Disa dëshmitarë okularë, tashmë, janë munduar të ndërtojnë, përmes kujtimeve, dinamikën e revoltës në kampin e Qafë-Barit. Ky është një rrëfim tjetër nga Enver Jakupi. Edhe pse, në shumë momente, tingëllon një histori e përsëritur, kujto.al e sjell këtë dëshmi si një zë më shumë të korit të së vërtetës që bërtet për krimet e diktaturës
Enver Jakupi ishte transferuar në burgun e Qafë-Barit, nga Spaçi, më 1 tetor të vitit 1983. Nuk kishte kaluar ende një vit në këtë kamp-burg, kur shpërtheu revolta. Shefi i policisë së burgut në atë kohë, Edmond Caja kishte vendosur një rregull që ua bënte edhe më të vështirë jetën të dënuarve dhe fare të lehtë atij, torturimin e tyre. “Në vitin 1984, Edmond Caja vuri një ligj; kush nuk bënte normën për 8 orë do kthehej, do hante bukë dhe sërish do dilte në punë”, tregon Enver Jakupi në një intervistë për Luljeta Lleshanakun, botuar te “Zërat e Kujtesës” Vëllimi VII, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Të dënuarit hynin në galeri të pangopur prej muajsh, prej vitesh e megjithatë duhet të përballonin punën e rëndë. Duhet të shtynin minerale me ton, të thithnin pluhur, të duronin temperaturat e larta e të përvëloheshin me acid, duke qenë në rrezik të vazhdueshëm për jetën. I vetmi çast lehtësimi për ta, ishte ai kur dilnin nga galeria dhe mund të qetësoheshin derisa të vinte sërish orari i punës dhe gjithçka të përsëritej në rrotën e torturës ku kishin ngecur. Mirëpo Edmond Caja, ua mori edhe këtë çast. Për ca kile mangut në kuintalët e normës, i dënuari mund të kthehej sërish në punë për 8 orë të tjera, pa fjetur dhe pa u çlodhur. Kjo ishte e papërballueshme.
“Më 22 maj 1984, ditë e martë, personat Ndue Pisha, Koço Jani nga Vrina e Sarandës dhe Fisnik Spahiu nga Tirana, të cilët nuk kishin bërë normën, hëngrën dhe dolën në punë. Kur përmendin emrin e Ndue Pishës, Sokol Zef Sokol nga Lekbibaj dhe Martin Sokol inga Thethi, Sokoli ngrihet dhe thotë: -Pasha Zotin, Ndue Pisha nuk del më në punë, se është koha me pushu dhe me fjetë gjumë, se ka punuar boll gjithë natën. Ndërhyn edhe Martin Sokoli duke thënë se, do dilte në punë në orën 11.00 të natës, kur kishte orarin. Filloi kacafytja me policët dhe nuk e lanë Ndue Pishën me dalë në punë. Vjen gjithë komanda e kampit në oborr dhe jepet urdhri që të gjithë të burgosurit të futeshin në mensë…Hyn komanda dhe thonë: Kush do të dëgjojë emrin, të dalë jashtë! Sokoli, Martini, Lushi, Dushi dhe gjithë grupi thanë se kujt do t’i dilte emri i pari dhe na qëllojnë, do bërtasim. Të parin thërrasin Kostandin Gjerdenin nga Durrësi, ishte me dorë të këputur. Pastaj thirrën Koçon…Sa filluan ta qëllojnë, ai bërtiti dhe ata e lëshuan. Tom Ndoja donte të qëllonte instruktorin politik. Haxhi Baxhinovski kishte një si punë thike, donte të bënte diçka. Pra, u bë një kacafytje e madhe. Toma se ku kishte gjetur një gur. Gjithë komanda doli jashtë deri te postblloku. Ne ngelëm brenda, pa policë. Sigurisht që u lajmërua Tirana. Unë shkova direkt në depo (ku të burgosurit linin ushqimet që u sillnin familjarët). Mora 2 kg niseshte, 3 kg sheqer, vaj, makarona dhe i kam thënë Ramadan Spahiut nga Burreli: Merri këto ushqime dhe na bëj një hasude, gatuaj makarona, se nuk i dihet. Do të vijnë nga Tirana dhe këtu do të bëhet nami. Të paktën, njerëzit të hanë, të jenë të ngopur me ushqim, se nuk i dihet…Në këtë lëvizje, njëri më thoshte “më gjej një triko”, tjetri kërkonte një palë shapka, dikush diçka tjetër….Sokol Zef Sokoli ishte tip pa hile, Martin Sokoli po ashtu, edhe Koçoja. Kur shkova të kontrolloja, nëse ishin bërë gati…pashë se hasudja ishte hedhur në tepsi dhe makaronat në një tenxhere të madhe. Me të drejtën e Zotit, iu drejtova Sokolit dhe Martinit të parëve: Hajdeni ngopuni për herë herë të fundit, në Qafë-Bari, se ka gatuar Ramadan Spahiu, nuk i dihet. Përgjigjja e Sokolit ishte: Hajdeni burra shkojmë, mos t’ja prishim Enverit. Erdhën burrat dhe, për çudi, asnjëri nuk e futi lugën më shumë se dy herë në hasude. Hasudja dhe makaronat ngelën, më shumë se 3 ditë, në tavolinë. Do thuash ti: pse nuk hëngrën? Ishin ditë zije për ne”,-ka treguar Enver Jakupi.
