Nga Maliqi në Gosë të Kavajës, Beden, Kuçovë e deri në Burrel

0
230
blank

Udhëtimi tragjik i të burgosurve gjatë diktaturës komuniste dhe një ndodhi e trishtë në kampin e Gosës

I dënuar me 18 vite burg në moshë të re, Lavdosh Beqo nga Kanina e Vlorës, rrëfen kalvarin e vuajtjeve nëpër kampet e diktaturës. Nis me kampine Vloçishtit në Maliq ku mijëra të burgosur politikë punuan në kushte çnjerëzore e ku humbën jetën shumë prej tyre. Kalimi nga Maliqi në Gosë e më pas në të tjera kampe të punës së detyruar, ishte ndër mundimet që kanë mbetur në mëndjen e të burgosurve politikë.

Lavdoshi veçon një histori të trishtë në kampin e Gosës ku një djalë i ri kishte ndërruar jetë nga aksidenti në punë por e ëma nuk e dinte dhe kish ardhë pranë kampit atë ditë pasi kishte takimin e radhës me të birin. Kemi shkëputur pjesë nga intervista e Lavdosh Beqos dhënë për "Zërat e Kujtesës“ ku rrëfehen vuajtjet në kampet e punës së detyruar.

***

Gosë të Kavajës, në fillim, ajo pjesa tek tuneli ishte një tokë që ishte e pamundur ta thërrmoje me kazëm dhe aty sollën edhe forca ordinere pastaj, se kishte shume punë. Ata, ordinerët, i mbanin pak mënjanë nga ne. Ai kamp ishte afër rrugës, por ashtu si edhe ai i Shtyllasit shumë më vonë, kishte një të keqe të madhe: u bë një llum i madh, aq sa nuk mund të kaloje dot! Në kazermë ose në banjë, shkoje duke përdorur dërrasa të vogla. Llumi ishte 50 cm. Llum, llum. Aq keq ishte, sa të burgosurit, natën urinonin nëpër kanoçe, dhe pastaj e hidhnin jashtë. Nuk dilje dot natën, se bije në llum dhe vdisje aty.

Komandant kampi në Gosë, ishte përsëri Hamdi Lemo, krimineli që kishte vrarë dikë. Nja dy- tre malësorë, u zunë me të njëherë dhe ai iu përgatiti një kurth. Futi dikë si shok të tyrin dhe i nxiti për të ikur, për t’u arratisur. E përgatitën kurthin mrekullisht mirë, ku ishte caktuar edhe vendi ku do të dilnin dhe atje po i priste Hamdi Lemo me oficerët e kampit, që i vranë duke dalë nëpër tela. Erdhi prokuroria, i pa, shënuan në relacion që u vranë duke kaluar telat dhe kaq. Një proces verbal i thjeshtë, dhe mori fund puna.

Po të njëjtën taktikë, këta e kanë ndjekur edhe në kampet e tjera, kryesisht në Bulqizë, duke shfrytëzuar faktin që ishte zonë që e kishte afër kufirin, dhe me demek mund të iknin. Të gjithë ata që i kishin inat, kur dilnin, qoftë edhe brenda zonës së ndaluar, i vriste roja. Pastaj ata, merrnin tabelën e kalonin këtej dhe kur vinte prokuroria, shikonte që ka kaluar tabelën. Bëhej një proces verbal dhe mbyllej hesapi. Në Bulqizë pati shumë raste të tilla, por mua nuk më kujtohen emrat... Pa le ato raste kur të burgosurit i zinte miniera brenda. Thjesht bëhej një proces verbal... Bile, bile, ato kohë, po të ngordhte ndonjë lopë ose ndonjë viç, bëhej kiameti; vanë edhe në burg ata të Baldushkut, se u helmuan ca lopë. I quajtën “armiq te betuar“. Kurse kur vdiste njeri në kampe dhe burgje, thjesht bëhej një proces verbal dhe mbyllej puna.

Gosë të Kavajës, pati edhe një gjë tjetër: afër tunelit të Rrogozhinës, toka ishte shkëmbore dhe filluan ta hapin me mina. Mirëpo rrotull ishin brigadat që punonin, dhe ne, për arsye sigurie që mos t’u iknim, na largonin fare pak nga vendi ku përdoreshin minat. Dhe një ditë, një djali nga Malësia, i ra një gur në kokë dhe vdiq në vend. Ndërsa unë, kisha një karro me llamarinë, dhe e mbaja si kapele në kokë, që të mos më binin gurët.

