Raporti zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i nënshkruar nga zëvendësministri Feçor Shehu, paraqet një kronologji të ngjarjes.
Nisi si një incident i vogël mes një të dënuari dhe gardianit të Burgut të Spaçit, por përfundoi me revoltën e thuajse të gjithë të burgosurve, duke shkaktuar tronditje të fortë për institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e qeverisë komuniste. Si sot 48 vjet më parë ndodhi revolta e Spaçit. Për dy ditë deri kur u shtyp dhunshëm revolta, të dënuarit u bashkuan dhe kundërshtuan me forcë të dorëzoheshin, duke u konfrontuar fizikisht me gardianët e Burgut të Spaçit, të repartit 303 dhe të forcave të sigurimit dhe ushtrisë të mbërritur nga Tirana.
Reparti nr.303, ish Kampi nr.2, funksionoi në Spaç në vitet 1968-1991. Të dënuarit e këtushëm detyroheshin të punonin për nxjerrje minerali. Një ndër kushtet e komandës ishte që të burgosurit të mos mbanin veshje të tjera të jetës civile, por vetëm ato që u jepte komanda. Ata që kishin të tilla, nuk lejoheshin. Policët ua merrnin dhe ua hidhnin te telat rrethues, duke dëshmuar qartë se kushdo që shkonte atje, mund të vritej nga ushtarët. Një ditë maji 1973 Pal Zefi ishte me shall në qafë. Ai nuk u lejua ta mbante atë dhe pas pak, ndaj tij u mor vendimi i izolimit në birucë. Nga ky izolim, rrodhi pastaj shpërthimi i revoltës, në të cilën u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefi dhe u dënuan shumë të tjerë. Kujto.al publikon për herë të parë, raportin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i nënshkruar nga zëvendësministri Feçor Shehu, paraqet një kronologji të ngjarjes.
Raporti zyrtar
Më datën 21 maj 1973, nënoficer Mark Tuci, në mëngjes shkon t'u heqë batanijet të dënuarve në dhomat e izolimit, sipas rregullores. Ndërmjet te dënuarve qe ishin ndëshkuar ishte edhe Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940 nga Rrushkulli i Durrësit, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Ky ishte ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit për arsye se kish shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart. Në kohën që nënoficeri çel derën për t'i hequr batanijet, ai arbitrarisht ikën dhe bashkohet me turmën e të dënuarve që ishte në oborr. Nënoficeri e gjurmon dhe mbasi e gjen i bën thirrje që të shkojë në dhomat e izolimit. Kur ai nuk iu bind, tentoi ta marrë, por ai refuzoi duke e kanosur. I dënuari qëndronte në tarracë duke mbajtur në dorë një hekur të gjatë rreth 2 metra (që e kishte gjetur gjatë kohës që iku nga dhomat e izolimit), mbasi të tilla gjëra, në këtë kamp ka shumë dhe thotë se nuk lë asnjeri të më afrohet se do ta qëllojë. Kjo ndodhi rreth orës 5.00 të datës 21 maj 1973.
Për këtë, nënoficer Mark Tuci, pa humbur kohë njofton oficerin e rojës së repartit, oficer Fejzi Liço i cili në këtë repart kryen detyrën e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit. Ky i fundit informon kryetarin e Degës së Zbatim Vendimeve Penale oficer Sulejman Manokun, i cili ndodhej atje me shërbim. Nga komanda u urdhërua që me çdo kusht të kthehej në dhomat e izolimit i dënuari Pal Gjergj Zefi.
Rreth orës 06.30 punëtori operativ Fejzi Liço, duke pasur me vete nënoficerët Mark Tuci, Ndue Lleshi, Zef Mardhiqi, shkon në vendin ku qëndronte i dënuari në fjalë dhe sipas rregullave i bën thirrje që të shkonte në dhomat e izolimit, por ai nuk bindet dhe prapë ju kanoset punëtorit operativ dhe policëve për t’i qëlluar dhe vrarë. Në këtë kohë vijnë këtu dhe nënoficerët Gjet Çupi, Skënder Neziri, Frrok Deda dhe Ndue Prenga, të cilët gjejnë oficerin e rojës dhe tre nënoficerët që shënuam më sipër dhe se bashku veprojnë për të arrestuar Pal Zefin, ndërsa Pal Zefi qëllon me hekur të dënuarin Medi Noku që futet për të ndihmuar punonjësit e policisë dhe punëtorin operativ. Policët e arrestuan Pal Zefin por në çast për të mbrojtur atë hidhen disa të dënuar të tjerë nga turma, ua nxjerrin forcërisht nga duart dhe e marrin në mbrojtje. Njëkohësisht, personat që ndërhynë kanë qëlluar me grushte dhe mjete të tjera punëtorin operativ dhe policët që u ndodhen atje! Kjo përleshje zgjati 5 minuta. Ndër të dënuarit që kanë vepruar aktivisht kundër forcave të policisë janë: Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Pavllo Pope, Hasan Ribo, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazri, Fadil Dushku, Sulo Veshi etj. Të dënuarit e tjerë filluan të grumbullohen dhe në këto rrethana punonjësit tonë tërhiqen, të dënuarit u acaruan dhe fillojnë të shajnë e të flasin kundër partisë e pushtetit. Për këtë, nënoficeri rojës njoftoi komandën e korpusit dhe shokun Sulejman Manoku.
