Drejtësi e cunguar: Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri mund të zgjasë më shumë se diktatura

2
1197
blank

Mbi tri dekada pas rënies së diktaturës në Shqipëri, vetëm 6 për qind e të përndjekurve politikë kanë arritur të dëmshpërblehen plotësisht, në një skemë kompensimi që mund të zgjasë edhe tri dekada të tjera.

Nga: Arta Çano

Natën e 18 majit 1990, vëllezërit Gjek dhe Vat Beci, 35 dhe 25 vjeç, po tentonin të arratiseshin në Ish-Jugosllavi, përmes Adriatikut, kur u qëlluan nga rojat bregdetare.

“Si pasojë, u plagosa unë dhe më vonë, vranë vëllanë tim në breg”, tha Gjek Beci për Kujto. Beci u dënua me dy vjet heqje lirie. Deri në prill, kur Kujto bisedoi me të, Beci ende nuk kishte përfituar dëmshpërblim për dënimin e tij.

blank
Gjek Beci, 70 vjeç, ish-i dënuar politik

“E kam bërë kërkesën [për dëmshpërblim] pak me vonesë”, tha Beci, dosja e të cilit vetëm sa është pranuar.

Vetëm 6 për qind e mbi dyzet e dy mijë personave që, sipas Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, kanë status të përndjekuri në Shqipëri, janë dëmshpërblyer plotësisht dhe, sipas të dhënave zyrtare, procesi mund të përfundojë pas tri dekadash. Me këtë ritëm, kur dy e treta e të përndjekurve politikë në Shqipëri ende nuk dëmshpërblehen, pritja për dëmshpërblim, që nga rënia e komunizmit në 1991-shin, mund të jetë më e gjatë se vetë diktatura.

blank

Et’hem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe ish-i internuar, tha për Kujto që autoritetet “nuk po japin as [dëmshpërblimet për] këto [dosje] që njerëzit i kanë dorëzuar në kohë”.

blank
Et'hem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ish-i internuar

Më shumë se 17 vjet nga hyrja në fuqi e Ligjit “Për Dëmshpërblimin e Ish-të Dënuarve Politikë të Regjimit Komunist”, gati 77 për qind e dosjeve të miratuara janë ende duke pritur këstin e radhës.

Kujto, gjatë muajve mars-maj 2025, zhvilloi një pyetësor online ku morën pjesë 169 persona ku 106 janë vetë ish-të dënuar politikë ose trashëgimtarë të ish-të dënuarve që nuk jetojnë, prej të cilëve shtatëdhjetë janë përfshirë në dëmshpërblim.

Vetëm 11 vetë janë dëmshpërblyer plotësisht.

blank
Nga familjarët, vetëm 4 janë dëmshpërblyer plotësisht, ndërsa 1 nuk u përgjigj.

(As) në gjysmë të rrugës

Sipas raportit për vitin 2023 të Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Financave, MF, “nëse buxhetimi dhe çelja e fondit vazhdon me këtë ritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet pas afërsisht 29 vitesh”.

Deri më 31 dhjetor 2024, sipas MF, nga fondi prej më shumë se 52.6 miliardë lekësh për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, është paguar më pak se gjysma: rreth 24.9 miliardë lekë.

Detyrimi do të mund të shlyhet më herët nëse shfrytëzohet fondi i këtij viti prej 1.4 miliardë lekësh, 17 % më i lartë se i 2024-ës dhe mbahen premtimet e ministrit të Drejtësisë në detyrë, Ulsi Manja, dhjetorin e kaluar, në Kuvend, se “buxheti vjen me rritje”.

Megjithatë, shumica e pjesëmarrësve në pyetësor, nuk janë optimistë. Rreth 71 për qind e tyre janë përgjigjur që procesi nuk do të përfundojnë asnjëherë ose që nuk e dinë kur mund të përfundojë, përkatësisht 65 dhe 55 vetë.

blank

 

MF tha për Kujto, me shkrim, se nga viti 2007, kur hyri në fuqi Ligji Për Dëmshpërblimin, deri në maj 2025, janë dëmshpërblyer plotësisht 1,987 dosje të ish-të burgosurve dhe 323 të viktimave të ekzekutuara. Këto, bashkë me dosjet e dëmshpërblyera plotësisht para 2007-ës, përbëjnë vetëm 19% të dosjeve të miratuara gjithsej.

