Kur 17-vjetorin ta festojnë shokët e burgut

0
1505
blank

Kujtimi i një dite të veçantë, jo sepse po mbushte 17 vjeç në burg, por sepse shokët e tij, nga mosha gjyshërit e tij, që nuk kishin çfarë t'i jepnin veç zemrës, i festuan ditëlindjen me një tenxhere fasule dhe dy fije pastërma me numër

Kanë kaluar 50 vjet. Shumë ditëlindje Shkëlqim Abazi as nuk i mban mend si i ka kaluar, por 17-vjetorin nuk mund ta harrojë kurrë. Atë ditë në të vërtetë, e kishte harruar që ishte dita e tij e lindjes. Ishte thjesht një ditë tjetër e ftohtë në kampin e Repsit ku e kishin çuar fiks një muaj më parë, pas dy muajsh hetuesi. Ishte dënuar me 5 vjet burg sepse Partia mendonte që ai donte të arratisej, kur atij as nuk i kishte shkuar në mend. Në të vërtetë, "ia prenë kostumin" për 10 vjet, siç e kishte kërcënuar hetuesi, por ngaqë ishte shumë i madh për një 16-vjeçar, ia lanë 5. Pesë vjet ishin megjithatë shumë për një djalë aq të ri, i cili duhet të përballonte punën e rëndë të minierës dhe dhunën e policëve, të cilët e kishin pritur me shkopinj gome që mbrëmjen e parë që kishte mbërritur në kamp. Po atë mbrëmje, kishte kuptuar edhe dallimin e madh mes policëve dhe të burgosurve, njëri prej të cilëve i ngriti teshat dhe e drejtoi, pa shumë fjalë, për te shtrati i tij në kapanon. Kishte nisur të miqësohej me të burgosurit, edhe pse ata nga mosha ishin thuajse gjyshërit e tij. Disa ishin nga Berati, kishin qenë miq të gjyshit ose të të atit, atij "ballistit të tmerrshëm", siç e kishin quajtur hetuesit dhe kjo e kishte përshpejtuar miqësinë. Dhe atë 23 dhjetor, kur, pasi u kthye nga puna, i thanëtë merrte lugën në brez se i kishte ftuar xha Dauti, mendoi se ishte një shprehje tjetër e kësaj miqësie. Mes të dënuarve ishte bërë zakon që kur dikujt i vinte dikush nga familja, ai mblidhte miqtë e tij për të ngrënë një vakt ndryshe. Shkëlqimi u ndje madje i privilegjuar. "Ishte vlerësim shumë i madh ky, të të ftonte njëri për një vakt bukë. Një vakt bukë atje, ishte një ditë jetë se ne kurrë nuk e mbushëm barkun", ka treguar ai në një intervistë të disponuar nga familja Doko dhe kujto.al. I kujtohet që kur pa tenxheren me fasule dhe fijet e pastërmasë, vetëm turpi e ndaloi të mos u hynte me kokë ushqimeve, por nuk mund të niste ai i pari. "Kur u mata të pyesja si i kishe nga familja, plaku e kuptoi dhe më tha: Gëzuar o çun dhe në dasmë! Zoti ta bëftë të lehtë! Dalç sa më parë dhe të vesh edhe 100 të tjera!". Shoku me të cilin u arrestua, Vladimir Shena, e kishte mbajtur mend nga procesi, ditëlindjen e Shkëlqimit dhe ua kishte thënë edhe të tjerëve, të cilët menduan si e si të bënin diçka të bukur për ndoshta më të riun e kampit dhe vërtet ia dolën t'i mbushnin zemrën me një ngrohtësi që nuk e ndiente prej kohësh dhe nuk e ka harruar as sot. "A mund të mendosh të festohet ditëlindja në burg? Ja, mua ma festuan! Ai 17-vjetor i festuar nga njerëz që nuk kishin çfarë të më jepnin tjetër, veç zemrës, është shumë shumë i veçantë. Dhe atë menu me një tenxhere fasule dhe dy fije pastërma, me numër, nuk e krahasoj as me menutë e restoranteve të botës ku kam qenë pas viteve '90, aq mbresa më ka lënë".

Ishte një dhuratë e papritur, shfaqje dashurie, përkujdesje, fjalë të ngrohta në një vend ku të gjitha këto mungonin. Kur kishte mbërritur në Reps, pas një rruge të gjatë me autoburg, oficerët që i kishin shoqëruar ishin larguar duke u thënë: "Këtu i lënçit eshtrat! Mos e nxirrshit ma kryn prej burgut!". Nuk e besonte që ia kishin thënë me të vërtetë këto fjalë, ata që mbanin rrobën e së drejtës dhe rregullit dhe nuk kishte si të mos mbetej i mrekulluar nga ai urim i ngrohtë, aq njerëzor, i atyre që mbanin rrobën e kriminelëve. "Gëzuar o çun dhe në dasmë! Zoti ta bëftë të lehtë! Dalç sa më parë dhe të vesh edhe 100 të tjera!".

Ishte një ndodhi që nuk tregon se brenda televa me gjemba kishte jetë, por njerëz. Për këtë arsye Shkëlqimi thotë që i ka falënderuar një milion herë ata burra dhe vazhdon t'i falënderojë dhe sot shpirtrat e tyre. U burgos në një moshë kur ende kishte për të mësuar të mirën dhe të keqen. Prej tyre, mundi të bëhej njeri më i mirë.

blank

Shkëlqim Abazi u lirua nga burgu në vitin 1973, pasi vuajti edhe tre vite në Spaç dhe ende sot, një sy dhe një vesh i ka të dëmtuar nga torturat e hetuesisë.

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.