Gjurmët

0
266
blank

86 vite më parë, u lind një artist modern. Askush nuk mund ta dinte që do të dënohej me burg, 43 vite më vonë, për këtë arsye

Dua të fshihem nga ditëlindja

diku të isha

midis xhunglës së ditëve

pa një ditë të caktuar fillimi

 

Sot është ajo ditë që Maks Velo, sa ishte gjallë, donte t’i fshihej, dita e tij e lindjes. E megjithatë ajo mbetet një shenjë dhe pse jo më e rëndësishmja që ngacmon kujtesën për të folur edhe një herë për Maks Velon, arkitektin, piktorin, njeriun që la shenjë. “Jeta është detyrë”,-ka thënë një herë Maksi.- “Detyra bëhet nëse ti punon. Unë tërë jetën jam munduar të bëj detyrën time. Do të vdes i qetë, sepse kam bërë detyrën”, ka shtuar një herë tjetër për “ReporTV” në korrik të 2018-s, pasi botoi librin me dosjen e Sigurimit të Shtetit.

Megjithatë shumë gjëra nuk e linin të qetë Maks Velon. Nuk e linte të qetë poshtërisa e atyre që kishin spiunuar dhe dëshmuar kundër tij, të vërteta me të cilat u përball hapur kur tërhoqi dosjen e plotë, që më pas e botoi. Nuk e linte të qetë hipokrizia e tyre kur kohët ndryshuan. Padrejtësitë, mospasja e guximit për të vënë në pah vlerat e tjetrit, që vazhdonin njëlloj, gati si një defekt genetik i shoqërisë sonë dhe mbi të gjitha nuk e linte të qetë mungesa e kulturës së ndjesës. “Askush nga ata që kanë dëshmuar kundër meje, nuk ka ardhur të më kërkojë falje. Dhe askush në këto vite nuk kemi dëgjuar të kërkojë falje”.

blank

Maks Velo u arrestua në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Siç e tregojnë dokumentet zyrtare, të bëra publike tashmë, u dënua për agjitacion dhe propagandë dhe artin e tij modern, sepse arti i tij kishte influenca perëndimore, se ai vlerësonte Pikason, Matisin…Pas një hetuesie me tortura psikologjike: “hapnin derën dhe bënin të kalonte aty një njeri i gjakosur”, doli në gjyq dhe mori dënimin maksimal që parashikohej për akuzën e tij, 10 vjet, nën duartrokitjet e publikut.

Kreu thuajse tetë vjet, pasi përfitoi nga një amnisti në vitin 1986. I kaloi të gjitha në Spaç. Një llahtar i vërtetë, e ka quajtur ai gjatë një interviste për emisionin Opinion në Tv Klan duke renditur arsyet: “Vendi ishte i tmerrshëm, është gropë, nuk ke diell, temperaturat janë shumë të ulëta. Galeritë nuk ishin të siguruara. Ushqimi ishte një mal me lakra. Ishin dhe riarrestimet. Në vitet '75 deri në '82 kur vrau veten Mehmet Shehu, kishte shumë pushkatime. Hetuesit gradoheshin kur pushkatonin...Dhe hetuesi im Dhimitër Shkodrani pushkatoi në Fier Xhavit Sallakun dhe u gradua në detyrë që erdhi në Tiranë ku më dënoni mua, bashkë me kryetarin e gjyqit Viktor Konomi”.

Ka përshkruar gjatë atij emisioni, kapanonin 40 metër katrorë me 52-56 veta brenda, regjimin e egër ditor dhe punën e rëndë në galeri.
“Ishte një tmerr i paimagjinuar, binte ujë nga të gjitha anët. Më thanë: “Do ngjitesh këtu”. Ishte një brimë, ishte një shkallë vertikale dërrase, duhet të ngjiteshe 30-40 metër me lopatë, me dritë me vete nëpër atë shkallë, që i mungonin edhe shkallaret. Duhet të futeshe në një “duçkë” dhe pastaj merrnim materialin dhe e hidhnin në një hinkë. Hapësira ishte 5 m e gjerë. E zhvendosnim materialin nga aty me karrocë e hidhnin në një hinkë. Ishin xhepa që nuk çelnin në mënyrë horizontale dhe ne e hidhnim në mënyrë vertikale. Njërit nga Burreli, iu shua llamba dhe ra dhe e nxorën copa-copa. Punova 1 vit e gjysmë se kisha një raport nga zemra, por ata ma zhdukën në fillim. Pastaj vazhdova punën në sipërfaqe”, ka vazhduar rrëfimin Maks Velo.