Të nesërmen që ai djali vdiq, i erdhi e ëma në takim. Më kujtohet si sot. Kërkoi djalin. I thanë komandantit, dhe ata të komandës gjetën një polic malësor, një katolik, dhe i thanë: “Shko e tregoji me takt që djali ka vdekur.“ Ndërsa doktorit i thanë që të mos hapte gojë nëse e pyesin; “thuaji që qe sëmurë dhe vdiq.” Shkoi polici dhe e mori me të mirë të ëmën, dhe në fund i thotë që “fatkeqësisht, djali yt ishte i sëmurë dhe vdiq”. “Si ka mundësi – insistonte e ëma, - unë pardje mora letër, dhe kam ardhur e i kam sjellë ushqime.“ “Po, ja, ashtu i ndodhi; krejt përnjëherë!“ - justifikohej polici. Djali që vdiq, në letër i kishte shkruar familjes për një shokun e tij, atë me të cilin rrinte. Dhe ajo, i thotë policit: “atëherë më thërrisni filanin, që t’i jap ushqimet.” E kishte fjalën për shokun e djalit. Shkojnë dhe e marrin atë shokun e djalit dhe e kërcënojnë ata të komandës, e i thonë “mos trego se si ështe vrarë.” Më në fund e takoi shokun e djalit, dhe i dha ushqimet që kishte sjellë për të birin. Pastaj, ajo i kërkoi policit: “më trego ku e ka varrin djali.” Ai e çoi tek varri. Ajo ndenji pak aty, dhe iku. E u mbyll puna. D.m.th., po të vdisje, atje nuk përgjigjej asnjeri.

Ne erdhëm në Gosë, shumë të dobësuar nga Maliqi, dhe e kishim shumë të vështirë për t’i rezistuar punës së vështirë dhe dimrit që ishte shumë i ftohtë atë vit. Ose ashtu na dukej ne, sepse ishim shumë të dobët. Babai im kishte një mik në Durrës dhe atij i kërkon t’i gjente një palë çizme për mua, sepse çizmet nuk gjendeshin në atë kohë. Për fat, ai m’i gjeti, por njëra këmbë ishte më e madhe dhe tjetra më e vogël. Më kujtohet si tani: atë që e vishja me dy palë çorape, e kisha pak më të ngrohtë, kurse tek ajo e vogla, më thaheshin gishtërinjtë e këmbës. Për të vajtur në punë, mbathnim rrobat e vjetra që kishim dhe një pallto me të cilën mbulonim fillimisht kokën. Që të hyje brenda në kamp, do të kaloje përmes një pellgu me ujë deri në kupë të gjurit. Nuk kishe rrugë tjetër. Dhe vetëm për të na torturuar, nuk hapnin një kanal që të ikte uji.

Në atë kamp, kam njohur një burrë nga Mallakstra, i cili kishte mbaruar në Itali për gjeometër. Ky njeri, pasi bëri burgun, shkoi në Myzeqe, nëpër kampet ku ndërtoheshin kanale, si gjysmë i internuar, dhe u vendos aty me gjithë familjen dhe të vëllezërit. Një ditë prej ditësh, e arrestuan prapë. E dënuan se gjoja kishte folur kundër pushtetit. Pasi kishte kaluar gati një vit nga koha që ai u fut në burg, arrestuan një tjetër shokun tonë, që kishte qenë me të në burgun e parë dhe donin ta dënonin. Por donin t‘i nxirrnin dëshmitar pikërisht këtë, gjeometrin, për ta diskredituar. E thërrasin gjeometrin dhe i kërkojnë që t’i dalë dëshmitar. Ai i tha që “unë s‘kam ndonjë kontratë me ju, unë nuk jam spiuni juaj që t‘i dal kundra. Unë e kam pasur mik kur kam qenë në burg.“ Dhe nuk pranoi.

