Në rrjetën e spiunëve/Burgosja e njerëzve me ndikim në Përmet

0
248
blank

Vazhdon lista me njerëz me ndikim të zonës së Përmetit, për të cilët Sigurimi ngriti një rrjet agjentural në vitet 1958-64. Agjentët, me ta çuar në burg një person me akuzat që sajonin gjatë ndjekjes së tij, kalonin te personi tjetër. Njerëzit me ndikim përfundonin pas hekurave pa kryer asnjë krim

Nga Xhafer Sadiku

Paraprihet nga postimi i mëparshëm

Kaso Meço

Ishte nga katundi Pagri. U vu në përpunim aktiv qysh nga viti 1953, jo vetëm si shtresë e pasur fshatare, me influencë dhe e cilësuar kulak, por edhe si “nipi i baba Kamberit, vdekur në burg”.

Megjithëse kishte vite që e kontrollonin, në një raport të sigurimit lexohet, se "mbasi për Kaso Meçon nga katundi Pagri i kategorizuar në 2-A, nuk kemi të dhëna…të drejtohet më mirë B.P. “Korabi”, “Grebenja” dhe “Floriri”, për të grumbulluar disa të dhëna për aktivitetin e tij kohët e fundit dhe ta propozojmë për goditje”.

Pas kësaj, bashkëpunëtorët e sigurimit u treguan më aktivë dhe në raportin vjetor, seksioni i sigurimit informonte drejtorinë përkatëse se Kaso Meço, “gjatë vitit 1958 ka zhvilluar propagandë të theksuar kundër pushtetit për ndryshimin e situatës në vendin tonë. Pret nga çasti në çast që të pëlcasë lufta dhe si element armik të hidhet në aktivitet të hapët kundër pushtetit, i cili është shprehur edhe vetë se kur t’i vijë koha do të hakmerret. Ky është kuadër i mundshëm për kundër-revolucion. Kohët e fundit në drejtim të tij kemi përgatitur dokumentet dhe propozuam për ta goditur”.

Ditën e parë të vitit 1959 Kaso Meço u arrestua dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Edhe ai me dëshmitarë të rremë. Pasi e mbaroi misionin kundër Kaso Meços, agjenti “Floriri”, u drejtua kundër Ramadan Jahos.

Ramadan Jaho

Ishte nga katundi Alipostivan. U mor në përpunim aktiv në 1 shkurt 1958 për agjitacion dhe propagandë. Përpunimi i tij bëhej nëpërmjet informatorëve “Dinaku” dhe “Floriri”.

Sipas sigurimit, “gjatë përpunimit të tij, është zbuluar se i përmenduri ka zhvilluar aktivitet armiqësor kundër pushtetit, më tepër në drejtim të kolektivizimit të bujqësisë”.

Në raportin e sigurimit theksohej se “nga analiza që i kemi bërë këtij përpunimi del se nuk është kontrolluar si duhet. Agjentura që është në drejtim të tij mban rezervë, sepse ka frikën e komprometimit dhe nuk është drejtuar mirë”.

Për të realizuar përpunimin e tij sigurimi forcoi agjenturën, duke rekrutuar një bashkëpunëtor nga fshati i tij, kandidat partie.

…Në një raport theksohet se “…për këtë përpunim punojmë që të sigurojmë edhe një tjetër material dhe brenda 6 mujorit të parë 1963 do të dalim me masë për goditje”.

…Për të mbledhur “prova” me fuqi ligjore, në shkollën e fshatit Alipostivan emëruan një mësues, i cili, duke përfituar nga mikpritja e Ramadan Jahos, e përpunoi duke i mbushur dosjen. Në raportin e seksionit të sigurimit drejtuar drejtorisë së sigurimit theksohet: “Nga përpunimi që i është bërë ka aktivitet armiqësor të theksuar. Njeri që duke qenë i lirë nuk mund të rehabilitohet. Flet me urrejtje të madhe kundër pushtetit, pret me çdo kusht përmbysjen e pushtetit”.

Ramadan Jahua u arrestua me akuzën për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

…E dënuan me 10 vjet burg.

Pëkundër akuzave false të sigurimit, Ramadan Jaho kishte qenë në radhët e xhandarmërisë, por kishte liruar më shumë se njëzet partizanë të kapur robër, që do të ekzekutuoheshin nga gjermanët dhe ishte larguar bashkë me ta.

Josif Topoviti

…Në raportin vjetor për vitin 1958, sigurimi i raportonte drejtorisë përkatëse se Josif Topoviti, “përveç komenteve politike që bën, fletë kundër kolektivizimit të bujqësisë dhe nxit njerëz për të dalë nga kooperativa…”.

Josif Topoviti u arrestua më 28 prill 1959 dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Abaz Zaimi (Sevrani)

Në fillim të vitit 1958 ishte marrë në përpunim nga sigurimi. Në planin e punës për muajin gusht të atij viti, në drejtim të tij sigurimi aktivizoi bashkëpunëtorët “Floriri” dhe “Çajupi”. Në shkurt 1959. Ai u vu në përpunim aktiv si ish-rrethkomandant xhandarmërie dhe u cilësua kulak. Sipas raporteve të sigurimit, Abazi ishte “person me influencë nga e kaluara”.

Në fakt, agjentura në drejtim të Abaz Sevranit dhe Ramadan Jahos ishte mjaft e kujdesshme pasi, si ish-zyrtarë të xhandarmërisë, ishte vështirë të përpunoheshin nga spiunë të rëndomtë. Abaz Sevrani u arrestua më 23 mars 1962.

