Kosta Topencarov/ Çmimi i lartë i dashurisë në Shqipërinë komuniste

0
217
blank

Historia e djalit nga Ohri që kaloi kufirin ilegalisht me varkë për të marrë vajzën që dashuronte e cila ndodhej përtej liqenit, përballja me diktaturën e egër të Shqipërisë dhe sfida për t’u rikthyer në atdhe. Një histori e pazakontë, gati si një legjendë që, pas viteve ’90, u kthye në një film në Maqedoni me titullin “Përtej liqenit”. Historia vjen përmes rrëfimit të jashtëzakonshëm të Nestor Topencarov, biri i Kosta Topencarov dhe Marika Zllataref, i cili nuk ka reshtur së foluri dhe së shkruari mbi dramën familjare.

Një intervistë rreth dashurisë përballë së cilës ngrihet terrori komunist.

 

Nga: Najada Pendavinji

Z.Topencarov, më tregoni pak si janë njohur prindërit tuaj?

Jam Nestor Kosta Topencarov, jam lindur në qytetin e Korçës në një familje me dy prindër të mrekullueshëm të cilët ishin të kombësive të ndryshme. Historia e tyre nis në Manastir, në vitin 1947, kalon përmes Ohrit dhe kthehet në Shqipëri duke përshkuar qytetet e Tiranës dhe Korçës, për të mbërritur në ferrin komunist midis vetmisë dhe ndarjes, torturave dhe shpresës, mbijetesës dhe humbjes.

blank
Nestor Topencarov

Fati i prindërve të mi është një shembull i përsosur se si diktatura prish dhe shkatërron jetën e njerëzve. Babai im lindi në vitin 1913 në qytetin e Ohrit. Pasi mbaroi gjimnazin, ai u largua nga Ohri dhe studioi topografi në Beograd. Në vitet e para të pasluftës, ku shenjat ishin gjithandej të dukshme dhe kuadro kishte pak, vendi kishte nevojë për rindërtim dhe infrastrukturë dhe duke qenë se profesioni i tij ishte shumë i kërkuar, atë e dërgojnë me shërbim në Manastir, atje ku filloi dhe njohja e tij me nënën time që shumë shpejt do kthehej në dashuri.

blank
Kosta Topencarov
blank
Marika Topencarov (Zllataref)

 

Ndërkohë mamaja ime ka lindur në vitin 1923 në qytetin e Korçës por babai i saj dhe gjyshi im, Ivan (Jovan) Zllataref, ka qenë një nga figurat e rëndësishme të Komitetit Maqedonas gjatë luftës Ballkanike i cili ka lindur në qytetin e Ohrit në vitin 1884. Është nder për mua të përmend aktivitetin politik dhe kontributin e tij si atdhetar. Ai ka bashkëpunuar me kollosët e lirisë, me çetën e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos apo dhe me Themistokli Gërmenjin kur ai u vendos në qytetin e Korçës pasi ishte martuar me vajzën e një familjeje të vjetër korçare me mbiemër Shqau. Aktiviteti i tij patriotik është lartësuar nga historianë të kohës të shteteve të ndryshme, por që sigurisht që ky aktivitet do shoqërohej edhe me dënime si nga ana e mbretit Zog i cili e internoi me kërkesë të serbëve, në fillim, në Bari dhe pastaj, familjarisht, në qytetin e Vlorës duke vazhduar me periudhën kur Italia pushtoi Shqipërinë, kur gjyshin e arrestojnë me akuzën si pjesëmarrës në lëvizjen antifashiste dhe nuk mund të mungonte dhe dënimi dhe arrestimi i tij nga forcat partizane në 1944, të cilët e akuzojnë si fashist. Jemi në fundin e vitit 1947, fillimi i vitit 1948, në vitet kur Shqipëria socialiste mbylli kufijtë edhe me vendet e ish-Jugosllavisë e cila u përjashtua nga kampi socialist dhe në këtë atmosferë pasigurie dhe mbylljeje, lind dashuria e madhe mes prindërve të mi. Ashtu siç e përmenda më lart, ata u takuan rastësisht në Manastir në shtëpinë e një të afërmi të tyre ku pas simpatisë së parë që u transformua në një ndjenjë më të fortë i dhanë fjalën njëri-tjetrit për të qënë bashkë. Fjalë që do mbahej pavarësisht rrethanave dhe vështirësive.

blank
Marika dhe Kosta Topencarov, në vitet e para të martesës (si edhe fotoja kryesore)

Pra, babi juaj Kosta Topencarov zgjodhi të linte vendin e tij për dashurinë?

Është një ndjesi shumë e veçantë dhe nderim emocional të flas mbi historinë e dashurisë së prindërve të mi, pak e vështirë për ta përshkruar pasi ata të dy e kanë rrëfyer në mënyrë të magjishme historinë e tyre. Ishin të dy të rinj, të dashuruar me njëri-tjetrin, ëndërrimtarë, me një dëshirë të madhe për të qenë bashkë ku për tre vite me radhë ata kishin komunikuar vetëm nëpërmjet letërkëmbimit si pasojë e ndalimit dhe mbylljes së kufirit. E vetmja gjë që i ndante ata të dy ishte liqeni. Mamaja ndodhej në Shqipëri dhe përballej me presionin e vazhdueshëm të nënës së saj për të shkëputur këtë lidhje që dukej sikur nuk kishte vazhdimësi dhe babai, nga ana tjetër, në Maqedoni dhe e donte fort pavarësisht kohës së shkurtër që ishin takuar. Dashuria e asaj kohe nuk ka të njëjtat nuanca me dashurinë e sotme. Këtë e them pasi babait i mjaftoi vetëm një letër nga mamaja ku në fund të saj shkruante: “Nuk jam zog që të fluturoj e të vij tek ti”, dhe ai shkoi tek ajo.