Sipas studiuesit në fushën e së drejtës, Bledar Abdurrahmani, skema aktuale e dëmshpërblimeve, “ka cenuar standardet bazë kushtetuese”.

Abdurrahmani i tha Kujto se “reformat reparatore të drejtësisë tranzitore në Shqipëri, sikundër është ajo e dëmshpërblimit të të dënuarve politikë, në vend që të ishin shembulli i ndjesës dhe drejtësisë, krijuan padrejtësi të reja” duke shkelur të drejtën për: siguri juridike, pronë, një proces të rregullt ligjor, mosdiskriminim, si dhe për një ankim efektiv.

Procesi has në burokraci që shkaktojnë vonesa. MF pranoi se 545 dosje të miratuara e kanë humbur këtë të drejtë për shkak të mosdorëzimit në kohë të dokumenteve.

Dëmshpërblimi mund të mos ekzekutohet kur trashëgimtarët e radhës së dytë ndahen nga jeta. As kur një nga trashëgimtarët nuk e dorëzon dosjen, duke penalizuar kështu gjithë të tjerët.

Filip Guraziu, nënkryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, në Shkodër shkruan në pyetësor se “kjo është e qëllimshme, për mendimin tim”.

Ngjashëm e bija e një ish-të dënuari politik shkruan në pyetësor që autoritetet e “shtyjnë procesin me shpresën se s’kanë për të paguar asnjëherë”.

Ndryshime të vazhdueshme ligjore pa rezultate konkrete

blank
Angjelin Dabërdaku, ish-i dënuar politik, sot, i dëmshpërblyer plotësisht

Sipas Angjelin Dabërdakut, ish-i burgosur në Spaç, që ish-të përndjekurit të merrnin këstin e dytë, “u desh me djeg trupin Lirak Bejko”. Bejko u vetësakrifikua, në tetor 2012, gjatë grevës së urisë së ish-të dënuarve politikë që kërkonin dëmshpërblimin e viteve të burgut.

Kësti i dytë u dha rreth një vit më vonë, në 2013.

Procesi i kompensimit të të burgosurve politikë në Shqipëri nisi që në vitin 1991, kur ish-të dënuarit politikë u shpallën të pafajshëm dhe mori formën aktuale në 2007-ën për të pësuar disa ndryshime në vazhdimësi. Ndryshimet kryesisht përshpejtuan dëmshpërblimin e ish-të burgosurve gjallë, por ngadalësuan procesin për familjarët e atyre që kanë vdekur.

Në 2014-ën, u vendos që 70 % e buxhetit për të përndjekurit të shkonte për ish-të dënuarit (në burg, spital dhe izolim në hetuesi) gjallë në momentin e pagesës dhe për fëmijët e mitur të atyre që nuk jetojnë. Kjo kategori deri në 2017-ën mori 6 këste dhe deri sot, 22.

Nuk dihet sesa ish-të burgosur jetonin kur nisi procesi, por numri i të dëmshpërblyerve plotësisht deri tani, nuk është as 14 për qind e 14,563 që dolën gjallë nga burgjet e diktaturës.

Me anë të një përgjigjeje me shkrim, MF informoi se vetëm 23 ish-të burgosur gjallë, nga ata që kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit të 1 korrikut 2009, po presin shpërndarjen e këstit të 22-të, ndërsa gjithë të tjerët janë dëmshpërblyer plotësisht.

Shtatë prej nëntë ish-të burgosurve që morën pjesë në pyetësor, thanë se e kanë përfituar të plotë dëmshpërblimin.

Në 2017-ën, afati i dorëzimit të kërkesave për ish-të burgosurit gjallë u shty deri më 31 dhjetor të atij viti.