Ishte janar 1986, kur Maksi rifitoi lirinë, pas gati tetë vitesh i dënuar. “Një moment i papërshkrueshëm,-ka thënë ai.- Ndenjëm gjithë natën në zjarr. Pastaj, na bënë një mbledhje. Kishte ardhur Gjela Biba. Hapën dyert, dolëm. Kishte dëborë. Autobusat nuk vinin dot. Ishin poshtë në Reps. Momenti më i bukur i jetës. Merr një farë dinjiteti sepse aty të duket sikur të kanë hequr dinjitetin, sikur nuk je më njeri. Ka një farë poshtërimi  sepse ti e di që nuk je dënuar me të drejtë”.

Kaloi edhe një provë të fundit para se të lirohej, kur erdhën, për të disatën herë, t’i propozonin të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. “Mua më thirrën dy ditë para lirimit tre oficerë. Ishte hera e gjashtë që më thërrisnin për rekrutim për spiun. Një bisedë interesante, zgjati rreth një orë dhe ata e nisën bisedën me këtë: “E dimë që je dënuar kot”. Nuk e di pse ma thanë, ose që të me jepnin një goditje psiqike, nuk e di. “Komanda na ka folur mirë”. Unë nuk isha futur asnjë ditë në birucë, zbatoja rregullat, nuk doja të dilja i sakatosur.... Më thanë: Do të japim pafajësinë, do të dëmshpërblejmë, do të vëmë të punosh aty ku ke qenë. I thashë unë: Unë pesë herë kam refuzuar. Unë me ju nuk kam asgjë. Ju keni bërë një shkollë. Në gjithë botën, oficerët rekrutojnë agjentë. Unë kam bërë një shkollë. Në qoftë se doni, për atë punë që kam, si arkitekt, jam gati t’ju ndihmoj. Atë që thoni ju, unë nuk e bëj dot. Unë tre gjëra nuk bëj dot në jetë: të vjedh, të jem homoseksual dhe të spiunoj. Këto tre gjëra unë nuk i bëj dot. Në fund thanë: Ti je armik i përjetshëm, do punosh tërë jetën punëtor. Dhe punëtor punova deri në gusht 1991. Më çuan në kategorinë e parë, më e ulëta, kur ligji ishte që kur kuadrot e larta çohen të punojnë, duhet të marrin kategorinë më të lartë. Gjatë gjithë kohës kam punuar me pagën më të ulët, te abrazivi, por nuk më thirrën më”.

Nuk e tepron, kur viteve të burgut u shton edhe 10 të tjerë: pesë para se të arrestohej kur e pushuan nga puna dhe e çuan në Pezë e Ndroq dhe pesë të tjera pas burgut, kur ishte bërë i padukshëm thuajse për gjithë të njohurit. Ishin 18 vite gjithsej që Maks Velo jetoi si i dënuar, por përveç jetës iu godit edhe vepra. Pas arrestimit, i sekuestruan 246 punë, piktura dhe vizatime të llojeve të ndryshme shumica, por edhe punime në dru, ikona etj.. Gjatë viteve të burgut jetonte me shpresën se punët jetonin. Nuk guxoi të pyeste për to sa kohë diktatura ishte në fuqi dhe vetëm pas vitit 1990 nisi të interesohej. Atëherë mësoi nga vetë përgjegjësja e depos së Gjykatës, që pikturat ishin djegur. Ishin punë moderne, shqetësuese, aq shqetësuese sa edhe kur autori i tyre ishte futur në burg dhe ato ishin mbyllur në depo, përfaqësuesit e regjimit dhe artistët funksionarë të kohës, nuk i linin të qetë. “Ajo që më ka ndjekur tërë jetën është moderniteti i primitivitetit, unë kam kaluar nga primitiviteti shqiptar në modernitet, pa kaluar nga realizmi socialist”. Kjo do bëhej shkas për dënimin e tij, por Maksi nuk mund ta shmangte: “Moderniteti është në gen”. Megjithatë djegia e punëve i është dukur padrejtësia më e madhe dhe dënimi më i egër. “Më mirë të të djegin të gjallë sesa të të djegin punët. Puna është përjetësia”, ka thënë Maks Velo.

Maksi, nga të punuarit nuk hoqi dorë kurrë, duke shfrytëzuar çdo ditë të jetës si i lirë, pas shembjes së diktaturës. Në bazë të fotografive që hetuesit u kishin bërë pikturave e që ndodheshin në dosje, ai arriti të rikthente në jetë një pjesë të tyre. U shtoi shumë vepra të tjera. Gjithashtu, një cikël për periudhën e dënimit. “Burgu ka lënë shumë gjurmë, por unë jam munduar t’i kthej në gjurmë artistike”.

blank
Kjo veper tregon qeline, ne dyshemene e se ciles ndodhet i denuari, i kthyer ne nje krimb, pa personalitet

Me sa duket, diktatura, nuk mundi ta shkatërrojë përjetësinë e Maks Velos.

Mbetet për t’u parë, ç’do të ndodhë nga sot e tutje…

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here