Palok Vushaj, nga internimi i përjetshëm tek agu i lirisë

0
263
blank

I rreshtuan para Postës Ushtarake. Pasi i morën në pyetje nën dhunë e kërcënim, kur erdhi radha e marrjes në pyetje të Palokës, oficeri i Sigurimit e etiketoi kriminel, tradhtar dhe të poshtër se pse nuk kishte raportuar arratisjen e vëllait. Shtëpia e familjes u ruajt me armë dhe nën rrethim policor e ushtarak.

Nga Sokol Paja

Palok Vushaj sot është 77 vjeç dhe kujton çdo detaj të internimit të familjes së tij nga Selca e Kelmendit për në fshatin Nënshat të Nën Shkodrës. Edhe pse kanë kaluar 46 vite nga ajo kohë e tmerrshme, Paloka rrëfen me detaje persekutimin, dëbimin, internimin, konfiskimin e pasurisë dhe luftën e tmerrshme të klasave në internim. Familja e Palok Vushajt prej 26 anëtarësh u internua nga muaji tetor 1974 deri në prill të vitit 1991. Pas arratisjes së vëllait të Palokës, Gjeto Vushajt nga fshati Selcë për në ish-Jugosllavi më 27 shtator 1974, mbi këtë familje do ushtrohej një terror i paparë prej organeve të Sigurimit të Shtetit, Ushtrisë e Policisë. Një përndjekje që do i tmerronte për 17 vite derisa do përmbysej diktatura dhe familjarisht fituan lirinë e privuar padrejtësisht.

Paloka kujton se para arratisjes së vëllait ai punonte në Pyjore, ndërsa kthehej në shtëpi një ditë më pas, katër ushtarë e ndaluan, i drejtuan armën dhe filluan ta godasin për arsyen e arratisjes së vëllait. "Në të gdhirë të ditës, kujton Paloka, shtëpia jonë u rrethua nga Sigurimi i Shtetit, ushtria kufitare dhe policia". Meshkujt e familjes dhe prindërit u çuan në qendër të Kelmendit në Tamarë. I rreshtuan para Postës Ushtarake. Pasi i morën në pyetje nën dhunë e kërcënim, kur erdhi radha e marrjes në pyetje të Palokës, oficeri i Sigurimit e etiketoi kriminel, tradhtar dhe të poshtër se pse nuk kishte raportuar arratisjen e vëllait. Shtëpia e familjes u ruajt me armë dhe nën rrethim policor e ushtarak kujton Paloka. Gratë e shtëpisë i lanë në fshat, meshkujt e shtëpisë e prindërit u internuan në Mjedë në një ndërtesë si tip burgu ku qëndruan për 2 javë të burgosur, të kequshqyer e me ruajtje të armatosur duke u shkaktuar terror, frikë e panik. Pas dy javëve të tmerruar, e të dhunuar fizikisht e psikologjikisht u shpallën organet policore vendimin e internimit të përjetshëm në Nënshat. "Jetesa aty ishte shumë e rëndë. Një dhomë shumë e vogël me kushte skandaloze për një familje të madhe siç ishim ne",- kujton Paloka. Policia e ushtria dolën në fshatin Selcë dhe boshatisen shtëpinë, morën me dhunë gratë e fëmijët dhe i bashkuan të gjithë në internim në Nënshat ku jetuan në kushte ekstreme për vite me radhë nën kërcënim e frikë. Pas internim-dëbimit nga fshati, Paloka kujton se ndaj familjes u bë konfiskimi i pasurisë dhe vjedhja prej komunistëve të fshatit. Përgjatë kohës së internimit, familja e Palokës, anëtarët një për një, duhej që të paraqiteshin tri herë në ditë te roja i posaçëm që ruante të internuarit. Çdo javë vinte operativi i Sigurimit nga Shkodra dhe bënte mbledhje në fshat duke i instruktuar fshatarët dhe kuadrot komunistë kryesisht sesi të na ruanin e paraqisnin raporte kundër familjes Vushaj me qëllim burgosjen e tyre,- tregon Paloka. Pra regjimi nuk njihte limit ligësie, agresiviteti e represioni ndaj familjeve që komunizmi i quante armiq të popullit e klasës punëtore.