Ministria e Drejtësisë, MD, thotë se në atë periudhë u dorëzuan 3,036 kërkesa, por ato nuk janë marrë në shqyrtim, në pritje të ndryshimeve ligjore. Gjithashtu, janë ende “në proces shqyrtimi/verifikimi” 728 aplikime të dorëzuara para 1 korrikut 2009.

Zgjatja me vite e procesit, ka bërë që shumë ish-të dënuar politikë të ndahen nga jeta pa u dëmshpërblyer dhe sot janë familjarët që presin, pa ditur se kur do të dëmshpërblehen.

MF informon se në proces janë ende 10,355 dosje-rreth 76.6% e dosjeve të miratuara-dhe se “po vijohet me pagesat e këstit të katërt” për familjarët. Por 32 trashëgimtarë në pyetësor, kanë thënë se kanë përfituar më pak se 4 këste deri tani.

Nga 95 trashëgimtarë në pyetësor: 61 përfitojnë dëmshpërblim dhe vetëm 4 prej tyre janë dëmshpërblyer plotësisht.

blank

 

“U bëmë 63 vjeç unë, mami 90 vjeç, vëllezërit të dy u plakën dhe presim akoma”, shkruan e bija e një të pushkatuari.

E pyetur nga Kujto, për shkaqet e vonesave, Ministria e Financave fajësoi ish-të përndjekurit që sipas saj nuk e dorëzojnë dokumentacionin në kohë dhe shkaktojnë vonesa “3 deri në 4 vjet” nga kësti në këst. Përndryshe, sipas MF, “pagesat do të realizoheshin shumë më shpejt”.

Të internuarit, të padëmshpërblyer

Pjesa dërrmuese e të internuarve në kampe me tela me gjemba, që në Shqipëri funksionuan deri në tetor 1953, nuk mund ta vërtetojnë dënimin, siç e kërkon ligji, me një burim arkivor të krijuar para datës 10 janar 1991, duke bërë që të mos marrin dot dëmshpërblim.

“Ato vendime kanë humbur e nuk janë ruajtur”, tha për Kujto drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi. “Ky fakt del edhe në raportet e kohës së regjimit komunist”. MD informoi, me shkrim, se, si rezultat, “nuk ka përfitues” nga të internuarit në kampet me tela me gjemba.

Ligji parashikon, për këta të internuar, dëmshpërblim 1,000 lekë për ditë internimi.

“Zero dëmshpërblim ka marrë kjo shtresë”, tha Fezollari, i cili nuk ishte as 4 vjeç kur e internuan familjarisht nga Pogradeci në kampin me tela me gjemba të Valiasit, në Tiranë.

blank
Ilir Çullhaj, i lindur në internim, në periudhën pas kampeve me tela me gjemba

Ilir Çullhaj, pasardhës i një brezi të internuar, tregon se bashkëshortja e xhaxhait, Bedrie, e internuar në kampin e Tepelenës, sot është mbi 90 vjeç.

“Po kur do ta marrë kjo dëmshpërblimin, që sot, nuk stimulohet as me pension, as me strehim, as me kurrfarë gjëje”?!

MD informoi se deri në 1 korrik 2009, janë dorëzuar 4,886 aplikime në kategorinë internim/dëbim, të periudhës pas telave me gjemba, por për to, pritet miratim për një skemë pensioni me Vendim të Këshillit të Ministrave, VKM. Deri tani, kjo skemë nuk është miratuar.

Pjerin Alija, një ish-i internuar, së bashku me prindërit e tij, shkruan në pyetësor se, pavarësisht statusit të të persekutuarit politik “me vendim gjykate, asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer”.

Mungesë fondesh apo vullneti politik?

Ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse fondet për dëmshpërblimin përcaktohen në bazë të mundësive, por rreth 97 % e pjesëmarrësve në pyetësor mendojnë se procesi duhet të kishte përfunduar tashmë.

