1971/“Ia kaloni edhe obskurantizmit mesjetar”

0
144
blank

Azem Lokaj, një shqiptar nga Kosova ardhur në Shqipëri për të kërkuar strehim politik, pati fatin e keq që u dënua nga regjimi. I gjendur në Repartin nr.303 Spaç ku vuante dënimin me punë të detyruar bashkë me disa shqiptarë të tjerë nga Kosova, të cilët konsideroheshin “të huaj”, në shtator 1971 iu drejtua me një letër Byrosë Politike, në të cilën tregon për keqtrajtimin që u bëhej në Spaç. Letra nuk ka nevojë për shumë komente. Për nga mizoria, krimet kishin kaluar edhe pushtuesit shekullor të trojeve shqiptare. Letra kishte këtë përmbajtje:

 

“Kushte të padurueshme më detyrojnë t’ju shqetësoj dhe ja sepse. Pa marrë parasysh se jemi dënuar krejt pa faj, pa bo asnjë krim kundra shtetit e të partisë, ne dhe trajtimin se kemi njëlloj me qytetarët tuaj. Sipas ligjit tuaj, neve na takon ushqim dhe veshmbathje dy palë, ndërsa kur punojmë pa pare, marrim një palë (!), që griset për 3 muaj dhe ushqimin e kemi të dobët, p.sh. si të papunët marrim 75 gram mish, kur punojmë marrim 40 gram, etj.

 

Të dënuarit gëzojnë të drejtën e takimit, ndihmës e korrespondencës, ndërsa ne jemi privuar nga gjithë këto.

 

Ja një shembull konkret. Pas 14 vjetësh vjen nëna e kosovarit Zek Shala dhe çuditet se si shqiptarët nuk i japin me fjete një natë me djalin dhe i thotë djalit: “Bir, yt vëlla u dënua me vdekje dhe unë iu luta mareshalit (Tito-shënim) dhe (ai) ia fali jetën. Më lejoi të fle 4 net. Mos ke bërë ndonjë krim të rëndë?!”. Jo nënë i tha ai, jam dënuar 10 vjet vetëm se desha me ardh te ti.

 

Shembull i bukur. Ata që ne i quajmë armiq shekullorë, janë treguar dhe tregohen më humanë se ju që jeni gjak me ne. Kjo tregon se ju keni frikë nga e vërteta, keni frikë edhe nga korrespondenca jonë e varfër.

 

Kjo njihet në historinë botërore që për 20 vjet nuk u lejohet të huajve takimi, ndihma, bile ia kaloni obskurantizmit mesjetar me ndalimin e librave të huaja si janë fjalorët.

 

Na vjen çudi si shtypi dhe autoritetet nga këto lokale deri te më të lartat, flasin përditë se janë gati  me ndihmue, gjoja kosovarët, ndërsa faktet flasin krejt ndryshe. Jemi 20 kosovarë të sëmurë, të rraskapitur, vihemi në punët më të rënda, duke na thënë me paturpësi se jemi dënuar me ba normën. Qenkemi dënua vetëm se ju duhet puna, me na kthye në skllevër, paska ngel Shqipnia me u ndërtue nga 20 kufoma të gjalla.

 

Ça do thonë nanat kosovare kur shohin (ose nuk i shohin fare) djemtë e tyre të plakur para kohe, degraduar fizikisht e moralisht? Mos vallë ju shtyn interesi personal i karrierës që të mbillni përçarje e urrejtje në mes shqiptarëve vendas dhe kosovarëve dhe s’doni bashkimi e tyre.

 

Për kaq kohë, s’erdhi një përfaqësues me na pa e me na pyet si e pse jemi këtu. A tregon kjo se sa “i doni” kosovarët. Me ndëshkime e tortura jemi mësuar e kalit. Do të ishte shumë më e ndershme nga ju me na dhanë ndëshkimin përfundimtar se na lanë gjallë e për gazep”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here