Vendosi të kalonte ilegalisht kufirin nëpërmjet liqenit për të hyrë në Shqipëri për të marrë dashurinë e tij, Marikën, mamanë time. Sa hero duhet të jesh që të vish kur ishte më e keqja?! Nga kujtimet e tim eti, unë i kam të ngulitura në mendje, vështirësitë e kalimit të kufirit nëpër dallgët e rrëmbyera të liqenit, shqetësimi për familjen që kishte lënë pas dhe e panjohura e madhe që hapej para tij, por pavarësisht të gjithave, dëshirën dhe vullnetin e palëkundshëm për të shkuar tek ime më. Ishte muaji qershor i vitit 1950. Në breg të liqenit zotëronte një qetësi e plotë. Rojet që patrullonin liqenin atë mbrëmje kishin një darkë në një lokal afër bregut ku diçka festonin. Së bashku me shokun e tij mori një varkë dhe filluan të vozisin me ngadalë, për të mos bërë zhurmë, derisa të largoheshin nga bregu. Drejtimi më i shkurtër për të hyrë në Shqipëri ishte nga fshati Lin, meqënëse Pogradeci ishte shumë larg. Pasi kishin vozitur për gati një orë, në liqen filluan të ngrihen dallgët. Në fillim e pati të lehtë pasi që i vogël kishte mësuar të voziste dhe le te themi se barka ishte si një lodër për atë. Por duke vazhduar më tej vozitja filloi të bëhej e vështirë. Barka shkonte një metër përpara dhe dy mbrapa. Ishte rast i rrallë që në muajin qershor liqeni të kishte dallgë kaq të mëdha. Shoku që e shoqëronte u tremb dhe i propozoi të ktheheshin. Por babai as e çonte në mendje kthimin mbrapa dhe i tha se do ishte si një vetëvrasje për ata pasi mund t’i kapnin rojet jugosllave. Ky ishte një udhëtim që do zgjaste për orë të tëra deri në bregun tjetër, një aventurë e pazakontë e cila do e çonte te dashuria e tij. Vazhduan vozitjen që ishte bërë akoma dhe më e vështirë pasi rrezikonin edhe të mbyteshin nga uji i tepërt që kishte hyrë në barkë. Arritën të nxirrnin ujin me një enë që ndodhej rastësisht aty në varkë, por pas orë e orë vozitjeje, vuri re se rremat mund të këputeshin dhe atëherë përdorën të gjitha mjetet që kishin për t’i lidhur, nga shamitë, kravatat e deri çorapet. Për fat të mire, kur filluan t’i afrohen bregut shqiptar, dallgët humbën forcën e tyre. Në Lin, kanë arritur pas 6 orësh vozitjeje. Ky ishte vërtet një gjest kalorsiak të cilin do e paguante shtrenjtë…

Çfarë ndodhi me babain tuaj kur mbërriti në Shqipëri? A e kishte çuar ndonjëherë në mendje se çfarë do të gjente matanë kufirit përveç të dashurës së tij, nënës tuaj, që e priste?

Babai im kur e ka marrë vendimin për të kaluar kufirin, e vetmja gjë që mendonte ishte të shkonte në Shqipëri, të merrte nënën time së cilës i kishte qëndruar besnik dhe të kthehej në Maqedoni, në vendlindjen e tij. Kjo e shtyu të vërë në rrezik kokën e tij dhe të vijë. Edhe pse nuk e besonte se Shqipëria do të mbyllej kaq plotësisht. Por kur mbërriti atje u ndesh fillimisht me disa fëmijë dhe peshkatarë të cilët me siguri pyesnin veten sesi vinte ai në atë kohë të mbrapshtë me të cilët as nuk mundi të komunikonte dot pasi as ai, dhe as shoku i tij Kiril nuk dinin shqip. Më pas vjen polici i zonës i cili i ftoi në zyrën e tij. Gjithashtu edhe me policin nuk mundën të bisedonin pasi edhe ai nuk dinte jugosllavisht derisa erdhi një përkthyes nga fshati të cilit ia shpjeguan situatën dhe pritën atje oficerin e Sigurimit i cili vinte nga Dega e Brendshme e Pogradecit. Për ta ishte e njohur ardhja e komunistëve jugosllavë në Shqipëri të cilët nuk e pranonin politikën e Titos, por rasti i babait i cili ishte tepër personal dhe familjar ishte një ndërmarrje shumë e rrezikshme. Megjithatë, pasi bënë verifikimet e duhura, babanë dhe shokun e tij i transferuan në Llakatund të Vlorës, ku mbaheshin të gjithë emigrantët politikë të arratisur nga Jugosllavia. Sigurisht që nga ana tjetër kur nëna mori vesh për ardhjen e babait lumturia e saj ishte e madhe, pasi nuk i besohej se ai kishte ndërmarrë një rrezik kaq të madh vetëm për të takuar atë. Kjo tregonte edhe njëherë sa shumë e donte dhe se dashuria e tij shkonte përtej kufijve. Tani do shkonte ajo tek ai në Vlorë për ta takuar, por duhet të kalonin 2 vjet e gjysmë derisa babai të merrte shtetësinë shqiptare që i jepte të drejtën të martohej. Në certifikatën e martesës që unë e kam gjetur me shumë vështirësi në Tiranë, ata janë martuar në qershor të ’53-it, kohë kur mamaja ime ka qenë shtatzanë me mua. Ata arritën të bashkoheshin dhe të jetonin të dy duke ndërtuar familjen e tyre të vogël me ardhjen time në jetë. Fillimisht në janar të vitit 1953, në Tiranë ku babai filloi punë në Ministrinë e Bujqësisë dhe më pas në atë të Ndërtimit. Dhe më vonë janë shpërngulur në Korçë. Këto ishin çaste lumturie në një botë që po fillonte të shpalosej para tyre në formën e ndalimit, dyshimit dhe mizorisë. Unë e përmenda pak më sipër që plani i babait ishte që ai të vinte këtu, të martohej me nënën time dhe të largohej në Maqedoni, por që sigurisht ky plan nuk funksioni. Pasi babai shumë shpejt do ta gjente veten të izoluar brenda një kafazi nga ku ishte shumë e vështirë të dilte. Edhe pse në brendësinë time e them gjithmonë që “dhe mund të mos kishte erdhur babai, se mos mungonin vajzat andej”. Shumë të tjerë mbase nuk do ta kishin bërë, por kjo e bën të madhe historinë e dashurisë së tij. Atë dashuri që e kemi gjetur në libra dhe e kemi parë nëpër filma.

