"Mehmet Tahirin e lyen me mjaltë, e lidhën në shtyllë dhe e lanë 7 ditë,  derisa vdiq nën pickimin e bletëve"

0
2524

Kujtimet e Kajtaz Çelos: Masakrat në burgun e Gjirokastrës, ku ishin burgosur gjithë krerët e Ballit. Luto Pjeron, i cili tentoi të ikte nga burgu, e plagosën dhe e lanë në oborr të burgut tre ditë deri sa vdiq...

Në librin e tij "Kalvari i jetës", Kajtaz Çelo, i burgosur politik në Burgun e Gjirokastrës dhe më pas në atë të Burrelit, dëshmon se Burgu i Gjirokastrës ishte menduar si një vend ku do të izoloheshin dhe eleminoheshin njëri pas tjetrit pjesa dërrmuese e drejtuesve të Ballit Kombëtar. Në kujtimet e tij në këtë libër, botim i vitit 2012 në faqen 86 dhe 93 ai shkruan:

Ishte data 12 maj 1945 dhe atje në burg gjeta (të dënuarit) Ismail Hakiu, Malo Baçi, Mit’hat Hadëri, Haki Tahiri, Avdul Haxhiu, Abdulla Rami, Haqif Miraçi, Ahmet Braho, Mehmet Tahiri (i cili vdiq në hetuesi nga torturat e tmerrshme; duke e lyer me mjaltë dhe duke e lidhur tek një shtyllë, ku e hanin bletët. E lanë shtatë ditë kështu deri sa vdiq), Luto Pjero, i cili tentoi të ikte nga burgu, e plagosën dhe e lanë në oborr të burgut tre ditë deri sa vdiq. Në burgun e Gjirokastrës ishin të gjithë krerët e Ballit. Kushtet dhe torturat ishin aq të tmerrshme sa nuk mund të shkruhen dhe të mendohen nga njeriu. Injoranca po shpërfillte ajkën e Kombit, e cila nuk kishte kryer asnjë krim përveç se ishin në ide të kundërt me partinë.  Në muajin korrik 1945 del në gjyq Ismail Haki Tatzati, ish Ministri i Luftës në disa qeveri me Ismail Qemalin, Komandant i përgjithshëm i ushtrisë, në qeverinë e Lushnjës, të Xhafer Ypit,  të Nolit dhe në qeverinë e Zogut. E dënojnë me vdekje me pushkatim në moshën 81 vjeçare (…). Në Burgun e Gjirokastrës në kala qëndrova dy vjet, ku kemi provuar të gjitha torturat çnjerëzore, që edhe kafshëve nuk u bëheshin. Na mbanin të lidhur dhe na i vendosnin bukën e misrit në dritaren e frëngjive ku e hanim me duar lidhur, si edhe veprime të tjera shtazarake. Gjatë kohës që ndodhesha në kalanë e Gjirokastrës ishin me mua edhe shumë bashkëfshatarë nga Rrëzoma, nga të cilët pothuajse çdo javë pushkatonin njërin prej tyre.

Burimi: Kajtaz Çelo, “Kalvari i jetës”, Sarandë, 2012, faqe 86 dhe 93.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here