Ishte koha apo njerëzit?

0
2
blank

Regjimi komunist promovoi ligësinë për të forcuar dhe zgjatur jetën e vet. Dhe si një provë e vogël, e qartë, për këtë, del nga kujtesa e një ish-të dënuari, qëndrimi i një polici që nuk pranoi të torturojë një të burgosur. Pa u rebeluar. Pa shprehur keqardhje. Thjesht duke thënë se nuk ia lejonte rregullorja.

 

Krimet, torturat, dënimet e ekzekutuara gjatë regjimit komunist, kanë marrë dhe ende marrin nga disa, komentin nën zë: “Ashtu ishte koha”. Një koment që nuk ka si të jetë i sinqertë, apo i vërtetë.

Dhjetëra mijëra njerëz u vranë, u burgosën, u torturuan. Njerëz që shkelën ligjet. Ligje që shkelnin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si ajo e fjalës, e besimit, e lëvizjes së lirë. Por edhe njerëz që nuk kishin bërë asnjë shkelje, por u dënuan me akuza false. Ose u vranë pa gjyq. Gra dhe fëmijë që u nxorën nga shtëpitë me rroba trupi dhe u çuan në kasolle kafshësh, iu dha puna më e rëndë dhe iu mohua e drejta e arsimit. E ndërsa të burgosurit vuanin dënimin me heqje lirie, shfrytëzoheshin në punë dhe pse kjo nuk parashikohej në ligj. Rriheshin dhe torturoheshin, edhe pse kjo nuk parashikohej në rregullore.

Justifikimi “ashtu ishte koha” është gishti pas të cilit nuk mund të fshihen krimet e pajustifikueshme të njerëzve të veshur me pushtet, të asaj kohe. As të udhëheqësve që i komandonin këto krime. As të të tjerëve që kishin dorë të lirë dhe i kryenin edhe të pakomanduar, prej sadizmit, ose dhe prej dijenisë apo shpresës që ky zell do të shpërblehej. Dhe nuk gjen dot provë më të qartë, për këtë, sesa qëndrimin ndryshe të një njeriu të brendshëm të atij sistemi që ishte kthyer në makineri torturash. Një polici që nuk pranon të torturojë një të burgosur. Pa u rebeluar. Pa shprehur keqardhje. Thjesht duke thënë se nuk ia lejonte rregullorja.

Kujto.al sjell dëshminë e ish-të burgosurit politik, Gjergj Hani, dhënë për “Zërat e kujtesës”, ku Hani përshkruan rastin e një polici në Qafë-Bari që refuzoi të torturonte një të dënuar në birucë.

blank
Gjergj Hani, ish-i burgosur politik

“Edhe mes policëve, sistemi nuk i detyronte të bëheshin kriminelë. Kishte nga ata që nuk kishin rrahur kurrë një të burgosur. Fatkeqësisht njeriu mban mend të keqen, jo të mirën. Ishte një polic dibran, i hollë, i gjatë, i cili punonte në Shërbimin e Brendshëm. Ishte periudha '86-'87 kur shtypja ishte në kulmin e saj në Qafë-Bari. Ai nuk pranoi të rrihte një të burgosur në birucë. "Nuk ma lejon rregullorja!" i tha Edmond Cajës. [E tha] në sy të të burgosurit, që kishte qenë aty në birucë. E hoqën nga shërbimi i brendshëm dhe e çuan polic shërbimi te porta kryesore për të kontrolluar kamionët mos arratisej njeri”, ka thënë Hani.

Kush nuk ishte i përshtatshëm, zëvendësohej lehtësisht. Kush tregonte zell në përndjekjen e viktimave, promovohej. Diktatori dhe udhëheqësit e tjerë, për të ruajtur pozitat, veç ligësisë së vet, përdorën dhe nxitën edhe ligësinë e njerëzve të shpërndarë në çdo shkallare të pushtetit.

Birucat në burgjet e diktaturës, ishin një formë ndëshkimi për thyerjen e rregullores, por, siç ndodhte me dënimet jashtë burgjeve, edhe aty i burgosuri mund të hynte sepse kështu vendoste komanda për një arsye apo tjetër. Veç urisë, izolimit të plotë dhe të ftohtit, të dënuarit duhet të duronin edhe torturat që ushtroheshin rregullisht ndaj tyre, gjatë ditëve të ndëshkimit. Kjo nuk ishte e shkruar në rregullore. Por vetëm një polic e tha dhe e zbatoi.

Shënim: Citimi i Gjergj Hanit është shkëputur nga libri "Zërat e kujtesës", Vëllimi VI, me intervistuese Luljeta Lleshanakun, botim i ISKK, Tiranë 2020.

Skica në imazhin kryesor është realizuar nga Ina Elezi dhe i përket ekspozitës "Jeta në Spaç", projekt i kujto.al dhe hartaekujteses.al, mbështetur nga KAS Albania.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.