Sipas kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me qendër Shkodër, Zenel Drangu, ish-i burgosur për 17 vjet, fondi për të përndjekurit nuk mjafton që të gjithë të marrin nga një këst, çdo vit.

blank
Zenel Drangu, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve të Shqipërisë, me qendër Shkodër; ish-i burgosur politik për 17 vjet, 15 nga të cilat në burgun e Spaçit

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, i tha Kujto se, sipas statistikave të sufiçitit buxhetor të çdo viti “diku te 500 milionë Euro”, ekziston mundësia për një fond më të madh.

Soko mendon që “nuk ka vullnet politik” sepse “është shumë e realizueshme që shuma prej 270 milionë Eurosh që ka mbetur, të ndahet në 3 vjet”.

Megjithatë, Arben  Malaj, ish-ministri i Financave i tha Kujto që “skema financiare e buxhetit për ish-të përndjekurit ka qenë shumë më bujare se e vendeve të tjera dhe shumë më e lartë se mban kurrizi i taksapaguesve shqiptarë”.

Por Drangu, duke numëruar veprat e realizuara me punën e papaguar të të burgosurve politikë si tharja e kënetave, aeroporti “Nënë Tereza”, kombinatet apo stadiumet, thekson se ish-të dënuarit nuk po marrin paratë e taksapaguesve. “Ne marrim djersën e mundin tonë”, tha Drangu.

E bija e një ish-të burgosuri, Ejona Keqi, shkruan në pyetësor se ish-të përndjekurit “kanë humbur vite të jetës në burgje, kampe pune, apo internime. Përveç kësaj, familjet e tyre janë përballur me diskriminim, përjashtim shoqëror dhe vështirësi ekonomike”.

Ligji parashikon një dëmshpërblim 2,000 lekë për çdo ditë dënimi në burg, hetuesi ose spital.

Reth 62 për qind e pjesëmarrësve, mendojnë se shuma e llogaritur si dëmshpërblim nuk është e drejtë po të merren parasysh vuajtjet, vështirësitë e punës së ish-të burgosurve, apo inflacioni.

“2 mijë lekë dita është pak e qesharake”, shkruan ish-i burgosuri i Spaçit, Zaim Keqi, që ka punuar në minierë.

“Nuk ka asnjë lloj vlere që mund të të kthejë atë pjesë të jetës që ta kanë vjedhur”, shkruan Nestor Topencarov, që u dënua kur ishte student.

Sipas Fezollarit, kjo skemë dëmshpërblimi nuk i zgjidh problemet e kësaj shtrese dhe sugjeron “një pension special”.

Për të përndjekurit, dëmshpërblimi nuk ka vetëm rëndësi financiare, por “ka rëndësi nga ana morale, për hir të drejtësisë, që deri tani nuk e kemi gjetur”, sic shkruan Mihaill Pumo, ish-i internuar.

Gjithsej, 260 dosje konsiderohen të likujduara nga ligjet e mëparshme dhe disa pjesëmarrës e kanë quajtur të padrejtë zbritjen nga dëmshpërblimi të përfitimeve të marra para hyrjes në fuqi të ligjit në 2007, si letra me vlerë apo pasuri të paluajtshme.

“Letrat me vlerë humbën fare dhe vlera e banesave [të marra si dëmshpërblim] është llogaritur me vlerë tregu të sotëm, në një kohë që gjithë popullata i mori pothuaj falas”, shkruan Agron Hado, i biri i një ish-të burgosuri, duke iu referuar shumave të ulëta që u paguan nga shqiptarët për privatizimin e banesave pas rënies së komunizmit.

Të penalizuar nga ligji dhe burokracia

Rreth 67 për qind e ish-të dënuarve dhe familjarëve në pyetësor e konsiderojnë procesin e dëmshpërblimit “të vështirë dhe të lodhshëm”.

Autoriteti për Informim për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, ka bërë publike se nga 1,220 kërkesa të trajtuara që prej vitit 2017, “një në tre, ka rezultuar pa të dhëna arkivore”.

Më shumë probleme me dokumentacionin dhe institucionet, raportojnë familjarët.

