Reformat shfarosëse të komunistëve: Rritje e vdekshmërisë foshnjore

0
314

Reformat ekonomike që nisën të zbatoheshin në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, i lanë, fjalë për fjalë, pa bukë shqiptarët. Fshatarëve, për të shlyer detyrimin ndaj shtetit, shpesh u duhej të dorëzonin edhe drithin e bukës, ndërkohë që ushqimi dhe qumështi mungonte ngado. Rrënimi i ekonomive shtëpiake do t’i shfaqte pasojat më të egra te fëmijët, të cilët, për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së kushteve, sëmureshin dhe ndërronin jetë në masë, aq sa vdekshmëria foshnjore, në vitin 1955, arriti 121,2 për mijë.

Reforma agrare e nisur në vitin 1945 dhe shtetëzimi i bagëtisë, që u kryen njëra pas tjetrës në Shqipërinë e re komuniste, ia arritën qëllimit për zhdukjen e klasës së pronarëve. Aq i rëndësishëm ishte përmbushja e këtij synimi, sa regjimi ishte i gatshëm të lejonte të gjitha efektet anësore, edhe pse ato ishin varfërimi i skajshëm i popullsisë, uria dhe vdekjet e larta ndër foshnjat. Në vitin 1950, Shqipëria zuri vendin e parë në Evropë për vdekshmërinë foshnjore dhe të tretin në botë, pas Birmanisë dhe Kilit. Në këtë vit, sipas Vjetarit Statistikor të Republikës së Shqipërisë, ndërruan jetë 5732 fëmijë nga 0-1 vjeç, 2116 më shumë sesa në vitin 1938. Shifra arriti në 6369, në vitin 1955.

U shtuan sëmundjet dhe vdekjet nga epidemitë. Kequshqyerja nisi të kërcënonte me jetë. Një infeksion banal kthehej në vdekjeprurës për fëmijët e familjeve që u mungonin kushtet minimale të jetesës, të njëjtën pasojë fatale kishin komplikacionet pulmonare prej të ftohtit në shtëpitë “e zhveshura, pa jatakë, pa qilima, pa vëlenxa etj”, siç përshkruhen në dokumentet e vitit 1948, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit. Fëmijëve u mungonin rrobat duke qenë që në tregun e quajtur rrejshëm reciprok, sistemi i grumbullimit dhe furnizimit shkonte deri në gjysmë të rrugës: shteti ua grumbullonte prodhimin fshatarëve, por nuk i furnizonte me pjesën tjetër të produkteve që ata nuk mund t’i prodhonin dot: si ushqimore dhe industriale. Kishte “mungesë të madhe të qumështit në të gjitha stinët e vitit”, siç deklaronte ministri i Shëndetësisë së asaj kohe.

Në librin “Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990”, e Xhafer Sadikut, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, nga janë marrë këto të dhëna, citohet promemorja e vitit 1948 e ministrit të Shëndetësisë drejtuar kreut të regjimit, ku vinte në dukje se: “…Ushqimi i popullit dhe posaçërisht ai i brezit të ri 18 vjeç e poshtë, i grave shtatzëna dhe me fëmijë në gji, i masave punonjëse, paraqitet me të meta të mëdha në sigurimin e kalorive të nevojëshme… Vihet re se foshnjat dhe brezi i ri 18 vjeç e poshë e ndjen më shumë se kushdo tjetër mungesën e kalorive të nevojshme dhe si rrjedhim, këtu shohim një predispozicion infeksionist tuberkular.”

Fëmijët kishin nevojë për ushqim, “por, sipas të njëjtit dokument të AQSH, mjekët kishin frikë nga ndjekjet dhe ndëshkimet e pushtetit”. Dokumentet e AQSH, të sjella në librin “Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990”, flasin për 40 për qind të fëmijëve nën peshën normale. Shprehur me shifër absolute, në vitin 1953-1954, nën peshë ishin 81439 fëmijë. Gjatë vitit, ata kalonin nëpër ambulanca, spitale dhe dispanseri dhe një pjesë e tyre duke mos u rezistuar dot infeksioneve, ndërronin jetë. “Shumica nuk kishte mbushur moshën dy vjeç”, thuhet në dosjen 91, të fondit 512 të AQSH.

Ministri i Shëndetësisë bënte thirrje për përmirësimin e racioneve ushqimore në promemorien drejtuar kreut të shtetit, por duket se të dhënat tronditëse ranë në zemër të shurdhët. Enver Hoxha do të refuzonte ndihmat në ushqime dhe veshmbathje të qeverisë amerikane dhe angleze për fëmijët shqiptarë, në kuadër të planit Marshall.

“Le të bartasi radio Londra se gjoja kalamajtë t’onë vdiqën të gjithë nga tuberkulozzi, se s’kanë ç’hanë. Populli qesh me këta sharlatanë spiuna dhe kalamanët t’onë ja u nxjerrin gjuhën një pëllëmbë duke ju thënë atyre të Londrës dhe të Uashingtonit: mbajini për vete dhe helmoni vetëhenë me vezën pluhur dhe qumështin e molepsur që përpiqeni të na çoni ne jo për të na ushqye, por për të na helmatisë ashtu sikundër bëni me kalamanët e të gjithë shteteve të marshallizuara dhe nën maskën e kësaj ndihme, të dërgoni spiuna dhe diversantë. Ne kemi gjalpin tonë, mishin tonë të freskët që e prodhojnë kafshët tona që kullosin në male e gjelbërta, të bukura e të lira të atdheut tonë të dashur. Ne kemi atdheun tonë të lirë, ne jemi njerëz të lirë, të shëndetshëm, të çelniktë dhe mos u bëni merak për ne se kemi partinë tonë, ne kemi BS tonë, ne jetojmë të lirë, të shëndetshëm, të çelniktë dhe mos u bëni merak për ne se nuk vdesim ashtu si pretendoni ju. Ne ju urojmë kalamanëve të vëndeve të marshallizuara dhe të shteteve të bashkuara të rrojnë dhe ata si ne”, reagonte Shqipëria, kafshët e maleve të gjelbra të së cilës sa vinin e pakësoheshin.

