I mbijetuari i Spaçit që arriti të arratisej nga Shqipëria

0
3900
blank

Kaso Hoxha ishte vetëm 22 vjeç kur e arrestuan për agjitacion dhe propagandë. E dënuan me 10 vjet burg që i vuajti thuajse të plota në Spaç. Kur u lirua në nëntor të 1982-shit, ndjeu se kishte kapërcyer vetëm një rrethim. Tentoi të kapërcente dhe të dytin dhe ia doli. Arriti kështu të fitonte ca vite liri që, në vendin e tij, jo vetëm nuk do i kishte, por mund t’i ishin kthyer dhe në vite të tjera burgu dhe torturash. Në librin “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, Kasoja rrëfen jetën e pazakontë, përndjekjen, torturat, burgun, njerëzit që diktatura i shndërroi dhe ata pak miq që, bashkë me të, i rezistuan së keqes

Kaso Hoxha, nga Markati i Sarandës, i përkiste një familjeje të konsideruar dhe të trajtuar si armike në regjimin komunist. Disa të afërm të tij ishin dënuar. Pastaj ishin arratisur. Të tjerë që kishin mbetur pas, ishin dënuar sërish. Si pjesë e kësaj familjeje, edhe Kasimi i ri, u vu nën mbikëqyrjen e Sigurimit. Ai e dinte këtë dhe mundohej të tregonte kujdes për të shmangur kurthet, por nuk ia doli.

Kasimi ishte i përbërë prej stofi antikomunist që as e shthurte dot për ta thurur ndryshe, as e mbulonte dot plotësisht, pavarësisht kujdesit që tregonte. Ishte vetëm 22 vjeç kur e arrestuan për agjitacion e propagandë. La në shtëpi nënën plakë, gruan e re dhe dy vajzat e vogla.

Ditën kur e arrestuan, e madhja ishte 3 vjeçe, kurse e vogla vetëm 6 muajshe. Mëngjesin e ditës së arrestimit, kur Kasoja shkoi ta puthte e ta përkëdhelte si zakonisht, ajo i tha “Ba-ba”. Ishte fjala e parë që kishte mësuar. Të tjerat, Kasimi do i dëgjonte pas 7 vitesh kur, në dhomën e takimit të burgut, të ndarë nga dy palë hekura, e pa për herë të parë, që nga mëngjesi kur e la në djep. Tashmë, Nderimja fliste me fjalë të plota, por që të copëtonin zemrën ndoshta dhe më shumë sesa kujtimi i fjalëve belbëzake. “Më njeh mua, babi?” – i tha ajo.

Të gjitha këto ngjarje dhe kujtime, Kaso Hoxha i ka treguar në librin “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunzimit, më 2021. Ai rrëfen në këtë libër, meskinitetin e shpirtrave dhe jetës në diktaturë, torturat çnjerëzore në biruca, regjimin e egër të burgut dhe më pas lirimin dhe arratisjen e suksesshme nga Shqipëria. Rrëfen thuajse gjithë jetën e vet, ku përfaqësohet egërsia e regjimit komunist që kulmonte në burgje, por shkaktonte mundime dhe frikë edhe jashtë tyre.

Trup e shpirt i sakatosur

Duke pasur parasysh cenin në biografi që do ia vështirësonte jetën çdo ditë e më shumë, të afërmit këmbëngulën që ta martonin sa më shpejt. Rregulluan një martesë kur ai ishte 18 vjeç dhe kur mbushi 22 vjeç, Kasoja ishte baba i dy vajzave. Por ato u rritën pa baba, për shkak të dënimit të tij. Ndërkohë që për Kason, mendimi për to dhe familjen, ishte e vetmja gjë që ia kalonte, për nga forca, dhimbjes së plagëve të trupit të rrahur e të lidhur me hekura, gjatë ditëve të hetuesisë.

Gati 3 muaj para arrestimit, Kasoja kuptoi që i mungonte në xhep blloku ku kish disa poezi që u vrisnin sytë rojeve të partisë dhe që në faqet e fundit kish të shkruara me shkronja të mëdha fjalët “Vite të rinj, ditë të zeza”. Kur e pa mbi tavolinën e hetuesit atë bllok, e kuptoi që e priste një dënim i rëndë. Dhe ashtu ndodhi, por para se të dilte në gjyq, ai u torturua  për ditë me radhë. Hetuesit kërkonin emra për të implikuar dhe mundësisht dënuar të tjerë njerëz në atë proces. Kërkonin me ngulm, me arsyetimin se Kasimi ishte shumë i ri për t’i pasur të vetat ato mendime dhe se dikush tjetër duhet ta kishte nxitur kundër regjimit. Kasimi e mohoi. Përmendi vetëm kushëririn e tij, Selfo Hoxhën, pasi ishte i sigurt që atë nuk mund ta gjente gjë. Selfoja, pas arratisjes me të kunatin, shkrimtarin Bilal Xhaferi, ishte vendosur në SHBA. Por derisa u bindën se Kasim Hoxha nuk do të merrte më qafë njeri, e torturuan çnjerëzisht.