Për shembull, Aldo Renato Terrusi, babai i të cilit ndërroi jetë në burgun e Burrelit, i ka sjellë Kujto përgjigjen e vitit 2011 të MD-së ku shkruhej se Terrusi duhej të aplikonte, ndërkohë që ai ishte jashtë afatit.

Disa grupe të përndjekurish janë përjashtuar nga Ligji Për Dëmshpërblimin si familjarët e të vrarëve për motive politike nga komunistët para 30 nëntorit 1944-rreth 2,222 sipas studimit të Çelo Hoxhës në librin me disa autorë “Të gjithë të rënët e Luftës II Botërore”; dhe të burgosurit politikë “për vepra terroriste”.

“Dokumentet i gjeta të gjitha. Ndryshoi ligji dhe nuk përfituam”, shkruan Ndriçim Mehmeti, gjyshi i të cilit u pushkatua në vitin 1943.

“Ka dy histori”, tha Gjek Beci, i arrestuari gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit. “Historia ime një herë: shteti ka vënë afat për një borxh që ia ka qytetarit”. Ndërsa historia tjetër “komike-tragjike”, sipas tij, është se, për të vëllanë që mbeti i vrarë natën e arratisjes, si për çdo të ekzekutuar gjatë diktaturës, ligji parashikon dëmshpërblim sa për 8 vjet burg.

“Ishte shtet vrasës dje, tani është shtet gati tallës,” tha Beci./kujto.al

Imazhi kryesor: Ilustrim grafik nga Romilda Marku

*Ky artikull u mbështet nga BIRN nëpërmjet fondeve për "Audience-Engaged Journalism", pjesë e programit "Media Innovation Europe" 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

