Gjon Mark Ndoi u caktua mësues në krahinën e Mirditës, por bashkë me disa anëtarë të tjerë të një organizate antikomuniste, shpërndanin trekte kundër pushtetit, kryesisht në zonën e Oroshit. Arrestimi në vitin 1949 dhe torturat e rënda në hetuesi...
Ishte caktuar të zhdukte analfabetizmin, duke dhënë mësim në zonat e thella të Mirditës, por Gjon Mark Ndoi, një mësues i ri, nga klasat e shkollës përfundoi në birucat e burgut dhe torturat e rënda. U arrestua në prill të vitit 1949, pasi dyshohej se ishte një nga anëtarët e grupimit antikomunist që shtypnin trakte dhe i shpërndanin në Mirditë, kryesisht në zonën e Oroshit, aty ku rezistenca ishte ende e madhe. Ai nuk e pranoi kurrë akuzën dhe qëndroi ndaj torturave, pasi e kuptoi se hetuesit ende nuk kishin në dorë makinën e shkrimit ku shtypeshin trakte. Pak para se të bëhej raprezalja me arrestime të shumta, makina e shkrimit ishte fshehur. Prova konkrete nuk dispononin, por plot “hijena” ishin bërë gati të dëmshmonin e informonin Sigurimin e Shtetit për veprimtarinë e Gjon Mark Ndoit. Dënohet përfundimisht me 20 vite burgim, ku kryen plot 17 të tillë dhe për këtë arsye njihej edhe si “Mandela i Mirditës”, duke qenë një nga të dënuarit që vuajtën vite të gjata në burgun politik. Pak pasi fitoi lirinë, në moshën 40-vjeçare, Gjoni do të “burgosej” sërish. Këtë herë nga të afërmit e tij të cilët e braktisën, nuk e lejonin të merrte pjesë në ceremoni mortore apo gëzimi, duke e izuluar. Fati i vetëm që Gjonin pati ishte martesa me Vitoren, me të cilën pati katër fëmijë. Përveç vuajtjës në burg, Gjoni u nda nga jeta me disa vraga të thella në trup, që i ishin shkaktuar gjatë kohës që mbahej në hetuesi. Në rrëfimet e tij Gjoni shkruan se e mbanin për orë të tëra mes kërcënimit dhe dhunës së fortë fizike dhe psikologjike. Turturat ishin të shpeshta, gati çdo ditë në hetuesi, ndërsa kishte provuar edhe të kalonte në metodën çnjerëzore të elektricitetit në trup. Jetoi edhe në periduhën e lirisë pas viteve 90’, kohë të cilën e shfrytëzoi për të botuar pesë libra. Nuk tentoi kurrë hakmarrjen ndaj tre personave të cilët e spiunuan dhe ai i njhte, pasi për një kohë të gjatë jetonin në të njëtin komunitet. Prej tyre priste vetëm një ndjesë, që nuk erdhi kurrë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.