Hetuesinë e kreu në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, ku fillimisht e mbajtën në qeli pa ia hequr prangat e shtrënguara deri në vidën e fundit dhe në errësirë të plotë. “Më shtynë brenda atyre mureve të ftohtë, nuk m’i hoqën prangat, duart më dhimbnin aq shumë”, nis ta përshkruajë Kaso Hoxha qelinë nr.4, e cila ishte afërsisht 2 m e gjatë, 1.5 e gjerë dhe rreth 4 m e lartë, me një derë që kishte një vrimë të mbuluar me skarë të hekurt dhe një llambë të zbehtë që e komandonin policët që jashtë. “Nuk t’i heqim hekurat, as dritën nuk ta ndezim!”,- e lajmëroi polici. “Kur të vendosësh të rrëfehesh, trokit në derë”-shtoi ai. Kur ia hoqën prangat, për ta shoqëruar në tualet, duart kishin ngrirë në një dhimbje të padurueshme. Për natën, i lidhën dhe këmbët dhe duart. “Pasi më lidhën, më urdhëruan të gjunjëzohesha, për t’i lidhur duart e këmbët së bashku, ashtu si një kafshë kur e shpie tek kasapi”, kujton ai. Ditën tjetër, e thirrën në zyrën e hetuesit ku ishte i pranishëm dhe prokurori i rrethit, Abaz Brati. Aty refuzoi të firmoste procesverbalin e arrestimit për veprimtari armiqësore dhe operativi i Sigurimit, Halit Kardhashi, që e kishte arrestuar, e goditi me këpucë, pastaj urdhëroi policët ta merrnin. “Policët më tërhoqën zvarrë sepse kisha rënë përdhe nga goditja në kokë. Nuk i kisha humbur fare ndjenjat. Më hodhën si një dëng në birucë. Ata më godisnin me shqelma ku mundnin. Ndjeva nga dhimbjet se ky ishte fundi. Më s’mbaj mend se çfarë ndodhi atë ditë, të 22 qershorti 1973”.

Torturat vazhduan derisa hetuesit e kuptuan që nuk do të nxirrnin gjë nga Kasimi. Në fund të korrikut, e transferuan në një qeli tjetër, pak më të madhe, brenda së cilës ishte dhe një i dënuar tjetër. Më 12 gusht të atij viti, e çuan në Gjykatën e Sarandës. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Nuk zgjati as gjysmë ore. U vendos që 22-vjeçari, Kasim Hoxha të dënohej me 10 vjet burg. Kaloi edhe dy muaj të tjerë në qelinë e Sarandës dhe pastaj u transferua për në kaushin nr. 7 të Burgut të Tiranës, nga të dënuarit shpërndaheshin nëpër burgjet e tjera.

Spaçi, policët, birucat e izolimit

Kason e çuan në Spaç, ku do kalonte gjithë dënimin dhe ku provoi punën e rëndë në galeri, të ndërprerë vetëm gjatë ditëve kur e izolonin në birucë, apo ishte i sëmurë, i shtruar në infermieri apo në spitalin e burgut. Njohu atje intelektualë, përmes të cilëve mësoi gjuhë të huaja, njohu historinë dhe lexoi disa kryevepra; njohu shokë hallesh me shpirt fisnik; por njohu dhe egërsinë çnjerëzore të policëve që mezi prisnin rastin t’i mbyllnin në birucat e izolimit të dënuarit. Një herë, Kason e mbyllën aty vetëm se i gjetën disa shënime italisht poshtë dyshekut. Një herë tjetër sepse kundërshtonte të punonte në galeri për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Një shkak gjendej gjithmonë. Birucat nuk mbeteshin bosh. “Ishin, si të thuash në zonën neutrale, brenda rrethimit me tela me gjëmba, ku përmbi birucat qëndronte roja me mitraloz e prozhektorët që e bënin natën ditë. Katër biruca të betonta, me përmasa 1.5 m me 2 m, pa asnjë dritare, një korridor i ngushtë përpara dhe WC e mbuluar me hekura; vërtet një kafaz i madh. Kisha dëgjuar nga të burgosurit, se ishte një torturë që nuk mund të thuhet. Në qoftë se ishte dimër, t’i hiqnin çfarë kishe veshur e të linin vetëm këmishë dhe xhaketë behari, që të ngrije dhe me vetëm një të dënuar në qeli; kurse në behar që bënte nxehtë, fusnin edhe 10 të dënuar në një qeli… Polici më urdhëroi që t’i hiqja rrobat e tepërta. “Do të mbash vetëm këmishën, xhaketën e hollë dhe pantallonat verore”,-urdhëroi Pjetër  Koka. Ishte fundi i marsit dhe bënte shumë ftohtë. Pa e kundërshtuar, u zhvesha…Më futi në birucën nr.2. Brenda ishte Zef Ashta, një plak shumë i urtë, rreth 75 vjeç.