Pas shumë përpjekjesh, në fund, atij i vjen një nga Ministria, e thërret dhe i thotë: “Të kanë thënë që të dalësh dëshmitar për filanin.“

“Po ,- i thotë ky,- po ç‘punë kam unë?“

Ata, i kishin përgatitur një kurth të tillë, që ai në fund, u detyrua t’i dalë dëshmitar shokut. I sollën një nga anëtarët e familjes, që i tha “ke thënë kështu, e ke bërë ashtu..“, dhe ky nuk pati rrugëzgjidhje tjetër.

Këtë e mësova pikërisht nga ky shoku i tij, i spiunuari, që u dënua për herë të dytë, sepse edhe këtë e kisha shok të ngushtë. Dhe kur erdha unë për herë të dytë i dënuar, e gjeta dhe i thashë që “kam dëgjuar se të ka dalë dëshmitar filani, dhe që kur ke ardhur në burg, ti vazhdoje të rrije e të haje bukë me të. Si ka mundësi?!?“ Dhe ai më kallëzoi këtë histori të hidhur. Që një nga anëtarët e familjes, e kunata, kishte dëshmuar në hetuesi kundër tij për ta diskredituar, dhe ky nuk kishte rrugë tjetër vetëm të dëshmonte kundër shokut për të shmangur turpin.

Për çudi, atë vit, që sikur e bënte për inatin tonë, çdo ditë, kur dilnim në punë, fillonte shiu me rrebesh dhe nuk pushonte. Mirëpo, ai krimineli, komandati i kampit, për vete hidhte një mushama nga ato të rojeve mbi kokë, merrte një karrocë, hipte mbi të se uji kalonte me rrëke, dhe vetëm na jepte urdhra: “Vazhdoni punën!” Rojet e shkretë ishin bërë qull më keq nga ne. Të lagur në atë farë feje, pasi kishim punuar tërë ditën në shi, ktheheshim në kamp. Dikush i kishte një palë ndërresa, kurse ata që nuk i kishin, vazhdonin të rrinin të lagur gjithë natën. Dhe të nesërmen duhet të shkonim prapë në punë.

Pasi kryem një pjesë të kanalit, pjesa tjetër nga Gosa deri në Lekaj, ishte tokë e butë dhe bëhej norma. Kur mbaruam aty, na çuan në Urën Vajgurore, për të ndërtuar pistën ushtarake.

Kur shkulej kampi, teshat personale, dyshekun e të tjerat, i bëje deng, i lije aty dhe i ngarkonin në makina. Kurse të burgosurit, i merrnin me makina të tjera.

Harrova të të thosha, që kur na morën nga Maliqi për të na sjellë në Gosë të Kavajës, erdhën 50 makina, dhe i hipën të lidhur të burgosurit, por, nuk i lidhën të gjithë. Mua më lidhën me Velo Agalliun, një vlonjat, ai me të cilin ngrija trarët. Binte një vesë shi. Ai kishte një xhaketë me lëkurë qengji. Kur erdhëm në Gosë, morëm kthesën për t’u futur në kamp. Rruga deri në kamp, nuk ishte më e gjatë se nja një kilometër. Por, shoferi, një djalë nga Kavaja, që e kishte marrë makinën të re, frenoi, dhe nuk e futi në atë rrugë. Kalojnë të gjitha makinat, kurse ne mbetëm aty, bashkë me dy policët e ulur sipër me ne. Kampi ishte i ftohtë, pa drita. U futën makinat e tjera, dhe ata, policët, me sa duket kujtuan që ishin futur të gjithë, dhe mbyllën dyert. Por makina jonë kishte mbetur në xhade. Policët që ishin me ne, nuk iknin dot të lajmëronin, dhe po shkonte mesi i natës. Barba Veloja i tha njërit prej policëve: “Hë se do të kujtohen ata, dhe do vijnë vetë. Do të shikojnë që mungojnë këta maskarenjtë, të burgosurit, e do të mendojnë se paskan ikur. Pastaj do të kujtohen: por, edhe policët paskan ikur?!” Polici e pa që po tallej Barba Veloja, dhe e goditi.

Nuk shkoi gjysmë ore dhe kaloi një veturë nga këto të qeverisë. Thoshnin që ishte Kadri Hazbiu. Ai pa dhe lajmëroi menjëherë me radio. Kur ç’të shohim ne! Rrethuar me policë nga të gjitha anët. Ne na zbritën pastaj, sepse shoferi nuk pranonte ta fuste makinën në atë rrugë të keqe. Na morën dhe duke na mbajtur për dore, na futën në kamp. Siç ju thashë, kampi ishte llum; fjetëm pa u zhveshur, ashtu siç ishim. Me këpucë veshur e gjithë llum.

