Që sa zuri fill, regjimi komunist e bëri të qartë se çfarë do i ndodhte kujtdo që do të guxonte t’i dilte kundër. Ai e goditi opozitën e parë të pasluftës me dënime të rënda, duke mos kursyer as më të rinjtë që u bashkuan me të. Një grup gjimnazistësh dhe 20 e ca vjeçarësh u vunë në pranga dhe e kaluan pjesën e mbetur të rinisë në burgjet e diktaturës. Kujto.al sjell emrat dhe dënimet e tyre
Elementët opozitarë, të pagëzuar si Grupi i Rezistencës, Grupi Monarkist dhe Grupi Socialdemokrat, u bashkuan në nëntor 1945, hartuan një program të përbashkët dhe iu dorëzuan një notë misioneve anglo-amerikane, ku kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 në mënyrë që opozita të kishte kohë të përgatitej. Kërkesa nuk u mor parasysh; zgjedhjet u organizuan në datën e caktuar dhe u fituan nga e vetmja forcë pjesëmarrëse në to, Fronti Demokratik, pas të cilit qëndronte Partia Komuniste.
Koalicioni nuk dha kështu asnjë fryt, por pasojat për anëtarët e tij ishin të rënda. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e tregoi hapur se si do të sillej me opozitarët. Pa humbur kohë, që në janar 1946, u arrestuan anëtarët kryesorë të saj. Në librin “Koalicioni Demokratik, opozita e parë shqiptare e pasluftës”, autori Kastriot Dervishi përshkruan veprimtarinë e këtij grupi, hetuesinë dhe dënimet që u dhanë ndaj tyre.
Në këtë libër, tregohet se veç grupit kryesor opozitar, u goditën edhe të tjerë që kishin pasur lidhje me ta, përfshirë grupin e “rinisë nacionaliste”, siç e quan Dervishi.
Më poshtë, kujto.al, sjell pjesë nga ky libër, ku përshkruhet goditja ndaj të rinjve, të cilët, në ndonjë rast, u dënuan përafërsisht me aq vite burg sa qe mosha e tyre.
Pjesë nga libri
Rinia opozitare
Goditja e opozitës nuk mbaroi këtu. Ajo vijoi me arrestimin e një grupi të rinjsh që kishin qenë mbështetës të grupeve zogiste, balliste dhe socialdemokrate, kryesisht në shkollat e mesme duke vepruar nëpërmjet trakteve.
Në hetuesinë ndaj tij, para Valedin Zenelit, Abdulla Berberi thotë se në tetor 1945 ra në kontakt me Bektash Kokonën dhe Skënder Kosovën (jo oficeri i Sigurimit me këtë emër), duke u përpjekur me këta të formonte grupe kundër pushtetit. Bektashi u lidh me Musine Kokalarin (me të cilën lidhej edhe i vëllai Baftjar Kokona), duke bërë që grupi të anonte nga idetë e saj. Mbledhjet i bënë në shtëpinë e Skënder Kosovës. Musineja i kish kërkuar të propagandonin pro opozitës. Në këto mbledhje kanë marrë pjesë edhe Abaz Mezini, Bektash Kokona, Ylber Patozi, Myfit Bushati, etj.. Abdullai është takuar edhe me Akil Bashën, të cilit i ka thënë për grupin e tyre. Grupi shihet me aktivitet kryesisht para zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.
Akil Basha i pyetur nga Petrit Hakani dëshmonte se aktivitetin e kish filluar në prill 1945 në kontakt me Sotir Gjeçin, Pëllumb Nivicën, Petrit Berishën. Pak ditë më vonë, Allaman Hysa i ka prezantuar shokët e vet Mikel Pepa, Haziz Jarodi, Tonin Kiçi, Lutfi Maça.
Në biseda, Mikeli nxori faktin se Ylli Selenica kishte një makinë shkrimi që mund ta përdornin për trakte. Gjithë ky grup përbënte një bërthamë të të rinjve zogistë, të gjithë antikomunistë dhe adhurues të Mbretit Zog, me baballarë apo të afërm të pushkatuar, burgosur apo persekutuar nga regjimi komunist. Po ashtu i ka çuar një letër edhe Hysni Qylbes në Shijak për organizimin e rinisë së atjeshme. Në nëntor 1945 u takua me Abdulla Berberin, i cili i tha se duhej të formonin një grup, që do të thoshte më shumë zgjerim i atij që ishte. Përveç shokëve të tij, Akili iu drejtua Skënder Tarakut dhe motrës së tij Nexhipe Taraku (arrestuar më 28.10.1947, liruar më 28.11.1949), e cila merrej me organizimin e vajzave.
