"Nëna më mbeti në kampin e Tepelenës"

0
185
blank

“Bijo, ajo jam, por mos m’u afro! Njerëzit më quajnë gruaja e reaksionarit dhe nëna e tradhtarit. Më kish marrë malli me të pa. Unë jam e dënuar për të duruar gjithçka, por ti qëndro për së largëti. Nuk dua ta prish jetën tande familjare se e ke burrin komunist. Nuk munda ta puth e as ta përqafoj nanën time. Ishte koha e spiunazhit të madh publik.

Nga Albana Lifschin

(Nga kujtimet e mamasë për gjyshen)

Tek “Rrapi i Sevasterit” një makinë kishte lënë dy vëllezërit e mi të vegjël, në xhade. Vinin nga kampi i internimit të Tepelenës. Ata i kishin liruar vetëm, përsëri pa nënën, dhe kishin kërkuar të banonin në Vlorë, në vendin e quajtur ”Pusi i Mezinit”. Nëna u kishte kërkuar drejtuesve të kampit të internimit të Tepelenës që të dy djemtë e saj të mos i shpinin në Mirditë por t’i nisnin në Vlorë, me shpresë se do të shpëtonin gjallë e një ditë do të takoheshin me mua.

Kudo gjenden edhe njerëz të mirë, por Vlora ka shumë të tillë. Ata i shoqëroi një fshatar, që u ndodh tek Rrapi dhe i solli tek ne. Kishin marrë leje nga Dega e Tepelenës të flinin tek e motra vetëm për një natë. Pasi i putha e i përqafova të dy me mallin e motrës, i pyeta për nënën. Vëllai i vogël m’u përgjigj menjëherë:

-Nëna mbeti në kampin e Tepelenës, kurse ne na erdhi lirimi vetëm, si në Berat. Ajo do të vazhdojë internimin. Kalvari i mundimeve në kampet e internimeve nga veriu në jug ende vazhdonte për nënën dhe vëllezërit e mi. Vura re se u ishte ndaluar rritja nga kequshqyerja. Ishin të dobët, veshur me një palë rroba të vjetra, që kur i shihje të vinte për të qarë. Por ç’mund të bëja unë vetëm me një ditë? Burrin komunist. Dyqanet ishin larg në Vlorë. Brenda një dite nuk kisha asnjë mundësi për t’i ndihmuar. Mendoja e dëshpëruar: Kjo nëna jonë, nëna e pesë fëmijëve, e paska dënuar Zoti që të ndahet nga fëmijët. Nga pesë fëmijë, kishte mbetur pa asnjë! Po ku ta merrja përgjigjen?

Të nesërmen u mbusha vëllezërve trastën me bukë e ushqime. Që atë mëngjes u nisën për tek “Pusi i Mezinit”, në Vlorë. Atje ishin lidhur me nënë Lale Kokën, nena e dëshmores Qeriba Koka, e cila i kishte ndihmuar të fillonin punë në ndërmarrjen e ullinjve. Njerëzit i donin se ishin fëmijë të urtë e të sjellshëm. Vlonjatët nuk bënin luftë klase me gra e kalamaj. Ata shpesh thoshin: “Ne nuk kemi frikë nga Partia ore, se jemi vetë Partia”. Vëllezërit e mi ishin ende të mitur, nuk i kapte mosha e punës, por kush do t’i ushqente? Prandaj punonin dhe mësonin se kështu qe fati i tyre. Nëna i kishte edukuar të punonin e të mos vidhnin, as të mos gënjenin, e as të bëheshin lypsarë.

* * *

E papritura…

Një ditë më kishte ftuar për drekë Nënë Lale Koka në Vlorë. Isha atje me gjithë fëmijët. Donika, e bija e saj ato kohë ishte shoqja ime më e mirë. Unë shkova tek dentisti për të mjekuar një dhëmballë dhe fëmijët i lashë me të. Kur dola nga dentisti në korridor pashë një grua të dobët e të rraskapitur rreth të 50-tave, me fytyrë dhe sy të shuar. I ngjante nënës sime që kisha sa vjet pa e parë! Por s’mund të ishte ajo. Kur unë po e vështroja edhe ajo m’i nguli sytë. Por…jo, nuk mund të ishte nëna ime kjo! Të qe transformuar kaq shumë? Gruaja m’i kishte ngulur sytë e s’mi ndante dhe unë u mpiva. “Bijo, ajo jam, por mos m’u afro! Njerëzit më quajnë gruaja e reaksionarit dhe nëna e tradhtarit. Më kish marrë malli me të pa. Unë jam e dënuar për të duruar gjithçka, por ti qëndro për së largëti. Nuk dua ta prish jetën tande familjare se e ke burrin komunist. Nuk munda ta puth e as ta përqafoj nanën time. Ishte koha e spiunazhit të madh publik.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here