Në vitin 1938, Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë, për numrin e dhenve për frymë, edhe pse kafshët ishin të përqendruara në një numër të vogël familjesh të pasura, por me fillimin e shtetëzimit, kaluan nën zotërimin e shteti 140 mijë krerë, të cilët, me sa duket, nuk u administruan si duhet, sepse vetëm disa muaj më vonë, inventarit do t’i mungonin më shumë se 30 mijë krerë. Në vitin 1948, numri i bagëtive të imëta në inventar u pakësua me 461 mijë krerë krahasuar me një vit më parë  dhe në katër vitet pasardhëse, për shkak se fshatarët ishin të detyruar të shisnin bagëtitë për të shlyer detyrimet e shtetit, siç thuhet në raportin e Mehmet Shehut në Kongresin II të PPSH-së numri i kafshëve u pakësua me 7 mijë qe pune, 4 mijë buallica e buaj, 10 mijë lopë, 25 mijë dhen dhe 17 mijë dhi.

Ligji i vitit 1948 parashikonte “shtetëzimin pa asnjë shpërblim të të gjitha tufave që kalojnë 400 kokë bagëti”, por më shumë sesa gjysma e familjeve që iu shtetëzuan bagëtitë, për shkak të gabimeve në mbledhjen e informatave, nuk kishin tufa me mbi 400 krerë. Qeveria tregoi që i mungonte dëshira për t’i korrigjuar këto gabime. Ndoshta nuk ishin të paqëllimshme sepse kush kundërshtonte, i thuhej që ishte reaksionar, ndaj me hir apo pahir, fshatarët nënshtroheshin. Po, përmes presionit dhe kërcënimeve se ishin “sabotatorë”, grumbullohej dhe detyrimi i tepricave të drithit, deri në fillim të vitit 1949.

Në fillim të janarit 1949, Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë anuloi sistemin e vjetër të grumbullim-furnizimit kur furnizoheshin me racion si qytetarët dhe fshatarët dhe shteti grumbullonte tepricat, me të riun, ku fshatari i shiste shtetit një sasi të përcaktuar që më parë, ndërsa tepricat i përdorte për vete. Në këtë kohë u krijuan tre lloje tregjesh: tregu i garantuar për të punësuarit në shtet, të cilët u pajiseshin me triska; tregu reciprok ku furnizoheshin fshatarët që dorëzonin tepricat pasi kishin shlyer detyrimet dhe tregu i lirë shtetëror për personat me aktivitet privat, nga shteti grumbullonte mjete monetare.  Mirëpo tregu reciprok rezultoi me shumë humbje për fshatarët, të cilëve iu merreshin prodhimet, por u mungonte kripa, sheqeri, rrobat për fëmijët...Raporti i çmimeve të prodhimeve bujqësore dhe industriale i rrënonte haptas bujqit dhe blegtorët që për të marrë 35 kg sheqer duhet të dorëzonin 10 kg mjaltë, ndërsa për gjysmë litër vajgur duhet të jepnin 100  kg patate.

Në këto kushte fshatarët nisën të braktisnin tokat bujqësore dhe fshatrat dhe kush ia dilte edhe Shqipërinë. Të tjerët, kundërshtonin dhe bënin rezistencë, mirëpo pushteti nisi të përdorte gjyqet kundër kulakëve për të detyruar popullsinë të dorëzonte prodhimin. Në këtë kohë pati një kriminalizim të skajshëm të bujqve dhe blegtorëve. Në vitin 1948, “u dënuan 9693 vetë nga të cilët 5309 ishin fshatarë bujq e blegtorë”, shkruante revista “Drejtësia Popullore”, në janar-shkurt 1949. Edhe në analizën e Ministrisë së Drejtësisë për pozitën shoqërore të të dënuarve gjatë vitit 1950, shihet që numrin më të madh e përbënin fshatarët e varfër që dënoheshin për “krime në dëm të pasurisë së shtetit”, që do të thoshte që bënin përpjekje që shteti mos t’ua merrte bukën nga goja fëmijëve dhe atyre vetë. Megjithatë shteti fitoi! Shqipëria në vitin 1947 u përfshi nga kriza e bukës. Rezervat e drithit nuk ishin më shumë se 4500 ton drithëra buke kur vendi kishte nevojë për 31200 ton. Qeveria mori 10.000 ton ndihmë drithëra nga Jugosllavia, ndërsa pjesa tjetër u plotësua me zbritjen e racioneve ditore të popullsisë, çfarë solli ankesa të reja, gjyqe dhe dënime të reja. Popullsia nuk kishte mundësi të zgjidhte. Nga një anë ishte uria, nga ana tjetër burgu, por atje uria vazhdonte.

E megjithatë kjo nuk ishte pasoja më e dhimbshme!/

A.Çano/kujto.al

Mbështetur në të dhënat e publikuara në "Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990", nga Xhafer Sadiku, botim i ISKK, Tiranë 2013.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.