I premtuan se do ta linin të lirë, por me të ardhur në Shqipëri Dilaver Hasa u arrestua. I morën të gjithë pasurinë dhe e dërguan në Spaç e më pas dhe në Qafë-Bari
Dilaver Xhemal Hasa u lind më 5.2.1940 në Strikçan të Dibrës. Me profesion arsimtar, me arsim të mesëm. Në vitin 1956 përfundoi studimet në shkollën e mesme pedagogjike të Peshkopisë. Më pas punoi arsimtar në fshatra të ndryshëm deri në vitin 1962 kur u arratis jashtë shtetit. Kaloi më pas në Suedi. Atje ndërtoi jetën e tij në mënyrën më të bukur. U martua me një shtetase suedeze dhe ishin të lumtur. Për arsye të një mërzie për bashkëshorten e vdekur, kërkoi të riatdhesohej në Shqipëri, me shpresën se parashkrimi i veprës penale dhe kthimi vullnetar do të merreshin parasysh. Iu dha fjala, siç dinin komunistët ta mbanin atë. Por sapo mbërriti në Shqipëri, më 3.9.1979, e arrestuan. U akuzua në bazë të nenit 64 të Kodit të vjetër Penal, pasi vlerësohej se vepra penale kish ndodhur në vitin 1962. Për një kohë të shkurtër u zhvillua hetuesia dhe u dërgua për dënim. Gjykata Popullore e Rrethit Dibër, me vendimin nr.128, datë 8.12.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Në aplikim të dekretit nr.3603, datë 23.11.1962 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, iu ul 1/6 e dënimit, duke e çuar dënimin në 12 vjet heqje lirie. Menjëherë e çuan në Repartin nr.303 Spaç për të vuajtur dënimin me punë të detyruar.
Ish-i dënuari Kasem Hoxha, në librin e tij “tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, botim i ISKK-së, Tiranë 2021, e përmend Dilaverin, duke bërë edhe një përmbledhje të jetës së tij. Dilaveri i kish thënë kur vuanin dënimin në Spaç: “Unë kam qenë në parajsë. Me dashjen time, me vullnetin tim, ika andej duke hapur me duart e mia portën e ferrit. Unë isha në qiell dhe tani rashë në fund të humnerës. Kur dola në Greqi, isha tepër i entuziazmuar që shpëtova nga ferri. Kërkova të emigroja në Suedi. Brenda tre muajve u aprovua kërkesa ime duke më dhënë vizën për Suedi. Aty vazhdova një shkollë teknikumi elektronik. Më dhanë punë në një fabrikë ku prodhohen aparate telefoni. Më pas u martova me një suedeze. Isha i lumtur, por fëmijë nuk pata me këtë grua. Jetonim në një shtëpi të bukur në periferi të Stokholmit. Herë pas here shkonim me pushime në Greqi, Spanjë, Portugali, Francë e gjithandej. Kur papritur më vdiq gruaja. Unë mbeta vetëm dhe u mërzita sa s’thuhet. Një ditë shkova në ambasadën shqiptare në Stokholm dhe bëra kërkesë që të më garantonin kthimin në Shqipëri. Ata më premtuan se do të më linin të lirë. Erdha në Shqipëri, duke marrë një pjesë të pasurisë sime të patundshme. Paratë shkonin në një vlerë me lekët shqiptare në rreth 30 milionë. Por këta hajdutë më rropën për së gjalli duke më marrë rrobat e trupit dhe orën që kisha në dorë”.
Dilaveri u lirua më 29.1.1987 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari, me dekretin nr.7093, datë 17.1.1987.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
