Kaluan 35 vjet nga data 10 gusht 1988, kur regjimi komunist vari në mes të qytetit të Kukësit Havzi Nelën. Një ekzekutim makabër që tregonte urrejtjen e regjimit ndaj poetit që nuk e përkulën as gati 20 vite burg. Ishte një dënim i gjatë dhe i mundimshëm, që disa njerëz i theu ose i shndërroi, por jo ata si Havzi Nela. Bashkëvuajtësi Uran Kalakulla, sjell një portret të poetit kuksian që edhe në mes të skëterrës, shpirti nuk iu përlye dhe për çudi, as sytë nuk iu ngrysën
Nga Uran Kalakulla
Me Havzi Nelën qemë njohur prej kohësh nëpër kampburgjet e rravgimeve tona të përbashkëta. Atëherë ishte një djalë diçka mbi të tridhjetat, por çudia ishte se flokët kishin nisur t’i thinjeshin, sikur t’i kishte kaluar të pesëdhjetat. Me shtat mesatar, ai vinte disi i hajthëm, por jo i dobët. Madje po t’i vëreje fytyrën, gjithnjë me faqe të kuqe, të bënte të besoje se ishte gjithë shëndet. Por ajo që të bënte përshtypje tek ai ishin sytë. Ishin sy të një veçorie të rrallë, qerpikë të gjatë si të një fëmije, sy larushë, gjithë shkëlqim, që shprehnin fare qartë një mirësi shpirti të pafund. Ata sy veç rrallëherë mund t’i shikoje të ngrysur, të trishtuar. Dhe unë bëja çudi se si ishte e mundur në atë dreq vendi të mbrapshtë ku ndodheshim, në emër të dhunës, në sytë e atij burri nuk pashë kurrë zymti, ngrysje, siç ngryset qielli kur përgatitet shtrëngata me rrebeshe.
Havzi Nela ishte nga ana e Kukësit. Për kuksianët unë që në fëmijëri kisha një lloj simpatie të veçantë… Njerëz punëtorë, të pafjalë, të sjellshëm, që nuk trazonin kërkënd, veçse shikonin punën e tyre. Edhe në kampburgje ashtu ishin dhe kur unë përpiqesha të hyja në intimitetin e trye shpirtëror, gjeja aty një pastërti, thjeshtësi, një lloj naiviteti të veçantë, që ishte gatuar me besimin ndaj të tjerëve dhe përjashtimin pothuajse të plotë të hilesë, mashtrimit. Duket, si malësorë klasikë që ishin, blegtorë të zellshëm dhe të zotë, ata, duke u lidhur ngushtë me natyrën, kishin marrë gati tiparet e saj për të gatuar shpirtin e tyre tradicional, qëndresën e maleve, butësinë e livadheve, bardhësinë e borës së kreshtave, blegërimën e bagëtisë, qetësinë e pllajave ku shtriheshin kullotat. Dhe të rritur në këto male, ata sikur kishin marrë edhe qëndresën e durimin e shkëmbit që nuk pyet as nga acari e suferina, as nga rrebeshi i shirave të rrëmbyer, as nga uturima e përrenjve theqafës. Dukej që në shpirtin e atyre malësorëve fyejtë baritorë, përzier me tamtamet e daulleve kishin shkrirë në një lirikën dhe epikën popullore. Vallet kuksiane janë shprehja e qartë e epikës, kësaj poezie të trimërisë, që i ngjajnë përleshjes së shqipes me ujkun, ndërsa lirika e fyellit sjell jehun e vajzave që thurin gjerdanë lulesh në pranverë, që qepin dhe qëndisin xhamadanët e tyre apo të djelmoshave, me gjithë ata gajtanë e zbukurime të tjera.
Krahina e Kukësit, po dihet nga historia, ka qenë gjithmonë një kala e lirisë kombëtare, kundër turkut, kundër serbit. E sidomos kundër këtij të fundit, gjatë gjithë mbarimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e gjatë gjithë shekullit të njëzetë. Dhe kam përshtypjen se në shtegun kuksian kanë lënë eshtrat shumë serbë shovenë.