Ndërsa kur shkuam në Urën Vajgurore, makinat me tesha kishin vajtur përpara dhe ishin shkarkuar dengje-dengje, në fushë. Kurse neve na futën në kazerma, se s‘kishte as drita. Dhe ne, një grup të rinjsh vlonjatë, zumë një qoshe dhe u ulëm ngjeshur ashtu si mundëm. Por unë, siç ju thashë, kam qenë dhe jam shumë gjumash. Dhe i them një shokut tim, Burim Kokoshit: “Shko pak më lart që të shtrihem e ta vë kokën tek gjuri yt.” E kështu bëri. Të tjerët bënin muhabet. Çatia pikonte dhe uji kishte ardhur deri te cepi i kapotës time, por unë nuk e ndjeva se isha në gjumë. Në mëngjes, kur ngrihem, përpiqem të lëviz dhe nuk mundem. “Lëviz!“, i thashë këtij mikut tim, se s’po e kuptoja se pse kisha ngecur. Ai lëvizi, por unë prapë s’mundesha. Kur shoh pastaj ujin që kishte ngrirë bashkë me kapotën dhe m’u desh ta shkulja për t’u ngritur.

Gosë, na ndanë nëpër brigada dhe dolëm në punë. Ditën e parë që shkuam në punë, pra pas dy vjetësh nga fillimi i punës në Maliq, kur na ulën në shesh, erdhi oficeri dhe na veçoi mënjanë mua, Barba Velon, e Koço Seminin. Barba Veloja nuk po e kuptonte se pse. Dhe unë i thashë: “Për të transportuar trupat e rojes.“ Dhe trupat e rojes këtu ishin me trarë katrorë dhe me dy kate. “Po ku e dinë këta, që kemi qenë ne që e kemi bërë këtë punë edhe në Maliq?“ –tha Barba Veloja.

Dhe doli që unë kisha pasur të drejtë. Por, në Gosë, kjo punë e rëndë kishte një të mirë, sepse i lëviznim vetëm një herë, pasi ambienti ku bëheshin punimet ishte i rrethuar dhe i linim aty, pa qenë nevoja për ta bërë këtë punë dy herë në ditë.

Filluam punë. Komandant ishte prapë Beqir Liço. Por, atë periudhë, ai ishte edhe vetë i sëmurë, dhe kjo ishte arsyeja që nuk e lëshonte doktor Isufin, sepse Isufi ishte specialist i mirë dhe përveç të tjerave, e dinte se kujt nga të burgosurit i vinin ilaçe nga jashtë, dhe u merrte ndonjë penicilinë për të. Në atë kohë, penicilina dhe streptomicina ishin ilaçet më efikase, më të mirat, dhe nuk gjendeshin lehtë.

Në kampin e Urës Vajgurore, punimet vazhduan gjatë, deri në vitin 1953. Siç ju thashë, po ndërtonim pistën ushtarake dhe puna ishte mjaft e rëndë.

Në Urën Vajgurore ndodhi që për herë të parë, sollën të burgosur nga burgu i Burrelit, për krahë pune. Midis atyre ishte edhe At' Pjetër Meshkalla, një prift katolik jezuit—një njeri që unë mendoj dhe e kam thënë gjithkund, edhe në Itali, se nëse kisha katolike e ka një hero, është pikërisht ai. Si të gjithë klerikët e tjerë, At Meshkalla e ka mbrojtur doktrinën e tij, por me një forcë të tillë burrërore, dhe kaq hapur, saqë nuk kishte njeri sado të mençur dhe të shkolluar nga komunistët ose nacionalistët, që të mund ta sfidonte në debat. Ai ishte jashtëzakonisht i përgatitur. At Meshkalla ishte diplomuar për teologji në Gjermani; kishte qenë profesor atje, kishte qenë profesor edhe në Itali, dhe më në fund, ishte kthyer në Shqipëri për të drejtuar kishën katolike.

