Tomor Aliko, qëndrestari që vuajti burgimin dhe dokumentoi krimet e komunizmit deri në fund të jetës

0
1204
blank

U shua më 29.6.2022, në moshën 97-vjeçare, Tomor Selman Aliko, një prej ish-të dënuarve politikë, ish-kryetar i Shoqatës Antikomuniste së të Përndjekurve Politikë. Ai vuajti një burgim të gjatë me 16 vjet, 9 muaj, 20 ditë si dhe në pjesën tjetër jetoi në internim, Mamurras, duke mos gëzuar asnjë ditë lirie në regjimin komunist. Pas vitit 1990, Aliko ishte një veprimtar i shquar i kujtesës. Me mjete modeste, ai botoi disa libra dhe artikuj gazetash, duke u munduar me sa kishte fuqi për të luftuar harresën, armikun më të madh të kohës sonë.

Tomori u lind më 10.7.1925 në Libohovë. Ishte me profesion daktilografist, ndërsa politikisht u rreshtua me forcat e Ballit Kombëtar.

Ai hyri në burg në moshën 21-vjeçare dhe doli prej andej kur ishte 38 vjeç. Burgosja e tij ishte në vitet 1946-1963.

 

Dënimi

Tomori kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kohën kur u arratis në Greqi në nëntor 1945. Atje vendosi kontakte me misionet aleate, britanike dhe amerikane. Mirëpo, u arrestua më 7.4.1946 në kufi. U akuzua në bazë të neneve 10, 17/2 të ligjit nr.368, datë 5.12.1946, se ishte bërë “agjent anglez”, “spiun e informator”, etj. Hetuesinë ia bënë në Gjirokastër, por gjykimin në Tiranë. Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës, me vendimin nr.699, datë 24.12.1947, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.65, datë 25.2.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U lirua më 27.1.1963 nga Reparti nr.319 Vlorë. Gjatë vuajtjes së dënimit thuhej në fletën e lirimit, kishte shpresuar në ndryshimin e situatës.

blank

Hetuesia dhe dënimi me burgim të përjetshëm, rrëfyer nga Tomor Aliko:

“Vetë pamja e jashtme e kalasë të kallte tmerrin. Tuneli kryesor të çonte në errësirën e bodrumeve, në sallën e madhe të burgut, ku dergjeshin qindra njerëz, mbi të cilët diktatura vepronte pa mëshirë. Ata që vendosnin fatin e viktimave ishin oficerët hetues, të dalë nga lufta partizane, me arsim fillor dhe ndonjë me të mesme. Një të tillë hetues kisha edhe unë. Trembëdhjetë muaj isha në mëshirën e tyre. Çfarë nuk përdorën mbi trupin tim: korrentin

elektrik, hekurin e skuqur, jelekun, lënien pa ujë, qëndrimin me një këmbë deri sa të binte të fikët, pa përmendur shkopinjtë, shqelmat e grushtet. Të gjitha këto bëheshin për të pranuar që isha agjent i Asfalisë Greke, edhe pse e dinin se Asfalia më burgosi në Janinë.

Atje ishte Ferri i Dantes, ishte tmerri, skëterra. Kush e ka provuar dhe ka mbetur gjallë mund ta tregojë. Dhomat (birucat) 2-3 metra, në tavan një vrimë e vogël, ku depërtonte një dritë e zbehtë, dyshemeja me çimento, e cila ishte gjithmonë me lagështirë. Shtresë ishte një dyshek me kashtë dhe një rrogoz i kalbur. Na jepnin 600 gram bukë dhe asgjë tjetër. Çdo 15 ditë, me

leje të hetuesit, lejohej ndonjë ushqim nga familja.

Nuk më harrohet kurrë nata e 22 gushtit 1946. Ishte mesi i natës. Hapet dera dhe futen hetuesi me dy policë. Më vunë hekurat në duar, u hapën dyert kryesore, më hipën në një xhips dhe u nisëm. Nuk e dija ku po më çonin, po kisha dëgjuar se pushkatonin edhe pa vendime gjyqi. Ndaluam buzë lumit, afër varrezave të qytetit, vend i preferuar për pushkatime.

-Ja të erdhi fundi, - më tha hetuesi. Vetëm një fjalë të shpëton jetën.

Prano që je agjent i grekëve.

