Peng në duart e Sigurimit: Bashkëpuno që mos të pushkatojmë vëllanë

0
400
blank

Historia e pazakontë e Petref Agajt dhe vëllait të tij, Reshatit. Të parin e dënuan me pushkatim, në nëntor të 1949-ës, por nuk e ekzekutuan. Vendosën që ta kthenin në një peng për të detyruar të vëllanë, Reshatin për të punuar për interesat e Sigurimit, jashtë Shqipërisë

 

Nga Enver Memishaj- Lepenica

Atdhetarët vlonjatë nuk u pajtuan asnjëherë me diktaturën komuniste, prandaj krerët e Ballit Kombëtar, Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Tahir Hoxha, Mustafa Mysliu, Veledin Bilbili, Hamdi Gjoni, etj., që gjendeshin në burgun e Vlorës, që në vitin 1946, filluan bisedimet për një organizim kundër regjimit komunist. Shumë nga të dënuarit e vitit 1945, u liruan më 1947 dhe vazhduan propogandën jashtë burgut. Po në këtë vit të burgosurit rekrutuan disa policë të burgut.

Ishte rasti më i volitshëm për të vepruar. Kështu, në vitin 1948, kur komunistët prishën marrdhëniet me Jugosllavinë, u formua në fshehtësi organizata "Rilindja Kombëtare". Organizata hartoi edhe një program me 12 pika, të cilin ua bëri të njohur me betim antarëve më aktivë të saj. Idetë e organizatës u përhapën edhe në burgun e Gjirokastrës, prej të burgosurve të Vlorës të transferuar atje. Po kështu, të burgosurit e liruar përhapën idetë edhe jashtë burgut nga Vlora, Gjirokastra e deri në Delvinë. Organizata kishte si qëllim marrjen e pushtetit, pasi të rrëzonin regjimin e komunizmit. Kjo do të arrihej edhe me zbarkimin e anglo-amerikanëve.

Në muajin gusht të vitit 1948, elementët kryesorë të organizatës jashtë burgut, pas një pune përgatitore lajmërojnë njëri tjetrin dhe mblidhen në Vlorë, në dyqanin e Piro Xhezo Iliazit. Rushit Grabova propozoi që të hynin në marrëveshje edhe me Mehmet Shehun.

Por, Sigurimi i Shtetit ra në gjurmët e organizatës dhe, më 1949, u arrestuan: në shkurt, 9 efektivë policie; në mars 18 vetë kryesisht të burgosur; në maj 40 vetë: 33 në Vlorë, 3 në Gjirokastër dhe 4 në Delvinë; ndërsa 19 vetë në Vlorë u këshilluan dhe u liruan.

Me një nëndetëse angleze, mundën të arratisën jashtë atdheut 16 vetë; 11 prej tyre ishin nga Dukati dhe 5 nga Dhërmiu. Ndërmjet të arratisurve figuron edhe Xhelo Koçiu, babai i oficerit të lartë të Sigurimit, Halim Xhelo që ndiqte organizatën. Gjithashtu mbetën të arratisur brenda vendit 4 vetë të tjerë: Dilaver Dinushi, Baftiar Likaj, Jaup Ferhati nga Vlora dhe Nihat Bedua nga Zhulati. Të arrestuarit u masakruan nga një bandë që udhëhiqej nga Kadri Hazbiu, Skënder Konica, Jonus Mersini, Delo Balili, Nevzat Hasnedari dhe të tjerë.

Mendohet se, për këtë organizatë të jenë arrestuar 463 vetë. Sipas një promemorje të Kadri Hazbiut të datës 6.1.1950, fillimisht u dënuan 64 vetë, nga të cilët 19 vetë me vdekje.

Gjyqi i grupit të parë prej 25 vetësh, përfundoi më 25. 11. 1949. Nga këta, 11 vetë u dënuan me vdekje, 4 vetë me 20 vjet, 5 vetë me 15 vjet, 4 vetë me 12 vjet, dhe një me 7 vjet burg, meqë ishte nga Tragjasi. Të dënuarit me vdekje ishin: Bego Gjonzeneli, Hamdi Gjoni, Maliq Koshena, Petref Agaj, Dervish Hodo, Rizo Çize, Murat Demiri, Piro Iliazi, Telha Shehu, Loro Marko, Dushan Aliaj. U falën dhe dënimi me pushkatim iu kthye me burg 25 vjet: Murat Demiri, Loro Marko, Rizo Çize, Telha Shehu, Dushan Alliaj.

Grupi i parë nga Gjirokastra dhe Delvina përbëhej nga 12 vetë nga të cilët: Memush Boçi dhe Murat Xheladini u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan; 5 vetë u dënuan me 20 vjet, një me 15 vjet, një me 12 vjet, 2 me nga 8 vjet dhe një me 5 vjet burg.

Arrestimet, hetimet, gjyqet, u bënë si zakonisht me bujë dhe pompozitet, vetë populli “kërkonte" që "armiqtë" e tij të vareshin në litar!

…major Delo Balili…i shkruan Komitetit Qendror të Partisë, për organizatën "Rilindja Kombëtare": "Është për t'u shënuar se, nga sa u vërtetua, gjatë goditjeve...”

