U arrestua kur ishte 24 vjeçe, vuajti 10 vjet, 10 muaj, 7 ditë burg komunist

0
6308
blank

Menshane Hajro Çiniu u lind në Delvinë më 18.7.1928, por në kohën e arrestimit të saj më 15.12.1952 banonte në Kavajë. Ishte vetëm 24 vjeç, në moshën më të bukur të jetës, kur gjithçka iu kthye përmbys. Ishte fejuar me Selman Cen Ndreun dhe prisnin të krijonin jetën e re. Nuk i lanë, pasi i ndanë dhe burgosën që të dy. Menshanes i shënonin në biografi se vinte nga “një familje shtresë e pasur çifligare, e prekur rëndë nga reformat e pushtetit popullor”, duke pasur rrjedhimisht “qëndrim armiqësor”, si para dhe pas luftës. Pas arrestimit, prokurori formuloi një akuzë të tillë ndaj saj:

-Ka bërë përgatitje për t’u arratisur në Jugosllavinë titiste, ka agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor.

-Ka pasur dijeni, por nuk i ka denonucuar elementët që kanë dashur të arratisen ose janë arratisur.

Kësisoj u akuzua në bazë të neneve 3/1, 4, 7, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe neni 72 i Kodit Penal. Tipik ishte akuzimi për veprën penale të agjitacionit e propagandës pasi bazohej te ligji i sipërcituar dhe te Kodit Penal, në mënyrë që të sillte dy rëndesa ndëshkuese.

Prokurori aspak i njerëzishëm, aq më tepër për një vajzë të re, kërkoi nga gjykata dënimin e egër të saj me plot 25 vjet burgim, të barazvlefshëm me dënimin me vdekje.

Gjykata niste arsyetimin e saj, me fjalët: “U provua plotësisht gjatë hetimit gjyqësor se e pandehura si elemente armike, e prekur rëndë nga reformat dhe ligjet e pushtetit popullor, ka kryer krimin e rëndë kundër pushtetit popullor”.

Citohej se vëllai Jaho Çini kish qenë me Ballin Kombëtar dhe ishte arratisur në vitin 1948 në Jugosllavi bashkë me vëllanë tjetër Duro Çiniu. Menshania e kish shtuar shumë aktivitetin sipas gjykatës duke u fejuar me Selmanin dhe pas arratisjes së vëllezërve.

Midis të tjerash gjenden edhe këto fjalë, të cilat në origjinal janë shkruar shumë keq gjuhësisht:

“E pandehura, gjatë kohës që ka qenë në Elbasan, jo vetëm ka pasur dijeni për arratisjen e armiqve Jonuz Ndreu, Tefik Ndreu, etj, por përkundrazi i ka ndihmuar dhe nuk ka njoftuar organet e shtetit, kur këta u arratisën nga kampi për në Jugosllavi. Gjithashtu ka patur dijeni edhe për faktin e arratisjes së armiqve të vrarë Engjëll Emiri, Isuf Çela, etj, etj. Duke vazhduar rrugën e saj armiqësore, në vitin 1951 shkon gjoja për verim në katundin Sllovë të Peshkopis në familjen e Ndreut, në të cilën pas tre ditësh takohet me diversantin Jonuz Ndreu me shokë, ku pas bisedimeve të ndryshme me karakter politik, propozon që të arratiset me ta, por nuk shkon. Më vonë vjen në Tiranë ku gjithë bisedimet që bën ia komunikon bijve armiq të popullit, Aliko Mëhillit dhe Tomor Dostit, merr 1700 lekë prej tyre dhe niset për në qytetin e Shkodrës, ku takon të quajturat Alije dhe Fetije Agolli. Pasi bien dakord për t’u arratisur, caktojnë parullën “Kostumi i Nakos është gati”, d.m.th. çdo gjë ishte gati po t’u vinte kjo parullë.

Besnike e rrugës së saj armiqësore, bëri agjitacion dhe propagandë edhe me elementë të tjerë të prekur si e bija e armikut të popullit Shefqet Vërlaci, Mejtap Vërlaci, etj.”.

Në Kavajë ishte njohur me “armikun e popullit” ish-nëntogerin Isuf Çela (vrarë më pas), me të cilin bisedon rreth çështjes së arratisjes.

Për ta dënuar, gjykata bënte vlerësimin përkatës: “Veprimtaria e të pandehurës paraqet rrezikshmëri të theksuar armiqësore pse pikërisht i gjithë populli jonë paqedashës është mobilizuar për ndërtimin e jetës së re nën udhëheqjen e partisë dhe të shokut Enver. E pandehura ndjek rrugën armiqësore dhe të kriminelëve të pushtetit popullor, duke tradhtuar interesat jetike të popullit tonë”.

blank

Gjykata Ushtarake Territoriale Durrës, e drejtuar nga toger Prrenjo Myftari, me pjesëmarrjen e prokurorit major Simo Dhami, me vendimin nr.48, datë 30.3.1953, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 20 vjet burg, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet.

U lirua 22.10.1963 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në Tiranë në moshën 35 vjeçare, për të vijuar e lirë pjesën tjetër të persekutimit komunist.

Megjithatë, në moshën 65-vjeçare u largua nga Shqipëria për në Kanada duke shkuar së pari në Greqi. Vdiq më 20.1.2017 në Kanada.

 

Për më shumë për Menshane Çiniun, mund të lexoni dhe shkrimin Një grua.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here