Luan Qemal Burimi, lindur më 28.4.1937 në Psar të Kolonjës ishte i internuar në Libofshë të Fierit, kur nisi vuajtjen e gjatë, e cila do i merrte lirinë pa ndërprerje 22 vjet, 2 muaj, 4 ditë të jetës së tij në vitet 1968-1991. Iu privua liria kur ishte 31 vjeç dhe doli 54 vjeç nga burgu.
Dënimi i parë
U arrestua më 2.12.1968. U akuzua për agjtiacion e propagandë, përhapjen e sekretit shtetëror dhe largim pa leje nga internimi. Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.39, datë 2.6.1969 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie. Në shënimin e datës 23.5.1974 të komandës së Repartit nr.303 Spaç, thuhej se kishte mbajtur qëndrim të keq në kamp duke ofenduar rojet gjatë punës.
Dënimi i dytë, ridënim në revoltën e Spaçit
U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit) të Kodit Penal. U përfshi në revoltën e Spaçit të 21-23 majit 1973. Ai u dënua në grupin e parë të revoltës, prej të cilit u pushkatuan 4 veta: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefi. Bëhej fajtor për pjesëmarrje në “një organizatë kundër pushtetit popullor”, synimi i së cilës ishte “sabotimi i ekonomisë socialiste”.
U pyet në Spaç nga hetuesi Hamdi Meta. Pranonte pjesëmarjen në revoltë dhe zhvillim të agjitacionit, por jo akuzën e pjesëmarrjes në ndonjë organizatë me qëllim sabotimi të ekonomisë. Deklaronte se kishte thirrur: “Duam o vdekje o liri”, “Duam ministrin”, “Më mirë të vritemi se të na lini si skllevër”, “Në galeri nuk duam të punojmë, duam të punojmë në ndërtim”. Ndërsa ushtarëve u kish thirrur: “Mos qëlloni, jemi vëllezërit tuaj”. I ndërgjegjshëm për revotën e tij, pohonte: “Unë vetë jam ngjirur duke thirrur dhe bashkë me mua, kanë thirrur edhe të dënuar të tjerë”. I pyetur se cili nga të burgosurit kish thirrur “Rroftë Europa e lirë”, përgjigjej se vetë ai ishte një prej tyre, ndërsa për të tjerët nuk dinte gjë. Mohonte të ish krijuar në kamp ndonjë komitet krahinor.
Midis të tjerash i deklaronte hetuesit: “Sulë Manokut (kryetarit të Degës së Kampeve dhe Burgjeve-shënim) i kam thënë (se) po na trajtoni si kafshët, po na rrihni, po na nxirrni në punë edhe ditën e diel, jashtë ligjit. E përsëris edhe njëherë se kam bërtitur dhe thirrur vazhdimisht me të fortë, aq sa zëri më është ngjirur (çjerrje fyti), duke thirrur pa pushim: “Ja vdekje-ja liri”, “ja vdekje-ja liri”.
I pyetur nga hetuesi thoshte se revolta nuk kish organizator, por ishte një kundërshtim solidariteti ndaj sjelljes së keqe që iu bë Pal Zefit.
Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me veprim në Spaç, me vendimin nr.1, datë 23.4.1975, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Nga ky proces, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi u dënuan me vdekje pushkatim.
U lirua më 6.2.1991 nga Reparti nr.321 Burrel, duke qenë deri në fund i trajtuar si “armik i rrezikshëm” i regjimit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.