 

Kam njohur edhe priftërinj të tjerë me të cilët kam pasur miqësi, për të cilët do të flas më vonë, kur t’i vijë radha burgut të Burrelit. E sidomos me Dom Loro Nodajn, me të cilin kam pasur një miqësi të ngushtë.

 

Filluam punën. Puna në Urën Vajgurore ishte: beton, beton, beton. Tamam, tamam, ne përgatisnim pllakat që shtroheshin si pistë për uljen e ngritjen e avionëve. Pllakat ishin njëzet centimetra të trasha, jo me zhavorr siç bëhen tani, por me çakëll. Katër brigada punonin vetëm për të thyer çakëllin, të cilin një repart ushtarak e sillte nga gurorja e Urës Vajgurore. Puna ishte e organizuar në një mënyrë të tillë, që çdo brigadë vepronte në një terren 400 m linear, ku ishin të vendosura betonierat, kazanët e ujit për të lagur betonin, depoja e çimentos, etj..

 

Çdo burg, kishte brigadën e tij. Unë punoja në një brigadë me të burgosurit e burgut të Burrelit.

 

Më vjen çudi sot, kur minoritarët pretendojnë se janë persekutuar nga regjimi komunist. Dhe unë po sjell përvojën time nëpër kampe dhe burgje, që e vë në dyshim këtë pretendim. Në kamp, siç jua thashë, kishim komandant Beqir Liçon, komisar Xhorxhi Kekon dhe një minoritar si operativ. Ky operativi – të cilit do mundohem t‘ia kujtoj emrin - kishte qenë punëtor në fabrikën e lëkurëve në Gjirokastër. Dhe pastaj këtë person, e kishin sjellë të spiunonte e të drejtonte një kamp me të burgosur politikë të vërtetë, ajkën e kombit. Po afrohej muaji nëntor, dhe zakonisht në nëntor, qeveria bënte falje, amnisti, prej së cilës përfitonin ata që gjoja ishin më pak të rrezikshëm e që ishin të penduar, si edhe ata që ishin me dënime më të lehta. Komanda propozonte listën, dhe në këtë listë, nga 24 të burgosur, 22 ishin minoritarë grekë, dhe vetëm 2 ishin shqiptarë.

 

Me sa duket, kjo listë e dyshimtë kishte rënë në sy të oficerëve madhorë në Ministrinë e Brendshme. Por sipas ligjit, ata ishin të detyruar të merrnin parasysh listën që kishin marrë. Dhe lista ishte bërë nga operativi i kampit.

 

Por, pastaj ai bëri edhe një propozim tjetër: që të hiqeshin nga kampi për rrezikshmëri të lartë dhe të çoheshin në Burrel 200 të burgosur. Por, këtë herë, Ministria hezitoi, sepse i duheshin forca pune. Dhe për të ndjekur nga afër këtë rast, dërgon një oficer madhor nga Vlora. Oficeri tamam kishte ardhur për të seleksionuar nga lista, sepse nuk mund të hiqnin 200 vetë. Dhe fillojnë e i thërrasin personat që ishin në listë, dy nga dy.

 

Drejtoria, ku na thërrisnin, ishte karshi telave të kampit, as njëzet metra larg, në fushë. Dhe sa ktheheshin të burgosurit, pyesnin: “Çfarë bëhet? Çfarë është kjo?” Ne mendonim se këta të pushtetit, donin të takoheshin vetëm me ndonjërin që e kishin spiun, dhe thërrisnin shumë prej nesh, për të mos rënë në sy.

 

Ishte ditë e diel, e ne s‘na nxirrnin në punë të dielave. Filluan që në mëngjes, dhe aty nga mesi i ditës, thirrën një vlonjat, Engjëll Kokoshin dhe i bënë disa pyetje pa bereqet siç themi ne, pyetje kot d.m.th. Në fund, oficeri i ardhur nga Ministria e Brendshme, e pyet Engjëll Kokoshin: “Ore, ai Lavdoshi, djali i Sihatit, këtu është?“ D.m.th, dinte edhe emrin e babait tim. Dhe aty hidhet menjëherë operativi: “Tani e ka radhën ai!”

 

Mua më thirrën bashkë me djalin e një tregtari nga Durrësi, që kishte studiuar në Austri. U futa brenda. U ula në një karrige pa mbështetëse, një gjë si punë stoli. Operativi ishte ulur në qoshe dhe oficeri nga Ministria, ishte ulur në tavolinën kryesore.