Nga ana e komandës së repartit u analizua çështja, u mor kontakt me të dënuarit nga komisari repartit oficer Shahin Skura dhe nga oficer Sulejman Manoku, por edhe këtyre, si të dënuarit e tjerë, ashtu dhe Pal Zefi nuk iu bindën. Përfundimisht gjendja mbeti e nderë kurse komanda nuk mori mase duke pritur të vinte grupi operativ i degës punëve të brendshme.
Në orën 15.30 në vendin e ngjarjes erdhi grupi operativ i kryesuar nga prokurori i rrethit Zef Deda, shefi policisë së rrethit oficer Rexhep Karaj, shefi i Seksionit të Sigurimit oficer Gjergj Zefi dhe hetuesi i degës punëve të brendshme, oficer Shaban Dani. Këta, mbasi u njohën me situatën, në orën 17.00 bënë arrestimin e të dënuarit Pal Zefi dhe e nisën për në Degën e Punëve të Brendshme të Rrëshenit. Gjatë këtij veprimi punonjësit tonë që kryen arrestimin u shoqëruan nga një turme të dënuarish dhe ndërmjet tyre Dervish Bejko, thirri: “Mos e arrestoni more të poshtër”, duke u bërë zhurmë edhe nga të tjerët. Për një kohë nuk pati reagim tjetër. Në orën 18.00, mbas lëshimit të sanksionimit nga prokurori, filloi puna për arrestimin dhe të 5 të dënuarve të tjerë. Kështu u bë arrestimi i të dënuarit Syrja Lame dhe u çua në dhomat e izolimit. Për t'u arrestuar u thirr edhe i dënuari Pavllo Popa. Në këtë kohë në oborr dhe në tarracë grumbullohen shumë të dënuar, të cilët filluan të lëvizin të revoltuar. I dënuari në fjalë tha se vinte vetë pa u lidhur, por në dalje refuzoi të vinte. Atëherë nga ana e punonjësve tanë ju tha: "Rri, por neve do të marrim, ti nuk ke ku shkon, këtu të kemi" dhe pastaj u larguan.
Të dënuarit, të revoltuar tentuan të kapnin dhe të mbanin peng brenda në kamp hetuesin dhe prokurorin që ishin në infermieri. Këtë e mësojnë rojet e brendshme dhe për të evituar ngjarjen i nxjerrin në rrugë tjetër. Të dënuarit filluan të grumbullohen dhe të hedhin parulla armiqësore: "Ja vdekje ja liri", "ne nuk punojmë", "ju jeni katila" etj, pastaj ata iu afruan rojeve te brendshme me qëllim goditje.
Në këto rrethana, komanda urdhëroi rojet të dalin në zonën e ndaluar për të dënuarit dhe mbas pak me qenë se gjendja filloi të acarohej edhe më tepër, u nxorën jashtë rrethimit.
Në orën 21.00 të dënuarit thyen dhomat e izolimit dhe nxorën ata që ishin aty. Me qenë se disa nga të dënuarit shkelen zonën e ndaluar, rojet hapen zjarr dhe ky zjarr u shoqërua edhe me breshëri të tjera nga drejtime të ndryshme për demonstrim.
Turma e të dënuarve grumbullohet në shesh dhe në tarracë disa prej tyre si Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta (në origjinal mbiemri i shkruar keq-shënim), filluan të mbajnë fjalime e recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje, etj. Demonstrimi i tyre vazhdon. Gjate kësaj kohe u hodhën këto parulla me përmbajtje kundërrevolucionare:
“Rroftë Shqipëria e Lirë”, “ja vdekje ja liri”, “ne nuk punojmë as sot as mot”, “ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”,"ushtria është me ne” , “populli është me ne dhe kundër jush”, "shokë ushtarë dorëzoni armët”, “ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “do t'ju djegim si Stalini", “mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “poshtë komunistët”, “rroftë Europa e lirë”, etj.
Nga ana e komandës u morën masa sigurimi dhe u bënë të gjitha përpjekjet që të mos kishte mundësi shpërthimi i kampit. Për gjendjen në orën 08.30 të datës 21.5.1973, u njoftua Dega e Punëve të Brendshme e rrethit dhe nëpërmjet saj në orën 14.00 me telegram u njoftua edhe Ministria.