blank
Nestori, në moshë të vogël, bashkë me nënën, babain dhe motrën
blank
Familja Topencarov

Cili ishte momenti i arrestimit dhe dënimit të babait tuaj nga regjimi komunist? Një dënim ekstrem të cilin e vuajti vetëm për një kërkesë riatdhesimi?

Dëshira e vetme e babait, pasi ai u bashkua me nënën, ishte kthimi në atdhe, megjithëse nisi të ndërtonte një jetë normale dhe arriti të ushtronte profesionin e tij duke dhënë shumë vite të bukura për ndërtimin e Shqipërisë. Kishte dhënë kontributin e tij si topograf që nga Vermoshi në veri e deri në Lumin Pavllo, në bonifikimin e fushës së Mursisë, në jug të vendit. Edhe këtu në qytetin e Korçës janë disa vepra ku piketimet, shenjën e parë e ka vendosur babai. Duke filluar që nga “Pallati i Mapos”, “Bar Korça”, me “Shtëpinë e Oficerave”, me “Pallatin e Agimit”. Këto veprat industriale që kanë qenë: Uzina e Preçizionit, Uzina Mekanike, Trikotazhi, Filatura, në të gjitha babai ka qenë ai që ka bërë zbatimin me instrument. Për të mos thënë pastaj që ka vajtur edhe jashtë qytetit, brenda rrethit, nëpër rrugë si ajo e Lekasit, ose edhe të tjera që ka piketuar. Por pavarësisht kësaj, sado vite që kishin kaluar, ai e shikonte jetën në Maqedoni dhe mendonte sesi të arrinte të shkonte atje. Por sigurisht duke vepruar brenda rregullave, nëpërmjet kërkesës për riatdhesim. Kërkesa të cilat do të ishin të vazhdueshme derisa bëri tentativën e fundit në vitin 1972 duke iu drejtuar edhe njëherë Degës së Punëve të Brendshme me një letër në të cilën ndër të tjera shkruante: “Unë dhashë mjaft për këtë vend. Dua të kthehem në vendin tim të lindjes!”.

blank
Familja Topencarov, para goditjes nga regjimi komunist

Nga pala jugosllave kthimi i familjes sonë në Ohër, nuk kishte asnjë pengesë, e vetmja kërkesë ishte se më pare, Presidiumi i Kuvendit Popullor duhej të na i hiqte shtetësinë shqiptare e më pas veprimet e tjera për riatdhesim do t’i bënin ata. Po kjo nuk i shkonte mirë këtyre se gjithmonë e lidhnin: “do të ikësh nga Shqipëria, do të shkosh në një vend armik, që është armiku ynë, atëherë edhe ti bëhesh armiku ynë”. Do të ishte vërtet një mrekulli nëse do t’i shpëtonte aq lehtë pa asnjë pasojë kolerës komuniste e cila kishte filluar ta ndiqte që kur ai kishte shkelur në Shqipëri dhe tani, me këtë kërkesë, duke njohur mekanizmat e pamëshirshme të diktaturës, ata duket se e kishin vendosur fatin e tij. E gjithë ndjekja dhe survejimi i tij bëhej duke e menduar si agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav. Askush nuk mund ta besonte se një person do të shkonte në Shqipëri vetëm për shkak të dashurisë. Duheshin patjetër të gjendeshin prova dhe fakte që provonin motive të tjera të ardhjes së babait në Shqipëri dhe akuza të forta për ta arrestuar. Edhe pse dosja e tij është e mbushur me procesverbale të operatorëve të Sigurimit të cilët hamendësonin për misionin e tij si agjent jugosllav, ata fillimisht babain e arrestojnë për armëmbajtje pa lejë, pastaj e kaluan në agjitacion-propagandë dhe më pas, në dokumentat operative shkruhet: ndjekje për agjenturë.

