Komandanti analfabet i burgut

0
1485
blank

Riza Veip Imo drejtues i burgut politik në kalanë e Gjirokastrës, kishte qenë bari delesh 

Për të shërbyer në burgjet e diktaturës komuniste nuk duhej shkolla, por përkushtimi dhe urrejtja ndaj “armikut”. Në Burgu e “armiqve të popullit” nr.17 në Gjirokastër, i cili ndodhej në kalanë e Gjirokastrës, si komandant shërbeu në vitet 1949 – 1953, një analfabet, Riza Veip Imo, lindur më 17.1.1901 në Picar të Gjirokastrës, me profesion bari. Ai i takonte valës së fundit të partizanëve, atyre të vitit 1943. Në korrik 1944 kaloi në Brigadën e 6-të sulmuese. Nga nëntori 1944 e deri në maj 1945 ishte komandant i Brigadës së 4 të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Detyrat i vazhdoi në polici, deri sa doli në lirim në vitin 1955. Në biografinë e tij nuk shënohet gjë tjetër përveçse faktit se kishte qenë bari delesh.

Në burgun e Gjirokastrës sipas të dhënave të vitit 1950 vuanin dënimin rreth 740 të burgosur, ndërsa kapaciteti i burgut ishte për rreth 350 persona. Bronshiti, malaria, reumatizma, dizenteria, TBC-ja, dhe sifilizi sëmundjet mbizotëruese në vitin 1950. Burgu i Gjirokastrës u mbyll në vitin 1953, ndërsa vijoi të përdoret deri në vitin 1968 nga Dega e Punëve të Brendshme Gjirokastër si vend paraburgimi.

Burgu i Gjirokastrës

Burgu kishte numrin 17 dhe ngrihej në kalanë e Gjirokastrës. Ishte cilësuar si një prej më të tmerrshmëve. Ishte një burg i trashëguar nga e kaluara. Përbëhej nga një sallë e madhe, si dhe disa qeli. Sipas të dhënës nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit të vitit 1946, në burgun e Gjirokastrës shërbente një personel prej 54 vetash (50 ushtarë, 3 nënoficerë, 1 oficer). Shërbente edhe një togë speciale prej 34 vetash. Në vitin 1950 në burg janë rreth 740 të burgosur, ndërsa kapaciteti i burgut ishte për rreth 350 persona. Vetëm me dekretin e prillit 1949 u liruan nga ky burg 206 persona. Bronkiti,malaria, reumatizma, dizenteria, TBC-ja dhe sifilizi, sëmundjet mbizotëruese në vitin 1950.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka hulumtuar e publikuar një varg te dhënash për këtë burg.  Në librin e tij "Burgjet dhe kampet në Shqipërinë komuniste" Dervishi shkruan: "Në një shkresë të datës 12 qershor 1951 të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Gjirokastër, Jani Naska, merret vesh se kushtet e tyre ishin të këqija, ndërsa 2 kishin vdekur.

“Këta duke qenë të izoluar për një kohë të gjatë prej 2 vjetësh, nga ana shëndetësore janë katandisur aq keq, saqë nga dita në ditë po u rrezikohet vdekja. Neve për mirëmbajtjen e tyre, kemi treguar kujdes të veçantë dhe herë pas here u kemi dhënë ushqime plus racionit që u jep shteti, por ndonjë efekt të madh për shëndetin e tyre nuk ka bërë ... për vetë natyrën e burgut të Gjirokastrës, i cili të izoluarit me afat të gjatë dhe që nuk shohin diellin me sy, i kalb me siguri, siç kalbi këta”, - thuhej ndër të tjera në raport.

Duke qenë në këtë gjendje, i burgosuri Shefqet Kruçi kishte vdekur në nëntor 1950. Sipas njoftimit që kishin bërë më 11 nëntor 1950, varrimi i tij ishte bërë sekret në një birucë të burgut të Gjirokastrës. Isuf Dervina ishte shumë i sëmurë, pavarësisht ilaçeve, gjendja e tij nuk përmirësohej. Fatos Mero Rrapaj vuante nga gjëndrat në grykë, të cilat i ishin qelbëzuar. Të dy këta, si Fatosi ashtu edhe Isufi, kishin bërtitur duke kërkuar që të dënoheshin që edhe familjarët të merrnin vesh ku ishin. Pak ditë më vonë, në raportin e datës 15.6.1951, thuhej se kishte vdekur një ditë më parë edhe i burgosuri Isuf Dervina." Burgu u mbyll me një urdhër të datës 26.9.1953 të Ministrisë së Punëve të Brendshme së bashku me burgun e Beratit. Të burgosurit si edhe personeli u zhvendosën në burgun e Vlorës. Më 30.9.1953 zhvendosja e të burgosurve kishte mbaruar.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here