Elegji për poetin e mësuesin dëshmor….

0
761
blank

"Havzi Nela, o vëlla i vuejtjeve të përbashkëta! Unë, viktimë e tri diktaturave në Shqipëri, gjunjëzohem me përvujtëni...." 

Nga Sami Rrepishti

Me rastin e 30 vjetorit të varjes në litar-
Nga Sami Repishti/ Dielli/

…..nji vajtim për heroin që nuk jeton ma, për atë që dha shembullin e jetën, e meritoi përjetësimin e emnit Havzi Nela! Dëshmori Havzi Nela ka qenë i fundit disident i ekzekutuem në të gjithë Europën lindore komuniste…. Pushoftë në paqë!

Në shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të krahinës heroike të Lumës, lindi nji foshnje. Çdo foshnje ka nji emën. Emni i foshnjes ishte Havzi Nela.
Vogëlushi Havzi u rrit në gjiun e nji familjeje thellësisht tradicionale shqiptare dhe u ushqye me brumin që nanat tona shqiptare i dhanë rinisë sonë për shekuj: dashuninë e pa kufi për liri!
Havziu u rrit, dhe bani nji emën: Havzi Nela, poet e mësues; dy veprimtari të privilegjueme që naltësojnë: njena, me frymën e sensitivitetit të shkrimtarit që don jetën dhe i këndon asaj e natyrës që e ushqen; dhe tjetra, me dritën që ndizet aty ku mbretnon terri, aty ku nga kaosi pa formë i errësinës, krijohet nji kosmos, nji botë e ndritun dhe e organizueme mirë.
Ka qenë dhe mbetet ende andrra e çdo burri dhe e çdo gruaje me u plakë tue lanë nji emën të mirë. Emni i mirë: gjithmonë merita ma e madhe. Ashtu edhe për Havziun e ri që nuk shijoi vitet e pleqnisë së rehatëshme në gjiun e familjes që aq shumë deshti… nuk i shijoi sepse druni i pagdhenun në torturë, plumbi i zjarrët dhe litari i vrazhdë në grykën e të riut Havzi, nuk e lejuen: e lodhën, e kërcënuen me ekzekutim, e përfunduen me aktin e tyne kriminel: me litarin në qafën e burrit revolucionar të Lumës heroike…. gjatë viteve të Shqipërisë së martirizueme!
Havzi Nela la jo vetëm emën të mirë; ai e tejkaloi ate. Ai la nji shembull heroizmi të rrallë, nji model të rezistencës kundër së keqes absolute që mundoi ate dhe bashkatdhetarët e tij, me nji akt suprem, koshient dhe të qartë. Jeta e tij mundi vdekjen, tue mos i lejue vetes nji vdekje që përfundon në botën e gjumit të përherëshëm…. në harresë!
Havzi Nela jo! Ai nuk i lejoi vdekjes me thanë fjalën e fundit. Ai u ngrit në naltësitë e epërta të herojve të mëdhej, figurave që tue përbuzë vdekjen hyjnë në legjendë, në nji botë ma të madhe se ajo e zakonshmja, e thjeshta, dhe vdeksorja, në nji botë ku vdekja nuk ka vend. Në nji moment suprem të revoltës, ai fitoi lirinë e vertetë, lirinë që farkëton me duert e veta fatin e vet. Liria e vërtetë e mbinjerëzores!
Në botën që e shpërfilli u përjetësue emni i viktimës së vullnetshme me u sakrifikue në altarin e idealit… në kërkim e në gjetje të botës ideale, që pranon vetëm ata që e kërkojnë me zjarrin që i konsumon: herojtë dhe heroinat që me revoltimin e tyne na mbushin me krenari për qenien tonë pjesëtarë të së vetmes racë njerëzore.
Për të tjerët, për turmat, mbetet vetëm admirimi i aktit heroik.
Vdekja e heroit Havzi Nela, vrulli i tij revolucionar, na kujton shprehjen e poetit rus Yevtushenko që shkroi:
”Dikush çdo herë duhet të jetë udhëheqës i nji breznie. Dikush duhet të lindë për këte mision. Përse jo njeni nga ju, nga ju të rinjtë?”
Përse jo nji i ri si Havzi Nela, pyes unë! Ai, i riu që pati guximin me shkrue në burgun e Qafë Barit, me 10 gusht 1983, këto fjalë monumentale:
”Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Enver Hoxha!”
Në Republikën komuniste çeke, ekzekutimi i fundit u ba në vitet e para të 1950’s; në Shqipëri, në vitin 1988, u var në litar nji i ri, poet e mësues, sepse i këndoi lirisë…

