“Njeriu që nuk duhet të vdiste kurrë”, Giovanni Verga i tregon Italisë për diktatorin shqiptar

    0
    106
    blank

    Një libër me histori njerëzore, i titulluar sipas sloganit të propagandës komuniste që izoloi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet

    Paraditen e 11 prillit u prezantua në mjediset e Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, libri i gazetarit dhe shkrimtarit italian, Giovanni Verga, “L’uomo che non doveva mai morire” (“Njeriu që nuk duhet të vdiste kurrë”). Ky prezantim, dhe pse rastësisht - siç vuri në dukje rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj- përkoi pikërisht me 40-vjetorin e ndarjes nga jeta të diktatorit Enver Hoxha, njeriut që, sipas propagandës komuniste, nuk duhet të vdiste kurrë.

    blank

    blank
    Kopertina e librit

    Libri me parathënie nga gazetari Carlo Bollino përmban rrëfime nga njerëz që e kanë jetuar diktaturën dhe kanë provuar përndjekjen e saj: personazhe të njohur si Fatos Lubonja dhe Vera Bekteshi, apo më pak të njohur si Tanush Kaso, tregime “rinish të humbura” si i përkufizon autori; flet për dënimin e drejtuesve të lartë të shtetit, por edhe intelektualëve dhe artistëve, si Maks Velo; të gjithë pre të një diktature të drejtuar nga Enver Hoxha.

    “Protagonisti indirekt i këtij libri është ky njeri, që për shumë arsye, ka lënë shenjë në historinë evropiane e megjithatë, është pak i studiuar, pak i njohur. Nuk di ta shpjegoj sesi një figurë e kësaj rëndësie ka qenë kaq i harruar dhe nuk flas për Shqipërinë, por për pjesën tjetër të botës, Italinë në mënyrë të veçantë, që ka pasur gjithmonë një raport të privilegjuar me Shqipërinë”, tha autori Verga gjatë promovimit.

    blank
    Autori Verga gjatë prezantimit të librit në Universitetin "Luigj Gurakuqi" në Shkodër

     

    Ai citoi gazetarin e njohur italian Indro Montanelli që thoshte për Shqipërinë se ishte një vend në të cilin për 40 vjet nuk mund të hyje dhe nuk mund të dilje. “Kjo krijoi një gjendje izolimi dhe ajo që ndodhte apo nuk ndodhte ishte një legjendë për ata që ishin jashtë. Tani, në këtë pikë ku jemi, është e drejtë të tregohet pak si kanë shkuar gjërat, pa dhënë gjykime”, shtoi Verga.

    Prof.dr.Nertila Ljarja theksoi se ky libër i shërben disa kategorive: të rinjve dhe mësuesve, politikëbërësve, studiuesve të disa fushave si historisë, sociologjisë e drejtësisë. “Kjo vepër është për çdo qytetar që ndien nevojën të njohë më mirë vendin ku jeton. Leximi i saj nuk është thjesht një akt kulturor, por një akt qytetar”, konkludoi Ljarja.

    Nënkryetari i Shoqatës Kombëtare së të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë me qendër në Shkodër, Filip Guraziu, i biri i Pjerin Guraziut, të pushkatuar bashkë me 21 intelektualë të tjerë mesnatën e 26-27 shkurtit 1951, foli për vështirësinë që kanë brezat e lindur në fund të viteve ’80 dhe më pas, për të perceptuar çfarë ndodhi gjatë diktaturës komuniste. Sipas ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër, ky libër i shërben brezit të ri shqiptar për kujtesën e krimit komunist enverist në mënyrë që ai sistem diktatorial të mos përsëritet. Sipas Guraziut, ky libër në italisht, për popullin italian, ndihmon edhe njohjen reciproke mes vendeve, çfarë forcon bashkëpunimin, aq të rëndësishëm, sipas tij, në këtë periudhë politike, kur Shqipëria po përgatitet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

    Autori Verga u kujdes të theksonte se “ky nuk është një libër historie, por një libër me histori” duke na kujtuar edhe një herë boshllëkun që periudha komuniste ka në librat e historisë dhe në kurrikulat shkollore në vend.

    blank

    Në fillim të aktivitetit, për të pranishimit, u shfaq një video me foto dhe të dhëna nga krimet e komunizmit në Shqipëri, që numëron mijëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të burgosur dhe internuar. Të pranishëm në sallë ishin edhe ish-të burgosur dhe anëtarë të familjeve të përndjekura shkodrane.

    Kryetari i Shoqatës Kombëtare së të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë me qendër në Shkodër, Zenel Drangu, i cili ka kryer 17 vite burg politik gjatë diktaturës komuniste, tha gjatë fjalës përshëndetëse se Shkodra ka pasur persekucionin më të madh që ka parë Shqipëria me 601 të pushkatuar, 3000 familje të internuara dhe 2900 të burgosur.

    Duke iu kthyer eventit dhe datës kur ai organizohej, Drangu tha se Enver Hoxha "ka bërë shumë vepra për diktaturën, për njeriun e ri, por kryeveprën ama e ka bërë më 11 prill".

    Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here