Si e përjetuat momentin e arrestimit të babait? Çfarë ndodhi me familjen gjatë kësaj kohe?

Ishte 8 prill 1976, mbasdite vonë kur unë po bëja një shëtitje me miqtë e mi. Ishte një nga ato shëtitjet e zakonshme, por shumë të këndshme pranë bulevardit të Korçës, ku koha ishte e bukur dhe kishte plot njerëz. Ndjehesha shumë i lumtur. Gjatë shëtitjes, në një çast shoh motrën, Ivanën, e cila po vinte në drejtimin tim. Ishte prerë në fytyrë. Shkëputem nga shokët dhe më thotë se në shtëpi kishin ardhur dy makina Gaz të Degës së Punëve të Brendshme dhe 8-9 punonjës të Sigurimit që, pasi kishin bërë kontroll, kishin marrë babanë. Nuk u besoja veshëve. M’u duk sikur e gjithë bota më kishte rënë mbi kokë. Kur shkova në shtëpi, mbeta i tronditur nga pamja që pashë. Në një anë, ishte mamaja e cila ishte mbytur në lot dhe nga ana tjetër, shikoja vetëm shkatërrim dhe grumbull rrobash të hedhura andej-këndej, divanë të spostuar nga vendi, sirtarë të hapur…Kishin marrë çdo gjë, mes tyre edhe një album pullash, një katalog të cilin e kisha ruajtur me shumë fanatizëm. Ajo shtëpi që gjithmonë kishte qenë e rregullt dhe e pastër, ku çdo gjë ishte në vendin e saj, tani ishte shndërruar në një fushë betejë. Ajo mbrëmje pasqyronte trishtimin që do të më shoqëronte gjatë gjithë viteve të jetës sime. Gradualisht realiteti ynë i përditshëm pësoi një ndryshim. Kjo ishte një nga ato momentet që toka po dridhej poshtë këmbëve tona, por, pavarësisht kësaj, duhet të kontrollonim veten për të mirën e babait. Menjëherë, ditën e nesërme, unë kam shkuar në Degë. Nuk dija kujt t’i drejtohesha, kë të kërkoja! Po bëhesha 23 vjeç dhe nuk e kisha parë deri atëherë portën e Degës. Dija vetëm që kompleksi i Degës së Punëve të Brendshme, në Korçë, ishte i përbërë nga 3-4 pallacina të ndërtuara në kohën e Italisë. Kur shkoj atje, i shoqëruar nga oficeri i rojës, përballem me dy civilë të cilët kishin asistuar në kontrollin e shtëpisë. Njëri ishte shefi i hetuesisë, Reshat Leska dhe tjetri, hetuesi Irakli Koçollari që kishte firmosur procesverbalin për kontrollin. Shefi më shpjegoi se ata e kishin marrë babanë për akuzat që ishin bërë ndaj tij, por ne të rrinim të qetë se ata do të sqaronin çdo gjë. Të kishim besim te partia. Por unë të nesërmen, përsëri, shkova në Degë dhe në Ministrinë e Brendshme dhe i kërkova Irakliut sesi ishte e mundur që për disa armë antike, të mbahej babai ende nën arrest. Përgjigjja e tij ishte se “atë e dinin ata dhe unë do bëja mirë të kthehesha në fakultet” ! Arrestimi im po dukej si një lajm i largët, por jo për shumë kohë.

Si erdhi arrestimi dhe dënimi juaj nga regjimi komunist?

Isha në vitet më të bukura të rinisë, teksa studioja Zooteknikë në Institutin Bujqësor në Tiranë. Jeta e studentit më pëlqente: mes vrulleve dhe pasioneve të moshës, i zhytur në botën e librave dhe dashurisë për artin.

blank
Nestor Topencarov, student

Nuk e imagjinoja kurrë të ardhmen time e cila do të binte në kthetrat e komunistëve duke më arrestuar vetëm se kërkoja drejtësi për tim atë. Madje në dosjet që unë kam hapur tani, kam gjetur se edhe mamaja dhe motra ishin gati për arrestim. Por duke qenë se unë po filloja të shkoja shpesh në Ministrinë e Brendshme ku flisja mirë për babain, u dha drejtimi që duhet të goditet Nestori se është më i rrezikshëm se Marika. Dhe atëherë çfarë bënë ata? Brenda pak muajsh, më hapën dosjen në 2B, ma kaluan mbas dy javësh në 2A dhe mbas 2 muajsh, kërkuan arrestin. Ishte data 16 tetor, ditë e shtunë kur në shtëpinë tonë, mbërrin Gaz-i i Degës, edhe pse për ne ishte bërë e zakonshme ardhja e punonjësve të Sigurimit pasi vinin aq shpesh për kontroll, sa kishin tmerruar gjithë mëhallën tonë. Shtëpinë e kisha në një rrugicë me kalldrëm, rreth 200 metra më lart se monumenti i ushtarit të panjohur. Hipa në makinë dhe më çuan në Degë. Kur mbërrita atje, në shkallët e pallacinës, më priste Irakli Koçollari, i cili menjëherë më pyeti: “Çfarë ke për të thënë?”. - Asgjë që mund të të interesojë, për askënd,- ishte përgjigja ime. Me një zë të egër më kërkoi të flisja për veprimtarinë time armiqësore. Pasi mori përgjigje negative më tha se do të më fuste në burg. Jam gati! – i thashë. Habitem edhe tani sesi këto fjalë nuk më bënë asnjë përshtypje. Momenti më i vështirë që kisha kaluar ishte nata e parë pa babanë. Mbase ishin vuajtjet e asaj nate që më bënë të fortë për të përballuar vështirësitë që do të më ofronte jeta. Ndoshta jo jeta, po diktatura.

blank
Dosja Formulare e Nestor Topencarov, 212 faqe
blank
Dosja Formulare, Nestor Topencarov

Kush ishin hetuesit tuaj? A jeni përballur me ta pas viteve '90?