Havzi Nela e kishte në shpirt këtë frymë epiko-lirike. Unë mund të them me plot gojën se gjatë gjithë burgimit tim të gjatë, në kampburgje të ndryshme apo në burgun e Burrelit, nuk diktova asnjë kuksian, edhe atë të pashkolluarin, që të degjeneronte në spiun, kumarxhi, homoseksual, hajdut, intrigant, sherrxhi etj.. Kështu më ka mbetur në ndërgjegje një respekt dhe madje një dashuri për mbarë popullin e kësaj krahine. Por, të më falin bashkëkrahinarët e tij, por në radhë të parë e ushqej këtë respekt e nderim për një ndër më të mirët e tyre, për shokun tim bashkëvuajtës, për mikun tim të dashur, Havzi Nelën. Nuk mbaj mend mirë se në cilin kampburg u njoha së pari me Havziun. Por, sidoqoftë, që aty u afruam dhe nisëm bisedat tona, kryetema e të cilave ishte sa mizerabiliteti i kohës aq edhe shpresa, e pse jo edhe besimi, për një perspektivë të ndritshme, për një ditë të bardhë. Dhe në këtë mes hynte shpesh herë edhe letërsia, pas së cilës ai ishte kapur me një pasion të veçantë. Por koncepti i tij për artin letrar nuk ishte aq fort funksioni estetik i tij, se sa ai edukativ. Kështu, Havziu ishte një ndjekës shumë besnik i letërsisë së Rilindjes sonë, ku patriotizmi është, siç dihet, kryetema e saj, misioni i saj. Për Havzi Nelën, Naim Frashëri ishte vëllai shpirtëror i Fishtës, dy vëllezër këta që formonin shtyllat kryesore të kombit. E vetëm pas tyre vinin Çajupi, Mjeda, Noli, Konica, Asdreni, etj.. Gati-gati, kjo plejadë e letrave shqipe, në ndërgjegjen e Havziut, kishte arkitekturën e Olimpit të mitologjisë së lashtë ku, sa për krahasim, Apoloni duhej të ishte Naimi, Marti-Fishta e të tjerët pas tyre. Por ama në krye të fronit qiellor qëndronte, pa diskutim, si Zeusi, vetëm Skëndërbeu! Ja, kjo ishte feja e Havzi Nelës.
Ai kishte qenë, si edhe unë, mësues. Kishte kryer Institutin dyvjeçar Pedagogjik, më duket me korrespondencë (nuk më kujtohet, në Tiranë apo në Shkodër), vetëm me qëllimin që të bëhej arsimtar, të bëhej mësues i gjuhës dhe i letërsisë në krahinën e tij. Kështu pasioni i tij ishte që t’u fliste në shpirt fëmijëve tamam po atë zjarr patriotik që flakëronte në shpirtin e tij. Dhe pas kësaj, apo njëherit me këtë, sigurisht t’u ndërtonte shpirtin çamarrokëve kuksianë me moralin e shëndoshë dhe epik të maleve tona, me tri normat e tij kryesore: besën, burrërinë, bujarinë. Pa këto norma shpirti i vërtetë i shqiptarit nuk mund të mbijetonte, ai do përdhosej, do ligështohej, do të kthehej nga moral në amoralitet. Dhe tek e shihte që me “edukatën socialiste” gjithçka po përmbysej shpirtërisht që në brezin e njomë, ai kishte vendosur të krijonte një rezistencë serioze, edhe pse të heshtur, disi të maskuar, ndaj një epidemie fort të rrezikshme që po përhapej aq me zhurmë e me tamtame shurdhuese. Por, kur mësuesi profesonte këtë moral të shëndoshë klasik shqiptar me nxënësit e vet, si do të ishte e mundur që ai jashtë klasës, në fshatin e tij apo në kolektivin e mësuesve a në shoqërinë e tij do të mund të shtirej ndryshe, do të mund të heshtte, të bëhej vuv, pra një shurdhmemec, një hipokrit? Ja pra edhe rënia e tij e natyrshme në burg. Po, ai kishte rënë në burg tamam si një misionar i fesë, që jo vetëm mbron besimin nga lakejtë e ateizmit, këta blasfemistë banalë e të pështirë, por vazhdonte t’i thurte lavde Perëndisë, edhe kur e shihte se rrotull po i skërmitnin dhëmbët qentë e tërbuar të Sigurimit, gati për ta shqyer të gjallë.
