Lutja e nënës dhe gruas për faljen e jetës së Vilson Blloshmit

0
213
blank

Periudha e ankthshme nga vendimi i gjykatës së shkallës së parë që e dënoi me pushkatim deri në mesnatën e ekzekutimit. Tri letra lutjesh që familja dhe Vilsoni i dërguan Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës dhe vendimi përfundimtar për pushkatimin e tij dhe Genc Lekës

 

Ky vit shënon 75-vjetorin e lindjes së poetit, Vilson Blloshmi dhe 46-vjetorin e pushkatimit të tij së bashku me poetin tjetër, Genc Leka.

Vilsoni u arrestua më 5 gusht të vitit 1976 dhe kaloi plot 10 muaj tortura fizike dhe psikologjike në hetuesi, deri sa doli në gjyq në 6 qershor të vitit 1977. Gjyqi zgjati 1 javë dhe më 13 qershor u mor vendimi për dënimin me pushkatim të tij dhe Genc Lekës.

Nga ajo ditë, ankthi i të dënuarve dhe familjeve të tyre do të bëhej edhe më i madh, në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe më pas, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që shqyrtonte kërkesat për falje.

Këtij presidiumi iu drejtuan tri lutje për Vilsonin, një lutje nga i ati, Sami Blloshmi, në emër të gjithë familjes; një lutje nga e ëma dhe bashkëshortja, ku përmendet edhe vajza e mitur e Vilsonit dhe një lutje nga Vilsoni.

Në librin e tij “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”, të botuar në vitin 2017, Bedri Blloshmi, vëllai i Vilsonit, ka publikuar për herë të parë këto tri lutje. Lutje të padëgjuara për faljen e një të pafajshmi.

Sami Blloshmi e ka dërguar lutjen e tij, katër ditë pas vendimit të Gjykatës së Rrethit të Librazhdit, më 17 qershor 1977 duke i kërkuar Presidiumit të Kuvendit Popullor “të ketë mëshirë dhe zemërgjerësi”, për t’i falur jetën Vilsonit.

Në këto kohë, pritej ende vendimi i Gjykatës së Lartë. Bedri Blloshmi ka botuar edhe pjesë të kërkesës së Vilsonit pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë.  “Si në hetuesi dhe në gjyq unë e kam mohuar akuzën. Nuk kam sabotuar dhe nuk kam agjituar për përmbysjen e pushtetit. Dënimi kapital mendoj se nuk duhet të zbatohet kundër meje se jam djalë i ri me çdo mundësi për t’u edukuar edhe nëse gjykata e shkallës së dytë do ta gjejë të provuar fajësinë time, le të më lerë për një kohë të gjatë të izoluar nga jeta e lirë, me mundësinë për të punuar dhe për t'i shërbyer më gjatë shoqërisë”, shkruhet në kërkesën e tij.

Më 2 korrik, Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Librazhdit pasi përshkruante në disa radhë prejardhen “e keqe” familjare të të dënuarve.

Në të njëjtën ditë, nëna e Vilsonit, me një djalë të dënuar me pushkatim e me tjetrin me 25 vjet burg dhe bashkëshortja e tij i drejtojnë një lutje Presidiumit të Kuvendit Popullor, edhe në emër të vajzës 10-muajshe të Vilsonit, të cilën ai nuk e pa të lindte.

blank

“Mëshirë, mëshirë dhe gjithmonë mëshirë. Mos bëni faqet e një nëne të lotojnë për djalin, të një foshnje të mbetet pa baba. Partia zemërmadhe le ta hapë edhe një herë zemrën duke ia falur jetën atij”.

Mundoheshin të zbusnin me fjalë të mira bishën që shtrëngonte në kthetra Vilsonin.

Edhe vetë Vilsoni i drejton një lutje Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke premtuar, si i ati dhe e ëma më parë, që do e vinte jetën e falur në shërbim të shoqërisë, përmes punës. Poeti, që regjimi ia kishte bërë jetën të zymtë, të varfër dhe pa shpresë, dëshiron të jetojë. Është vetëm 29 vjeç. Sapo është bërë baba. Ndoshta, kur të mbajë në krahë vajzën e tij, jeta nuk do të jetë aq e zymtë dhe pa shpresë.

“Unë jam ende fare i ri në moshë. Kam mbushur të 29 vjetët dhe kështu i kam të gjitha mundësitë t’I përvishem punës, po të më falet jeta, atje ku ajo të jetë më e rënda dhe më e dobishmja për shoqërinë”,  shkruan Vilsoni. Në dokumentin e publikuar nga Bedri Blloshmi nuk shihet datë, por letra i përket periudhës pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Presidiumi mblidhet më datë 16 korrik. Ai vendos të zbatohet vendimi i pushkatimit karshi Vilsonit dhe Gencit.

Në mesnatë, Vilsonin dhe Gencin, i marrin nga qelitë ku i mbanin të izoluar prej 13 qershorit, nën kërcënimin e pushkatimit të afërt dhe i ekzekutojnë.

Asnjë provë krimi nuk kishin për ta. Vetëm disa poezi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here