Familjeve të internuara në komunizëm u jepeshin punët më të rënda të kooperativës. Paloka kujton se punonin si familje në një perimetër të caktuar për afro 20 metra nën kërcënimin se nëse largoheshin nga ato pak metra katrorë, do vriteshin me plumba. Komunistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit, herë pas here, e provokonin në kampin e punës Palokën dhe familjarët e tij, madje dhe duke i vajtur në shtëpi për ta provokuar në biseda kundër regjimit me qëllim prangosjen e tij dhe të meshkujve të shtëpisë. Paloka tregon se komunikimet me të afërmit ishin të kufizuara, letërkëmbimet i lexonte Sigurimi dhe i griste. Ata jetonin të izoluar prej botës që i rrethonte. Të internuarit, të përndjekurit e regjimit ishin skllevër në një botë rrethuar me tela me gjëmba. Paloka tregon një episod ku vëllai i arratisur, Gjeto Vushaj u shkroi nga Amerika një letër dhe kjo desh i kushtoi burgosjen familjarisht. Vëmendja e Sigurimit dhe spiunëve sa vinte shtohej dhe më shumë. Popullsia vendase siç ishin komunistët në kooperativë në rangje shtetërore drejtuese dhe spiunët e Sigurimit në kooperativë ku punonin, i mallkonin, shanin e ofendonin si armiq, tradhtarë dhe kriminelë. Paloka tregon me dhimbje se ishin të padëshiruar për kohën, për sistemin dhe popullsinë vendase. "Punonim dy herë më shumë se të tjerët, paguheshim dy herë më pak, s’kishim asnjë të drejtë lëvizjeje. Çdo ditë komunistët shkruanin letra kundër nesh. Jo vetëm për çdo fjalë, por edhe për çdo mendim, jetonim me frikë se mos keqinterpretohej e na fusnin në burg".

Me trishtim, Paloka kujton se "në internim nëse një ditë nuk dilnim në punë, Sigurimi na hiqte bukën". Kafja, sheqeri e buka ishin me racion. "Jetonim në kushte të tmerrshme,- tregon Paloka,-ku përveç mungesës së lirisë na mungonte gjithçka tjetër. Jeta çdo ditë që kalonte na bëhej edhe më e pamundur. Fëmijët në shkollën fillore i urrenin, edhe pse mësonin shumë, mësuesit komunistë nuk u jepnin hakun dhe bashkëmoshatarët e tyre instruktoheshin prej organeve të Sigurimit t'i shanin, t'i ofendonin e të mos u flisnin. Një luftë e tmerrshme klasash", që ngjan si një film i frikshëm kur e rikujton.

Sapo erdhi demokracia, vëllai i Palokës, Gjeto Vushaj vizitoi Shqipërinë. Paloka i kujton ato ditë me lumturi e trishtim: "veç qanim e flisnim ditë e natë. Nuk na besohej se ishim ende gjallë. Ky ritakim pas afro 20 vitesh dukej si një ëndërr,- kujton Plaoka,- ishte takim me jetën, me vuajtjen, me lirinë, me vetminë, me tmerrin që përjetuam për gati 20 vjet. Një takim çmallës. Një përlotje për jetën në vuajtjet e pamerituara në një sistem diktatorial që prodhoi mjerim, viktima e shkatërrim. Pengu më i madh familjar,- kujton Paloka,- ishte vdekja e prindërve në internim dhe dëshira për të parë djalin e arratisur para se të mbyllnin sytë përgjithmonë". Në Selcë, pas shembjes së komunizmit, kur familja Vushaj u rikthye në fshat, e gjetën gjithçka të rrënuar e shkatërruar dhe ndërtuan jetën në Shtoj të Shkodrës. Paloka rrëfen se edhe pas vuajtjeve të tmerrshme ku humbën gjithçka, ndjehet mirë se ka shtëpinë plot, por ato vuajtje dhe sot e tmerrojnë dhe i duken absurde e të pabesueshme.

Komunizmi ishte mallkimi më i madh për shqiptarët,-mbyll rrëfimin e tij për jetën në internim Palok Vushaj./ Marrë nga gazeta Dielli, Boston/ kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here