“Kundërshtarët e regjimit” apo “armiqtë e brendshëm”, kë urrente më shumë diktatori? Në burg njerëzit ishin të ndarë grupe-grupe: zogistë, komunistë, ballistë...krijonin grupe vetvetiu sipas origjinës dhe bindjeve politike
"Po nëse ka një të burgosur politik që ka vuajtur më shumë, ky ka qenë Fatos Lubonja. Unë di vetëm kaq: Fatosi ka bërë birucë me vite. Fillimisht e dënuan 7 vjet, pastaj ia bënë 17 vjet dhe them se nga ky dënim, minimumi 2 vjet e gjysmë, Fatosi i ka bërë pa shkëputje biruce”, rrëfen ish-i burgosuri politik Agim Akcani i cili ka vuajtur në burgun e Spaçit me Fatos Lubonjën dhe të tjerë. Akcani rrëfen sjelljen e regjimit me dy kategoritë që ishin në burg, kundërshtarët tradicional të regjimit komunist dhe ata që quheshin armiqtë e brendshëm, ish-zyrtarë të lartë të diktaturës që ishin shpallur armiq apo edhe familjarët e tyre. Akcani veçon Fatos Lubonjën si një ndër të burgosurit më rezistent në burgjet e diktaturës.
Komunistët kishin një parim: kundërshtarët e vjetër tashmë i dinin, i njihnin, i kanë pasur përherë kundër, por urrejtjen më të madhe e kishin me llojin e vet. Dhe po t’i zinin, u punonin qindin. Urrenin më shumë të vetët, se kundërshtarët tradicionalë.
Mund ta ilustroni me ndonjë rast?
Fatos Lubonja p.sh., vjen nga kjo klasë, pra ishte i krahut të tyre. Po nëse ka një të burgosur politik që ka vuajtur më shumë, ky ka qenë Fatos Lubonja. Unë di vetëm kaq: Fatosi ka bërë birucë me vite. Biruca ishte maksimumi një muaj. Ata e nxirrnin Fatosin në punë, ai nuk pranonte dhe ata e fusnin 30 ditë në birucë. E linin dy ditë jashë, dhe pastaj e nisnin prapë për në punë dhe ai s’pranonte dhe ata e fusnin prapë në birucë. E kam parë me sytë e mi se si e ngjitën në majë të galerisë, dhe një polic e kishte kapur prej njërës këmbë, polici tjetër prej këmbës tjetër dhe të dy e tërhiqnin zvarrë nga maja e malit. Qysh atëherë, unë kam filluar ta respektoj atë njeri. Më kujtohet se Fatosi kishte edhe një fatkeqësi tjetër: unë me gjithë mend isha në burg, por nuk kisha lënë familje pas, kurse ai kishte lënë një grua dhe dy fëmijë. Fillimisht e dënuan 7 vjet, pastaj ia bënë 17 vjet dhe them se nga ky dënim, minimumi 2 vjet e gjysmë, Fatosi i ka bërë pa shkëputje biruce, derisa në fund fare u bë problem. E di me detaje se si ka ardhur një kryetar Dege i Rrëshenit që quhej Bajram Pela dhe i ka thënë: “Fatos do të dalësh në punë; rrugë tjetër nuk ke se bëhet problem për të tjerët!” Atëherë Fatosi i tha: “Nuk më ka mbetur gjë tjetër veçse të hidhem në tela.” Vetëm atëherë e lanë rehat Fatosin.
Palltoja e Abdyl Këllezit
Përmes ndodhive të pazakonta në burgjet e diktaturës, Agim Akcani tregon ditën kur u pushkatua Abdyl Këllezi, që gjithashtu ishte pjesë e grupit të armiqve të brendshëm. Palltoja luksoze e Abdylit do të ishte një strehë e mirë për secilin të burgosur, por Agimi ishte urdhëruar nga polici ta merrte aty ku e kish lënë Abdyli para se të shkonte drejt pushkatimit e ta çonte në magazinën e sendeve të njerëzve të vdekur.
Unë rrija në dhomën 13 dhe ajo në krahun tjetër ishte dhoma 24. Polici më tha: “Merre këtë pallton!”. Ishte një pallto ngjyrë kafe, shumë e mirë, luks për atë kohë. Unë e pyeta: “E kujt është kjo? Ku ta çoj?”. “Është e Dylit, pra”, - më tha. “Kujt Dyli, more”? “Dyl Këllezit, pra”. “Pse, ku është Dyli?” - e pyeta. “Iku pra, nuk e more vesh ti mbrëmë, me gjithë ata zinxhirë? Shkoi te të shumtët.” - më tha. Jo se kisha ndonjë admirim për Abdylin, por kur u ktheva në birucë, me vete thashë: “Po edhe Dylin e vranë këta?!”. Dhe në fund të fundit e ngushëllova veten se i veti ishte; le të bënin çfarë të donin me të.
Çfarë ndodhi me pallton e Abdyl Këllezit?
E çova dhe e hodha në një magazinë në fund të korridorit, te banjot, ku më tha polici. Dhe kaq.
Jua dha ta hidhni krahëve atë natë apo pse?
Jo. Kur po e çonin ta pushkatonin, Dylit nuk i duhej më palltoja dhe ia hoqën. Kurse mua ma dha polici që të mos e prekte vetë me dorë.
Pse?
Ngaqë ishte supersticioz.
Shënim: Pjesë nga intervista e Agim Akcanit është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” publikuar nga ISKK, intervistues Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.