Dy ushtarë të ekzekutuar nga Divizioni i 5-të sulmues të dënuar në Gostivar

0
426
blank

Divizioni i 5-të sulmues, në territoret shqiptare në Jugosllavi kreu rekrutime të shumta me forcë. Jo vetëm popullsi vendase, por edhe nga pjesa tjetër e Shqipërisë që në një rrethanë apo një tjetër ishin gjendur atje. Në Gostivar u zhvilluan disa procese gjyqësore, shumica e të cilave ishin farsë dhe dhanë dënime me vdekje. Dy ushtarë u pushkatuan së bashku.

 

-Selim Baftjar Voci

U lind më 10.2.1920 në Elbasan. U akuzua në bazë të neneve 14, 15, 17, 19 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 se kish organizuar dezertime, sabotojë topat e artilerisë, të bëjë atentat mbi komandantin e brigadës, të sabotojë festën e 10 korrikut, lidhje me të arratisur si Muharrem Bajraktari, çeljen e letrës së oficerit të Mbrojtjes së Popullit, etj. Shënohej se në “regjimin e kaluar” kish qenë toger. I pyetur për akuzat, përpara gjykatës deklaroi:

“Akuzat që më bëhen nuk janë të vërteta sepse nuk jam i tillë. Edhe nga akuzat që më bën prokurori i pranova në pyetësinë që më bëri shtabi i Brigadës 22 sepse u tremba mos më torturonin. Unë e theksoj se kam qenë deficent karshi lëvizjes nacionalçlirimtare, i padisiplinuar dhe i parespektuar, kam hapur letrën e MP, por gabimisht. Kanë dezertuar partizanë prej grupit tim, por jashtë vullnetit tim dhe trupi gjykues ka plot të drejtë të m’i bëjë këto akuza dhe të më dënojë si fajtor por jo si tradhtar. Përveç këtyre, shumë herë kam pëshpëritur keq për jetën e kazermës, për Frontin NÇL dhe për elementë udhëheqës me të cila isha në bashkëpunim, por kjo ka ardhur ngaqë për mua, jeta e vështirë që bëhet sot në kazermë është e pakuptueshme dhe sa për frontin unë si i ri në jetën e Frontit, hala nuk e njoh mirë. Mbi sa thashë, lutem vendosni fajësinë tim mbi asgjë tjetër, as mbi procesin që më ka mbajtur Brigada e 22 as mbi procesin që më ka mbajtur Brigada e 22 e mbi dëshmitë e dëshmitarëve të cilët për të shpëtuar veten më akuzojnë”.

Gjykata Ushtarake e Divizionit të 5 sulmues, e kryesuar nga major Musa Daci, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten Riza Taushani, me vendimin nr.44, datë 28.8.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.347, datë 26.10.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Më 7.11.1945 E.Hoxha miratoi dënimin me vdekje. Telegrami i drejtohej Divizionit të 5-të me fjalët “ku të jetë” sepse nuk dihej ku ishte saktësisht.

 

-Rustem Sali Roçi

U lind në vitin 1912 në Sagroçan të Peshkopisë. U akuzua në bazë të neneve 15, 17, 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945, për organizim të arratisjes së një pjesë të ushtarëve të divizionit për t’u bashkuar me Muharrem Bajraktarin. Kishte qenë oficer “në kohën e pushtimit, i kapur rob në nëntor 1944 në Prizren”. Gjykata Ushtarake e Divizionit të 5 sulmues, e kryesuar nga major Musa Daci, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten Riza Taushani, me vendimin nr.s’ka, datë 28.8.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.348, datë 26.10.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Më 7.11.1945 E.Hoxha miratoi dënimin me vdekje bashkë me Selimin.

 

Ekzekutimi

Ekzekutimi i dy ushtarëve u krye para forcave të Brigadës së 5-të. Ushtarët thërrisnin vazhdimisht: “Poshtë tradhtarët”. Njoftimi është përpiluar më 14.12.1945 kur divizioni gjendej në Elbasan. Shënohej vetëm fjala e Selimit i cili kish thënë se nuk ishte fajtor.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here