2 KOMENTE

  1. Prsh, jam Ndue Hoti, 67 vjec, i lindur ne Gurez, 17 janar 1958, me vendqendrimi ne Gorre(FK), Kurbin. me profesion inxhinier metalurg, sot gjysem pension.
    Pak histori familjare.
    Une jam i biri i Dod Nik Hotit dhe Gjyste Bajraktari Hoti. Babai im Dod Nik Hoti(1928-16 mars 2006), mbeti jetim, pa babain qe ne moshen 6 muaj. Babai tij vdiq nga nje semundje. Babai u rrit nga e ema dhe me vellain 3 vjet me te madh. U rriten ne kushte mjaft te veshtira, sa ne Gorre e sa te fdajat e tyre Vermosh.
    Ne ushtri(1947-1949), babai kreu nje kursin per infermjer ne spitalin e Durresit. Kthehet ne fshat dhe vazhdon si infermjer apo punonjes shendetsie dhe me vone kur largohet infermieri nga Kruja, zyra shendetsore e rrethit te Krujes e cakton ne infermier ne ambulancen e lokalitetit Gurez, ketu sherben deri nga viti 1957 kur e transferojne ne ambulacen e Lacit ne vend te infermierit te me parshem Mark Zef Pali, i cili ishte arrestuar per krijimin e grupit antikomunist. Une u linda ne kete qytet por me pashaportizim ishim ne lokalitetin e Gurzit. Mandej babai im transferohet si infermjer prane kantjerit Rruga-Ura ne Milot, Ura e Fshatit ne Burrel, ne Plan -Bulqize dhe me 1961 merr pashaportizimin ne spitalin e qytetit te ri te Rreshenit/Mirdite ku une mbarova klasen e pare. Babai im ishte kushri i pare me Pashk Zef Hotin(1917-23 qershor 1953), ky i arratisur dhe i vrare nga Forcat e Ndjekjes se Sigurimit te Shtetit ne afersi te Kalase se Ishmit . Ne spitalin e Rreshenit mbaj mend, se kur shkoja t'i dergoja buken, babai ishte ne Tabelen e Nderit dhe sherbente ne Repartin e Urgjences bashke me Mjekun e Urgjences Mehill Lleshi nga Malajt e Mirdites. Diku nga viti 1965 apo nga fillimi i vitit 1966 babait per fajin e mjekut Lleshi, i vdes ne repart nje paciente. Babai kerkoi me insistim ndryshimin e ilaceve, por mjeku i papergjegjshem e neglizhoi dhe kjo solli pasojen fatale te pacientes. Ne spital sherbente me te shumten si sanitare edhe edhe nena ime. Kjo ngjarje u be shkak qe sekretari i pare i asaj kohe, Jorgji Shuli, gruaje te cilit ishte edhe drejtoreshe e spitalit, te marre masa te ashpra per te debuar nje pjese te madhe te personelit, kryesisht te ardhur nga rrethet e tjera. Me kete rast edhe Babai e Nena ime ishin pushuar dhe u ishte dhene urdheri per t'u larguar vullnetarisht. Po ku te shkonin. Ne fshat nuk kishin asnje mjet jetese, as shtepi as toke. Ne Rreshen kishim nje shtepi te vogel, provizore dhe po prisnim shtepine e re, ne pallat. Nenes i sygjeronin ndarjen. Ne ishim pese femije. Nena nuk pranonte. Nje dite nga mesi i gushtit 1966, vijne drejtues te qytetit dhe te policise dhe na nxoren me force nga shtepia dhe na ngarkuan ne nje gaz 51 e drejt ne fshatin e lindjes se babait ne Gorre dhe na shkarkuan te shtepia e xhaxhait ku jetuam ne kushte shume te renda. Pas 6 muajve, na dhane te stallat e kooperatives Gorre, nje stalle e pandare, ku sherbente veterineri. Babain e lejuan te ushtronte profesionin ne fillim me 90 dit pune(mire), nena u punsua ne stalla si mjelese. Une ketu fillova klasen e dyte. Si ne Rreshen qe isha i pari i klases me mesuesen nga Tirane Klara Kodra, edhe ne Gorre isha i pari. Ne vitin 1969 ndertuam ne Vijen e Verdhe shtepine tone te vogel por si "kuti" dhe per fat erdhen edhe dritat. Por babait erdhen duke ia paksuar ditet e punes, ne 60 seri ne 28n dite pune deeri sa babai u dorzua sepse kjo pagese nuk i mbulonte shpenzimet tona dhe punoi dy pune ne kooperative, roje naten e diten duke ha[pur kanale ne brigaden e arave. Punonte fort deri ne 40 apo 60 ditpune dhe keshtu seri sa u semur nga astma ne vitin 1972. Ne vitin 1973 mbarova shume mire 8-vjecaren. Ne ishim te paret qe mbaruam 8-vjecaren ne Gorre dhe na inkurajonin se do te na jepnin bursa per te vazhduar te mesmen ne qytete. Per