vendosa si qëllim të vetëm në jetën time: rivendosjen e të drejtës së tij, për të jetuar vepra e tij. Zhdukja e kaq njerëzve të ndershëm e trima, mbi të gjitha të pafajshëm më fyente papushim në thellësi të gjakut; u bë qëllim për të nxjerrë në dritë të gjitha rastet e tyre, pa llogaritur mundimet, angazhime të çdo natyre familjare. Sa të kisha frymë do ta ndiqja këtë mision. Kur na çuan poshtë në biruca, Gencin e vendosën aty ku ishte, në birucën nr. 1, Vilsonin në birucën nr. 2, dhe të dyve iu vendosën te sporteli një polic të veçantë, ndërsa mua më çuan në birucën nr. 8, përballë banjës, që të mos komunikoja dot me ta.
***
Vëren:
Veprimtaria kriminale armqësore e sabotuesve e katër të pandehurve Genc Leka, Vilson, Bedri e Demir Blloshmi paraqesin rrezikshmëri të theksuar në kushtet aktuale...
Rrezikshmëria shoqërore dhe vepra e secilit autor; për të pandehurit Genc Leka e Vilson Blloshmi që janë koka udhëheqëse e të gjithë kësaj veprimtarie kundër-revolucionare që është kryesore është tepër e madhe. Por më e theksuar është rrezikshmëria qoftë e veprës, qoftë si person e të pandehurit Vilson Blloshmi si dhe e vëllait të tij të pandehurit Bedri Blloshmi, që edhe në hetuesi edhe në seancat gjyqësore kanë mbajtur qëndrim thellësisht armiqësor. I pandehuri Vilson Blloshmi në hetuesi dhe në gjyq në disa raste manifestoi qëndrim të hapur armiqësor. Nga ana tjetër edhe pse të ndodhur para fakteve të shumëta që i deskreditonin edhe i vënë me shpatulla për muri, lidhur me fajin e tyre, ata (Vilsoni dhe Bedriu) u përpoqën t’i shmangen përgjegjësisë duke ngritur lloj-lloj pretendimesh sa të pabaza dhe absurde. Për të pandehurin Demir Blloshmi, megjithëse ka kryer dy krime të rënda, duke patur parasysh se në hetuesi e në gjyq është treguar i sinqertë në shpjegimin e veprimtarisë kriminale të tij dhe nga ana tjetër ka ndihmuar në një farë mase edhe në zbërthimin e procesit për të zbuluar veprimtarinë e të pandehurve të tjerë, ka vend ndaj tij t’i jepet një masë dënimi në përshtatje me rrethanat. I pandehuri Genc Leka, babai i tij Bardho Leka ka marrë pjesë në rradhët e Ballit Kombëtar. Mbas çlirimit pushteti ia fali veprimtarinë armiqësore të arratisjes. Genc Leka ka përfunduar shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan. E sistemuan në punë, i dhanë dhe shtëpi nënës së tij, si dhe të gjithë të mirat e tjera që nuk i meritonin. Ka vjellë helm kundër pushtetit popullor duke qënë filiz i dalë nga një familje thellësisht armiqësore, i edukuar në këtë frymë i bën hymne dhe ngre lart figurën e atit të tij. Këtij tradhëtari me damkë, me poezinë “Kënga për Miqtë e parë”. Në këtë shkrim flet e kujton me nostalgji të madhe për atin e tij Bardho Lekën në periudhën që ai ka ardhur disa here fshehurazi në fshat. Ardhja e tij në fshat i sillnin “veç Gëzime”. Siç shpjegon në këtë shkrim “Kur unë isha i vogël atëhere”, “Por vitet shkuan dhe ne s’jemi parë” dhe me tej, në vardhet e tjera flet se e ka frymëzuar dhe i ka dhënë një ideal. Kjo del në vargun “o ju miq më dhatë një flamur”. Duke ngritur lart figurën e këtij armiku në strofat e tjera është shprehur se këta “miq” kishin parë shumë nga jeta dhe ishin “trima me fletë”. I pandehuri Vilson Blloshmi në shkrimet e tij armiqësore të këtyre shkrimeve dhe shënimeve kriminale që ka patur dhe akt-ekspertimi letrar të ekspertëve kompetente se ato janë me frymë thellësisht armiqsore. Disa të tjera kanë përmbajtje nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme. Pra, i bëhet jehonë çdo gjeje të shëmtuar dhe negative, regresive me këto shkrime e shënime. Ja, se ç’thuhet në disa nga këto shkrime: “s’ka asgjë me të vërtetë të bukur, përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithshka është e dobishme, është e shëmtuar” ose “koha shkon, dhe bota ikën, dhe ne ecim, dhe qeshim kur qan jeta, dhe kur qesh varri, vdesim.” Pra, dispozicioni i madh i këtij të pandehuri për të ngriur e bërë jehonë çdo gjë të huaj e negative del edhe nga një fakt tjetër sepse edhe kur ka lexuar shkrimtarë të huaj përparimtarë si Shekspiri, Hygoi, Gorki etj. ka gërmuar dhe ka nxjerrë pjesë që janë më negativet ose ka lexuar dhe veprat e tyre me përmbajtje të jo shëndoshë të cilat dhe vetë këta autorë i kanë mohuar më shkrime të mëvonshme. Si p.sh ka nxjerrë citate nga Gorki, “nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri” nga poeti ynë i rilindjes Naim Frashëri ka marrë citatin “Mos u bëj mjalt se të hanë mizat” dhe shumë të tjera si këto. Për më tepër në mjaft shkrime dhe shënime të tjera, të përgatitura nga i pandehuri, pasqyrohet urrejtja dhe ligësia e tërbuar e tij që ushqen ndaj realitetit tonë socialist siç është poezia “Saharaja” me të cilën ai bën aluzion për vendin tonë se ka “ngelur pa miq e shokë” pra e konsideron vendin tonë të izoluar pa miq, shkretëtirë. Ka shkruar mjaft poezi që janë në kundërshtim të hapur me realitetin tonë dhe me frymë të theksuar armiqsore siç janë “Saharaja”, “Një ankth i llahtarshëm”, “Dhe koha shkon”, “Jehonë vjeshte”, “Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë”, “Poezi pa titull”. Veç këtyre ka mbajtur në shtëpi, lexuar dhe përhapur libra jashtë qarkullimit si “njerëz të rrinj e tokë e lashtë të Bilal Xhaferrit, i arratisur jashtë. Librat fetare “Thelbi i qëllimi udha e shpëtimit”, “Muhameti profeti ynë”, ka bërë përkthime nga autorë të huaj dekadentë e reaksionarë, kështu ka lexuar dhe përkthyer pjesë nga shkrimarët dekadentë në gjuhë frengjisht si Chateaubriand, Lamartine, Rimbaud, Baudelaire, Sully Proudhome etj. ka shkruar në shtatë blloqe shënime, fragmente të shkëputura dhe ka mbajtur një bllok në formë kalendarike në frengjisht pa përmendur këtu dy thasë me libra jashtë qarkullimit që mund t’i zhdukte kur iu bë kontrolli i banesës. Kurse i pandehuri Genc Leka e Demir Blloshmi kanë patur qëllim të nxisin, të stimulojnë dhe të frymëzojnë në rrugën e tyre armiqësore.