I lindur në Miçan të Përmetit. Ndoqi Liceun e Korçës. Më pas emigroi në SHBA te i ati, ku kreu studimet e larta në universitetin e Nju-Hempshajerit në Durrham. I bashkohet ushtrisë amerikane gjatë luftës II Botërore dhe shkon me mision në Francë. Me mbarimin e luftës kthehet në SHBA, ku kërkon të thellojë studimet në Paris. Kërkesa i miratohet nga Departamenti i Shtetit dhe Ziso, ose Zisi Vangjeli kthehet në Paris ku ndjek Doktoraturën në Letërsi. Qëndron në Francë gati 15 vjet i mbështetur financiarisht nga një pension si veteran lufte i SHBA dhe nga mësimet e frëngjishtes.

Kërkesa e vazhdueshme për riatdhesim i plotësohet në vitin 1962. Sapo shkel në Shqipëri, shihet si i dyshimtë dhe nis të survejohet nga Sigurimi i Shtetit. Kërkesa për punë si mësues në Tiranë ose Korçë nuk i plotësohet dhe Ziso Vangjeli mbetet në Përmet, ku jetonte në hotel, i vetëm. Ndjekja e vazhdueshme, përfundon me arrestimin e tij në vitin 1968. Akuzohej si agjent francez dhe për agjitacion e propagandë. Pa asnjë provë për veprimtarinë e tij agjenturore, me dëshmitë e spiunëve për deklaratat e tij kundër politikave të Partisë së Punës dhe me provat e poezive me frymë reaksionare, dënohet me 20 vjet burg. Kryen rreth 18 vjet. Pasi del nga burgu, shkon të banojë në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjirokastër, ku vihet sërish në përpunim nga Sigurimi i Shtetit.

Jetoi deri në rrëzimin e sistemit si i survejuar.

Burimi: Zisi Vangjeli, intelektuali i madh i qytetit të vogël, nga Xhafer Sadiku, botim i ISKK, Tiranë 2021
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.