“Leka në një anë e unë në anën tjetër të telave me gjemba”

0
174
blank

Shumë prej vuajtjeve e mundimeve të të burgosurve politikë janë tashmë të njohura e të bëra publike përmes rrëfimeve në media, por sakrificat e nënave, bashkëshorteve dhe familjarëve të tyre janë një vuajtje e patreguar.

Lekë Frroku ishte një prej të dënuarve të burgut të Qafë-Barit në vitin 1984. Sapo kishte ndodhur revolta dhe familjarët e tij kishin marrë vesh se diçka e keqe kishte ndodhur në burgun e Qafë-Barit ku ishin vrarë disa njerëz e plagosur shumë të tjerë. Bashkëshortja e Lekës do të nisej e shqetësuar drejt Qafë-Barit në përpjekje për të marrë vesh fatin e blankbashkëshortit të saj. Udhëtimi ishte gjithnjë shumë i mundimshëm sepse asnjë makinë e rastit që mund të gjendej nuk i pranonte familjarët e të burgosurve në makinë. I duhej të gënjente se po shkonte te daja apo tezja me qëllim që ta pranonin në makinë. Por shoferët që udhëtonin me Skoda në ato anë e dinin mirë se ajo grua, me çanta ushqimesh në shpinë, nisej drejt burgut. Bashkëshortja e Lekës eci në këmbë mbi dhjetë orë për të mbërritur te burgu ku do të përballej me ashpërsinë e jashtëzakonshme të regjimit. Ishte më i ashpër reagimi edhe për shkak të revoltës. Ajo rrëfen takimin e asaj dite në maj të vitit 1984, por edhe të tjera udhëtime të mundimshme drejt burgjeve të diktaturës. Vuajtjet e mundimet e të burgosurve politikë janë tashmë të njohura e të bëra publike përmes rrëfimeve në media, por sakrificat e bashkëshorteve, nënave dhe familjarëve të tyre janë një vuajtje e patreguar.

***

blank“Unë kisha qenë në takim me Lekën, një javë para se të ndodhte revolta e Qafë-Barit. Kur ndodhi revolta, dikush më tregoi, por unë nuk kisha mundësi të shkoja e ta takoja, sepse edhe po të kisha mundësi, nuk lejohej takim më shpesh se njëherë në pesëmbëdhjetë ditë, dhe midis takimeve, zakonisht komunikonim me telegrame me njërin- tjetrin. Por, sidoqoftë, isha në merak dhe mora një vëlla me vete, dhe u nisa për në Qafë-Bari për të marrë vesh se çfarë u bë me të. Shkova dhe takimi nuk m’u lejua. Mbeta aty: Leka në njërën anë të telave, unë në tjetrën. Policin nuk guxoja ta pyesja, se mos i bënin gjë Lekës. Pastaj dikur, nuk munda pa i thënë policit se kisha ardhur për këtë punë: se kisha dëgjuar për revoltën e Qafë-Barit dhe doja të dija a është gjallë im shoq. Dhe polici më tha: “Moj motër, mos u bëj merak, se Leka ka shpëtuar.” 

blankPo të tjerat, halle me bollëk si të gjithë shqiptarët. Sot kanë të gjitha makina, por në atë kohë, duhej të gjeje ndonjë makinë të rastit në rrugë për të shkuar në burg dhe po t’i tregoje shoferit se po shkoje në burg, në Spaç a Qafë-Bari, nuk të merrte asnjë në makinë. Të linte në vend. Duhej t’i gënjeje se po shkoje o te daja, e te tezja, o diku ku të më vinte ndërmend. 

Kurse njëherë tjetër, kur shkova për takim në burg, bëra gati ushqimet për t’i futur. Te porta, ndodhej dhoma e takimit, ku regjistrohej emri, kontrolloheshin ushqimet e gjithçka që çonim. Unë i kisha sjellë edhe një triko golf të punuar me shtiza për ta mbajtur ngrohtë, por golfet nuk lejoheshin; lejoheshin vetëm me jakë ‘V’. Dhe polici më tha: “Jo, kjo nuk lejohet!” Atëherë e lashë golfin mënjanë. “A e di ç’ke? Pse ke ardhur për ta takuar? A po ndahesh prej tij?” - më tha polici krejt papritur. “Unë nuk kam ardhur me të marrë mendjen ty të ndahem prej Lekës apo jo. Unë po të lutem, të ma marrësh këtë golf që kam sjellë” – ia ktheva.

 

blank

Shënim: Pjesë nga intervista e Lekë Frrokut dhe bashkëshortes së tij janë marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” publikuar nga ISKK, intervistues Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here