Procesi ndaj tyre u çel në muajin që po dënohej grupi kryesor i opozitës (procesi ndaj grupit kryesor u zhvillua më 17-30 qershor 1946 dhe vendimi u dha më 2 korrik 1946-shënim i kujto, mbështetur në librin në fjalë). Gjykata Ushtarake përbehej nga major Irakli Bozo dhe kapitenët Halit Tafani e Menella Bulka. Prokuror ishte Petrit Hakani.
Dëshmoi Musine Kokalari e cila thotë se i ka folur Abdulla Berberit rreth opozitës. Gjatë procesit shihet se disa të pandehur kanë qenë në dijeni të notës së opozitës, ndërsa disa të tjera si robi gjerman apo ndonjë ish-xhandar as kanë lidhje me grupin.
Të gjithë u akuzuan si “armiq të popullit" se do rrëzonin pushtetin nëpërmjet dhunës, në një kohë që aktiviteti i tyre dukej simbolik. Abdulla Berberi, Skënder Kosova, Akil Basha, Skënder Taraku, konsideroheshin të Legalitetit. Baftjar Kokona, Bektash Kokona, Abaz Mezini, Ylli Selenica, Skënder Jenisheri, konsideroheshin të Ballit Kombëtar, por dy të parët edhe të afërt me socialdemokratët e Musine Kokalarit.
Pak ditë para votimeve, Abdulla Berberi, Skënder Taraku, Abaz Mezini shkuan në shtëpinë e partizanit Xhelil Doda, ku gjetën 7 burra më të mëdhenj në moshë. Këtu mbi flamur ku ishte edhe një kobure u bë betimi për të luftuar pa u kursyer pushteti komunist me besnikëri ndaj grupit ku bënin pjesë.
Deri në mars 1946 nuk kishin bërë ndonjë aktivitet të rëndësishëm. Më 17.3.1946 është takuar me Skënder Jenisherin, Pëllumb Nivicën, Ylli Selenicën, Abaz Mezinin, Tonin Kiçin, Besnik Arabanë, Kajo Asllanin, në Tiranën e re. Këtu është biseduar hedhja e trakteve. Pas disa ditësh Akili takohet me Abdulla Petrelën. Në fushat poshtë Tiranës së re janë takuar Mentor Hatibi, Tonin Derani, Tef Pali, Bamir Çano, Abdulla Petrela, Flamur Stiri, Skënder Kosova. Ky i fundit çeli mbledhjen.
Në fund të hetuesisë së Akilit është shkruar: "Babai i tij, Murat Basha, dënuar me vdekje".
Bazuar në nenet 3, 15, 18 të ligjit nr.41, date 14.1.1945 "Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake dhe nenit 1 të ligjit nr.21, date 15.12.1944 "Mbi sabotatorët e luftës e të pushtetit, me vendimin nr.336, datë 24.7.1946, gjykata dha këto dënime me heqje lirie:
-Me 101 vjet: Rudolf Ëibv
-Me 20 vjet: Niazi Hoxha.
-Me 10 vjet: Abdulla Berberi, Abaz Mezini, Xhavit Alimerko, Asllan Cena
-Me 8 vjet: Bektash Kokona, Skëndër Kosova, Shuaip Hasho
-Me 7 vjet: Ibrahim Cena
-Me 5 vjet: Ramadan Drishti, Refik Çepele, Ylli Selenica
-Me 4 vjet: Skënder Jenisheri
-Me 2 vjet: Skënder Taraku
-Me 1 vit: Akil Basha, Baftjar Kokona
-Me 2 vjet me kusht me lirim të menjëhershëm Ismail Biturku
Grupi i dënuar
1-Abdulla Hysni Berberi, lindur më 1926 në Krujë, arrestuar më 4.2.1946, gjimnazist U lirua më 10.10.1955.
2-Bektash Muharrem Kokona, lindur më 1927 në Tiranë, arrestuar më 15.2.1946, gjimnazist. U lirua më 30.12.1953.