Rreth orës 03.00 të datës 22.5.1973 në vendin e ngjarjes shkoi grupi operativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili mbasi u njoh me situatën përcaktoi masat dhe detyrat e mëtejshme për shtypjen e kësaj revolte.
Në mëngjesin e datës 22.5.1973, u konstatua se ne katin e tretë të pallatit të tyre, të dënuarit kishin ngritur një flamur të kuq prej beze ku kishin pikturuar edhe shqiponjën. Gjithashtu brenda në repart dëgjoheshin thirrje e brohoritje protestash.
Ne orën 8.00 të datës 22.5.1973, zëvendësministri Punëve të Brendshme (Feçor Shehu-shënim), në emër të shokut ministër shkoi në pikën dominuese të kampi të dhe u bëri thirrje të burgosurve që të vendosin rregull e qetësi duke zbatuar tere kërkesat e rregullores e ligjeve në fuqi, kurse për ato që kanë ndodhur do të zhvillohet hetim dhe sipas ligjit organizatorët do të përgjigjen, masa s'duhet të gabojë e të vejë mbas disa armiqve.
Në këtë kohë, revolta dërgon një të burgosur me një letër me kërkesa, i cili nuk u pranua por u kthye mbrapsht me qëllim që të bisedonim me gojë çfarë kanë.
Në emër të të dënuarve, Paulin Vata, Hajri Pashaj dhe Nuri Stepa, jo vetëm që nuk e përfillën këtë thirrje po u kundërvunë me këto kërkesa: "Të mos dënohet asnjë fajtor, të mos punojmë asnjëherë në miniere, por të na kaloni në ndërtim, të bëhet amnisti sepse që kur u prishët me BS nuk kini bërë, të shikohet çështja jonë për të na liruar sepse jemi dënuar pa faj”, etj.
I dënuari Hajri Pashaj shprehet me fjalë fyese kundër pushtetit dhe partisë si dhe shokëve të dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme duke iu thënë: "Ju është ngushtuar rrethi, ju do të vini këtu ku jam unë, etj". Mbas kësaj të dënuarit, filluan njëzëri të hedhin
parulla shpifëse në drejtim të partisë dhe pushtetit si dhe parullat:
“Ja vdekje ja liri”, “ne do të fitojmë”, “rroftë Shqipëria e Lirë”, “ne jemi me Evropën e lirë”, “poshtë komunizmi”, etj. Në këto parulla marrin pjesë një numër i konsiderueshëm te dënuarish. Në një gjendje të tille u morën këto masa:
-Së pari, u komunikua se ju jeni futur në një revolte armiqësore, prandaj ne do t'u shtypim me forcë në rast se nuk dorëzoheni pa kushte duke u dhënë një afat të caktuar.
-Së dyti, me qëllim presioni u demonstruan të gjitha forcat e ardhura në këtë operacion, duke përforcuar ne maksimum rrethimin e kampit.
-Së treti, u përcaktuan dhe instruktuan dhe grupet qe do te me merreshin me shtypjen e kësaj revolte kundërrevolucionare.
Të gjitha këto masa ndaj të burgosurve në revoltë shkaktuan një efekt të madh psikologjik dhe bën që në orën 07.00 të datës 23.5.1973 shumica, dërmonjëse e të dënuarve pranuan dorëzimin pa kushte. Revolta u mposht, të gjithë të dënuarit u lidhen dhe u vunë në një shesh për kontroll. Nuk pranuan te dorëzoheshin te dënuarit Dashnor Kazazi, Skënder
Daja, Jorgji Papa e Dervish Bejko e ndonjë tjetër që me hekura e me dërrasa në duar hipën mbi tarracë duke bërtitur dhe ofenduar organet që kryen veprimet e përmendura.
Grupi i operacionit mbasi u bëri disa thirrje ju kundërvu atyre dhe forcërisht i mposhtën. Në këtë përleshje u plagosën 5 të dënuar, kurse nga forcat tona pati vetëm 2 goditje të lehta.
Mbas arrestimit të të gjithë të burgosurve, u bë demaskimi i revoltës, duke nxjerre në pah, forcën e pushtetit popullor dhe për rrjedhim u theksua se ata që e organizuan këtë revoltë do të arrestohen e dënohen rëndë nga ligjet e pushtetit. Nga organizatorët u arrestuan 70 vetë, prej të cilëve u zgjodhën 12 dhe brenda 24 orëve, mbas një hetimi të shpejtë, u organizua gjyqi i cili dënoi 4 vetë me vdekje dhe 8 me 25 vjet burg. Vendimi u ekzekutua brenda ditës.
Me të arrestuarit e tjerë zhvillohet hetuesi e rregullt në Tiranë dhe sipas fajit që kanë bërë në këtë çështje do të dënohen.
Mbas këtij operacioni, me të dënuarit e tjerë puna në minierë filloi normalisht. Vihet re se çdo i burgosur respekton shumë më mirë rregullat e kampit se sa para ngjarjes.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.