Ithtar i poezisë epiko-lirike, Havzi Nela thellë në shpirt ishte edhe vetë poet. Ai kishte shkruar që para se të binte në burg dhe vazhdonte të shkruante edhe aty. Ai më ka lexuar shumë nga vjershat e tij. Këto vjersha fatbardhësisht janë të mbledhura nga ndonjë i afërt a dashamirës i tij, nuk di se kur e qysh, dhe u botuan në kohën e demokracisë, post-mortum. Për fat të keq, tek shkruaj këto radhë nuk e kam atë vëllim parasysh, që të mundja të bëja ndonjë interpretim estetik mbi to. Por fundja, çfarë do të mund të thosha më tepër se sa kam thënë më lart, duke folur për formimin shpirtëror të poetit Havzi Nela? Hollësitë e tjera u takojnë specialistëve të kritikës letrare, që kanë thënë dhe do ta thonë besoj prapë fjalën e tyre, ashtu si nuk rreshtin sot në Spanjë a në mbarë botën të shkruajnë për një Garsia Lorka të pushkatuar nga falangat frankiste. Sepse, edhe Havzi Nela, ky poet shqiptar, u ekzekutua nga falangat e kuqe, në moshën më të mirë e më të vlefshme të jetës.
Havziu mundi të dalë nga burgu disa vite më vonë se unë. U ndava me të në burgun e Burrelit, ku kishim qenë disa herë bashkë në një dhomë apo në dhoma fqinje. U përshëndeta me të te sporteli i dhomës, si me një mik të dashur e të nderuar. Dhe nuk u pamë më…
Tek e vona mora vesh fatin tragjik të tij. Kur e liruan nga burgu, atë nuk e lanë të rivendoset në fshatin e tij, por e detyruan të banojë i izoluar në një vend të pabanuar nga njerëzit, në një shteg të braktisur, në një kasolle të mjerë. Por edhe aty ai nuk u tund dhe vazhdoi të qëndrojë i vendosur ndaj armiqve të vet, që ishin, natyrisht, edhe armiqtë e kombit. Dhe kur shkuan që ta arrestojnë përsëri, ai u qëndroi atyre trimërisht për të mos u dorëzuar i gjallë, me rezistencë të armatosur. Por forca madhore e kundërshtarit e bëri më në fund punën e vet të zezë dhe, me një proces gjyqësor të përshpejtuar, Havzi Nelën e dënuan me vdekje, me varje.
Trupin e varur të Havzi Nelës e lanë disa ditë në trekëmbësh nga urrejtja shtazarake që kishin për këtë hero të nacionalizmit shqiptar dhe për t’u kallur datën bashkëfshatarëve të tij, me mendimin kobzi se fryma e Havzi Nelës do të zhdukej në këtë mënyrë. Por ligji i historisë gjithmonë ka treguar se sa më shumë që janë përpjekur tiranët mizorë ta zhdukin në hije shpirtin dhe figurën e heroit, aq më fort ai shndrit si dielli dhe me rrezet e tij i përvëlon ata, ashtu si gjithmonë e drejta dhe e mira triumfojnë në kohë mbi mashtrimin dhe të keqen.
Marrë nga “21 vjet burg komunist” i Uran Kalakullës, botime fjala
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.