3-Niazi Osman Hoxha, lindur më 1923 në Rekë të Dibrës, arrestuar më 13.5.1946, ish-nëpunës i ATSH-së.
4-Abaz Sabri Mezini, lindur më 1928 në Vlorë, arrestuar më 21.5.1946, gjimnazist. Vuajti 9 vjet, 5 muaj, 28 ditë burgim. U lirua më 18.11.1955.
5-Skënder Hamza Kosova, lindur më 1927 në Durrës, arrestuar më 18.5.1946, gjimnazist. U lirua më 28.11.1949.
6-Baftjar Muharrem Kokona, lindur në Berat në vitin 1920, student i Fakultetit të Drejtësisë, arrestuar më 5.2.1946. U lirua më 26.2.1947.
7-Skënder Hysni Jenisheri, lindur më 1929 në Karbunarë, arrestuar më 16.4.1946, gjimnazist. U lirua më 26.11.1950. U ridënua.
8-Ylli Teki Selenica, lindur më 1927 në Tiranë, arrestuar më 16.4.1946, gjimnazist. U lirua më 15.4.1951.
9-Akil Murat Basha, lindur më 1930 në Elbasan, arrestuar më 3.4.1946, gjimnazist. U lirua më 4.3.1947. U ridënua.
10-Skënder Osman Taraku, lindur më 1929 në Shkodër, arrestuar më 2.3.1946, gjimnazist. U lirua më 1.4.1948.
11-Ismail Halil Biturku, lindur më 1921 në Kavajë. U lirua më 24.7.1946.
12-Xhavit Isa Alimerko, lindur më 1920 në Tragjas, arrestuar më 12.4.1946, rreshter policie. U lirua më 10.1.1948.
13-Asllan Ymer Cena, lindur më 1922 në Bicaj, arrestuar më 18.5.1946, rreshter policie. U lirua më 28.11.1951.
14-Ibrahim Sulejman Cena, lindur më 1926 në Gostilë të Kukësit, arrestuar më 19.5.1946, ushtar në Tiranë.
15-Shuaip Fetah Hasho, lindur më 1918 në Krujë, arrestuar më 19.5.1946, efektiv regjimenti. U lirua më 19.2.1954.
16-Refik Ali Çepele, lindur në Roskovec, arrestuar më 11.5.1946, ushtar. U lirua më 1.5.1951. U ridënua.
17-Ramadan Drishti, lindur më 1922 në Shkodër, arrestuar më 19.5.1946, ushtar. U lirua më 26.11.1950.
18-Rodolf Cohanl Ëibv, lindur në vitin 1922 në Austri, ish-ushtar gjerman, rob, arrestuar më 15.5.1946.
Ndonëse pjesë e grupit të rinisë zogiste, Parid Derani u dënua veçan. Përveç kësaj here, u dënua edhe dy herë të tjera. Ishte gjimnazist. Nuk mjaftoi që u arrestua e burgos disa muaj në Tiranë nga fashistët si antifashist, por do burgosej edhe si antikomunist.
Vënien e parë në pranga (nga komunistët-shënim i kujto), Paridi e kujtonte kështu: “Në atë organizatë, unë kisha hyrë prej disa muajsh, së bashku me shokët e mi Abdulla Berberi, Petrit Berisha dhe Akil Basha e të tre ishim angazhuar në hedhjen e trakteve që ishin hartuar prej krerëve të asaj organizate, në të cilat bëhej thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945”. ( Burimi: “Gazeta shqiptare”, datë 12 shtator 2002, intervistë dhënë Dashnor Kaloçit). Paridi u arrestua më 19.7.1946. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.8, datë 7.1.1947 e deklaroi fajtor “për pakënaqësi ndaj pushtetit, element armik dhe tendencë arratisjeje” (Burimi: Arkivi i Ministrisë së Brendshme).
Pjesa më e madhe e grupit u dënua në mes të vitit 1946. Vuajti dënimin edhe në kampin e Vloçishtit. U lirua nga burgu i Tiranës më 19.7.1951.
Shënim: Marrë nga “Koalicioni Demokratik, opozita e parë shqiptare e pasluftës”, Kastriot Dervishi, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë 2023.
Në foto: Burgu Nr.5 (Burgu i Madh) i Tiranës
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