Përkundër akuzave të sigurimit, Abaz Sevrani, në cilësinë e zëvendëskomandantit të xhandarmërisë së Fierit, e kishte ndihmuar edhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Kështu, në mbledhjen që drejtoi Mehmet Shehu më 12 shtator 1942, në komunën e Fratarit në Mallakastër, për intensifikimin e luftës kundër pushtuesve, mori pjesë edhe komandanti i xhandarmërisë së zonës, Abaz Sevrani. Abaz Sevrani ra dakord me ato që tha Mehmet Shehu dhe më vonë mori pjesë në luftë.

Më 26 shtator 1943, përpara gjykatës së Fierit u dërguan 21 të arrestuar politikë. Me ndërhyrjen e Abaz Sevranit, në cilësinë e zv/rrethkomandantit të xhandarmërisë së Fierit, ata u liruan. Ai i shkruante gjykatës se: “…për të përmendurit janë banun hetime të imëta, por deri sot fakte nuk kemi që të vërtetojnë fajin e tyre…” dhe kërkonte “…lirimin e tyre prej burgut”.

Kontributin e tij si patriot e njihte edhe regjimi i ri. Në zgjedhjet e vitit 1948 për pushtetin vendor, komiteti i partisë së rrethit Përmet i dërgonte qeverisë listën me emrat e kandidatëve për anëtarë të këshillit të rrethit. Ndër 50 kandidatë, 44 ishin komunistë, 1 kandidat për komunist dhe 5 antifashistë. Midis antifashistëve listohej edhe emri I Abaz Sevranit.

Apostol Tatazi

Një tjetër burrë me autoritet, i vënë në kontroll nga sigurimi, ishte Apostol Tatazi nga Qilarishti.

Që informacionet e bashkëpunëtorëve të sigurimit ishin shpifje, del nga krahasimi i të dhënave që jepnin bashkëpunëtorët e tjerë ndaj personave që kishin në përpunim, të cilët, Apostol Tatazi nuk i njihte. Të njëjtat shprehje dilnin sikur i kishin thënë persona të ndryshëm.

Pas vitesh të tëra përpunim agjenturial (mbi 8), më 21 korrik 1971, Apostol Tatazi u arrestua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Bëri vite të tëra në burgje. Pas lirimit nga burgu, e vunë përsëri në kontroll agjenturial-operativ dhe e demaskuan para banorëve të fshatit.

E vërteta ishte se Apostol Tatazi kishte qenë partizan në Brigadën VI, por si shumë partizanë të tjerë edhe ai u burgos. Ishte mosmirënjohja e “shokëve” të tyre që sundonin vendin.

Avdurrahman Emin Hila

I lindur në 1919, në fshatin Surropull të Përmetit, kishte kryer Akademinë ushtarake në Itali, ndërsa pas vitit 1944 punonte si mësues. U arrestua me një grup me 13 të tjerë, kryesisht të rinj, midsi të cilëve edhe 3 vajza të reja, të gjithë nga rrethi i Sarandës. Hetuesinë dhe gjyqin ua bënë në kalanë e Gjirokastrës.

Sipas skenarit të sigurimit, ata “vepronin” në katër nëngrupe, ku në njërin prej tyre kishin vënë si kryetar Avdurrahman Emin Hilën. I akuzuan se: “…që në muajt e parë të vjetit 1948 kanë filluar veprimtarinë e tyre armiqësore antipushtet duke formuar një grup të organizuar në mënyrë që një pjesë të hidhej në arrati jashtë shtetit dhe pjesa tjetër të qëndronte këtu për shtimin e radhëve me elementë të tjerë të prekur dhe të pakënaqur si vete tyre dhe si përfundim të vinin në rrezik organizimin shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Ishte hera e parë që në dënimet në grupe nuk u dha dënimi me vdekje.

 

Jehona e arrestimit të tyre kishte vajtur deri në OKB dhe presioni i saj dha efekte mbi regjimin.

Njëri ndër të rinjtë e atij grupi, 20 vjeçari Sorkadh Hasim Çika, vite më pas do të kujtonte se Avdurrahman Emin Hila ka qenë një nga heronjtë e grupit. Mbi të u ushtruan tortura çnjerëzore. E dënuan 15 vjet burg, ndërsa intelektualin e ri, Sorkadh Hasim Çika, me 13 vjet burg.

Petro Roko

Ishte nga Sheperi i Zagories dhe punonte farmacist në Këlcyrë. U dënua më 1956, për agjitacion e propagandë. Pas lirimit, u largua nga Përmeti për në Skrapar, ku u punësua si farmacist, por edhe aty sigurimi e ndoqi dhe e arrestuan, për ta ridënuar përsëri më 9 prill 1978, me 25 vjet burg. U dënua me dëshmitarë të rremë, me akuzën për tradhti ndaj atdheut, të cilën nuk e pranoi.

Në fakt, arsyeja e vërtetë del nga pjesa arsyetuese e vendimit të gjykatës së lartë, ku midis të tjerash theksohet: “…Ai ka propaganduar jetën e mirë dhe të lirë që gjoja bëhet në vendet kapitalisto-revizioniste. Është shprehur se bëjnë mirë ata që arratisen jashtë shtetit, sepse sipas tij, shpëtojnë nga kjo qeveri. Ai është shprehur me urrejtje të thellë ndaj udhëheqësit kryesor të Partisë P.SH., ka shprehur keqardhjen për zbulimin e komplotistëve B.Balluku, A.Këllezi, etj. 200 komunistët që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare, ai i ka krahasuar me 200 komitë etj.”

Marrë nga "Skenarë të Përgjakur (Përmeti, 1943-1990)", i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here