-Po ti-e pyeta, çfarë bëre?

-Asgjë bre, u vonova pak në atë dreq WC. Po ngrij, kam një javë këtu në këtë qeli të akullt,-m’u përgjigj Zefi”. Mundoheshin të ngroheshin duke qëndruar shpinë më shpinë, por ishte e pamundur të mposhtej i ftohti i Spaçit me ngrohtësinë e trupit. Përfunduan të dy të sëmurë, me temperaturë të lartë dhe ethe. Zefi kishte marrë pneumoni. Kur i çuan në infermieri, Zefi as mund të ecte me këmbët e veta dhe u detyruan që ta ngrinin dy veta.

Pluhuri i minierës, i ftohti, kequshqyerja, mostrajtimi si duhet, e bënë Kason një të sëmurë kronik mushkërish. Ironikisht, vetëm sëmundja mund ta shpëtonte nga puna e rëndë. Në jetën e një të burgosuri politik në diktaturë, nuk kishte vend e mira. E vetmja gjë që shpresohej, ishte një e keqe më e vogël.

Kasim Hoxha u lirua në nëntor të vitit 1982. Nga një amnisti e shpallur në dhjetor të vitit 1981, iu falën 5 muaj burg.

Ikja nga burgu i madh

Të lije pas burgun, për Kaso Hoxhën, si edhe për shumë të dënuar të tjerë politikë, nuk do të thoshte të lije pas përndjekjen. Familja e priste me mall, disa miq gjithashtu, por pjesa tjetër e fshatit nuk e donte. Ndërkohë, të gjithë ishin të trembur. Të terrorizuar. Ai nuk mund të fliste me askënd për ato që mendonte. “Prapë ndjehesha si në burg”, shkruan Kasimi duke kujtuar ato kohë. Në këto kushte, ai vendosi të arratisej. Kishte shumë kushërinj në SHBA që i shërbenin si pikë referimi, por më shumë se ëndrra që shpresonte të prekte, e nxiste realiteti nga i cili donte të ikte. Dhe kështu mëngjesin e 29 korrikut u nis. Pasi dol inga burgu, i kish lindur një djalë, Gjergji. Ai ishte vetëm dy vjeç. Ndërkohë që nëna, aq e dashur dhe e dhembshur për të, kishte humbur shikimin. Të gjitha këto ia bënin më të rëndë largimin, por qëndrimin e kishte të pamundur.

“Disa para që kisha, ia vura nanës tek koka e krevatit, dhe u largova pa thënë asnjë fjalë…”, e përshkruan ai mëngjesin e asaj dite të paharueshme. Kaloi grykën e Këlcyrës, iu ngjit më pas malores së Shtugarës. Eci gjatë, ditën, por më shumë natën, që të mos dallohej. Arriti më në fund të kalonte lumin e Camadait, por i pangrënë e i lodhur pas aq orësh e kilometrash, humbi ndjenjat buzë një rrëkeje uji. Kur u zgjua, pa një murg që po mundohej ta sillte në jetë. Ai e shoqëroi në manastir, ku i dhanë për të ngrënë dhe e këshilluan të shkonte te posta e policisë greke. Më pas, Kason e shtruan në spital, ku i mjekuan këmbët e dëmtuara dhe u kujdesën për gjendjen e tij shëndetësore. Lajmi i një të ardhuri nga ferri komunist, pushtoi mediat opozitare greke, që hapeshin me historitë e Kaso Hoxhës, por në të njëjtën kohë regjimi komunist nisi të aktivizonte agjentët dhe propagandën për ta kthyer në Shqipëri.blank

blank
Foto nga gazetat greke qe shkruajten per Kaso Hoxhen ne vitin 1985, marre nga faqet e librit te tij "Toke e bukur, kohe e shemtuar", botim i ISKK

Këtë herë nuk ia dolën ta fusnin në grackë. Të afërmit e tij në SHBA që e morën vesh arratisjen e Kasimit, i shkruanin letra dhe e porosisnin të ishte i kujdesshëm. Edhe prej përpjekjeve të tyre, Kasimi arriti të marrë një vizë amerikane dhe të shkojë në SHBA ku u vendos në Çikago. Si pak veta, arriti të linte pas jo vetëm burgun e vogël, por dhe atë të madh.

Kujto.al

Shënim: Në foton kryesore, Kasim Hoxha, ushtar, publikuar te "Tokë e bukur, kohë e shëmtuar", botim i ISKK. Ushtrinë e kreu në vitet 1969-1971. U arrestua në vitin 1973.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here