Fati tragjik i firmëtarëve të Pavarësisë, si u pushkatuan e dënuan me burg në diktaturë

0
0
blank

Shumë prej firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë përjetuan një fat tragjik gjatë periudhës së diktaturës. Disa prej tyre u pushkatuan, kishte nga ata që u dorëzuan te komunistët serbë, të tjerë u burgosën, u përndoqën familjarisht dhe u damkosën si armiq të regjimit, thjesht pse nuk u pajtuan me diktaturën.

blank

Firmëtari i Pavarësisë Sheh Ibrahim Karbunara bashkë me të birin, u dënua me pushkatim ne gjyqin e deputetëve në vitin 1945. Ai nuk e pranoi kurrë akuzën e rrejshme të komunistëve.

JOSIF PASHKO: I pandehur Sheh Ibrahim Karbunara! Në shtëpinë tuaj është mbledhur për herë të parë grupi iniciator i organziatës tuaj tradhtare. Ti je një prej frymëzuesve të kësaj organizate. Mbi ty rëndon akuza e rëndë e udhëheqësit të kësaj organizate. Në veprimtarinë tuaj armiqësore është i përfshirë edhe djali juaj Hysen Shehu. (tregon me gisht Hysenin) Bashkë me djalin ju keni kryer veprimtari kundra pushtetit popullor, udhëheqjes tonë dhe komandatit tonë të dashur Enver Hoxha.

blankSHEH KARBUNARA: Unë nuk pranoj asnjë akuzë. Kurrë nuk kam vepruar kundra popullit. Nuk kam bërë asnjë akt kundra atdheut. As unë, as im bir. I bëj thirrje tim biri dhe të tjerëve të akuzuar padrejtësisht: Mos pranoni akuza të paqena për tradhti kundër atdheut. Ne nuk kemi bërë akte kundra atdheut ... po vdesim duke e mbrojtur atdheun. Unë nuk i pranoj akuzat dhe nuk kërkoj mëshirë”.

Kur komunistët morën pushtetin, në Shqipëri jetonin 31 figura kryesore që kishin marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë, duke përfshirë ata që firmosën aktin e 28 Nëntorit, si dhe ata që, për arsye të ndryshme, arritën në Vlorë pas shpalljes. Disa prej firmëtarëve ishin dënuar me pushkatim, si Lef Nosi, ose kishin vdekur në burg, si Shefqet Daiu. Të tjerë ishin detyruar të qëndronin jashtë Shqipërisë, duke u parë si armiq të shtetit të pavarur që ata vetë kishin shpallur. Roli i tyre në shpalljen e Pavarësisë u mohua dhe firma e tyre u fshi me lehtësi nga dokumentet historike, siç ndodhi me Dom Nikoll Kaçorrin, Mid'hat Frashërin e të tjerë.

Ishte një gjueti e pamëshirshme ndaj firmëtarëve të Pavarësisë, që arrinte deri në eshtrat e tyre, siç ndodhi me Iliaz Vrionin, të cilin e hodhën në lumin e Vlorës. Po ashtu, familjarët e tyre, si djali i Ismail Qemalit, u burgosën dhe përjetuan persekutime të egra.

Ndërkohë, në tribunat e festave të Pavarësisë, ajo që shfaqej për popullin ishte një shfaqje e falsifikuar e ngjarjes, e mbushur me të pavërteta dhe fakte të shtrembëruara.

Ata që u vranë ose ndërruan jetë në burgje

blankNjë nga firmëtarët e Pavarësisë dhe ministër i Qeverisë së parë të shtetit shqiptar, Lef Nosi, kur komunistët morën pushtetin, u detyra të maskohej dhe fshihej prej tyre, deri sa e arrestuan më 7 gusht 1945. Lef Nosi, 68-vjeçar u fut në birucë dhe pas pesë muajsh hetuesi doli në gjyq ku më 12 shkurt 1946 u dënua me pushkatim së bashku me Patër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin.

U dënua sepse “si anëtar i Regjencës në kohën e okupacionit nazist, ka bashkëpunuar dhe i ka shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe është përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë”.

