Në burg, me kryepeshkopin e parë të Shqipërisë

0
160
blank

Kryepeshkopi i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Visarion Xhuvani, u shua më 15 dhjetor 1965, pasi kishte mbushur 75 vjeç. Nga këto, 15 vite i kaloi në burgjet e komunizmit dhe tre vitet e fundit, pas daljes nga burgu, në izolim të plotë. Kujto.al sjell në këtë mesdhjetor kujtimet e bashkëvuajtësit Agim Musta për Visarion Xhuvanin, njeriun që me pamjen e veçantë, rasën e zezë dhe mjekrën e bardhë, por sidomos me urtësinë dhe shpresën që përcillte, la mbresa te të gjithë të burgosurit

Nga Agim Musta

Nuk kisha veçse dy javë që ndodhesha në burgun Burrelit kur në mbremje, i shoqëruar nga gardiani për në WC, dallova në sfondin e korridorit një njeri me raso të zezë fytyrë dhe flokë të bardhë si dëbora, një Abat Farie të gjallë, që ecte i kërrusur nga pesha e viteve dhe e vuajtjeve. A vallë ishte nje halucinacion, apo hija e Abatit Farie e ikur nga Kështjella e jIfës dhe ardhur në burgun-ferr të Burrelit, ku për çdo çast të vinin në mendje vargjet e të madhit Dante: Humbni çdo shpresë ju që hyni... Ishte rreptësisht e ndaluar ta pyesje gardianin, por shiko dhe kalo!

Në adoleshencën time, kur kisha lexuar "Konti i Monte Kristos", Abati Farie më ishte ngulitur në tru dhe shpesh e shikoja në ëndërr. Kurse tani, ajo që shikoja në korridoret e errëta të burgut, s'ishte më ëndërr. Ishte një realitet. Mbas një muaji, kur më nxorën nga qelia dhe gardiani me shoqëronte për në kushin nr. 9, te dera e kaushit nr. 2 pashë Abatin të gjallë, që ngjasonte si dy pika uji me Farienë, por më i pashëm, më burrëror dhe më fisnik se Abati francez. Dhe ai më pa dhe diçka pëshpëriti, kur gardiani ktheu krahët, bëri një kryq në drejtimin tim. Pyeta për të bashkëvuajtësit dhe më thanë se ishte Visarion Xhuvani, ish-kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që për 16 vjet vuante dënimin në këtë skëterrë të diktaturës enveriste. Më lindi dëshira të njihesha me Hirësinë e tij. Profesor Foto Bala më dha fjalën se do ma plotësonte dëshirën. Mbas disa ditësh, kur po dilnim në oborr, u futëm fshehurazi në kaushin nr. 7, së bashku me Foton. Visarioni kishte ditë që s'dilte në pajtos. Ishte i pamundur dhe qëndronte në kaush duke u lutur në heshtje. Te gjithë bashkëvuajtësit e respektonin dhe e ndihmonin me sa mundnin këtë apostol të krishtërimit, që regjimi i tiranit komunist e kishte dënuar pa asnjë faj.

"Mos u merzit, or bir!- më tha Visarioni. -Ditë më të mira do të vijnë patjetër. Zoti s'ka për të duruar gjatë. Ti je i ri dhe do t'i shohësh, kurse unë...",- dhe ngriti duart lart, drejt qiellit. Në pamjen e tij kishte diçka hyjnore, që të impononte heshtje dhe respekt. Ky qe takim i parë dhe i fundit me Dhespotin e nderuar. Mbas një muaji, më 26 nëntor 1962, Visarioni u lirua me dekret të posaçëm të Presidiumit.

Përse vallë diktatori e liroi para plotësimit të denimit peshkopin?

Për të lehtësuar ndërgjegjen e rënduar nga pesha e krimeve, apo...? Enigmë! Kur doli nga burgu, la çdo gjë. Mori me vete vetëm rason e zezë, duke lënë një imazh të pashlyeshëm midis bashkëvuajtësve. Nuk harroi për asnjë çast shokët e burgut dhe u dërgonte letra nga Manastiri i Shën Gjonit në Elbasan, ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij, si eremit i vërtetë.

Profesor Bala, me të cilin kryepeshkopi kishte letërkëmbim, më tregoi se Visarioni kishte lindur në Elbasan në lagjen "Kala", më 1890, në një familje patriote, që s'kishte të bënte aspak me familjen e Aleksandër Xhuvanit. Në shkollën fillore kishte pasur fatin të kishte mësues patriotin, gjuhëtarin e madh, kushëririn e tij, Kristoforidhin. Shkollën e mesme dhe të lartën e kreu në Athinë, në Fakultetin e Teologjisë me nota optimale. Shërbeu si klerik në Sofie dhe në Cetinë. Më 1919, si peshkop i Kishës Ortodokse dha meshën e parë në gjuhën shqipe në Elbasanin e tij të dashur. Ajo ditë u shndërrua në një manifestim të fuqishëm popullor dhe pati jehonë në mbarë Shqipërinë.

Emri i Visarion Xhuvanit u bë simbol për themelimin e Kishës Autoqefale. Zgjidhet senator në Kongresin e Lushnjës, më 1920 dhe më 1922. Së bashku me Fan Nolin, organizon Kongresin për Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, duke goditur rëndë synimet e mbrapshta të Patriarkanës së Stambollit. Me përpjekjet e tij titanike i imponohet Patriarkanës dhe kjo e fundit, mbas shumë hezitimesh, e njeh si Peshkop të Shqipërisë më 1923. U zgjodh deputet në periudhën 1920-1924 dhe me fjalën e tij u bë një mbrojtës i flaktë i demokracisë. Më 1929 u zgjodh Kryepeshkop i Shqipërisë dhe luftoi me mish e me shpirt për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare.
Diktatura komuniste e gjeti Visarionin peshkop të Vlorës. Atë e vunë nën një survejim të rreptë gjersa e arrestuan më 1946. Xhelatët e kuq nuk u ndalen aspak para këtij atdhetari dhe kleriku të shquar. E torturuan fizikisht dhe shpirtërisht në mënyrën më barbare. Ata u munduan më kot që ai të pohonte "krimet" e tij dhe, kur panë se çdo lloj torture e përdorur kundër tij nuk e përkuli ketë stoik të krishtërimit, e dënuan me burgim të përjetshëm pa asnjë argument këtë atdhetar, demokrat dhe klerik të shquar.

Gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit ai u bë Atë shpirtëror i bashkëvuajtësve, duke i ngjallur besim se diktatura do të përmbysej, liria do të vinte dhe demokracia do të fitonte.

Vdiq në Manastirin e Shën Gjonit, afër Elbasanit, në moshën 76-vjeçare, i vetmuar dhe në mjerim të plotë.

Marrë nga libri "Mandelët e Shqipërisë" i autorit Agim Musta.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here