Uria e shqiptarëve në letrat e ndaluara

0
530
blank

“Nuk më thua baba, si do të rrimë neve të ndarë, ti atje dhe unë këtu?! Më vjen të vras veten. Në rast se ke mundësi më dërgo disa penicilina dhe streptomicinë. Po të kishe dërguar atëherë do të kisha shpëtuar”

Në letrat e tjera të dërguara nga Shqipëria jashtë vendit në shkurt 1953 nga Kontrolli Postar, pjesë e Degës së 8-të të Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vihet re një gjendje katastrofe në vend. Mungesa e bukës zë vendin më të madh në letrat e shkruara, por në fakt ajo ishte më e kërkuara. Në vend mungonte gjithçka. Pavarësisht terrorit të kuq, qytetarët kanë shkruar letra sepse nuk kishin komunikime të tjera, duke marrë parasysh çdo lloj risku. Letrat janë zbardhur nga Sigurimi gjithë gabime. Kanë probleme të rënda gjuhësore. Megjithatë, është nxjerrë thelbi i asaj që kanë shkruar dërguesit.

-Kostandin Duka nga Durrësi për Vangjel Cirin në SHBA: “Atë pakon e kemi marrë dhe u gëzuam shumë, por na kushtoi shumë dogana. Prandaj, nëse ke mundësi, na dërgo disa barna si nikotibina, streptomicinë, penicilina që janë për sëmundjen e TBC-së”.

-Tetar Mihal Nika, me shërbim në Repartin nr.9799 Tiranë, për Dhimitër Nikën në Argjentinë: “Nuk më thua baba, si do të rrimë neve të ndarë, ti atje dhe unë këtu?! Më vjen të vras veten. Në rast se ke mundësi më dërgo disa penicilina dhe streptomicinë. Po të kishe dërguar atëherë do të kisha shpëtuar”.

-Marigo Zoto nga Erseka për Nikolla Zoton në SHBA: “Baba, ju e dini fort mirë gjendjen dhe situatën e këtushme. Është një ekonomi e shtrenjtë, e vështirë shumë. nuk merr dot asgjë. Jemi me shtrenjtësi të madhe. Nuk kemi njeri në punë, prandaj presim gjithnjë nga ju. Ti na dërgo nga pak. Vuajmë shumë. nuk kemi këpucë, jemi zbathur”.

-Llambrini Eftthimiu nga Grapshi, Gjirokastër për Georgi Efthimiu në SHBA: “Baba, morëm 50 dollarët që të kemi rënë në qafë. Por sivjet shpëtoni shpirtrat (tanë) se s’kemi prodhuar fare. Që të blejmë me lekët tona nuk gjejmë gjë. Ata me dollarë blejnë. Populli tjetër vuan nga uria”.

-Agim Bella nga Dishnica, Korçë për Sali Bellën në Australi: “Mëso baba se ne po vuajmë. Si duket do vdesim se buka është ta kërkosh me kobure e mos ta gjesh. Është 80 lekë kilogrami i misrit, por vetëm për ndonjë të njohur”.

-Janulla Vila nga Elbasani, për Virxhini Grunis në Australi: “Mbi sa më shkruaje, i kam ndër mend. Ndodhem në mes të një lumi të thellë. Që të hidhem matanë kam frikë se mos mbytem dhe kështu qëndroj brenda deri sa të shterohet. Mbi sa më thoni jam dakord. Unë dua që nesër, por është e pamundur. Vetëm dërgoni adresën e vëllait tuaj. Në këtë regjim që kemi, vetëm një herë në javë bëhet pushim. Pashkët nuk festohen si njëherë”.

-Olimbi Koçi nga Drenova për C.Ch. Kristophu në SHBA: “Të 25 dollarët i mora me rastin e rrezikut që lava borxhet. Tani pres të më dërgoni në Pashkë se tani është dimër dhe shtrenjtësi e madhe. Dritë janë shtrenjtë. Si ne dhe të tjerët vuajmë shumë”.