Asnjë krim i tij nuk u vërtetua, por duke i ngarkuar të gjitha fajet e pushtuesve, drejtuesit e Gjykatës së Lartë Ushtarake firmosën dënimin me pushkatim, i cili u ekzekutua menjëherë në periferi të Tiranës. Lef Nosit iu sekuestrua jo vetëm pasuria materiale, por edhe çdo dorëshkrim e studim që do të përbënte një trashëgimi të vyer kulturore e historike nën emrin e tij, të destinuar tashmë për t’u fshirë kudo, edhe nga dokumenti i shpalljes së Pavarësisë.blank

Gjatë së njëjtës periudhë, u arrestuan edhe tre firmëtarë të tjerë, Shefqet Daiu, Sami Vrioni dhe Qazim Kokoshi, për të cilin nuk mund të thuhej as që kishte bashkëpunuar me pushtuesit, sepse ishte arrestuar dhe internuar në Bergamo prej tyre. Ata ndërruan jetë brenda pak muajsh a vitesh, në burgje nga sëmundje të rënda apo në hetuesi nga tortura njëlloj shfarosëse. Jeta iu mor edhe Qerim Begollit që partizanët jugosllavë e pushkatuan në Pejë dhe Bedri Pejanit që iu dorëzua serbëve, të cilët mendohet se e kanë helmuar. Zihni Hamzaraj Kanina u arrestua ca më vonë, në vitin 1951, provoi torturat në hetuesi dhe më pas u dërgua në Burgun 313 të Tiranës. Gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe ai ndërroi jetë në vitin 1959.

Qazim Kokoshi vdiq në burgjet e diktaturës në vitin 1947.

blank

Të dënuar, bashkë me familjet 

Në vitin 1945, u arrestua dhe kleriku mysliman Sherif Langu, duke mundur të dilte i gjallë pas 7 vitesh të kaluara në burg në moshë të thyer. Për regjimin e ri ai ishte “bashkëpuntor i Ballit Kombëtar e Legalitetit, mik i ngushtë i Rexhep Mitrovicës dhe Lef Nosit dhe sabotues i lëvizjes nacionalçlirimtare” dhe jo firmëtar i Pavarësisë. Që këto personalitete shiheshin si armiq të urryer dhe jo fajtorë para drejtësisë që vendoste t’i dënonte me paanshmëri, e tregon hakmarrja e papërmbajtur dhe përndjekja e pafundme ndaj pasardhësve të tyre. Angazhimi patriotik në 1912-ën nuk vlente nëse angazhimi politik i viteve '40, nuk përputhej me pretendimet e Partisë Komuniste dhe ishte e qartë edhe që pushtetarët komunistë nuk mund ta ndanin skenën me bijtë e këtyre familjeve të njohura, që nuk kishin arritur t'i bënin për vete. I biri i Isa Boletinit, u vra me atentat në Shkodër. Dhëndri i Bedri Pejanit, u dënua me pushkatim. Një nga djemtë e Ismail Qemalit u burgos dhe të gjithë pasardhësve të tij iu mohua çdo nderim, deri dhe pensioni special. Djali i avokat Shefqet Daiut, u dënua me 9 vjet burg dhe të gjithë fëmijëve iu mohua e drejta e arsimimit. I biri i Iliaz Vrionit u burgos…

Ngritja e flamurit në Vlorë, apo dhe në qytete të tjera, nuk i mbrojti pasardhësit e atyre patriotëve nga dënimet e regjimit komunist as në raste të tjera, duke e bërë të madh numrin e të dënuarve politikë të diktaturës, baballarët apo gjyshërit e të cilëve ishin vënë në ballë të përpjekjeve për Pavarësi. Në këtë artikull, u përshkruan disa nga firmëtarët e dënuar nga diktatura, ndëkohë një pjesë tjetër e firmëtarëve mbeti në hije pasi nuk pranuan të bashkëpunojnë me diktatorin.

blank
Tirane 17 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te deputeteve.Shefqet Beja e Sheh Ibrahim Karbunara.Foto:Atsh
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here