Marika Dhima, 19-vjeçarja e rritur jetime që u burgos nga komunistët, në vitin 1947

0
295

“Aktivitetin tim kundër pushtetit popullor, e kam nisur në gusht të vitit 1946. Arsyeja ka qenë pse unë nuk kam marrë triskën e rinisë dhe të frontit...”

Marika Dhima ishte një vajzë 19-vjeçare nga Korça, nxënëse në lice. Ishte jetime, pa mbështetje e pa asnjë përkrahje. I vetmi njeri i afërm që ajo kishte, ishte një xhaxha i saj që jetonte në SHBA. Në pranverën e vitit 1946, kur nisi klasifikimi i popullsisë në “armiq të popullit” dhe mbështetës të pushtetit popullor, një pjesë e të rinjve shqiptarë, ata që vinin nga familje patriotike me background antikomunist, nuk e morën të drejtën e marrjes së triskës së frontit dhe, në rastin kur ishin të rinj, as teserën e rinisë. Marika Dhima ishte një prej këtyre të rinjve që u përjashtua nga organizata, duke u klasifikuar automatikisht si “armike e popullit”.  E gjendur në këtë situatë, e kërcënuar nga regjimi, pa asnjë mbrojtje e pa asnjë shpresë, ajo nisi të shkruante letra në SHBA, drejtuar xhaxhait të saj, por edhe personaliteteve amerikane që kishin lidhje me Shqipërinë. Marika nisi kontaktet me misionin amerikan që vepronte ende në Shqipërinë e asaj kohe. Ajo u bë pjesë e të rinjve shqiptarë që nuk e pranuan diktaturën dhe nisën një farë aktiviteti kundër pushtetit komunist. Më poshtë, botohet një pjesë nga letra që ajo i drejtonte zyrtarëve amerikanë, për t'i shpjeguar se në Shqipëri po instalohej diktatura dhe se në popull kishe pakënaqësi.

Letra

"Jam një vajzë jetime pa asnjë njeri, pa prindër, pa përkrahje dhe pa ndonjë burim të ardhurash. Jam studente e vitit të tretë të liceut dhe jam një nxënëse e mirë, me shumë dëshira për të vazhduar studimet. Fatkeqësisht, rrethanat e sotme nuk më lejojnë të vazhdoj shkollën. Në këto kushte, pikësëpari, më duhet të mendoj se si të fitoj jetesën, pa u përkulur aspak e duke sakrifikuar. Studioj natën në një korridor të ftohtë pa zjarr, sepse më duhet të mësoj për të dhënë provimet e fundit. Këto janë kushtet në të cilat i ka lënë pushteti i sotëm studentët si mua, që nuk bëjnë pjesë në radhët e Partisë Komuniste...”, shkruante ndër të tjera Marika Dhima, në letrën e saj.

Në takim me një prej pjesëtarëve të misionit anglez, Marika ishte shprehur se nëpër dyqanet e qytetit e të fshatit, nuk kishte ushqime. Ajo kishte folur për problemet që kishte nisur të shihte në funksionimin e shtetit komunist, ku një pjesë e vogël e popullsisë, njerëzit kryesorë të pushtetit jetonin shumë mirë, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë ishte zhytur në varfëri. Marika kishte dhënë opinionin e saj se populli kishte shumë pakënaqësi me pushtetin e ri komunist. Një prej raportimeve të saj, ku gjen detaje mjaft interesante, është edhe vjedhja e mallrave që vinin si ndihma humanitare të UNRA-së për Shqipërinë. Marika kishte njoftuar pjesëtarët e misionit britanik se mallrat që vinin si ndihmë për popullsinë, shiteshin shumë shtrenjtë në tregun e zi. Një prej anëtarëve të misionit britanik, i quajtur “Grastone”, kishte marrë informatën për abuzimin e pushtetit me ndihmat e UNRA-s.

Një detaj me shumë rëndësi në dosjen e Marika Dhimës, është fakti se ajo ka pranuar bashkëpunimin e saj me misionin anglo-amerikan, por ka refuzuar kategorikisht të pranojë se të tjerë të rinj në Tiranë, kishin qenë bashkëpunëtorë të misionit angloamerikan. Marika nuk ka pranuar të tregojë asnjë prej miqve të saj të rinj, të angazhuar në aktivitetin e tyre antikomunist, në vitet e para të diktaturës.

Dëshmi

“Aktivitetin tim kundër pushtetit popullor, e kam nisur në gusht të vitit 1946. Arsyeja ka qenë pse unë nuk kam marrë triskën e rinisë dhe të frontit... Letrat që kam dërguar në Amerikë, i kam shkruar duke treguar mbi gjendjen time personale, vështirësitë e mia, por edhe për gjendjen e popullit shqiptar në përgjithësi... Është e vërtetë që kam bashkëpunuar me misionin amerikan, por nuk është e vërtetë që të kem bërë mbledhje me shoqe të tjera...” dëshmoi ndër të tjera Marika Dhima, para hetuesisë.

 Akuza

Marika Dhima ka folur e propaganduar kundër pushtetit popullor dhe gjendjes së krijuar në vendin tonë pas lufte.

Ka marrë iniciativën e shtyrë nga urrejtja për pushtetin e sotshëm dhe u ka shkruar letra disa njerëzve në Amerikë, ku ekspozon gjendjen në vendin tonë tepër kritike edhe regjimin tonë shtypës dhe terrorist.

Ka pasur kontakte me Anton Stivens, pjesëtar i misionit amerikan në Shqipëri, të cilit i ka dhënë ionformata për gjendjen në vendin tonë.

Pas largimit të Stivens, Marika Dhima ka mbajtur lidhje me përfaqësuesin e UNRA-s, i quajtur Kraston, të cilit i ka paraqitur situatë të keqe në vendin tonë."

Akuza është ngritur nga prokurori Faik Minarolli dhe prokurori ushtarak Petrit Hakani.

Dënimi

Pas një procesi të gjatë hetimor, Marika Dhima u dënua me katër vite heqje lirie dhe heqje e të drejtave elektorale. Bashkë me tri vajza të tjera nga qyteti i Korçës, ajo u dënua dhe vuajti dënimin në burgun e  Tiranës, për t'u kategorizuar një herë e përgjithmonë si “armike e popullit”.

Shënim: Materiali është marrë nga AIDSSH, në dosjen e Marika Dhimës, me numër 4894

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.