Banesa ime për nëntë muaj e gjysmë do të kthehej qelia e paraburgimit ku në pjesën më të madhe të kohës kam qenë vetë i dytë, i tretë, por në momente të veçanta edhe vetë i katërt. Duke qenë djali i Kosta Topencarov-it, hetuesia për mua do të ishte shumë intensive dhe me një ritëm të fortë. Duke filluar që nga presionet psikologjike, kërcënimet, ofendimet, torturat fizike dhe deri në tentativën për t’u bërë bashkëpunëtor i tyre në dëm të tim eti. Fillimisht, hetuesinë e zhvillova me shefin Reshat Leska i cili më merrte nga dy-tri herë në ditë dhe më mbante me orë të tëra duke bërë të njëjtat pyetje, duke më kërkuar të tregoja për babanë, për të tjerët, për veten dhe për Jugosllavinë, për veprimtarinë armiqësore, etj..Këto ishin të shoqëruara me presione dhe kërcënime nga më të ndryshmet, ku fliste për forcën e Sigurimit që “të nxirrte edhe qumështin e nënës që kishe pirë, se atë që ta bënte qeveria nuk ta bënte as Perëndia”. Dhe për këtë të fundit kishte të drejtë. Pas dy jave hetuesie me shefin, më mori në hetim Irakli Koçollari. Hetuesia e Koçollarit nuk ishte më e lehtë se ajo e shefit të hetuesisë. Ishte po e njëjta. Me presione dhe goditje me grushta fytyrës. Hetuesia me të, më takonte sidomos natën mbas orës 23.00. Hetuesinë ma bënte në dhomën e tij të gjumit, atje ku më kishte komunikuar arrestin. Kishte raste që vinte edhe era alkool. Vazhdonte me akuzat për lidhje me jugosllavët dhe për veprimtarinë armiqësore që kisha bërë. Sipas tij isha një armik i betuar i këtij pushteti, “që nga maja e flokut dhe deri tek thoi i këmbës”! Gjatë gjithë periudhës së hetuesisë, më kanë mbajtur gjithmonë në këmbë, por tek Irakliu isha i “priviligjuar” sepse më mbante gjithmonë të lidhur në një karrige. Edhe sot që kanë kaluar 46 vite, nga duart e mia, nuk janë zhdukur shenjat e atyre hekurave. Koçollari vazhdoi hetuesinë e tij për gati dy muaj dhe më pas në fazën e tretë të hetuesisë, hetimet do i ndiqte Ligor Kondili i cili përpiqej, nëpërmjet mashtrimeve dhe torturave, të pranoja akuzën. Ligor Kondilin e kam takuar në vitin 1994, kishin kaluar plot 17 vite dhe ai me siguri më kishte harruar, por unë jo, pasi kur e pashë atë fytyrë që ishte e njëjta siç ka qenë në ato vite, u trondita shumë. Edhe pse nuk ishte shumë e vështirë të përplaseshe me ish-hetuesin tënd në Shqipërinë postkomuniste, ajo që ishte më e çuditshme dhe e pafalshme ishte që ta gjeje atë në dyert e gjykatave duke ushtruar profesionin e avokatit ku deri dje, dënonte njerëz të pafajshëm. Mos u habisni! Hetuesin tjetër, Irakli Koçollarin e pashë mbas 46 vitesh në një nga programet më të ndjekura televizive “Opinion” të Blendi Fevziut ku e kishte ftuar si “historian”. Një historian që fliste mbi mënyrën sesi funksiononte Sigurimi i shtetit, një historian që shtrembëronte të vërtetën dhe fshihte me dinakëri krimet komuniste, një historian që ka qenë pjesë e strukturave të Sigurimit si hetues, i cili ka përdorur metoda çnjerëzore si ndaj meje dhe babait. Kur përballesh me të tilla situata, është e vështirë për ne, pasi, si një film, të kujtohet arrestimi dhe hetuesia, burgu dhe jeta e vështirë pas lirimit, rinia e djegur, rinia që askush nuk mund të ta kthejë.

Në cilin burg e vuajtët dënimin? Po babai?

