Meshtari katolik që kishte studiuar dhe jetuar në disa qytete evropiane dhe që mbeti gjithë jetën i gatshëm për të inkuarajuar, këshilluar dhe ndihmuar këdo kishte pranë, edhe në rrethanat më të vështira, ato të burgjeve komuniste.
Nga Agim Musta
Pater Meshkallën e kam njohur në kampin me punë të detyruar të Skrofotinës, gjatë viteve 1970-‘72, ku disa qindra të burgosur politikë punonin si skllevërit e Egjiptit për tharjen e kënetës së Nartës. Për moshën e tij të thyer Patër Meshkalla nuk punonte. Me shpirt dhe me mendje ishte me shokët e tij bashkëvuajtës, duke i përcjellë dhe duke i pritur çdo ditë, me fjalë ngushëlluese dhe shpresëdhenëse. Patër Meshkalla, një nga Mandelët e Shqipërisë shquhej si njeri me cilësi të larta njerëzore. Ai ishte kthyer në simbol të durimit, të dhembjes dhe stoicizmit, të vëllazërimit të të burgosurve politikë pa dallim feje, ideologjie dhe krahine. I lindur në Shkodër, në një familje të varfër qytetare, më 1901, u diplomua shkëlqyeshëm në teologji dhe filozofi dhe jetoi në shumë vende të Evropës si ushtar i denjë i Jezu Krishtit.
Ai ishte një enciklopedi e gjallë dhe një mësues i papërtuar për bashkëvuajtësit e tij. Kur të burgosurit diskutonin për ndonjë term gjuhësor, qoftë dhe në gjuhë të huaj, ose për ndonjë subjekt politik, historik, filozofik, sociologjik e tjera dhe s'binin dakord me njëri-tjetrin fjalën e fundit e kishte Patër Meshkalla, që, me kënaqësi dhe pa pikën e përtesës, jepte shpjegimin e duhur dhe të përpiktë. Patri ishte kthyer në një mësues shpirtëror për të gjithë bashkëvuajtësit. Atë e respektonin të rinjtë dhe pleqtë dhe e adhuronin për forcën e tij të madhe shpirtërore. Ai ishte mjeshtër i bisedës dhe e bënte atë me një shkathtësi mahnitëse. Me fshatarët bisedonte me dashuri për punët e fshatit, me intelektualët plot zjarr e për çdo problem me një kompetencë shkencore. Truri i tij ishte një makinë e përsosur elektronike, paçka se diktatura komuniste e kishte dënuar dy herë dhe ai kishte vuajtur në burgjet e skëterrës së kuqe 25 vjet dënim. Asnjëherë nuk u dëgjua nga goja e tij një fjalë hakmarrëse kundër atyre që i kishin shkaktuar gjithë ato vuajtje dhe privacione pa asnjë të drejtë. Edhe kur ndonjë bashkëvuajtës i shprehte urrejtjen ndaj veglave të diktaturës, Pater Meshkalla, me zërin e tij lutës, shprehej: “Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”. Të paharruara do të mbeten replikat e tij me Mehmet Shehun, Gjin Markun, kur këta ishin në majën e piramidës komuniste dhe me prokurorë, gjykatës, vegla qorre të diktaturës së Enver Hoxhës. Patër Meshkalla, me fjalët e tij plot urtësi dhe logjikë të hekurt, i vinte te shtylla e turpit. Ata mundoheshin ta ngacmonin Patrin si klerik, por shkonin për lesh dhe ktheheshin të qethur. Kur një prokuror, mbasi lexoi aktakuzën dhe u krekos me numrin e madh të dëshmitarëve që dëshmonin kundër Patër Meshkallës, mori këtë përgjigje: “Nuk dishmojnë këta mjeranë, zoti prokuror! Flet buka e gojës, qe ju u pritni”.
Nuk harroj sytë e tij plot jetë e mallëngjim kur në qershor të vitit 1972 më transferuan së bashku me shumë shokë bashkëvuajtës nga kampi me punë të detyruar i Ballshit, për në minierën-ferr të Spaçit. Pater Meshkalla na përqafoi me lot në sy dhe na jepte shpresë dhe guxim. Nuk na u nda për asnjë çast, derisa ne të lidhur me pranga dhe zinxhirë në këmbë dhe në duar u larguam të shoqëruar me roja të armatosura gjer në dhëmbë. Fytyra e tij e imët dhe shprehëse, nuk më është ndarë për asnjë çast nga mendja. Ai ka mbetur në kujtesën e mijëra ish-të dënuarve politikë si ushtar i denjë i Krishtit dhe bir besnik i Shqipërisë. Emri i tij duhet të zërë një vend nderi në historinë e kombit tonë.
