1987/Vuajtjet e të dënuarit në Burrel: Ju lutem më transferoni

0
400
blank

Fehmi Estref Frashëri (1926-1998?), vuajti pa ndërprerje gati 21 vjet burgim komunist. Ai kishte mbaruar Institutin Tregtar dhe Institutin e Tregtisë së Jashtme në Moskë dhe kryer detyra shtetërore të rëndësishme në sektorin e ekonomisë. Në maj 1960, u dërgua atashe tregtar në Pragë. Më 13.1.1961 u arratis bashkë me gruan e dy fëmijët duke u dorëzuar në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Pragë. Duke mos gjetur veten në Moskë, pasi bëri kërkesë për heqjen e shtetësisë sovjetike, në shtator 1967 kërkoi nëpërmjet ambasadës së Rumanisë në Moskë të riatdhesohet në Shqipëri. Pavarësisht se iu premtua se nuk do merrej masë ndaj tij, u arrestua dhe dënua së bashku me bashkëshorten. U kthyen me anije, por u arrestuan në Durrës më 6.2.1968. Nuk pranoi për asnjë çast se ishte vënë në shërbimin sovjetik. U akuzuan në bazë të nenit 64 të Kodit Penal. U dënua me 25 vjet heqje lirie. U ridënua në Spaç për agjitacion e propagandë në vitin 1978. Gjendja e mjeruar shëndetësore e tij në burg pasqyrohet në letrën e datës 6.3.1987 për Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në letër shkruan:

“Po vazhdoj vitin e 20-të në burg dhe deri më sot, asnjëherë nuk u jam drejtuar organeve të ndryshme të shtetit për arsye sepse çështjen time e kam lënë që ta shikojnë vetë organet përkatëse. Mirëpo tani gjendja e rëndë shëndetësore më detyron t’ju drejtohem juve për sa vijon:

Në bazë të kontrolleve dhe dokumenteve mjekësore të regjistruara në kartelën time, unë vuaj nga sëmundja e zemrës, insuficienca mitrale, tensioni i gjakut, koliti kronik i zorrëve dhe tani, së fundi, mjekët dyshojnë për albuminë në veshka, pasi jam enjtur nga këmbët. Disa herë jam shtruar në infermierinë e burgut për mjekimin e kolitit, edhe këtë letër po e shkruaj nga infermieria e burgut të Burrelit, pasi ditët e fundit pësova kriza të rënda në zemër dhe çrregullime në tensionin e gjakut me ngritje e zbritje të theksuara. Vetëm nga tymi i duhanit që pijnë të burgosurit e tjerë në dhomë, siç e përmenda, pata krizë aq të rëndë zemre, sa që disa herë në mënyrë urgjente duke prishur rregullat e burgut edhe në mesnatë u desh ndërhyrja e mjekut, përdorimi i gjilpërës dhe ilaçeve për të penguar pushimin e zemrës.

Edhe tani në infermieri vazhdoj të pi ilaçe për forcimin e zemrës. Organizmi im dhe mosha ime (61 vjeç) nuk është më në gjendje të dallojë kushtet e izolimit të burgut të Burrelit, ndaj lutem që të merret parasysh kërkesa ime për të më transferuar mundësisht në kampin e Lezhës ku ndodhen pleqtë dhe të sëmurët.

Kam nevojë kryesisht për ajër të pastër dhe qetësi, kushte këto që ekzistojnë në kampin e lartpërmendur. Vlen të theksoj se pleqtë e kategorisë sime pothuaj janë transferuar të gjithë nga burgu i Burrelit në kampin e Lezhës. Nga bisedat që kam patur me komandantin e komisarin e burgut di se komanda është dakord me transferimin tim, por kjo çështje varet nga aparati i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Shpresoj se kërkesa ime do të merret parasysh”.

*Fotoja e pasaportës kur u arrestua

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here