Në familjen tonë, ndodhën dy arrestime brenda një kohe shumë të shkurtër. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Për komunizmin ishim armiq të përbetuar. Agjentë të rrezikshëm të jugosllavëve. Për mua, nënën dhe motrën time, dënimi i babait ishte më i dhimbshëm. Ishte e pamundur që ai ta përballonte fizikisht dhe mendërisht jo vetëm hetuesinë, e cila zgjati një vit e gjysmë, por edhe burgun të cilin e bëri në Ballsh, pasi u dënua me 10 vjet në vjeshtën e vitit 1977 për agjitacion e propagandë. Ai, dy muaj e gjysmë ka qenë në hetuesi, pastaj e kanë çuar urgjentisht në spitalin e Korçës. Si pasojë e dhunës shtazarake që i kishin bërë Reshat Leska, Irakli Koçollari dhe shokët e tyre, ku gati-gati mezi identifikohej, e kishin sjellë me brinjë të thyera dhe gjysmë të vdekur. Ngaqë nuk i bënin derman këtu, e kanë çuar në Tiranë, e kanë mbajtur 8 muaj e gjysmë. Ti llogarit në çfarë gjendje ka qenë ai njeri! Gjatë kësaj periudhe me kërkesën e mjekëve mamaja dhe Ivana kanë shkuar në Tiranë për të parë gjendjen e tij. Kur kanë shkuar atje, motra më ka treguar që e kanë nxjerrë babain me krevat, ku ishte i fryrë dhe i deformuar dhe kokën e kishte tërë të djegura nga elektroshokët që i kishin bërë për ta sjellë në vete. Gjendja shëndetësore psikofizike e tij ishte e rëndë, shëndetin ia kishin shkatërruar, depresioni nuk i jepte mundësinë të përkujdesej për veten. Por pavarësisht kësaj, ata e dërgojnë në burgun e Ballshit. Ndërkohë unë isha dënuar dhe vuaja dënimin në burgun e Spaçit. Motrës i kisha thënë që mjaftonte një herë në vit të vinin tek unë dhe se nuk kisha nevojë për gjë. Tek tatja, të shkonin më shpesh se ishte i moshuar e donte kujdes dhe brenda mundësive, ta ndihmonin me ushqime, pasi në Ballsh më kishin thënë që ushqimi ishte shumë i keq. Ai, gjatë periudhës së burgut, ka qenë i mbyllur në vetvete, nuk fliste me njeri dhe ndihmohej nga persona që iu gjendën aty afër. Për një kohë të gjatë, e ka ndihmuar një zotëri nga Berati me origjinë korçare, Spiro Pisha.

Nestor, më përshkruani pak kushtet e punës dhe të jetesës në burgun e Spaçit?

Spaçi! Udhëtimi drejt skëterrës komuniste ishte me një mjet llamarine të lidhur me hekura dhe zinxhirë dy e nga dy ku rruga e keqe na i nxori shpirtin të gjithëve sa ishim. Kur mbërrije në Spaç, përballeshe me një natyrë të egër, e rrethuar me male nga të dyja anët dhe në mes tyre, kalonte një përrua i vogël ku uji kishte një ngjyrë të çuditshme dhe brigjet ishin me ngjyrë të kuqe. Mbi kokë dukej vetëm një copë qielli që bëhej më i vogël kur afroheshe në zonën e kampit, atje ku ishin të burgosurit. Na çuan në zyrën teknike, ku bëhej organika e brigadave të të dënuarve që punonin në minierë. Më pas, na dhanë uniformën e burgut. Të gjithë dukeshim njësoj. Humbëm çdo veçori individuale, të gjithë me kokë të rruar, të veshur me xhaketë e pantallona prej bezeje të ngjyrosura në kafe, të brendshme si ato të ushtarëve dhe një palë opinga gome. Dhoma ku flinim, me mbi 50 veta, binte erë të rëndë. Secili i futur si në një këllëf. I mbështjellë me çarçafin dhe batanijen që palosej nën dyshekun prej kashte plot me gunga që ta vriste kurrizin. Atje, afër dyshekut, mbanim edhe tasin e ushqimit të cilin e përdornim gjatë vakteve. Ajo që dua të theksoj janë kushtet dhe siguria e punës të cilat ishin shumë të këqija. Puna në nëntokë kuptohet ishte më e vështirë se në sipërfaqe. Ajri mungonte. Aty ishe vetëm ti dhe vagoni. Megjithëse kishte dhe nivelistë të tjerë, galeria kryesore ndahej dhe secili prej nesh bënte punë të ndryshme. Në qoftë se nuk arrije ta nxirrje të gjithë materialin, të viheshin hekurat dhe përfundoje në birucë. Polic pune kishim Mark Tucin. Ishte i egër si gjithë të tjerët dhe, kur na rreshtonte para galerisë, motoja e tij ishte: “O planin, o shpirtin!”. Për komandën dhe policët ne ishim kafshë pune. Më keq se qetë e Dvoranit. Në minierën e Spaçit shikoje njerëz të ngjyrosur nga piriti si të lyer me varak. Në këmbë kishim gjithmonë çizme. Rrobat e punës na i gërryente acidi, sidomos në zonat e piritit. Edhe uji që pinim ishte me acid. Në banjat, aty ku derdhej uji nga rubineti, çimentoja ishte bërë e kuqe. Imagjino edhe shinat e hekurta të galerisë i gërryente acidi, kurse ne i rezistuam! Siç duket paskemi qënë më të fortë se hekuri.

blank
Nestori në burgun e Spaçit

Aty në Spaç kam patur fatin të njoh disa personalitete të fushave të ndryshme siç ishte Ziso Vangjeli nga Korça i cili ishte marrë me përkthime veprash në anglisht e frëngjisht gjatë viteve të dënimit në burgun e Burrelit, pasi kishte erdhur në Shqipërinë socialiste vetëm për atdhedashurinë, shkrimtari Halil Laze, humoristin e estradës së ushtarit, Dhimitër Furxhi, që e kishin dënuar për barcaletat që tregonte për Enverin e partinë, kino-operatorin Dhimitër Lala, Telat Agollin, krijuesin e cirkut të parë në vend, apo dhe shkrimtarin Zyhdi Morava etj..

