“Ardhja e tyre ka qenë e organizuar, por inisjatorët nuk mundëm t'i nxirrnim megjithëse u munduam shumë në këtë drejtim. Ne u treguam me qartësi që Xhemal Vata meriton vdekjen dhe se ata po bëjnë një faj duke mbrojtur një kriminel…”
Ajo çka i xhindoste më shumë komunistët gjatë operacioneve për të nënshtruar popullsinë e Veriut të vendit e për të instaluar komunizmin aty, ishte rezistenca e popullit dhe mbështjetja pa kushte që ata u jepnin nacionalistëve që regjimi i quante “reaksionarë”. Por, kur popullsia organizohej e bëhej një grupim për një qëndrim të caktuar, regjimi haste në vështirësi për t'i bindur.
Kujto.al boton për herë të parë një telegram që Gaqi Nesha i dërgon Koçi Xoxes, në 10 tetor 1945, ku zbulon një ngjarje të rrallë në Mat. Sipas këtij telegrami, 50 banorë të 4 fshatrave të Matit kishin kërkuan anulimin e dënimit me vdekje që ishte dhënë për Xhemal Vatën. Edhe pse komunistët ishin munduar me çdo mënyrë për t’i bindur të heqin dorë nga kërkesa e tyre dhe të zbulonin se kush i kishte shtyrë për këtë kërkesë, ata nuk ishin bindur dhe më këmbëngulje kërkonin të dërgonin kërkesën e tyre në Gjykatën e Lartë, për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje, njeriun që ata e vlerësonin. Në fund, Gaqi Nesha nënvizon, se “Xhemal Vata e meriton dënimin me vdekje”. Duket se pas këtij telegrami, përpjekja e 50 matjanëve për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje, kishte rezultuar pa sukses, pasi Xhemal Vata rezulton në listën e gjatë të të ekzekutuarve nga regjimi komunist.
Më poshtë, e sjellim të plotë dokumentin ku flitet për këtë ngjarje:
10 Tetor 1945
Koçi Xoxe
Sot në katundet e Matit: Macukull, Gjoçaj, Dukagjin dhe Shtjefëll ardhën pesëdhjetë katundarë për të kërkuar faljen nga vdekja të Xhemal Vatës. Unë bashkë me Jordanin biseduam me ta katër orë duke i sqaruar mbi situatën dhe detyrën për t’i dënuar kriminelat. U treguam tradhëtinë e parisë së Matit dhe rrjedhimisht të Xhemal Vatës meriton vdekjen duke dekllaruar për të se e njohin për njeri të mirë dhe që ato çka bërë nga budallallëku. Ardhja e tyre ka qenë e organizuar por inisjatorët nuk mundëm ti nxirrnim megjithëse u munduam shumë në këtë drejtim. Ne u treguam me qartësi që Xhemal Vata meriton vdekjen dhe se ata po bëjnë një faj duke mbrojtur një kriminelë. U folëm gjatë për të mos u tërhequr për hunde prej të tjerëve si përfundim ata qëndruan në fjalën e tyre dhe kërkuan që kërkesa të bëhet në gjyqin e naltë. Na mendojmë që Xhemal Vata meriton vdekje. Tarafi i Xhemal Vatës në Macukull patjetër e mbronë se e don dhe se kanë ambicjen që Bilal Kola kryetar tjetër në Macukullu është i pa kapur.
Gaqi Nesha.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.