Pushkatimi i Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, kur letrave iu përgjigjeshin plumbat

0
1581
blank

41 vjet më parë, janë pushkatuar Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprëncka. Pavarësisht akuzave që u sajuan, arsyeja e vërtetë e dënimit të tyre ishin letrat që shkruan kundër pushtetit të diktatorit. Pas 16 vitesh burg, ato letra, të një guximi të paperceptueshëm për kohën, ishin guri i vetëm që kishin në dorë për ta ftuar në përballje dhe për të fituar moralisht mbi diktaturën, edhe pse në atë goditje luhej vetë jeta e tyre

Në maj 1979, u pushkatuan Fadil Kokomani, Vangjel Lezho* dhe Xhelal Koprëncka. Të tre vuanin dënimin prej 16 vitesh, kur vendosën t’u shkruanin dy letra Komitetit Qendror të Partisë: Kokomani dhe Lezho bashkë dhe Xhelali vetëm. Këto letra shprehin bindjet e tyre politike: e para përkrahte linjën e Bashkimit Sovjetik, ku dy gazetarët me ideale të pastra komuniste kishin kryer studimet e larta dhe e dyta, linjën perëndimore proamerikane, por që të dyja kundërshtonin hapur regjimin dhe vendimet e marra nga diktatori. Letra e Xhelalit ende nuk është bërë publike, por te para, që gjendet në disa faqe interneti tashmë, shihet si  gërvisht me gjuhën e mprehtë, në 30 faqet e saj,maskën e paprekshme prej 35 vitesh të pushtetit. “‘Olimpi’ i Tiranës i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë në komedi alla ‘Epopeja e Ballit’! Ky ‘Olimpi’ ynë e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ua kalojnë edhe atyre të fashizmit… Gënjeshtra e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacionalçlirimtare… Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim ‘humanitar’ që ai, (fëmija) kur të rritet, të vrasë veten! Në vend të mirëqenies ofrohen parullat patriotike…Për shoqëri ideale, për të cilën Sekretari i Parë ka plot 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar. Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare”, shkruhet në letrën drejtuar sekretarit të KQ të PPSH, Hysni Kapos, me një forcë me të cilën diktatura nisi të goditej vetëm pasi ra dhe me një guxim që vështirë se gazetarët e shfaqin dhe sot për të demaskuar pushtetarët.

blank

 

Ata kishin nënshkruar në atë letër vrasjen e tyre. Është plotësisht e imagjinueshme kundërpërgjigjja e diktaturës. I paperceptueshëm është guximi i letërshkruesve, që nga qelitë e Spaçit hartuan një pamflet disidence, të cilit i qëndruan edhe pasi trupi gjykues u kishtë dhënë dënimin me vdekje. Kafshata që iu kishin vënë përpara, nuk mund të kapërcehej më. Ndaj ata vendosën t’ia pështynin në fytyrë pushtetit, bashkë me vrerin që ajo kishte provokuar. Nuk mund ta thuash se sa vend zinte te ata shpresa që me këtë letër do rrëzohej diktatori dhe do arrihej liria dhe sa pranimi i fundit të pashmangshëm, por me siguri e para ka qenë vetëm një dritëz e vogël, në terrin e honit të pashpresë. E sigurt është vetëm që rrugën drejt tij ata e zgjodhën vetë, atë të përballjes me zë të lartë dhe jo të helmimit të heshtur prej kafshatës që iu ishte dhënë për racion për vitet që kishin ikur dhe ato që do të vinin.

Fadili dhe Vangjeli ishin të burgosur që prej verës së vitit 1963. Dy gazetarët e rinj dhe shumë të talentuar të Radio Tiranës, të pranishëm edhe në median e shkruar me shkrimet e tyre origjinale; të arsimuar i pari në Leningrad në vitet 1952-1957 dhe i dyti në Moskë në vitet 1954-1959; të ushqyer me idealet e komunizmit passtalinist, të frymëzuar nga hovi i letërsisë, gazetarisë dhe arteve të kësaj periudhe në Rusi të çliruara nga dogmatizmi, kishin pasur kohë mjaftueshëm për t’u zhgënjyer në Tiranën enveriste, ndaj kishin vendosur të arratiseshin për t’u kthyer në atdheun e idealeve të tyre, ku Vangjeli kishte edhe bashkëshorten ruse me vajzën. Një përpjekje që dështoi. Një dështim që si zakonisht kishte ardhur prej tradhtisë. Përfundimisht, të dy gazetarët u arrestuan, si Vangjeli që u kap në kufi edhe Fadili që ishte kthyer pas në Tiranë. U gjykuan bashkë me shokët e tyre të planit të arratisjes, dy prej të cilëve, u pushkatuan, ndërsa gazetarët u dënuan me nga 25 vite burg.

blank
Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani

Kishin kaluar 16 vite në burgje, kur më 8 korrik 1878, tentuan një arratisje të re nga fati i tyre, më të rrezikshme, mëme  pak shanse për sukses, por mesa duket të domosdoshme në pikën ku kishin mbërritur: t’i shkruanin një letër Komitetit Qendror të Partisë ku u bënin thirrje udhëheqësve komunistë të mënjanonin Enver Hoxhën që po e “zhyste Shqipërinë në humnerën më të turpshme të historisë”.

