"Në Zonat ku operojmë , ta sqarojmë masën e popullit, se ne nuk luftojmë popullin, por vetëm armiqtë e tij dhe të qeverisë". “Kujto .al” e sjell të plotë këtë dokument prej dy faqesh, i cili ruhet në AQSH.
Dokumenti i 11 marsit 1945 nënshkruar në fund nga Arif Hasko komisari i divizionit VIII, dëshmon karakterin kriminal të komunistëve sidomos gjatë operacioneve spastruese në veri të vendit menjëherë sapo kishin marrë pushtetin. Në një qarkore të cilën e nis nga Peshkopia, rajoni ku spastronte kundërshtarët e komunistëve ky division, Arif Hasko orienton partizanët: “Ne duhet ti zhdukim të gjithë elementat e rrezikshëm, të gjithë kriminelët e luftës që sot shëtisin grupe grupe tue hedhun parulla helmatuese kundra pushtetit e ushtrisë s’onë”.
Shqetësimi i tij është se në zonat ku po kryenin masakra, komunistët nuk po fitonin dot besimin e popullsisë së veriut. Ai zbulon në letrën e tij se partizanët vetë janë fajtorë që populli nuk i do pasi ata janë treguar të egër me njerëzit e pafajshëm duke i “torturuar edhe pa vend”.
“Në Zonat ku operojmë , ta sqarojmë masën e popullit, se ne nuk luftojmë popullin, por vetëm armiqtë e tij dhe të qeverisë. Duhet të jemi të squet për të zbuluar parrullat e reaksionit tue u gjet burimin e tyre. Ti tregojmë hallet që ka populli jonë dhe masat që po merr qeverija për të plotësue nevojat e popullit.
Kalimi i forcave tona duhet të jetë jo vetëm për të ndjekun dhe kapun reaksionarët por edhe për të tërhjekun masën nga ana e jonë. Ne shumë herë kemi ra në gabime, jemi tregue të egër me popullin, kemi torturue edhe pa vend, sa që shumë herë kemi fitue mosbesimin e popullit bile në disa raste edhe urrejtjen…” shkruan në letrën e tij Hasko, duke vijuar më tej edhe me probleme të tjera të brendshme të ushtrisë partizane, që edhe pse lufta kishte 6 muaj që kishte përfunduar ata vijonin operacionet në veri të vendit për të nënshtruar me forcën e armëve popullin që ti bindej regjimit të egër komunist që kishte rrëmbyer me dhunë pushtetin.
“Kujto .al” e sjell të plotë këtë dokument prej dy faqesh, i cili ruhet në AQSH.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.