"Nëse ata janë njerëz, nuk dua të jem më njeri"

0
230
blank

Paraprihet nga  shkrimi i mëparshëm

Nga Kaso Hoxha

…Nuk e di si i vajti halli gjatë atyre ditëve që unë vazhdoja të isha në qeli, por kur dola pas një muaji, unë isha kthyer në një fantazmë, por me shpirt të fortë.

E gjeta Telin në oborrin e burgut tek po ecte me katër këmbë dhe lakuriq fare. Iu afrova, e zura për krahu, e ngrita dhe e pyeta, se pse vepronte kështu.

-Unë nuk dua të jem më njeri!-ma ktheu, në qoftë se policët janë njerëz, as si vishen këta nuk dua, po qe se këta janë njerëz! Unë do të pranoj të jem më mirë një kafshë dhe si kafshë do të rri dhe do të eci!-dhe vazhdoi të ecte nëpër oborr këmbadoraz dhe lakuriq. Ndonjë i burgosur mendjelehtë qeshte duke mos e kuptuar se sa domethënës ishte veprimi i këtij njeriu të madh.

Policët morën vesh se një i burgosur bënte gjeste që fyenin sistemin dhe erdhën me vrap e u turrën mbi trupin e tij lakuriq me kamzhikë dhe, duke e hequr zvarrë, e futën përsëri në qeli, por komisari e quajti si njeri të çmendur dhe dha urdhër ta lëshonin.

Teli erdhi në dhomë i vrarë, i lodhur, i uritur, pa asnjë shpresë, u shtri në krevatin e tij ku kishte një dyshek byku të grisur, u fut në kashtë dhe u shtri. Në drekë iu luta të hante pak bukë. Pas shumë lutjeve, Teli qeshi…

-Efkaristo, Kaso. Unë kam bërë një llogaritje,-vazhdoi ai,-sa të zbres katin e tretë, të shkoj në mensë dhe të ngjitem prapë në katin e tretë, nuk ia vlen, se kjo lodhje do të paktën 600-800 kalori. Unë do të ha 200 gram bukë, që nuk bëjnë as 300-400 kalori. Edhe të hash, edhe të mos hash, prapë njëlloj është, për të vdekur se për të vdekur ke. Më mirë s’po ha fare, të vdes më shpejt që të shpëtoj nga vuajtjet.

Sado që iu luta unë dhe shokët e tij, ai kishte vendosur që të vdiste.

Komanda, kur e pa se po vdiste, e mori gjoja që ta çonte në spital.

Na treguan të burgosurit që vinin nga Tirana se autoburgu e kishte lënë Telin në burgun e madh, për të pritur që të vinte ambulanca ta merrte për ta çuar në spital. Telin e kishin shtrirë gjysmë të vdekur, në një qoshe të kaushit, plot me të burgosur. Teli s'ngrihej as të hante e as të dilte në WC ose ajrim, por i mbuluar me një batanije kokë e këmbë, priste të rrahurën e fundit të zemrës. Të burgosurit shkonin dhe e zgjonin, duke iu lutur që të ngrihej të hante, por ai ua kishte prerë dhe u ishte lutur që ta linin të qetë. Kështu që të burgosurit nuk i flisnin më, sepse pandehnin se mos ky njeri ishte ndonjë psikopat e mund t'u jepte ndonjë boks...Një i burgosur afër tij kishte vënë re se kishte 20 orë që ky njeri nuk lëvizte fare. Iu afrua, e zbuloi dhe u tmerrua kur pa fytyrën pa gjak, sytë e mbyllur përjetësisht, goja me nofullat e shtrënguara jashtëmase. Trupi kishte ngrirë. Ai u tha të tjerëve se i burgosuri i ardhur nga Spaçi, kishte vdekur. Të burgosurit u afruan në heshtje pranë kufomës së tij pa jetë, duke hequr kapelet. Sytë e tyre u përlotën përpara kësaj drame. Një i burgosur lajmëroi policin. Erdhën për ta marrë kufomën me batanijet e tij. Të burgosurit i dhanë lamtumirën e fundit në heshtje. S'dihej ku do ta hidhnin, se varr nuk do të kishte.

 

Marrë nga "Tokë e bukur kohë e shëmtuar" i autorit Kaso Hoxha, botim i ISKK, Tiranë 2021.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.