Dega e Vlorës s'kish dosje pothuajse fare, s'kish dokumente..., por vetëm bazoheshin në disa gjëra të dëgjuara aty-këtu dhe të kaluara gojë më gojë, por këto nuk formonin një material të sigurtë. Kështu që goditja u bazua më tepër në materialet e Drejtorisë të nxjerra kryesisht nga hetuesia. Për Himarën, Drejtoria nuk dispononte asgjë, e aq më pak Dega e Vlorës, kështu që ndodhi, që këtu, goditja u vendos fare në tym (me hamendje individuale) dhe si konseguencë nga 8 vetë që u arrestuan u liruan 6, pa mundur të rekrutojmë asnjë dhe vetëm 2 vetë mbajtëm në burg, por edhe këta jo me shumë aktivitet". (AMPB)

Ndërsa ndihmës Ministri i Punëve të Brendshme, kolonel Kadri Hazbiu i shkruan Shokut Enver Hoxha "Që dënimet e dhëna nga ana e Drejtorisë sonë të bëjnë efektin e duhur politik në masë dhe një pjesë e të dënuarve mund të shfrytëzohen për interesa të punës të organeve tona të Sigurimit propozojmë: Petref Bajrami dhe Piro Xhezo, të cilët nuk e meritojnë plotësisht dënimin me vdekje, jemi dakort të dënohen me vdekje, vetëm e vetëm për t'i shfrytëzuar aktivisht për kombinime agjenturore jashtë shtetit, njerëz nga rrethi tyre familjar. Të dënuarit me vdekje me përjashtim të Azis Dujakut të mos ekzekutohen publikisht dhe as në realitet. Në mënyrë shumë sekrete të mbahen të izoluar...Për sa u përket familjeve të tyre, sipas rregullit do t'u dërgohen teshat e tyre me disa shenja plumbash e pika gjaku dhe do të njoftohet ekzekutimi i tyre. Me përjashtim të Petref Bajramit dhe..., për të cilët do të kenë dijeni vëllezërit e tyre Reshat Bajrami, të cilët janë të rekrutuar nga ne dhe në korent të çështjes, të gjithë familjet e tjera nuk do të dinë gjë. Nga anëtarët e këtyre familjeve do të zgjedhim ata njerëz që për të ekzekutuarit mund të japin çdo gjë, do t'u vëmë detyra që na interesojnë duke u treguar se për plotësimin e tyre ne do të falim jetën e, gjoja, të 'ekzekutuarve'. Të dënuarit janë kështu një rezervë sekrete e jona të cilët mund t’i përdorim si të duam, t’u falim jetën ose t'i pushkatojmë kur e shohim të nevojshme...Është e pamundur të mos vihet kushdo qoftë prej të afërmve të të dënuarve në shërbim tonë...kur, ai, të shofi mbas një kohe të gjallë, atë që ka qarë dhe që shpëtimi i jetës së tij varet prej vetë atij... Një rast pozitiv për të kaluar vështirësinë se si mund të ngjallen njerëzit e pushkatuar, mendojme se pas disa vitesh mund të dalin si të arratisur se gjoja na kanë shpëtuar gjatë ekzekutimit, ose legjendë tjetër." (Arkivi MPB, Promemorja e datës 6.1.1950, Dosja 6,7 Viti 1950, 1951, f.1-5)

Pas këtyre deklarimeve mund t'i japim përgjigje se çfarë i kishin bërë popullit këta "armiq" që ai, populli, donte t'i shihte në litar?"

Së pari, duhet thënë se për formimin e organizatës "Rilindja Kombëtare" ishin bërë vetëm bisedime dhe asgjë tjetër, është njësoj sikur sot të behen bisedime për formimin e një organizate ose partie politike. Pas bisedimeve, disa pjesëtarë të organizatës, kishin bërë vetëm një mbledhje në Vlorë dhe më pas ishin shpërndarë disa trakte, të shtypura me makinë shkrimi se, në Shqipëri nuk ka liri, se duhet luftuar kundër diktaturës komuniste dhe, se, në Shqipëri duhet ndërtuar një demokraci si në Angli dhe Amerikë.

Këto pra, ishin "krimet" që kishte bërë kjo e ashtuquajtura organizatë. Por, pavarësisht se anëtarët e organizatës nuk mund të deklaroheshin fajtorë, organizata u përdor prej Sigurimit të Shtetit si pretekst për të larë hesapet me "kontigjentet armike" dhe për të ushtruar terror mbi popullsinë. Realisht, në vitin 1949, pushteti komunist u lëkund për arsye të ndërprerjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, bllokadës që bënin vendet perëndimore dhe intensifikimit të zbarkimit të desantëve dhe veçanërisht keqësimit të gjendjes së brendshme.

Qëllimi ishte i qartë; Sigurimi i Shtetit hakmerrej egërsisht ndaj kundështarëve, eleminonte ata dhe njëkohësisht ushtronte dhune dhe terror mbi popullin që të mos e hapte gojën.

Vazhdon në postimin e ardhshëm

Shënim: Marrë nga libri “Kthimi i borxhit të Madh, Vëllimi II”, i autorit Enver Memishaj Lepenica, ISKK. Në foto: Petref Agaj

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here