I interesuar për Patër Meshkallën, pranë ish-nxënësve të tij, Zel Perollit dhe Matei Guralumit, njëkohësisht shokë dhe bashkëvuajtësit e mi, mësova se Patër Meshkalla ka drejtuar me sukses rrethin e Shën Pjetrit të rinisë katolike të Tiranës prej viteve 1937-1945. A ishte edukator i shkëlqyeshëm, sa i dashur, aq dhe i rreptë e këmbëngulës i palodhur me nxënësit e tij. Ai u mësonte nxënësve të tij përveç mësimeve mbi katekizmin kishtar, edhe etikën, estetikën dhe pjesë të ndryshme të filozofisë. Patri ishte i pasionuar mbas natyrës dhe organizonte shpesh ekskursione në gjirin e saj. Patri në rrethin e tij të Shën Pjetrit, vinte në skenë pjesë të shkurtra teatrale të adaptuara nga letërsia kombëtare dhe e huaj. Ai ishte njëkohësisht skenarist, regjisor dhe aktor me mjeshtëri të rrallë. Patri ishte publicist i mprehtë dhe ka shkruar shumë artikuj, skica dhe poezi te revistat "Leka", "Hylli i Dritës" dhe në të tjera organe të shtypit të asaj kohe. Me guximin që e karakterizonte, ai ka shkruar edhe në gazetën “Bashkimi” gjatë viteve 1945-1946, para se të arrestohej nga diktatura komuniste duke mbrojtur me dinjitet kishën katolike shqiptare. Mbas daljes nga burgimi i parë, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Patri, pa u trembur nga kërcënimet e Sigurimit dhe të instruktorëve të Partisë fillonte predikimet para besimtarëve të druajtur me fjalët: -MOS KINI FRIKË.
Pater Meshkalla ishte dhe një antifashist i vendosur dhe këtë e shprehte haptazi në kohën e pushtimit italian. Grindet keq me kapelanin italian Patër Selca dhe për këtë internohet në Itali. Kjo gjë shkaktoi protesta të ashpra të të rinjve katolikë shqiptarë të cilët dërguan dhe një përfaqësues në Romë duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Pater Meshkallës. Autoritetet italiane u detyruan ta lironin mbas disa muajve Patër Meshkallën, duke mos e ashpërsuar më tepër gjendjen e krijuar. Me këtë rast, poeti Mark Ndoja i kushton një poezi Patrit, prej së cilës është marrë kjo strofë:
Pret Shqipnija punë t'madhja prej teje!
Pra, o i Ndjeshëm tejet, atë Mëshkalla.
Për punë t'madhja fetare e Atdheje
A tui t'pritë me dëshirat ma t'gjalla.
Zgjidh, pra, lundrën, vrapo, kalo detin,
Të do shqipja nën flatra zog t'vetin.
Kur u lirua nga burgimi i dytë, në fund të viteve shtatëdhjetë, megjithëse në moshë të thyer dhe pa asnjë të ardhur financiare, ai qëndroi i papërkulur para presioneve kërcënuese për asgjësimin e tij fizik nga ana e Sigurimit të Shtetit. Shumë besimtarë katolikë shkonin fshehtas te Pater Meshkalla, si Nikodemi te Krishti dhe Patri i papërtuar u gjendej afër në çdo vdekje dhe pagëzim. Vdes më 28 korrik 1988 dhe funerali i tij kthehet në mënyrë të pavetedijshme në një manifestim të heshtur proteste kundër diktaturës komuniste. Varri i tij u shndërrua në një vend pelegrinazhi për besimtarët katolikë. Mbas vendosjes së demokracisë, më 28 qershor 1992, Pater Meshkallës i bëhen nderimet në varrezat e Shkodrës me rastin e përurimit të banesës së fundit, ku flasin shumë klerikë dhe bashkëvuajtës të tij në prani të qindra besimtarëve shkodranë dhe të ardhur nga Tirana.
Marrë nga libri “Mandelët e Shqipërisë” i autorit Agim Musta.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.