Hetuesi binte era raki. Nga i dehuri, mendova, pritet gjithçka. I thashë xhelatit:

- Nuk kam qenë dhe nuk bëhem agjent i asnjë shteti. Mos u lodh, zbato planin që ke marrë, - vazhdova unë.

Megjithëse jeta është e dhimbur, njeriu kur është para vdekjes, bëhet më i fortë. Mbaj mend që thirra: “Poshtë komunizmi! Rroftë Shqipëria”!

Në ato momente mendoja se këto fjalë i dëgjonte e gjithë bota. Njëri nga policët bënte gati automatikun. Hetuesi më qëlloi me shqelm në vend të hollë dhe unë mbeta pa ndjenja.

Nuk di sa zgjati kjo gjendje, vetëm kur hapa sytë dallova drejtorin e burgut, i cili më futi në makinën e tij dhe më çoi atje ku më kishin marrë.

Asnjë fjalë nuk më tha kush për këtë. Tani më dukej vetja tjetër njeri, më i guximshëm, më krenar. Jetoja me vdekjen dhe atë e prisja nga momenti në moment. Pas kësaj ngjarjeje hetuesin xhahil nuk e pashë më.

Ditët dhe muajt kalonin. Disa herë përsëriteshin procesverbalet, por qëndrimi im ishte i njëjtë. Më provokuan me një spiun, burrë plak, i dënuar me burg të përjetshëm. Ia kisha dëgjuar emrin si luftëtar i 1920-ës në Vlorë me Selam Musanë. I tregova atij ato që nuk i kisha thënë në procesverbal. I hapa zemrën matufit plak edhe për faktin se njeriu ka nevojë të rrëfehet

para se të vdesë. Kjo m’i shtoi më tepër vuajtjet. Nuk dua t’ia zë me gojë emrin se nuk dua që fëmijët e tij të mbajnë turpin e babait të tyre. Pas 5 vjetëve e sollën në spitalin e burgut të Tiranës ku isha edhe unë. U drodha i gjithi kur e pashë. Për një moment mbulova kokën me batanije, më vinte turp ta shikoja. I pafytyri, më erdhi te koka e krevatit, u ul në gjunjë dhe më kërkoi falje. E largova duke i thënë: ti je një kufomë për mua dhe e kam për turp të merrem me ty. U sëmura më shumë, nuk doja ta shihja me sy, por, shyqyr, pas një jave e operuan dhe nuk e prunë më në dhomën time. I fundit që më mori në pyetje, ishte një hetues, oficer madhor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Thoma Karamelo, besnik i ministrit Koçi Xoxe, i cili dallohej nga hetuesit e tjerë për kulturën që kishte. Përfundimisht, procesverbali u

mbyll dhe mbas disa ditëve më çuan në birucat e burgut të ri të Tiranës, po të njëjtat biruca, vetëm se kishin dritare dhe dhoma ishte më e madhe. Këtu kalova edhe katër muaj të tjerë, derisa më nxorën në gjyqin ushtarak. E dija se ishte marrë vendimi i dënimit tim nga Sigurimi dhe gjyqi ishte krejt formal. Më 30 shtator 1947 dy policë, si më vunë hekurat, më hipën në një xhips. Njëri prej tyre, duke më treguar automatikun, më thotë:

“Ky nesër mbrëma do të këndojë”. Mendova se të gjithë donin gjak. E pashë me përbuzje.

U gjenda në një sallë gjyqi. Prokurori dhe tre gjyqtarë prisnin gjahun e tyre. Kishin disa shkresa mbi tavolinë. Si më pyetën për identitetin, lexuan procesverbalin. Prokurori vuri në dukje rrezikshmërinë që paraqisja, tradhtinë ndaj atdheut, duke i kërkuar kështu trupit gjykues dënimin tim kapital. Kryetari kërkoi nga unë fjalën e fundit, e cila nuk kishte asnjë vlerë, mbasi çdo gjë ishte vendosur. U thashë se nuk kam kryer asnjë krim dhe atdheun nuk e kam tradhtuar asnjëherë. Trupi gjykues dhe prokurori u tërhoqën nja 5 minuta. Vendimi ishte: burg i përjetshëm. M’u duk se u lirova. Më nxorën dhe më shoqëruan për në burgun e vjetër të Tiranës, ku mbas 17 muajve ndodhem midis shokëve të idealit dhe të vuajtjeve. Isha dobësuar aq shumë, sa mezi qëndroja në këmbë”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here