Dëshmia e nënës së poetit të pushkatuar/" Dy skodat me familjet e Bukuroshit dhe Eshrefit i shkarkuan aty, kurse ne, me familjen e Hasanit, na ngjitën edhe më sipër, dhe na caktuan në një përrua të thellë, te një karakatinë e rrënuar. Ishte gati në të rënë, me mure të çara, pa dyer e pa dritare..."Jetesa e Blloshmëve në internim zgjati dhjetë vite. Askush nuk e dinte se përballë tyre, në krah të malit të Mirakës, ishte groposur djali i tyre, Vilsoni, dhe nipi, Genci.
Nga Bedri Blloshmi
Rrëfimi i mamasë për 27 Korrikun e 1977
Me mamanë jam takuar në mbarim të burgut. Prej saj mora vesh me hollësi se ç`kishte ndodhur në shtëpi me të mbaruar gjyqi. Sigurimi nuk e kishte çuar deri në fund rrënimin e fisit tonë. Pas disa ditësh, ata ishin sulur sërish në Bërzeshtë. Këtë herë për të internuar katër familjet tona.
Dielli përvëlonte. Të gjithë ‘skllevërit’ e fshatit atë ditë ishin ngritur në orën tre mbas mesnate duke vrapuar pa ngrënë e pa larë, tek parcelat e grurit. Urdhëri ishte të korrej herët, pasi ishte e pamundur pas orës 10 apo 11; jo aq nga vapa që të merrte frymën, por se kalliri i tharë shumë, shkërmoqet në korrje. Mbas kësaj ore të gjithë ‘skllevërit’ shkonin në punë të tjera, si prashitje misri apo vaditje. Në këtë vorbull të së përditshmes merrte pjesë edhe familja jonë, edhe pse ishin të mbaruar trup e shpirt, nga gjëma e Vilsonit dhe Gencit. Ekzekutimi i tyre nuk kishte mbushur ende 10 ditët. Nën peshën e kësaj goditje, dhe me shqetësimin për mua, i degdisur në galeritë e Spaçit, Blloshmët ishin shpërndarë nëpër punëra si e gjithë kooperativa. Atë ditë, rruga që gjarpëron nga Qukësi deri te Rrapi shekullor, në krye të fshatit, e bile deri tek shtëpia jonë, kishte lëvizje policësh edhe civilësh, shenjë kjo e mirë. Nazmiun (vëllanë e vogël) që punonte në fermë, në fshatin Karkavec, e kishin kthyer të parin: “ktheu në shtëpi, i thanë me urdhër, jo në punë!” Mamaja, që nga dita që ishim dënuar ne, kishte zënë shtratin, me kokën e lidhur nga dhimbjet nuk lëvizte më nga vendi. Xhaxhai punonte në shirje, mes pluhurit dhe zhurmës shurdhuese të makinës, në fund të fshatit. Brigadieri i tij, që ishte dhe bashkëpunëtor i sigurimi, i afrohet dhe i thotë: “Hasan lëre punën dhe ik në shtëpi.” Kështu, një e nga një, po i mblidhnin të gjithë. Qëllimi qe i qartë; mes për mes fshatit po ngjiteshin tri a katër makina të mëdha, ku iu printe xhipsi i Degës P. Brendshme. Që prej“7 çezmave”, deri tek shtëpia, ai mezi kaloi prej policëve dhe civilëve të shumtë. Kur u mblodhën në shtëpi iu komunikua, gjithë familjes vendimi i internimit. Familja përbëhej prej 19 vetësh, duke përfshirë dhe vajzën disaditëshe të Vilsonit. Për të ngritur plaçkat e shtëpisë kishte ardhur i gjithë fshati. I merrnin në kurriz dhe i shpinin te rrapi, ku prisnin makinat. Shtëpinë e kyçi kryetari i këshillit, dhe me t’u ngarkuar makinat, ngjeshur me plaçka e njerëz, filluan të zbrisnin rrugës së Qukësit. Aty sigurimsat u futën për të ngrënë në lokalin ku shërbente bashkëpunëtori i tyre me pseudonim “Dardha”. “Ne, të ngucur mbi karroceri – tregoi mamaja - duhet t`i prisnim pa lëvizur, pasi ishim të rrethuar nga policë me kallashë që s`na lejonin. Qëndruam kështu mbi dy orë, pa ngrënë e pa pirë, derisa ata mbushën barkun e, u frynë... Gocën e Vilsonit e kishim të vogël, grindej e gjora, kërkonte ujë. I thashë policit të zbriste ndonjë nga ne, për të mbushur pak ujë tek çezma - jo më larg se 5 a 6 metra– por, ai, ma ktheu: Jo, jo, nuk lejohet! Të lutem i thashë prapë mbas gjysëm ore, se nuk duron më fëmija. Ai më thirri me sa kishte në kokë: “akoma s’ka plasur? Tashi të vdesi.”
Në foto:
Familja Blloshmi pas internimit
Më në fund, sigurimsat dolën nga klubi duke u shtriqur e qeshur me njëri tjetrin,dhe u nisëm përsëri... Kaluam Librazhdin e mbërritëm në Mirakë. Hodhëm Shkumbinin dhe pastaj përpjetë në Polis-Gostimë. Aty na ndalën. Dy skodat me familjet e Bukuroshit dhe Eshrefit i shkarkuan aty, kurse ne, me familjen e Hasanit, na ngjitën edhe më sipër, dhe na caktuan në një përrua të thellë, te një karakatinë e rrënuar. Ish gati në të rënë, me mure të çara, pa dyer e pa dritare. Ne u futëm në katin e parë. Në katin e dytë, vendosën Hasanin me fëmijë. Na thanë: “Këtu do rrini. Rrini mirë, mbyllni gojën, ulni kokën e punoni. Nuk do lëvizni për të kaluar nga brigada në brigadë dhe as tek njeri e tjetri, përndryshe ju presin birucat e Librazhdit. Ikën e na lanë aty pa asnjë ndihmë, si t`i rregullonim. Akoma pa futur plaçkat brenda na vjen ‘korrieri i fshatit’. Me një pamje të mjerueshme, foli ca fjalë që nuk u morën vesh, e, u prezantua. Kishte veshur një palë opinga llastiku, pa çorape dhe nxirrte nga goja më shumë shkumë se fjalë. Samiu iu afrua dhe e pyeti:“Fol më ngadalë dhe na thuaj si e ke hallin?” Ai i kthehet:“Kush është Hasan Blloshmi? Të marrë pashaportat dhe të vijë tek zyra e këshillit për t’u regjistruar.”
Hasani niset me korrierin, dhe duke kaluar tek pjesa tjetër e familjes, merr edhe Agimin (fëmija i Bukuroshit), i cili nuk i ndahej xhaxhait. Sapo futet në zyrë, njerëzit e Sigurimit po e prisnin. Kryetari i Degës i thotë: “Je i arrestuar në emën të popullit” dhe i vunë hekurat. Ishte hera e dytë për Hasanin. Agimi u kthye në barakë duke qarë, dhe u tregon: Xhaxhanë e mori policia!
Jetesa në internim zgjati dhjetë vite. Ishin vuajtje të parrëfyeshme. Kjo është dëshmia e mamasë. Askush nuk e dinte se përballë tyre, në krah të malit të Mirakës, ishte groposur djali i tyre, Vilsoni, dhe nipi, Genci.
Kujtimet e mësipërme të Bedri Blloshmit, janë shkëputur nga libri "Dosja formulare 5094", në proces botimi nga ISKK.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.