Nipi i Lef Nosit, që u burgos nga regjimi komunist edhe pse kishte qenë pjesë e lëvizjes nacionalçlirimtare si mjek i brigadës së 17-të
Një biçikletë, një stetoskop dhe një çantë me ilaçe i mjaftuan Stiliano Nosit për të hyrë përgjithmonë në historinë e qytetit të tij si mjeku humanist, njeriu fisnik e dinjitar.
Stiliano Nosi është një ndër emrat e skalitur në memorien e qytetit të Elbasanit, si një ndër figurat më të rëndësishme. Është doktori që shkeli në çdo shtëpi elbasanase duke shërbyer me përkushtim e humanizëm të pashoq. Është një ndër personalitetet që e vuajti ashpërsinë e diktaturës komuniste në skaj. Stilian Nosi është nipi i Lef Nosit, firmëtarit të Pavarësisë, një ndër personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Lef Nosi u dënua me vdekje nga diktatura komuniste, por regjimi nuk e ndali këtu sulmin ndaj kësaj familjeje të rëndësishme patriotike në Elbasan. Diktatura sulmoi në ashpërsinë e saj, nipat e tij: Stiliano e Vasil Nosi bashkë me miqtë e tyre. U burgosën nga diktatura, pati prej tyre që edhe u pushkatuan vetëm për faktin se strehuan Lef Nosin kur ai ishte në arrati në përpjekje për t'i shpëtuar regjimit.
Kujto.al sjell në vëmendje dokumente të dosjes së Sigurimit të Shtetit që tregojnë përndjekjen, arrestimin, torturat dhe dënimet e diktaturës për familjen Nosi, por edhe personazhe të tjera me shumë rëndësi në histori siç ishte gazetari tiranas Xhemal Farka.
Do të veçojmë kësaj here Stiliano Nosin, për të treguar më shumë nga historia e tij qysh në fillime, arsimimi në shkollat më të rëndësishme të Perëndimit deri tek diplomimi e më pas sulmet e diktaturës ndaj tij.
Doktor Stiliano Nosi, i biri i Grigorit dhe Eleonora Nosit, u lind në Elbasan në lagjen “Kala” më 15 shkurt 1917. Arsimimin bazë e kreu në Elbasan, më pas vazhdoi studimet në Stamboll, Bejrut dhe Universitetin e Bolonjës, ku u diplomua në mjekësi me rezultate të larta. Stiliano Nosi u angazhua gjatë luftës nacionalclirimitare si mjek në brigadën e 17-të sulmuese. Ky angazhim nuk e shpëtoi nga gjyqet e diktaturës komuniste në vitin 1945, kur regjimi vrau xhaxhain e tij, atdhetarin Lef Nosi. Do të çonte drejt hekurave edhe Stilianon bashkë me të vëllanë, Vasil Nosin si dhe kushërinjtë e tij dhe bashkëpunëtorë e miq të familjes Nosi. Stiliano Nosi u dënua me tre vite burg. Pas kryerjes së dënimit, ai u kthye në qytetin e tij dhe nisi të ndërtojë jetën me aq mundësi sa linte regjimi. Ai u martua me Elsa Dovanën, pinjolle e familjes Dovana, e cila bashkë me familjen e saj nuk u dorëzua kurrë përballë presioneve të regjimit për t'u ndarë nga doktor Stilianon.
Humanizmi, devotshmëria, gatishmëria për t’i shërbyer njeriut, e radhiti Doktor Nosin ndër figurat më të ndritura dhe të dashura të Elbasanit. Është nderuar me titullin ”Qytetar Nderi” nga Bashkia e Elbasanit dhe Qytetar Nderi nga çdo elbasanas.
U nda nga jeta më 15 nëntor 1984, në momentin që i ofronte shërbimet mjekësore një pacienti të tij. Doktor Nosi do të mbetet në kujtesën dhe historinë e Elbasanit si njeriu që humanizmin e qëndisi me veprën e tij të lartë fisnike.
Pjesë nga dosja
Stilian Nosi, 29 vjeç doktor Elbasan, nipi i Lef Nosit
Pjesë e brigadës XII më pas u emërua drejtor i spitalit civil
Në katundin Godolesh jam pjek për herë të parë me Lefin pasi shkova atje për të mjekuar një grua që e kishte pickuar akrepi. Dëshira ime ishte me u takue me Lefin por nuk doja të ekspozohesha. I kam tregu gjithë operacionin që ishte bërë dhe i kam thënë të largohej se do na marrësh në qafë, por ai priste të ndryshojë gjendja dhe të dalë ndonjë anmisti e do t'u dorëzohej...
Vendimi i gjykatës
Duke mos respektuar ligjet e qeverisë tonë demokratike janë munduar për një kohë të gjatë të fshehin të arratisurin Lef Nosi, ish-anëtar i regjencës, i cili ndiqej prej ligjit.
Lef Nosi u kthye nga Shkodra qysh në mars dhe ka ndenjur i fshehur në krahinën e Elbasanit i ndihmuar prej nipit të tij Vasil Nosi dhe Stiliano Nosit të cilët e dërgonin për t'u strehuar nëpër miqtë e tyre.
Stiliano, pas lufte, kishte dijeni për vendndodhjen e xhaxhait të tij, Lef Nosi, i cili u kthye në Elbasan në mars 1945. Qëndroi i fshehur për një kohë të gjatë. Më 5.8.1945 u arrestua, i prerë në besë, në Kodrën e Kuqe të Tiranës nga një person i cili do dënohej më vonë nga regjimi komunist. Gjithë grupi që e mbrojti u arrestua bashkë me Lefin dhe më 21.10.1945 u dënua kështu nga Gjykata Ushtarake e Tiranës: Vasil Grigor Nosi (6 vjet, vdiq në burg), Marko Mosi Menahem (hebre, 4 vjet), Stiliano Grigor Nosi, (2 vjet), Fahrije Ramadan Averiqi (3 vjet), Xhemal Hamdi Farka, (2 vjet), Adem Samurri (2 vjet).
Përndjekja nga Sigurimi deri ditën që ndërroi jetë
Më 21.10.1949 është marrë në kontroll operativ 2B dhe 31.3.1984 në përpunim aktiv 2A “si agjent i mundshëm anglez”. Përpunimi nuk zgjati shumë pasi doktor Nosi vdiq.
Në shkurt 1980, Stiliano Nosi i është shprehur bashkëpunëtorit “Tomori”: Khomeini, për mendimin tim është një Haxhi Qamil i dytë, si nga pikëpamje fetare ashtu edhe politike dhe ushtarake, s’ka si të jetë ndryshe...Ndërsa Haxhi Qamili mburrej se do të luftonte armiqtë e brendshëm ashtu edhe të jashtmit, edhe Khomeini deklaroi se do të luftojë kundër SHBA-së e BS-së dhe reaksionit të brendshëm. Këto janë aventura”. Punëtori operativ vendos këtë shënim: “E dhëna ka vlerë operative pasi Stilian Nosi ul shumë poshtë veprimtarinë revolucionare të Khomeinit dhe njëkohësisht veprimtarinë patriotike të Haxhi Qamilit”. Iu dha detyra që të hapë biseda rreth luftës së popullit iranian dhe rreth Haxhi Qamilit, duke përdorur edhe veprat e Enver Hoxhës për të. Edhe pas vdekjes ndaj tij u ndërmor një veprim i shëmtuar, krejt i padëgjuar më parë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.