Të ishe gruaja e armikut

0
221
blank

Historia e një prej shumë grave që martesa me njeriun e gabuar, sipas partisë, i kushtoi një jetë me vuajtje. Xhyhere Kazazi u arrestua dy herë, duke kaluar mbi dy vjet në burg, u internua për 5 vjet dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës aktive në punë të rënda vetëm sepse bashkëshorti i saj, me të cilin jetoi vetëm dy vjet, Hasan Kazazi, kishte qenë luftëtar i Ballit Kombëtar

E bija e Sadik Grudës, Xhyherja u martua në kohë lufte. Ishte viti 1942 ku ajo shkoi në shtëpinë e bashkëshortit, Hasan Kazazi, e veshur me kostum tradicional dhe e përcjellë me këngë popullore. Sepse, siç thuhet, dasma bëhen në çdo kohë. Por periudha më e vështirë e jetës, për gruan e re, do të niste pas luftës. Bashkëshorti, i cili iu ishte bashkuar forcave të Ballit Kombëtar, u detyrua të largohej nga Shqipëria, kur drejtimin e saj e morën në dorë komunistët. Kjo do të thoshte që ndaj familjes së tij dhe gjithë nacionalistëve që kishin kundërshtuar komunizmin, do fillonte hakmarrja.

Fatbardha Saraçi Mulleti në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, botim i ISKK, i kushton një hapësirë edhe historisë së përndjekjes së Xhyheres. Xhyherja, e mbetur e vetme pas arratisjes së bashkëshortit, u arrestua në vitin 1946. Bashkë me të u arrestua edhe vëllai i saj i madh, Zija Gruda. Ai pësoi tortura të shumta fizike dhe psikologjike që çuan në humbjen e ekuilibrit mendor. Gjyqi sakaq e dënoi me 17 vjet heqje lirie. Ndërsa Xhyherja 28-vjeçare u dënua me 20 muaj burg. Faji i saj ishte se i qëndronte besnike bashkëshortit nacionalist në arrati, që regjimi komunist e kishte shpallur armik. Dhe duke qenë se vendosi t’i qëndronte kështu gjithë jetën, pavarësisht presioneve që i bëheshin për t’u ndarë prej tij, ajo u arrestua sërish në vitin 1950 dhe kreu edhe 6 muaj të tjerë burg. Presioni i Sigurimit nuk ndali kurrë. Por as qëndrimi i saj nuk ndryshoi. Si pasojë, pas tre vitesh, gruan e re e internojnë. Për pesë vjet, ajo iu nënshtrua jetës së vështirë në baraka dhe punës së rëndë në bujqësi në fshatrat e Lushnjës, si Gradishta dhe Savra që u bënë bazë e përqendrimit të familjeve të internuara.

Pas 5 vitesh, ajo mundi të kthehej në Shkodër. Masa 5-vjeçare e internimit nuk iu ripërtërit, çfarë do të thotë që dikush, diku u tregua i mëshirshëm. Por sigurisht, as jeta që e priste në qytetin e saj nuk do të ishte e thjeshtë. Asaj i dhanë punë në ndërmarrjen e ndërtimit, ku duhet të punonte me dy turne, me lopatë në dorë. Xhyherja e përballoi atë punë pa u dorëzuar. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Duhet të mbante shtëpinë dhe të kujdesej për vëllanë e sëmurë. Vështirësitë dhe brengat u shtuan me burgosjen e vëllait tjetër, Shyqyriut i cili u dënua me 18 vjet burg, nga të cilat kreu 14. Një detyrë më shumë për motrën.

Në asnjë çast, në këto vuajtje të pamerituara, regjimi komunist nuk i lehtësoi masat ndaj kësaj gruaje fisnike e cila përballoi gjithë jetën mundimet për një martesë që e shijoi vetëm dy vjet.

Xhyhere Kazazi arriti të paktën të shohë ndryshimin e regjimit. Ajo u nda nga jeta në vitin 1994 në moshën 76-vjeçare. Nderimi i popullit, siç shkruan Fatbardha Saraçi Mulleti, u shpreh në ditën e lamtumirës, kur u mbajt edhe një fjalë në emër të partisë së bashkëshortit të saj, të cilit ajo i kushtoi gjithë jetën.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here