te na mbaqjtur babai u fut traktorist dhe me vone mekanik me kategori te ulet si i semure. Nuk po numeroj mundimet e tij.Keshtu doli ne pension. Pra, une isha nxenes i mire, me mesatare 9,3 dhe mes provimit te matematikes dhe Gjuhes me therrasin mesuesi kujdestar(komunist) dhe Drejtori i shkolles(komunist) qe duhej te pranoja bursen per oficer. Babai e quajti provokim, dhe mendoi se mund te me djegnin per problemin e biografise. Dhe u thashe se nuk e pranoj. Dy provimet e para i mora 10 dhe te fundit direkt 9(nga refuzimi. Fshati kishte respekt per familjen tone. Ne gjithe femijet ishim nxenes te mire. Nga organizatat e ndryshme ishte vendosur qe te gjithe femijet e pare do te shkonin me burse. Me kishin dhene degen e mesuesise dhe nje vajze per mekanike, por pasi ajo ishte e vetme dhe me biografi te mire, e ndryshuan mendimin, mua per industrialen e Vlores dhe shoqes se klases per mesuese ne Elbasan. Ne Vlore 1973-1977 e kalova shume mire, mbarova pothuaj si ne tetevjecare. Ne fshat jeta ishte bere tmerrsisht e veshtire. Vlora ishte per mua, sikur te isha jashtshtetit. Pra, nje ndryshim tejet i madh. Qe ne dhtator 1977 kerkova pune ne Zyren e Punes ne Kruje, por as pune dhe as Shkolle te Larte. Me dergojne ne Fierze, punoj jashte profilit por mendjen e kisha per te punuar ne profilin tim motorrist me kategori te mesme ose ne Shkolle te Larte per Inxhinieri Mekanike ose Fakulteti i Shkencave te Natures dega Matematike Fizike sepse ndihesha shume i mire ne Matematike. Te tri provimet e shtetit ne Vlore 10-ta. Por shoket e dhomes nga Kruja me thonin, ti kot meson se je me njolle ne biografi. Ne Fierze jeta ishte shume e veshtire, punoja te Sektori i Pompave te Kanali i Daljes, me tri turne, nen nje kolibe vetem me kater shtylla, pra ne dimer ku frynte nje ere e forte dhe temperaturat deri minus 15 grade, por isha i ri dhe mbijetova. Keshtu kuptohet ishin edhe 4-5 koleget e mi. Beja kerkesen per shkollen e Larte, nuk pergjigjej njeri. U ktheva ne fshat per te qene me afer problemit, por perseri as pune as shkolle. Jeta veshtiresohej edhe me shume. Vite iluzionesh. Ne vitin 1980 me therrasin per ushtare. Me dergojne ne Repartin e Xhenios, ndoshta si me profesion, ndoshta se isha me biografi jo standarte, por kur erdhi urdheri per te shkuar nga reparti i Rinasit ne Dajt, diten e dyte te perzgjedhjes me larguan nga rreshti me lane ne Rinas. Ndoshta pasi u binden per biografine, Dajti kishte punime sekrete. Ne vitin 1982 mbarova ushtrine dhe me caktuan si mekanik ne nje vens 7 km larg rruge pa rruge, me kategori te peste por vetem me 320 leke ne muaj. Atje konsumoja 90 leke dhe 230 leke te reja ngeleshin per te derguar ne shtepi. Gjate kesaj kohe aplikova perseri ne vitin 193 per shkolle te larte. Kur ne shtator e shof emrin ne plep, isha ne listen e studenteve qe u ishte pranuar kerkesa, por jo sipas deshires qe kisha shprehur, por inxhinieri metalurgjike. Shkova me zemer te thyer. Ishte pese vjet. Isha 26 vjec. Takova nje bir komunisti dhe me thaq: kot ke ardhur...!!?? Kishte funksione ne fakultet, ne komitetin e rinise. Ne Fakultet kishte edhe dege te sigurimit te shtetit, dhe verifikonin ndonje qe me biografi te papershtatshme kishte arritur ne rruge te ndryshme te regjistrohej ne Shkolle te Larte. Ndonje si Nikolini e kishte pesuar me inxheksion, e kisha pare ne Fierze te cmendur. Nje tjeter nga Gurzi ishte arrestuar, Gasper Gaspri, etj. qe ishin kthyer. Ne ate kohe refuzimi apo mbetja ne fakultet ishte nje turp i madh. Kishte studente qe i kishin detyruar te vetvriteshin. Studjova shume, por viten e pare e humba. Pesova tronditje, por rezistova shkova dhe punova nje vit ne nje pus minire ne Manze. Une edhe se me disa vite prapambetje, nuk ndihesha pas kolegeve, aty kishte mendoj edhe shume te tjere me biografi, nuk ishte