“Lavdoshi, je ti? “ – më tha oficeri.

“Si urdhëron,” - i thashë.

“Më mban mend mua?”

“Jo”

“Po ne kemi qenë bashkë në shkollën fillore,” - më tha oficeri.

“Nuk më kujtohet,” - i thashë.

Pastaj fillon e më pyet: “Po Abeja si është?”, “Po Kateja…?”, “Po xha Sihati?” e kështu me radhë, për të gjithë njerëzit e familjes.

Ne mbanim bagëtitë në Shashicë. Dhe ky ishte nga Shashica. Kur ishim të vegjël, shkollën e bënim bashkë me fëmijët e atij fshati.

Pa i rënë në të, se ku donte të dilte, i thashë: “Zotëri, pse më ke thirrur?”

“Do ta kallëzoj, pse të kam thirrur. Ti ke thënë, që ne po përgatitemi për luftë, po bëjmë aerodrome.” - më tha.

“Tjetër...?” - e pyeta unë.

“Ke thënë që ne do të na sulmojë Greqia.”

“Tjetër?”

“Pse, pak të duken këto ty?“

Atëherë i thashë: “Ne po shihemi për herë të parë bashkë; nga i dini ju këto? Apo jua ka thënë ky?” – i thashë dhe tregova me gisht operativin.

“Është punë për ne se nga i dimë.” – m’u kthye oficeri.

“Juve jua ka thënë ky (për operativin). Që ju po bëni pistë, nuk na pyetët ne, se po të na pyesnit ne, do të thoshnim që me gjithë këtë beton që harxhohet këtu, do bëhej një qytet i tërë. Ne jemi të detyruar të bëjmë atë normë, se po nuk e bëmë, ky këtu të var në çengela. Kurse, përsa i përket asaj të dytës, që do na sulmojë greku, kjo vetëkuptohet që nuk kam nga e di, se unë jam këtu i futur në tela. Por, e di kush e di këtë punë? Ky (për operativin), se ky dëgjon Radio - Athinën se di greqisht, kurse unë jo!” – i thashë me gisht të drejuar drejt operativit.

Operativi kërceu në këmbë. “E dëgjon?!!“ –iu drejtua oficerit.

“Ulu, - i tha oficeri, - këtë e kam marrë unë në pyetje.“

Operativi ndenji edhe pak e iku; se çdo të bënte... E operativët, ishin më të fuqishëm se një oficer madhor! Dhe vetëm operativë, vetëm nga përvoja ime, gjashtë prej tyre kanë qenë minoritarë. Dhe ky ishte më i rrezikshmi; një ordiner, i cili përfundoi në burg për vjedhje. Tashti vonë, dëgjova që punonte si hamall në stacionin e Fierit. I asaj grade ishte, i asaj grade kishte qenë dhe ironia është se drejtonte një kamp me 1000 të burgosur politikë!

Ah, unë i thashë edhe këtë, oficerit: “Nëse do të dish tamam, shiko listën e faljes që ka bëre ky, operativi: 22 minoritarë, dy shqiptarë.“

Për të rregulluar situatën shumë të rëndë që u krijua, oficeri, u ngrit dhe më tha: “E di ç’të bëj unë ty? T’i shkrij kockat në Burrel!” Dhe më dha një të shtyrë në karrigen pa mbështetëse ku isha ulur, e unë godita derën, dera u hap dhe përfundova në livadh sa gjerë - gjatë. Ata që e panë skenën, e kuptuan që aty u përdor dhunë.

Ky i shkreti, djali i tregtarit që u thirr njëkohësisht me mua, u tremb shumë: “Çfarë është, kjo?” “E pe vete ti,”- i thashë.

Përfundimisht, ne na fusin brenda, dhe nxjerrin të tjerët. Më afrohen të burgosurit dhe më pyesin: “Çfarë qe ajo?” “Jo, nuk qe gjë,” - u thashë. Kurse At Meshkallës i tregova: “Puna është që një pjesë prej nesh, do t’i çojnë në Burrel, se ai oficeri më tha “do të t’i shkrij kockat në Burrel”. Dhe ashtu ndodhi vërtet.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here