Dhe shokët e miqtë e Havzi Nelës, që mbijetuen terrorin e kuq, nuk dënuen me vdekje as edhe nji të vetëm kriminel komunist, as Aranit Çelën, as Rrapo Minën, as Zylyftar Ramizin që kanë pohue me gojën e tyne se kanë dënue me vdekje dhe torturue me qindëra kundërshtarë të komunizmit. Bota e re që andërronte Havziu ishte e betueme mos me përsëritë të kaluemen terroriste! Nuk u dënue as gjykatësi kryesor, Fehmi Avdiu, që firmoi varjen e deshmorit, as kolegu Fatmira Laskaj që bashkëfirmoi….!
Gjate viteve të “pranverës arabe”, nji rebel libian kundër diktatorit Khaddafi
shprehej: “Unë e due vdekjen e Khaddafit. Dhe jo vetëm nji herë, por me vdekë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë. Sepse për 42 vjet të gjata, ai na vrau të gjithëve çdo minutë dhe çdo orë!” Rebeli shqiptar, rebeli libian, dy guximtarë, mallkojnë diktatorin në emën të atyne që kanë humbë zanin… nga frika!
Me heshtjen e madhe para krimeve komuniste, shumica nuk pati guxim me deklarue se komunizmi në praktikë, manifestimi ma anti-njerëzor në historinë e njerëzimit, nuk ashtë mënyra e jetëve tona. Kjo mungesë guximi na nënvleftëson si qytetarë të lirë të vendit tonë. Nënvleftësimi këputë shkurt shpirtin tonë të inisiativës; na pushojmë së qenuni ma gjatë njerëz të lirë. Këtu qëndron përfundimi që shumë shqiptarë nuk kanë pasë guximin me refuzue qendrimin diktatorial, refuzimin e “diktaturës së proletariatit”.
Heshtja nën komunizëm na bani të gjithëve bashkëfajtorë. Skllavëria komuniste me frikën e saj korruptoi thellësisht qytetarin si individ dhe shqiptarët si shoqëni. Romakët e vjetër kishin shprehjen:”Qui tacit, consentire!” ”Kush heshtë, aprovon!”
Degradim moral i plotë! Si spjegohet që ditën e ekzekutimit të Havzi Nelës, rojet e kuqe talleshin me trupin e tij në litar, që era lëkundte sa këtej sa andej, sytë e tij të hapun sikur na shihte të gjithëve, tregon nji deshmitar, goja me buzët e gjakosuna sikur donte të fliste, gjoksin e hapun nga këmisha e shkyeme….ata e ngjitshin e zbritshin litarin për ….defrim; dhe nji opangë malësore që kishte ra në shesh, tashti përdorej si top futbolli nga ekzekutuesët….për sport; ndërkaq nga shikuesët nuk doli nji guximtar me protestue këte trajtim kaq barbar!
Mbetën vetëm herojtë e rezistencës anti-komuniste, - dy herë heroj sepse refuzuen hakmarrjen! - dhe dëshmorët që nuk kanë za me na ngushëllue, neve “viktimët”, që jemi na sot!. Nga bota ku banojnë, na inkurajojnë përsëri me farkëtue nji jetë autentike edhe për ata që vuejnë nga pesha e fajit të kryem.
“Fajtorët”. Gjykim i ashpër! Në konditat tona të ndryshme me dhanë gjykime për sjelljet e të tjerëve, individuale e shoqënore, që në momentet e vështira të jetës nen diktaturë janë përkulë, ose janë thye, me gjykue me parimet e “absolutes” nuk ashtë nji gjest serioz. Poeti anglez Coleridge na ka falë shprehjen “Motiveless malignity”. (Ligësi pa motiv). Ka qenë “ligësia” e pakufishme e komunizmit që ka krijue këte gjendje të padëshirueshme….!
Si rrjedhim, sot përjetojmë degjenerimin e “udhëheqjes shtetnore e civile”, të shkaktueme nga shtypja dhe nënshtrimi i diktaturës, të pa aftë me rigjenerue me punë e me arsim –si mjetet e domosdoshme që sjellin përparimin dhe aftësinë tonë me shkrue historinë tonë me duert tona! Na duem nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane, dhe duem ta ndërtojmë me duert tona…dhe nuk kemi sukses!
Fetarët kanë të drejtë me thanë: “ata që duen jetën shumë, e humbin atë”. Njikohësisht, vetë feja u formue me spjegue vdekjen, nji përpjekje me i dhanë nji kuptim “shkatërrimit të pareparueshëm” të jetës. Heroizmi e refuzon këte spjegim; ai e përballon dhe krijon pavdekshmëninë….aspekti heroik i njeriut, e vetmja krijesë që e din se do të vdesë …!
Shteti totalitar si ai i rregjimit komunist në vendin tonë kërkoi me shfrytëzue
