Më 13.2.2023 u shua në Gjermani ku jetonte prej disa vitesh, ish-i dënuari politik, Ylli Krasniqi. Ai hyn te personat të cilët regjimi i dënoi në moshë fare të re. Ylli lindi në Fier më 29.3.1965. Babai i Yllit, Myslimi, lindur në vitin 1920 në Sibofcë të Prishtinës, i persekutuar nga serbët, erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ‘50. Ishte vendosur në fermën e Llakatundit. Së bashku me emigrantët Ukë Selimi, Alush Berisha, Kolë Berisha, u orvat të arratisej nga kampi për në Greqi, por u pikasën nga organet e Sigurimit dhe u arrestuan jo shumë larg kampit. Edhe ndaj djalit të tij, Yllit, pritej të ishte po një qëndrim i tillë i keq.
Ylli u arrestua më 5.11.1983 në moshën 18-vjeçare në kinemanë e vjetër në lagjen “Kastriot” në Fier në kohën kur po zhvillohej një mbledhje me të rinjtë e Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Këtë veprim e bënë me qëllim që arrestimi të kishte efekt. Fillimisht kryetari i Degës së Punëve te Brendshme Fier mbajti një fjalim kundër Yllit. Hetuesi i çështjes Bujar Sheshi, rrinte pas Yllit. Synimi ishte poshtërimi publik. Hetuesi i deklaroi arrestimin “në emër të popullit” e lidhi me tel dhe e dërgoi në birucën nr.18 të Degës së Punëve të Brendshme Fier, e ngushtë sa për një person. U akuzua në bazë të neneve 47/gj, 11/2, 55/1 të Kodit Penal. Gjykata arsyetonte se i pandehuri: “Duke patur zbrazëti në formimin e tij politik dhe ideologjik, ka arritur të armiqësohet me pushtetin popullor deri në atë shkallë sa të kryejë krime të rënda kundër shtetit siç janë krimi i tradhtisë ndaj atdheut, vepër e cila është shoqëruar dhe me agjitacion dhe propagandë kundër shtetit”.
Argumenti kryesor ishte se në vitet 1981-1982 në familjen e tij erdhën vizitorët nga Kosova, motra e tij me bashkëshortin dhe gjyshja. Sipas akuzës këta e kishin përpunuar “e nxitur që të braktiste atdheun nëpërmjet arratisjes”, se ishte interesuar për të njohur terrenin në Kukës e Tropojë, duke gjetur dy harta të Shqipërisë. Po ashtu i lidhen shprehje se këtu nuk jetohej mirë, se jashtë kishte liri, etj. Për të realizuar arratisjen, ishte nisur më 8.10.1983 në Rrëshen. Fjeti një natë aty dhe shkoi në qytetin e Kukësit, por u kthye pa avancuar më tej. Pavarësisht se nuk iu drejtua kufirit, iu hap proces penal.
Gjykata e Rrethit Fier, e drejtuar nga Dalip Bushi, me pjesëmarrjen e prokurorit Thoma Gallani, me vendimin nr.29, datë 7.12.1984, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.
Ylli vuajti pjesën më të madhe të burgimit në Repartin nr.311 Qafë-Bari. Rinia i shkoi duke nxjerrë mineral në atë vend të mallkuar. Puna e rëndë i la pasoja. U lirua më 7.8.1990, nga Reparti nr.305 Përparim. Nuk ndenji shumë, por realizoi arratisjen në Jugosllavi nga Mali i Zi. Jugosllavët e arrestuan. E mbajtën 5 muaj të burgosur në Prishtinë. E akuzuan si antijugosllav e antiserb. I paraqitën si prova dosjen hetimore të përgatitur në Fier, në të cilën gjendeshin deklarime kundër serbëve dhe jugosllavëve.
Deri në fund të jetës së tij Ylli kallëzoi me emra persekutorët e tij. Kishte në plan botimin e një libri të jetës së vet, të cilin me sa duket nuk e realizoi dot.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.