-Minir Hoxha nga Kuç i zi, Korçë për Shefqet Shaqirin në SHBA: “Në qoftë se mundeni, na ndihmoni. Buka nuk na del, le të tjera. Jemi zbathur. Nuk kemi njeri ta nxjerrë lekun e të blejë misër. Prandaj na ndihmoni”.

-Virgjinia Musa Dvorani nga Korça për Musa Ismalimin në Australi: “Unë punoj jo si Zyberi më parë, por më keq. Punoj në rrugë se jam kulak. Nuk jemi në punë dhe as na fusin. Asnjeri nuk na vjen dhe nuk u vemi se na ndalon ligji. Bëj hesap, as dollarë nuk na vinë. E di ç’do të thotë kulak? Pyet të tjerët se ta thonë. Vetëm ne jemi në fshat kulakë. Mallin e parë na e morën. Na kanë lënë një pakicë se lamë detyrimet e shtetit. por na ndohmo të nxjerrim këtë dimër. Se më vjen turp nga bota që kam rrojtur mirë por na prishi qeveria që i bëmë Zyber”.

-Argjir Thoma nga Qyteti Stalin për Christo Stavros në SHBA: Nga gjendje jemi keq. Ju lutem të na dërgoni të holla po t’ju dojë qejfi dhe mos na lini të vuajmë se paraja juaj këtu shkon”.

-Eksantho Liti nga Klishari, Gjirokastër për Gerogi Litis në SHBA: “..Jani ndodhet ushtar. Më dërgoni 100 dollarë sepse ka një person që mund ta sjellë për 20 ditë dhe për kaq ditë arratisemi. T’i dërgosh ushqimet me Janin që të hamë. Unë mbetem atje për të vazhduar studimet. Gjithashtu më dërgoni rroba për fjetje”.

-Kosta Polos nga Lugari, Gjirokastër për Arthur Polos në SHBA: “Dërgomëni para që të marr bukë se do të vdesim. Kam humbur çdo shpresë. Gjithë paratë që më keni dërguar, i kam harxhuar për të blerë bukë. Dua 7500 lekë në muaj për bukë. Jam demoralizuar”.

-Abaz Pasho nga Leskoviku për Qirkajo Bojaxhiun në SHBA: “Po ju shkruaj për të tretën herë. Më shtyn nevoja familjare që kam për fëmijën pa bukë dhe të zhveshur. Ju drejtohem juve zotni si mik të vjetër që ndihmoni të vobektët. Ndihma juaj do të më mbyllte plagët dhe do më lehtësonte vuajtjet e kalamanëve. Ju bëj apelin e fundit për Abaz Pashon, shërbëtorin e vjetër të familjes suaj”.

-Sotir Thoma, për Kovi Theodhorin në SHBA: “Na u dogjën shtëpitë. Nuk shpëtoi gjësendi. Jemi zhveshur e zbathur, pa bukë e mos më keq. Po të lutem shumë dërgomë ndonjë dollar se kemi mbetur keq. Na ndihmoni se ndodhemi në rrezik të madh, mos na vdesin fëmijët nga uria. Do të bëni një urë në det. Ne këtu kemi mbetur si mos më keq”.

-Dushke Tushi nga Korça për Pandeli John në SHBA: “Jemi në fukarallëk. Marrim pak rrogë, punojmë shumë. sidoqoftë, pakot t’i bësh në emër të miterës e jo për mua, se ajo ka triskë buke. Çdo gjë e blej shtrenjtë. Çdo gjë e blej shtrenjtë. Ligje që nuk i ke parë as në ëndërr e jo t’i shikosh me të vërtetë. Bukë me racion. Sapun me racion. Dru me racion. Dhe çdo send tjetër. Të arrin s’të arrin, atë ke. Shkuan ato vakte që lëshoje bukë e gjellë sa deshe”.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here