dege e preferuar. Une shkova vetem per te mos u kthyer ne fshat me kushte cnjerzore. Nuk isha mesuar te futja miq. Asnje kafe nuk ia kisha dhene kuj. Kisha besim te madh tek forcat e mia. Por, kur te japin dy apo tri here te njejten teze, Fol per Teorine e Rivalitetit te ajnshtajnit, kuptohet ose 10 ose 4. E mbarova me shume mundime shkollen e Larte. Por, puna ishte e sigurte. Me 18 shtator fillova pune ne Repartin e Metalurgjise, Komb. Kimilko-Metalurgjik ne Lac. Shoku qe ishte komunist ishte bere sekretar i pare i rrethit te krujes por me ndryshimet e sistemit ai erdhi ne kete uzine dhe direkt ne nje vend me te mire se une. Une punoja si inxhinier turni me tre turna. Kushte te tmerrshme, me keq se ata te minierave, te burgosur ne Spac. Nejse kisha shpenzuar vite jete te mira, duhej te vdisja aty apo te mbijetoja. Punoja dhe studjoia. Isha tashme i perkushtuar si inxhinier, ndryshe mund te denoheshe per mos zbatim te kushteve te prodhimit. Inxnxhinieri ishte i pari qe denohej, bllokim furre, djegie produkti, aksident, etj. Erdhen ndryshimet. Shihja komunistet qe po prishnin repartet e ndermarrjes. Per nje tub gome te konvertat mendoj se u shkatrrua gjithe reparti, po edhe nga mos furnizimi ritmik me minera Perfitova nga mbyllja e ndermarrjes kalimi ne ARN, me vinte keq per mbylljen dhe per shkatrrimin se po ikte diploma, por gjithe ajo ndotje nuk ia vlente, po mbytte njerzit., dhe iu pervesha gjuheve te huaja, italisht dhe gjermanisht. Partia Demokratike shpresa e shqiptarve nuk po i mbante premtimet. Fillova te dyshoja te PD-ja, te PS-ja nuk kisha patur lidhje. I pakenaqur nga te dyja, i sulmuar nga te dyja. Perseri pa pune, une dhe bashkshortja ime. Une mbeshtetja ish-te perndjekuroit politik. Arrita te shkruaja ne gazetat e tyre, deri da mu qep Sherbimi informativ. Ulesha ne nje kafe ai me rrethonte me skuadren e tij. Me provokonte. Ata kishin edhe arme. Nuk ishte detyre e tyre, por ne fushatre elektorale te sulmonin. Rastesisht gjeta nje pune si inspektor i mjeteve matese, por sa erdhen nsocialistet me hoqen. Nje mik me qe kishte shok kryetarin ne bashkise ne Lezhe me qenese kishte njohje dhe me piunsuan, por une nuk mund te rrijaq pa denocuar krimet komuniste ne fshatin tim, ne Gurez, etj. Pas kater vitesh ne diten e vdekjes se Enver Hoxhes me thireen ne Zyren e Burimeve Njerzore, me thane se shkurtohet vendi i punes, bej letrat per asistence, Me ra si nje rrufe, pa paralajmerim, 11 prill 2006, kurban per vdekjen e Enverit. Qe nga ajo kohe une nuk u pranova ne punet shterore. Punova ne piune te ndryshme si ekonomist apo faturist deri sa dola ne pension. U genjeva pas diplomes dhe premtimeve se Shqiperia do te hapte vende pune, se vendi kishte nevoje per specialiste, por ndodhi blerja e diplomave dhe na rrofte shkolla.
    ~~~~~~~~~~~~~~~~~
    Une isha biri i Dod Hotit, qe e3 pesova me shume ate debim. Kam qare dhume here dhe merzitur babain e nenen si na sollen ne fshat. Mendoj se debimi u krye per te liruar dy vende pune dhe per te na marre shtepine e re. Kuptohet se per kete u shfrytezua mbemri HOTI, me kushririn e babes Pashk Hoti. Kerkoj te me njihet ky debim i pa mbeshtetur ne ligj nga sekretari i pare Jorgji Dhuli, Kryetari i Kom. Partise Cara e Dudi dhe Drejtori i spitalit aGjon Legisi.
    Une kam 25 vjet qe shkruaj autodidakt, neper gazeta, portale, duke denoncuar krimet komuniste, me studime, takime personale, fotografi, poezi, duke organizuar perkujtimore, etj. Puna ime mendoj se ka lene gjurme ne kete histori 30 vjecare. Kerkoj qe te shikohet nga ana juaj. Cdo gje eshte e shkruar, ne FB, Istagram, gazeta, Google, Inteligjence Artificiale, etj. Vazhdimisht jam shkarkuar nga pune per kete arsye. Me falni per shklrimin e gjate. Me konsiderate Ndue Hoti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here