plotësisht për vete çdo ekzistencë individuale nën maskën e “marshit të historisë”. Flitet për të “vërtetën” të justifikueshme nga “Historia””. Në përpjekjen e tij me i dhanë botës së lëvizëshme dhe të pasigurtë, “ngurrtësinë” dhe vërtetësinë e “fatit” të caktuem nga “Historia”,- tue zevendsue nji “histori” që formon njerëzit me njerëzit që shkruejnë historinë, shteti totalitar arrin në përfundimin që “justifikon” profecitë e “etënve” të sistemit, dhe krimet që e karakterizojnë. Me kërkesen që indvididi të heq dorë nga liria personale dhe se do të gjej atë vetëm në “shtet”, tek “arsyeja e shtetit” (la raisons d’état), e çfardo forme qoftë, krijon nji gjendje ku “Shteti” ka gjithmonë “arsye”. Nga kjo pozitë rrëshqitet në paligjëshmëni. Terrori vjen nji orë ma vonë!
Rregjimi komunist në Shqipëri, ashtu si në Egjiptin antik, u shëndrrue në nji fatalitet absolut. “I vetmi qendrim kundrejt nji bote jo të lirë ashtë me jetue nji jetë aq të lirë sa që vetë ekzistenca e juej ashtë nji akt rebelimi” plotëson Albert Camus. Rebelimi i Havzi Nelës ka qenë vetë ekzistenca e tij, përpjekja e tij me jetue i lirë në nji botë jo të lirë; akti heroik “në botën e asgjaje” ka qenë i vetmi mjet me ia arrijtë qellimit, pavarësisht nga çmimi i randë që paguhet me jetën– por që njikohësisht e shpëton jetën e tij nga “e zakonshmja” qe ai nuk pranonte!
*****
Sundimit absolut të udhëheqjes që përpiqet me përjetësue me aktet e shtypjes dhe shnjerëzimit të grupit komunist anti-jetë, u dalin sot përballë, me hezitim ndoshta, por me besim në fitoren e fundit, klasa e re në formim e sipër e të rinjëve që me punë e arsim avancojnë, dalë nga dalë, në shkallët e hypjes në pushtet. Sundimtarët që përballojnë këte klasë të re, pjellën e padëshirueshme të strategjisë së tyne, të pa aftë me e ndalë, të etshëm me e pengue, të sigurtë se ajo ashtë varr-rrëmihse e sistemit që e rriti pa e përkdhelë, e rendit shoqënor që e ushqeu pa e dashunue, dhe që e kercënon tashti me e perpi si nana-monstër e tragjedisë antike, dridhen nga frika që shkakton nji popull i zemruem!
Shqipëria, vendi ku bien dëshmorët dhe ngrihen herojtë, ashtë atdheu i Hafzi Nelës. Sot na vajtojmë këte dëshmor, dhe festojmë nderin e madh që heroizmi i tij i solli atdheut shqiptar. Sot, të gjithë ne ndjehemi kryenaltë -me përjashtim të kriminelëve komunistë.
Hafzi Nela, heroi i lirisë për të gjithë, dëshmor i demokracisë për katër miljonë shqiptarë skllavë modernë të komunizmit në Shqipëri, i masakruem me litar në grykë, ngrihet nalt madhështor, bir i Lumës heroike që dha jetën për pasionin e tij të lirisë me dritë hyjnore, vetëm dy vjet ma vonë, në 1990, e frymëzoi rininë studenteske shqiptare me u ngritë me guxim, me i thanë “Jo!” diktaturës së kuqe, me përmbysë tiranin e kuq dhe legjonet gjakatare të Satanit komunist, me rrëzue përtokë, pa ceremoni, tue e tërheq rrëshqanë satrapin aziatik që i zuni frymën nji kombi mbar. U shemb tirania enveriste nga grushtet e nji populli që lindi të rinj e të reja guximtare si lumjani Havzi Nela.
Havzi Nela, o vëlla i vuejtjeve të përbashkëta! Unë, viktimë e tri diktaturave në Shqipëri, gjunjëzohem me pervujtëni. Sot, e gjithë Shqipëria të falënderon, dhe historia e këtij vendi që na quejmë “Atdhe” të ka perqafue përjetësisht, dhe të ka vendosë në piedestalin e Pantheonit Kombëtar Shqiptar.
I përjetëshëm qoftë kujtimi yt, o bir besnik i Lumës së shumëvuejtun e heroike! Pushofsh në paqë!

Ridgefield. CT. USA
28 nandor 2018
Sami Repishti, Ph.D.
ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste (1946-56)
në Jugosllavinë komuniste (1959-60)
(Shkrim pjesë e librit mbi këte subjekt përgatitë nga Florin Zyberaj. Botimi në janar 2019)

Marrë nga gazeta Dielli

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.