Ju dhe familja juaj keni qenë gjatë gjithë kohës nën survejim nga spiunët e Sigurimit të Shtetit.  Mund të më thoni disa nga këto momente?

Patjetër! Unë edhe në librat që kam botuar apo edhe që vazhdoj të shkruaj, këta personazhe i paraqes vetëm me pseudonimet dhe inicialet e tyre, jo sepse nuk i njoh cilët janë, apo e aprovoj atë që bënë për familjen time, por dua të bëj njëlloj tentative për t’i kuptuar pasi jo çdokush mund t’i rezistonte asaj makinete të tmerrshme të Sigurimit. Kishte raste që ata binin dhe viktima. Konkretisht të të them: kur e arrestuan babanë dhe e mbajtën në birucë i futën edhe një person tjetër i cili ishte anëtar partie, e kishin arrestuar për vjedhje të pasurisë socialiste dhe duket i kishin premtuar që do ta dënonin pak duke bërë bashkëpunëtorin e tyre, spiunin me pak fjalë. Ky quhej “Horizonti i madh”. Në bisedë e sipër, babai i tregon që më kanë arrestuar për armëmbajtje pa lejë, kam familjen, gruan, vajzën dhe djalin. Dhe ky shkon dhe i tregon Koçollarit që “Kosta ka ngarkuar djalin e vet për të vrarë Enver Hoxhën, prandaj i kishte armët!”. Këto situata ishin tragji-komike pasi jo vetëm që nuk tregonin të vërtetën, por edhe shpiknin. Të njëjtën gjë bëri dhe bashkëpunëtori tjetër i cili emërtohej “Tekniku”, kur raportonte që Kosta Topencarov shprehej se “Shqipëria do të bëhej Republika e Shtatë e Jugosllavisë”. Ne e dinim shumë mirë nga librat që kishim lexuar se këto ishin akuza që ngrinte vetë partia e punës. Edhe fjalinë më të pakuptimtë që mund të nxirrnim ne nga goja, e kthenin në agjenturë. Kishte dhe një grup njerëzish të ashtuquajtur patriotë, që kontribuan në vuajtjen e familjes tonë të cilët, nuk ishin bashkëpunëtorë, as punonjës të Sigurimit dhe nuk detyroheshin nga të tjerët për të thënë diçka, por vetë nga natyra e tyre për të bërë keq. Një nga ato figura që dua të prek në këtë intervistë është edhe një personazh i njohur për publikun, Aleks Luarasi. Ka qenë pedagog në fakultetin e Drejtësisë, por njëkohësisht hyri në parti dhe bënte pjesë në stafin e Ramiz Alisë. Familja e tij ka jetuar shumë afër me shtëpinë tonë. E motra e tij, Krisanthi Luarasi (Qirici, nga i shoqi), ka dhënë një kontribut shumë negativ kundrejt familjes sonë. Jo vetëm që na përgjonte, dhe raportonte tek operativët, por ka shprehur dhe kënaqësinë për të na futur në burg. Por veç kësaj edhe shpifnin. Në tetor të ’82-shit, koha kur ne prisnim lirimin tonë, ndoshta ishte momenti për ata që dëshironin të pengonin daljen tonë nga burgu, i drejtohet me një letër Ministrisë së Brendshme ku shkruante: “Dikush në mëhallë ka parë që në mes të natës, në shtëpinë e Kosta Topencarov, ku jetonte e bija dhe e shoqja e tij, ka ardhur një veturë e ambasadës Jugosllave, kanë zbritur tre persona, kanë ndenjur 1 orë e gjysmë dhe pastaj kanë ikur, kanë fikur dritat, që mos binin në sy”! Është e frikshme mënyra sesi shpifinin. E gjithë shtëpia jonë ishte nën përgjimin e operatorëve të cilët shikonin me detaje se kush hynte dhe kush dilte nga ajo shtëpi. Ata na ndiqnin hap pas hapi dhe është e pamundur të mos e vinin re pasi ajo nuk ishte një “kuti shkrepse”, por një makinë e madhe. Ky person nuk kishte asnjë obligim për t’u përfshirë në këto situata. Atëherë pse i bën këto? Vetëm se është njeri i keq.

Atë e bir të liruar nga burgu në një ditë. Më tregoni emocionet dhe kujtimet e asaj dite

Ishin muajt e fundit të 1982-shit. Kisha hyrë në vitin e shtatë të vuajtjes së dënimit në Spaç dhe babai gjithashtu duke vuajtur në burgun e Ballshit. Jemi liruar për shkak të një amnistie. Të dy kishim një mendim: Të ktheheshim në shtëpinë tonë atje ku na priste nëna me motrën, të cilat edhe ato kishin vuajtuar po aq se ne. Duke qenë se ktheheshim nga dy burgje të ndryshme dhe nuk dihej orari, ato vendosën të qëndronin në shtëpi. Kur arrita atje, babain sapo e kishin futur brenda. Në shtëpi mbizotëronte melankolia dhe gëzimi. U kujdesa të ndrydh mendimet për të përballuar emocionet që vërshonin mbi mua. Ishte vërtet prekëse të shihja babain që aq shumë ishte mplakur: ai dukej aq i vogël, i tkurrur, i rrënuar!  Kishte vuajtur shumë. Nuk kishte forcë të fliste për ato mizori që i kishin bërë. Kuptova që familja që ishim një kohë, nuk do të kthehej më.