Edhe Xhelal Koprencka kishte vepruar njëlloj: kishte zbrazur në një letër gjithë revoltën për padrejtësitë e klikës në pushtet dhe vendimet e saj të gabuara që e kishin kredhur vendin në mjerim.

Dhe përgjigjja erdhi. Jo e shkruar, por me një urdhër riarrestimi.

Në oborrin e kampit të Spaçit, ku ishin mbledhur gjithë të burgosurit, siç dëshmojnë dëshmitarët komisari thirri: “Xhelal Koprencka arrestohet në emër të popullit!” Xhelal Koprëncka, që mbante emrin e gjyshit, firmëtar të Pavarësisë, me një shpirt që i kompensonte forcën e munguar të shtatit, i kishte kthyer një përgjigje ironike që i kishte lënë të gjithë të heshtur, derisa ishin dëgjuar tringëllimat e prangave që i vendoseshin për herë të katërt, por jo të fundit, në duar.

blank

Kokomani, Lezho dhe Koprencka, pas letrave të dërguara u akuzuan për agjitacion dhe propagandë dhe u dënuan me nga 10 vjet burg. Kjo ishte masa e parë ndaj tyre, mesa duket e marrë në nxitim dhe e papeshuar mirë. Ajo çfarë kishin guxuar të bënin atë ishte shumë më e rëndë për regjimin sesa dënimi maksimal që parashikonte akuza e agjitacionit dhe propagandës, ndaj brenda një kohe të shkurtër, në 23 shkurt 1979, u riarrestuan, në dy grupe të ndryshme: Kokomani dhe Lezho së bashku me grupin e tyre, të cilin nuk e kishin formuar ata, por shteti dhe Koprencka me grupin e tij, që gjithashtu shteti e kishte krijuar duke i vënë edhe qëllimin e një organizate kundërrevolucionare që do të rrëzonte pushtetin. Me këtë akuzë, megjithëse kryekëput të pavërtetë, tre letërshkruesit mund të merrnin dënimin që “meritonte” letra e tyre. Pas skenarit, u përzgjodhën aktorët. Rreth 3 protagonistëve, 19 të dënuar të tjerë të zgjedhur nga biografia apo qëndrimet në burg, mes tyre dhe Fatos Lubonja që kujtimet për këtë ngjarje i ka shkruar në librin "Ridënimi". Megjithëse ata nuk e pranuan akuzën, Gjykata i shpalli fajtorë. Më 9 maj 1979, Xhelal Koprencka dënohet me pushkatim. Pak ditë më pas, bëhet edhe gjyqi i “organizatës”, thonjëzat duhen parë më të mëdha sesa fjala, të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, të cilët dënohen gjithashtu me pushkatim. Të 19 të tjerët marrin dënime me burg. Arsyeja e dënimeve bëhet mëse e qartë. Ishin dënuar me pushkatim ata të tre që kishin dërguar letrat.

blank
Procesverbali ku Xhelal Koprenca mohon akuzen per krijim organizate nacionaliste kunder shtetit dhe ne te djathte fotoja e tij. Publikuar fillimisht nga studiuesi Kastriot Dervishi dhe botuar ne gazeten 55

Ekzekutohen më 29 maj, në rrethinat e Tiranës, ndërsa të burgosurve të Spaçit, pas disa ditësh u shpërndajnë fotot e tyre, fillimisht të gjallë para gropës së hapur dhe më pas të rrëzuar, me plumb në kokë. Një përgjigje therrëse për të gjitha letrat që të dënuarit mund të mendonin të shkruanin!

Gjashtë vjet pas revoltës së Spaçit, pushteti mposhti dhe këtë revoltë, më pak të zhurmshme, por po aq të guximshme. Ishin të njëjtat duar gjakatare dhe tre heronj të rinj, që në një kohë kur ishte e vështirë të besoje te liria, ata dhanë jetën për të. kujto.al

*Në letrën drejtuar KQ, Vangjeli firmos me mbiemrin Lesho, por në shkrimet dhe memorialet e mëvonshme mbiemri i tij është lënë Lezho.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here