Ai kujton se revolta nisi mbas orës 8 të mëngjesit të 22 majit. Sampistët e ardhur bashkë me zvministrin Zylyftar Ramizi, qëndruan në tre dhomat që ishin mbrapa godinës së burgut. Më pas erdhën dhe forca të tjera nga Puka, që e rrethuan kampin. “Çdo 2 m kishte roje me automatik dhe mitraloz. Komandanti i burgut Riza Musollari dhe Edmond Caja ishin brenda rrethimit, kurse zvministri ka hyrë në rrethim. Duke parë orën, tha:-Komandant, lajmëroi të gjithë me radhë, që nga kryeorganizatori, të paraqiten për 5 sekonda. Ai që nuk paraqitet do ketë pasoja më të mëdha ekstreme”. Të burgosurit, nuk kishin mundësi zgjedhjeje. Ishin të rrethuar nga policë të shumtë në numër dhe të armatosur. Vendosën të dorëzoheshin. Sapo ranë në duart e policëve, nisën torturat. Të patregueshme, çnjerëzore. Disa të dënuarve, si Sandër Sokolit, një ndër të parët që u thirrën, këto tortura u morën jetën.
“Emri i vërtetë i Sandrit, ishte Sadri, ishte djali i motrës së Sadik Bekteshit. Kishte studiuar pesë vjet në Leningrad, njeri me shumë kulturë dhe i respektueshëm. Ditën e parë morën 28 persona. Sandër Sokolit i kanë vënë gjurin në mes të trupit; i kanë bashkuar këmbë e kokë bashkë duke shkaktuar vdekjen në vend.”
Emdond Caja, sipas Enverit, ishte njeriu kryesor në këtë masakër. “Njeriu më i keq që ka ekzistuar dhe i pashpirt”, thotë Enveri. “Sokol Zef Sokolit i ka thyer të dyja nofullat, një dorë, pesë brinjë dhe ka bërë një super krim tjetër që nuk mund ta them. E kam të vështirë ta them…por i kanë prerë organet gjenitale”.
Enveri thotë se i ka parë me sytë e tij, duke i tërhequr zvarrë 28 të dënuarit e masakruar gjatë ditës së parë. Kur donin t’i hidhnin në makinë, i tundnin 2-3 herë, ashtu siç ishin, të lidhur me hekura në duar, kurse policët sipër, i shtynin me shqelma në fund të Zisit. Njëri mbi tjetrin, gjysmë të gjallë, përshkruan rrugën skëterrë të Qafë-Barit. Mbasi u nis makina, zvministri, futi të dënuarit e mbetur në mensë ku i porositi të rrinin urtë dhe të bënin normën sepse përndryshe do të kishin pasoja.
Vazhduan të merrnin edhe të tjerë të nesërmen, gjithsej rreth 60. I çuan në birucat e Pukës dhe Lezhës. Ndërsa pjesën e mbetur të të dënuarve, e nxorën në punë që në turnin e dytë të asaj dite. “Si mund tëpunonim?! Na rrihte zemra dhe na dhimbte shpirti për hallet dhe vuajtjet”, thotë Enveri i cili kujton se pas revoltës, komanda organizoi spiunët që të dëgjonin çfarë diskutohej dhe se një terror i madh shpërtheu në kamp. “Duhej të kishim kujdes të madh, se të vrisnin”, thotë ai.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.