Përndjekja nga Sigurimi i Shtetit vazhdon edhe mbas mbarimit të dënimit apo jo?

Po patjetër. Hija e tmerrshme e armiqësisë do e ndjekë babain edhe pas shlyerjes së dënimit. Kishin kaluar disa ditë që ishte kthyer në shtëpi dhe dita e parë që ishte ngritur në këmbë nga situata e vështirë shëndetësore që kishte përjetuar me depresionin, kur troket dera dhe përpara saj, paraqiten dy persona të cilët kërkojnë babain. E marrin me vete dhe e mbajnë 24 orë në një dhomë të hotel “Turizmit”. I kërkonin të pranonte që bashkë me disa emigrantë bënte pjesë në një grup agjentësh që bashkëpunonin me Jugosllavinë. Megjithëse i dobët fizikisht dhe psiqikisht, babai i rezistoi dhunës dhe presionit që ushtruan mbi të. Në duart dhe në qafën e tij ishin bërë shenja blu. E liruan duke i thënë të mendohej dhe e shoqëruan në shtëpi. Nuk arritën dot ta mposhtnin. Kuptuam që familja jonë vazhdonte të ishte në shenjestër. Si duket nuk i kishte mjaftuar ajo që na kishin shkaktuar deri atëherë. Sigurimi orvatej për të na monitoruar natë e ditë me qëllim një ridënim të mundshëm jo vetëm të babait, por edhe të të gjithëve ne.

Si ishte për babain tuaj Kosta Topencarov kthimi në atdhe dhe bashkimi me familjarët e tij mbas 40 vitesh torturash brenda ferrit komunist?

blank
Perqafimi i Marikës dhe Kostës me familjarët në kufi

Gjithçka filloi me një dashuri të madhe nga ana e babait, por duke paguar për të me shtatë vite burg, ku përjetoi në mënyra çnjerëzore egërsinë e regjimit komunist.  E pashë që i dëshpëruar si një fëmijë i vogël më kërkonte me sa fuqi kishte për t’u kthyer në vendlindjen e tij. Ishte e dhimbshme për të që të priste derisa të plakej dhe të kthehej në atdhe. Plot 40 vite. Kështu që jam paraqitur në Ambasadën Jugosllave në vitin 1990, ku me vështirësi kam arritur të hyj dhe të dorëzoj pasaportat dhe certifikatat familjare. Kishte një mizëri njerëzish të cilit prisnin për ditë me radhë në oborrin e ambasadës për të ikur në botën e tyre të lirë, atje ku kishin familjarët. Të njëjtën gjë do bënim edhe ne menjëherë sa morëm vizën, e cila na u dorëzua në 20 tetor 1990. Me një kamion me dy plaçka lamë territorin e Shqipërisë nga pika kufitare e Qafë-Thanës. Në kufi, patëm shumë kontrolle, duke kaluar më parë postblloqet e klonit.

blank
Momenti i kalimit të kufirit në pikën e Qafë-Thanës

blank

blank
Kalimi i kufirit 20. 10. 1990

Në anën tjetër, na prisnin njerëzit e afërt si nga ana e babait ashtu edhe të mamasë.

 

blank

Takimi me ta ishte shumë prekës. I fundit përqafim i tyre kishte ndodhur fiks 40 vite më parë. Mjaft nga familjarët e babait nuk jetonin më. Koha kishte lënë gjurmët e saj.

blank
Momenti i takimit të Kostës dhe Marikës me familjarët e tyre kur sapo kaluan kufirin

blank

blank
Marika Topencarov, 1990

blank

blank
Marika e mallëngjyer nga takimi me familjarët
blank
Nestori dhe takimi me familjarët në kufi

 

Kur hymë në territorin jugosllav përveç familjarëve ndodhej edhe një trupë, operator dhe regjisor kinematografie. Kishin ardhur për një dokumentar për një rast të rrallë. Ata e dinin fare mirë që matanë kufirit po vinin njerëz të cilët mbartnin me vete histori, por sigurisht që disa histori ishin më të veçanta se të tjerat. Ndaj, shumë shpejt, ata u njohën me rastin e babait dhe të familjes sonë e cila iu duk tepër e veçantë.

blank
Nestori dhe nëna e tij, Marika

Mbi historinë e dashurisë së prindërve të mi, janë realizuar dy dokumentarë dhe një film maqedonas-polak  me titullin “Across the Lake”, “Përtej Liqenit”.

blank
Kosta dhe Marika gjatë realizimit të dokumentarëve për historinë e tyre
blank
Kosta Topencarov gjatë realizimit të dokumentarëve

 

blank
Kosta Topencarov, në filmin "Përtej Liqenit''
blank
Kosta Topencarov, Maqedoni 1997
blank
Nga filmi ''Across the Lake'' ("Përtej liqenit")
blank
Skena nga filmi "Across the Lake"

Dashuria e tyre dominoi mbi të keqen, si një qëllim për të ekzistuar dhe si një shpengues i të gjitha vuajtjeve të së kaluarës.

blank
Marika dhe Kosta në shtëpinë e tyre në Ohër, disa muaj pas riatdhesimit
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here